Skip to main content

“VIDEO: Shkatërrohet rrjeti i droges Shqipëri-Itali-Belgjikë, 7 të arrestuar” plus 9 more - Gazeta Dita

“VIDEO: Shkatërrohet rrjeti i droges Shqipëri-Itali-Belgjikë, 7 të arrestuar” plus 9 more - Gazeta Dita


VIDEO: Shkatërrohet rrjeti i droges Shqipëri-Itali-Belgjikë, 7 të arrestuar

Posted: 17 Apr 2018 01:51 AM PDT

Një bandë narkotikësh, e cila merrej me trafikun e kokainës mes Shqipërisë ,Italisë dhe Belgjikës, është shkatërruar.

Në pranga janë vendosur 7 persona, ndër të cilët gjenden shqiptarët, Aleks Boci 38 vjeç, Florian Prendi 31 vjeç, Edmir Hatijia 41 vjeç, Elidon Shpërdhjea 38 vjeç, si dhe 3 shtetas italianë.

Mediat italiane raportojnë se dy shqiptarë janë arrestuar në Shqipëri, dhe po sipas tyre, kreu i bandës ishte shqiptari Aleks Boci, i cili me ndihmën e disa shqiptarëve rezidentë në Belgjikë organizonte trafikun e drogës nga Amerika e Jugut në veri të Europës e më pas në Romë.

Kokaina transportohej përmes portit të Anversës dhe pasi mbërrinte në Romë, lënda narkotike administrohej nga dy trafikantë italianë, Claudio Cesarini e Daniele Ferri.

Hetimet kanë dokumentuar 160 kg kokainë të trafikuar, por vetëm 9 kg është mundur të sekuestrohet.

Është dokumentuar gjithashtu dhe përfitimi i 1 milionë e 600 mijë eurove nga kjo organizatë kriminale, prej të cilave janë vendosur në sekuestrim vetëm 430 mijë euro.

Sipas investigimeve italiane, një sasi e drogës ishte e llogaritur t’i dorëzohej bosit mafioz të Ndraghetas, Davide Perronances.

s.a/dita

 

Basha në Berlin: Opozita, e bashkuar për hapjen e negociatave

Posted: 17 Apr 2018 01:26 AM PDT

Kreu i Partisë Demokratike ka folur përpara seancës dëgjimore nga Komisioni i Politikës së Jashtme të Budestagut në Gjermani, për progresraportin e Komisionit Europian.

Në rrjetin social “Facebook” ai ka publikuar një video në të cilën thotë se në seancën dëgjimore që do të nisë, do të trajtohen shqetësimet kryesore të grupit CDU-CSU që kanë të bëjnë me luftën kundër drogës, luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi.

Ai komenton se qëndrimi i tyre është skeptik ndaj negociatave, dhe prandaj detyra që shtrohet për të bindur këtë komision, sipas Bashës, është tejet e vështirë.

 “Këto probleme mund të luftohen më efektivisht me hapjen e negociatave dhe jo me mos hapjen e tyre, dhe që opozita është e bashkuar në thirrjen e saj për të kërkuar hapjen e negociatave edhe si një mjet shtesë presioni dhe monitorimi për të intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit “, thotë Basha.

Ai ka përmendur gjyqtarët dhe prokurorët e pa korruptuar si mundësuesit e vetëm të zbatimit të Reformës në Drejtësi, por dhe të Reformës së Administratës Publike e asaj Zgjedhore.

Basha e ka përfunduar fjalën e tij duke thënë se zhvillimet e mëtejshme për rezultatet e kësaj mbledhjeje do t’i raportojë po në rrjetin social “Facebook”.

Publiée par Lulzim Basha sur mardi 17 avril 2018

s.a/dita

Kreu i Komunitetit Mysliman: Nëse Turqia do ushtronte presion në Tiranë…

Posted: 17 Apr 2018 01:13 AM PDT

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj i është përgjigjur pyetjes së drejtuar nga “Zëri i Amerikës”, nëse komuniteti mysliman ka ndier presion për dorëzimin e “gylenistëve” nga ana e Turqisë.

Bruçaj u shpreh se nëse në Tiranë do të ushtrohej një presion i këtij lloji, Shqipëria si një vend i lirë do të dinte se çfarë do të ishte më e mira për kombin.

“Problemet politike në Turqi, apo në një vend tjetër, ne si shqiptarë nuk ja zgjidhim dot, ne kemi prioritetet tona, ne investojmë për progresin, harmoninë dhe stabiltetin e vendit tonë dhe besoj që do ta ruajmë fort këtë vlerë, duke respektuar dhe në bashkëpunim me shtetet e tjera fqinjë," –  shtoi më tej për "Ditarin" Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj.

Ai gjithashtu u shpreh se shqiptarët, si një popull i vogël, e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin, dhe këtë gjë e dëshmojnë çdo ditë përmes jetesës së tyre në harmoni fetare, pavarësisht zgjedhjeve të ndryshme të bëra në fe.

Bruçaj ndodhet momentalisht në SHBA, për të ligjëruar në dy universitete të Çikagos lidhur me harmoninë fetare në Shqipëri.

s.a/dita

Mogherini në Tiranë, ja kur bëhet publik progres-raporti i KE

Posted: 17 Apr 2018 12:55 AM PDT

Sot pritet të mbërrijë në Tiranë shefja për politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e cila do të ketë disa takime, pas dorëzimit të progres-raportit të KE për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Mësohet se do të jetë ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, ajo që do të bëjë publike raportin në orën 16:30, gjatë takimit që do të zhvillojë me kryeministrin Rama.

Axhenda

16:30 : Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, bashkë me kryeministrin Edi Rama do të bëjnë publike raportin për hapjen e negociatave.

17.30-18.00: Romana Vlahutin pritet nga Kreu i Kuvendit Gramoz Ruci.

Pasditen e së martës, Mogherini mbërrin në Tiranë, ku më pas do të darkojë me kryeministrin Rama.

Gjatë ditës së mërkurë, pritet të zhvillohen takimet e saj zyrtare, ku konkretisht: në 11:00 do të ketë një konferencë shtypi me kreun e qeverisë, Rama.

Kryediplomatja e BE-së do të ketë takime edhe me Presidentin e Republikës, Ilir Meta si dhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

s.a/dita

Lufta e klasave nuk ka justifikim

Posted: 17 Apr 2018 12:45 AM PDT

I nderuar z.Kryeredaktor

Marr shkak nga një shkrim i zotit Muharrem Xhafa botuar në gazetën e nderuar Dita që ju drejtoni. Titulli më tundoi ta lexoja me shumë vëmendje shkrimin duke kuptuar më thellë mendimin e zotit Xhafa, si ish drejtues kryesor të majtës ekstreme ose mësaktë të së majtës së vërtetë në Shqipëri ..

Pavarësishtë se në përgjithësi jam dakord me arsyetimin dhe argumentat që zoti Muharrem Xhafa bën në këtë shkrim , mund ta them që në fillim se jam zhgënjyer nga pjesa që dëshiron të përçojë zoti Xhafa, lidhur me mënyrën se si funksiononin gjërat në kohën e socializmit në Shqipëri.

Ç'dua të them me këtë? Konkretisht, në një paragraf i nderuari Muharrem Xhafa shkruan:

 "Të persekutuarit" janë të lirë të ankohen për atë pushtet, se ai i ka bërë zap dhe u ka dhënë atë që kanë merituar. As nuk themi që s'ka pasur një a disa njerëz të veçantë tē partisë, të pushtetit popullor e të organeve të tij, që mund të kenë shkelur ligjet, tejkaluar kompetencat apo bërë krim, duke bërë përpjekje të ndërhynin në punën e gjykatave! Se në çdo shtet e shoqëri ka njerëz të mbrapshtë! Po u themi të sigurojnë fakte, të dhëna, dokumente juridike të vërteta dhe t'ia dërgojnë ato gjykatave për të vërtetuar gjyqësisht shkeljen e ligjeve të asaj kohe e "mos të flitet në tym"! Këtu nuk duhet tê përfshihen ata persona, ish kuadro, që pushteti popullor i ka dënuar vetë për tejkalim të kompetencave e shkelje të ligjeve të asaj kohe, të cilët sot hiqen të persekutuar e më tej se kaq! Jam i bindur që shoqata e të përndjekurve e llogarit edhe këtë kontingjent si të përndjekur a të persekutuar nga pushteti popullor, në mos ata janë dhe në krye!”

Pikërishtë këtu qëndron shtangia ime dhe problemi që unë kam me këtë shkrim ..

Pra, zoti Xhafa e thjeshton në minimum fytyrën e vërtetë të regjimit të Diktaturës së Proletariatit, që ishte instaluar dhe vepronte ne Shqipëri. Ai me zbukurimet e tij, do që të na thotë se dikush ka gabur atëher , por regjimi ka funksionuar , dhe ajo çka ka ndodhur nuk ishte aspak gabim ..

Jo , zoti Xhafa . Nuk ishin disa njerëz që torturonin apo vrisnin kundërshtarë politikë, por ishte mënyra e të jetuarit dhe ngritjes së atij regjimi që e kishte në themel të sistemit të tij përndjekjen , intenimin, burgosjen dhe deri eleminimin fizik të kundërshtarëve politikë!

Vërtetë sot , të përndjekurit politik , dhe të afërmit e tyre , mund të mbledhin fakte e të vene ne burg disa njerës që “kanë gabuar” simbas jush , por kjo kurrësesi nuk mjafton .!

Problemi është që gjithëkush në Shqipëri , që e ka jetuar atë kohë , me të mirat e të këqijat , i përkedhelur apo i persekutuar i regjimit , duhet që ta kuptojë mirë dhe ta dënojë me forcë të ashtu quajturën luftën e klasave.

Kurrsesi nuk ka për të bërë përpara Shqipëria nëse edhe ne, unë e ti që nuk kemi qënë të përndjekur, zoti Xhafa t’u tregojme të rinjve fytyrën e vërtetë të diktaturës për sa i përket  mënyrës si i trajtonte kundërshtarët politikë!

Jam dakord me problemin që ngre shkrimi për zmadhim të shifrave apo gënjeshtra dhe keq informime që po i bëhen sot opinionit rinor që nuk e ka jetuar atë kohë, por kurrsesi  nuk do të jem dakord në asnjë rast , që gjërat nga ana tjetër të thjeshtohen në disa indivitë “që gabuan” dhe nuk zbatuan ligjin korrekt. Jo, jo, ishte  vetë sistemi që beri vrasjet, internimet, burgimet keqtrajtimet, etj ..

Vetëm kështu do të rrisim besimin në popull se me të vërtetë ka ardhur koha që të reflektojmë të gjithë. Kështu do të kemi të drejtë, sy dhe faqe , që të luftojmë neonazizmin e sotëm që ashtu si ujku kur veshte lekurën e qengjit, fshihet sot në demokraci, duke helmuar opinionin dhe duke bërë karrierë e pushtet me rrena dhe me qeverisje autoritare , të çdo lloji.

Sot koha ka ardhë, që të ketë drejtësi për të gjithë!

Partizan Cene

Kryetar i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë Emigrantë në Greqi

 

Ndalimi i hyrjes së Doshit në SHBA, reagon Ambasada Amerikane

Posted: 17 Apr 2018 12:39 AM PDT

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Departamentit Amerikan për t'i ndaluar hyrjen në SHBA deputetit Tom Doshi dhe familjes së tij, pasi akuzohet për kriminalizimin e politikës shqiptare si dhe për trafikim narkotikësh.

Ambasada ka publikuar vendimin e DASH në rrjetin social “Facebook”, në të cilin thuhet :

 "Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Sekretari i Shtetit mund t'ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik. Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur nuk lejohen të hyjnë në Amerikë".

s.a/dita

Gëtja në Romë në 1878 dhe poezia e një studenti shqiptar

Posted: 17 Apr 2018 12:32 AM PDT

Nga Moikom Zeqo

Gëtja – nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë përparimtare botërore, në librin e tij "Italiansche Reise" (botuar më 1870) ka shkruar përshtypjet e udhëtimit që bëri në Itali në vitet 1786-1788.

Në libër thuhet se më 13 janar 1787 Gëtja ndodhet në Romë ku "në prani… të një auditori të madh u mbajt një konferencë… pastaj u paraqitën 30 seminaristë dhe deklamuan njëri pas tjetrit poezi të shkurtëra, secili në gjuhën e vet amtare".

Gëtja shënon se poezia e dytë që u deklamua para tij ishte "epirotisht" d.m.th. shqip. Gëtja thekson: "Poezitë m'u dukën të ndërtuara të shumtën në metrikën kombëtare dhe të deklamuara po në mënyrën kombëtare".

Këtë fakt, për të cilin së pari bën fjalë studiuesi V. Kamsi, duhet ta shohim të lidhur me veprimtaritë kulturore e dëshmitë e poezisë shqipe në shekullin XVIII. Pa dyshim, kjo e dhënë e Gëtes ka rëndësi të veçantë në këtë aspekt.

Jo vetëm tregon interesimin e këtij poeti e shkrimtari të madh për kulturën e popujve të tjerë, për mundësitë e tyre popullore, për mënyrat poetike e prosoditë kombëtare, që u bënë objekt studimi nga vetë Gëtja e kohëtarët e tij evropianë, si J. G. Herderi që kërkonte në poezinë popullore, në folklor "shpirtin e hershëm të popujve", por edhe njohjen e kulturës shqiptare e jehonat e saj te personalitetet e kulturës evropiane.

Këto takime në fakt janë më të hershme.

Mjafton të përmëndim se një shekull para Gëtes një poet arbëresh i quajtur Daniel Korteze në 1638 boton një poezi të shkurtër në shqip kushtuar Klod Nikolla Pereshit, personalitet francez, dijetar, mik i filozofit materialist Gasendi dhe i Galileut, të cilin e mbrojti kur u burgos u persekutua nga inkuizicioni.

Në një libër kushtuar Pereshit me shkrime në gjuhë të ndryshme të Evropës, është në faqen 118 edhe poezia e arbëreshit Daniel Kortezit.

Në shekullin XVIII kemi disa poetë të shqipes, si; Nikollë Brankati, arbëresh; Xhusepe Barkia, Nikollë Filia, Françesk Avati, Nikollë Athanas Suli – gjithashtu të njohur për veprimtarinë poetike në gjuhën amtare.

Në 1762 Jul Variboba boton kryeveprën e tij poetike – veprën më të rëndësishme të poezisë shqipe në shekullin XVIII.

Tani le të bëjmë pyetjen kush ishte poeti i ri që deklamoi përpara Gëtes poezinë e tij? Çfarë përmbajtje kishte kjo poezi? Gëtja shënon karakterin e formën kombëtare. Pra, një poezi e kultivuar, por e frymëzuar nga poetika popullore.

Nuk mund të themi asgjë të saktë dhe më shumë për poetin anonim shqiptar. Ç'u bë me këtë poet i cili në 1787 ishte në moshën e rinisë? A shkroi më tej poezi apo shkrime të tjera shqip?

Të mos harrojmë se poetët e mëdhenj të shqipes duken sidomos një shekull më vonë: De Rada, Naimi etj.

Poeti anonim shqiptar i shekullit XVIII është një motiv i traditave tona kulturore, i përpjekjeve të popullit tonë, i afirmimit të vetëdijes së tij kombëtare.

Kërkime më të kujdesëshme arkivore lidhur me subjektin e mësipërm mund të nxirrnin në dritë ndoshta një ditë edhe emrin e njeriut që në praninë e Gëtes tha poezinë e tij shqipe.

Teksti i mësipërm u shkrua në 1988.

Miku im, perkthyesi dhe studiuesi i njohur Fotaq Andrea, mbasi u njoh  me këtë tekst më shkroi:

“Ne shkrimin tend tend  te 1988, me terhoqi vemendjen shenimi i Getes per kengen epirote dhe kerkova ne biblioteken e Strasburgut librin e tij "Udhetim ne Zvicer e ne Itali." Gjeta pikerisht letren e 13 janarit 1787 shkruar nga Roma, ku flet sic thua ti per kengen epirote (shqiptare) krahas kengeve te tjera.

Geteja ne leter fillimisht flet per nje statuje te Minerves ne pallatin Justiniani, tek e cila ndenji nje kohe te mire duke e admiruar dhe per te cilen iu tha se ka qene nderuar si shenjetore, aq sa me kohe nga puthjet e shumta te njerezve te dora e saj, kjo pjese e statujes qe zbardhur krejt, nderkohe qe pjesa tjeter e statujes ishte e murrme."

Po ju jap te plote pjesen ku Geteja flet nder te tjera per poezine epirote, sidomos per nje pike te vecante ku ia vlen te ndalemi edhe ju edhe une.

"Diten e Mbreterve, thote Geteja, festa e pershendetjes qe u behet Gentiliseve (fisnikeve), ne shkuam te Propaganda.Fide. Atje, ne prani te tre kardinaleve e te nje auditori te gjere degjuam fillimisht  nje fjalim lidhur me ceshtjen se ne cilin vend Virgjeresha Mari kishte pritur Tre Maget, ne stallen e bagetive, apo gjetiu. Me pas, u leciten disa poezi latine po per kete ceshtje dhe me pas, rreth 30 seminariste u shfaqen njeri pas tjetri per te lecitur poemthat e tyre,  secili ne gjuhen e vendit te vet: malabere, epirote, turke, moldave, helenike, persane, kolkike hebraike, arabe, siriane, kofte, sarracine, armene, madekase, islandeze, boiene, egjiptiane, greke, etiopiane, poezi hartuar sipas prozodise (metrikes) se vendit dhe recituar sipas deklamacionit kombetar… Greku u shfaq si nje yll mes nates….  Auditori qeshte me zera nga me te çuditshmit dhe nje ekzibicion i tille u shnderrua  keshtu ne farse (perfundoi ne tallje)."

Pra eshte fjala per cunake seminariste, nder te cilet edhe nje shqipo. Asgjw pra e vecante. Por ja tani cudia, tek po le Geten te flase:

"Ja edhe nje historicke qe tregon se me sa lirshmeri trajtohen gjerat e shenjta ne Romen e shenjte. I ndjeri kardinal Albani, merrte pjese nje dite ne kete ceremoni. Nje nga nxenesit, tek u kthye nga kardinalet, nisi te thote ne gjuhen e vet:" Gnain, gnain!" qe tingellonte pak a shume si canaglia (pra ndoshta qerratenj! )  Kardinali u perkul drejt njerit prej sivellezerve te vet e i thote: “Na njohu!”….

Pra nje nxenes shqiptar i eshte drejtuar Papës së ardhshëm Albanit me fjalet shqipe "Gnain, gnain!" Une do thoja se kemi te bejme ketu ndoshta me fjalet" Nja," nja te hundorizuar, ne gegerishte, pak a shume si "qe, qe!" e shqipes  se Shqiperise se mesme, pra ne kuptimin "Ja, ja," dmth Ja, ku jeni, ju njoh, gje qe vertetohet nga vete pergjigja e kardinal Albanit : "Na njohu! "

Me nje fjale, eshte shprehur habi dhe admirim nga femija shqiptar dhe nuk kemi te bejme ketu me sharje, qe nje nxenes seminarist te fyeje pa shkak eproret e tij, sidomos bashkwpatrioti i vogel bashkepatriotin e madh, papa Albanin. Dhe sakaq, asnje nga auditori nuk e ka kuptuar habine dhe admirimin e femijes shqiptar!

Keshtu them une, dhe qofsha i gabuar para Getes se Madh. Po mendimi juaj?”

 

 

 

 

 

 

 

Protestat në Sllovaki, dorëhiqet ministri i Brendshëm

Posted: 17 Apr 2018 12:25 AM PDT

Protestat masive të zhvilluara në Sllovaki, lidhur me vrasjen e një gazetari investigativ, po bëjnë që disa politikanë të japin dorëheqjen.

Pas dorëheqjes së kryeministrit Fico dhe ministrit të Brendshëm, jep dorëheqjen edhe pasardhësi i këtij të fundit.

Në atmosferën e protestave të përsëritura në rrugët e Sllovakisë në fundjavë , pas tri javësh e gjysëm në postë, në një mënyrë të papritur, ministri i Brendshëm i Sllovakisë Tomas Drucker jep dorëheqjen.

Protestuesit me qëndrimin e tyre kërkuan edhe dorëheqjen e presidentit të policisë.

Por, Drucker është shprehur se nuk e konsideron si veprim të drejtë shkarkimin e shefit të policisë, dhe pa dashur që ta polarizojë edhe më tej shoqërinë, ai ka vendosur të japë vet dorëheqjen.

Demonstratat po zhvillohen çdo javë në Bratislavë dhe në qytete të tjera të vendit, me qëllimin për të hequr nga posti me çdo kusht presidentin e policisë Tibor Gaspar, i cili akuzohet nga protestuesit për korrupsion dhe lidhjet e tij të afërta me ministrin e mëparshëm të Brendshëm.

s.a/dita

Emmet dhe ngjashmëria e irlandezëve dhe shqiptarëve sipas Nolit

Posted: 17 Apr 2018 12:24 AM PDT

Kalendari  "Korça", i shtypur në Manastir në 1911, jep një pjesë të përkthyer prej anglishtes që titullohet "Dënimi" i Robert Emmet.  Pjesa e mëposhtëme është recituar në provim nga nxënësja Ollga e Shkollës së Vashave në Korçë në vitin 1910. Kjo pjesë është përkthyer nga Grigor Cilka, i cili ka qënë  mësues në këtë shkollë dhe është pikërisht ai që  ua ka dhënë këtë pjesë nxënëseve – shkruan Dita.

Le të themi edhe dy fjalë se kush ka qënë Robert Emiti për të kuptuar më mirë fjalën e fundit të tij para varjes në litar.

Robert Emiti (Emmet) ka qënë një ndër nacionalistët irlandezë më të njohur të kohës i cili u bë i famshëm për qëndrimin burrëror dhe për fjalën e fundit që tha para varjes. Ai ka lindur në Dublin më 1778 ku dhe ndoqi studimet e larta duke treguar aftësi të shquara sidomos në lëndët e matematikës dhe të kimisë. Ai ka qënë dhe orator i mirë.

E braktisi shkollën për t'iu kushtuar tërësisht veprimtarisë politike, sidomos kryengritjes të prillit të vitit 1798, ku ai ishte anëtar i organizatës së fshehtë revolucionare (United Irishman), në të cilën vëllai i tij Tomas, ishte sekretar.

Kjo organizatë kërkonte dëbimin e britanikëve nga Irlanda. Kjo ishte arsyeja që më 1802 ai shkoi në Francë për të nxitur dhe organizuar bashkatdhetarët e tij të mërguar, që të mbështesnin një pushtim të Irlandës  nga Franca. Për këtë i ishte premtuar mbështetje nga  vetë Napoleon Bonoparti [në këtë kohë Konsull i Parë], me të cilin u takua më 1802.

Miqtë e tij mendonin se ideja nuk ishte shumë praktike, por Emiti u entusiazmua nga ky premtim dhe kur u kthye në Dublin, në tetor të vitit 1802, iu përkushtua organizimit të kryengritjes antibritanike. Ai mblodhi fshehurazi armë dhe bëri planin ushtarak të kryengritjes, e cila shpërtheu më 22 korrik 1803. Ai ia tregoi planet e tij të fshehta një anglezi të quajtur Lorenc, por ky vuri në dijeni autoritetet.

Emiti planifikoi që të udhëhiqte sulmin kundër kështjellës të Dublinit, që njihej si" Shtëpia e Pëllumbit". Tradhëtia brënda rradhëve të kryengritësve dhe mungesa e përvojës bënë që kjo kryengritje të dështonte qysh në fillim. Në kulmin e dëshpërimit Roberti u fsheh në malet Uiklou ku dhe e kapën më 25 gusht dhe më 20 shtator të vitit 1803 u dënua për tradhëti të lartë me varje në litar.

Shkolla e vashave shqip

Më poshtë po japim fjalimin e tij ashtu siç është shqipëruar nga Grigor Cilka me ndonjë saktësim të vogël drejtshkrimor dhe duke shtuar ndonjë nyjë në kllapa katrore. Kllapat e thjeshta janë të vetë përkthyesit.

DËNIMI i Robert Emerit (folur në provimet e vashave në Korçë më 1910, prej zonjëzës Ollgë).

“Unë jam dënuar prej jush, sikur se kam qënë shpirti i kryengritjes. Ju më jepni nder më shumë se sa meritonj. Ka njerëz ndë këtë kryengritje të cilët jo vetëmse janë njerëz më të lartë se mua, por dhe shumë më të lartë se ju zotërinj. Njerëz përpara madhërisë, mirësisë dhe mjeshtëris së tyre unë me nder të madh ju falem, dhe [të]cilët nuku dot'e nëmërojnë për nder ti quanj miqtë tuaj, të cilët kurrë nuku do poshtërohen të zënë të gjakosurat duart tuaj.

Ç'farë zotërinj dot më thoni se dyke shkuar për ndë varjet, të cilën kjo tirani, së cilës ju jini i vetëmi nënpunës, është ngritur për vrasjen time; se unë jam shkaku për gjithë atë gjak që është derdhur edhe do të derdhet ndë këtë luftë ndë mes të skllavërosurit dhe tiranëve? Do të thoni këtë edhe më pandehti kaq të poshtër sa mos helmohem? Unë i cili s'kam frikë t'i afrohem [të] Gjithpushtetshmit Gjukatës që t'i përgjigjem për të sjellat e mija ndë këtë jetë të shkurtër? Dot trembem e dot verdhem për të pakët orë që më mbeten- edhe prej jush të cilët ndë qoftë se mund të mblidhej në një pellg të madh gjak'n të pafajshmë të cilin ju ini bërë shkak që të derdhet në kohë të qeverisë tuaj, ju do të muntnit të binit me not në atë!

As njeri të mos kuxonjë të më dënjonë për pabesëri, as njeri le të mos ndot një kujtimin tim, duke mbesuarë se unë s'mund të ngatërohesha me tjatër ndonjë punë, përveç ndë këtë: për lirinë dhe vetëqeverimin të atdheut tim. Të fituarit  të një qeverie të përkoshme tregon mendimet e mija. Unë kurrë nuk do të bindesha njëj tirani[e] të huaj, gjithë për këtë shkak, unë i kundërshtohem edhe tiranisë brëndëshme.

Për madhërinë e lirisë unë do të luftonja gjer në kufit të atdheut edhe armiku do të mund të hynjë vetëm dyke kapërxyer trupin tim të vdekur. Edhe unë i cili rronja vetëm për atdhenë tim, i cili rezikova jetën (time) dyke ditur- edhe ndashti jam buzë varrit vetëm që t'u ap bashkëatdhetarëvet te drejtat e tyre edhe atdheut vetqeverimin- a dot të jem mbushur me kallëzime edhe nuk do të më epet koh' e pëlqyer që t'i rrzonj- Jo! Perëndia mos e dhëntë.

Ndë qoftë se shpirtrat të të dënuarit të vdekur marën pjesë në punërat edhe kujdesjet të atyre të cilet kanë qënë të dashur ndë këtë jetë, O, ngahera e dashur edhe e nderuarë hie e babait tim: vëzhgo me kujdes sjellat të tët  biri edhe shiko ndë qoftë se vetëm për një thërime jam hequr nga atoporosi të mirëvetijëvet dhe atdhedashjes të cilat ju me kaqë kujdes të madh i mbualltë ndë mëndjet edhe  për të cilat ndashti unë bënj kurban jetën time.

Zotërinj! Ju duki të paduruarshim për vdekjen time-gjakun për të cilin kini et[etje] nuk ka ngrirë nga tmerret të cilat kini pregatitur përpara kurbanit tuaj. Ay po rrëdhon [rrjedh] ngadalë ndëpër rëmbat të cilat Perëndia i krijoi për qëllime të fisçme po të cilat ju i kini vendosur t'i prishni për qëllime kaqë të ashpra sa zër' i tyre dëgjonet gjer ndë qiell. Duroni, unë kam të them edhe ca pak fjalë- unë hynj ndë var tim të ftohtë edhe të  shurdhër.

Drit e jetës sime po thuaj se shuhet, puna time mbaronet, vari hapet të më rrëmbenjë edhe unë zbres ndë pëqi të ti edhe kam vetëm një lutje të bënj përpara se ta le këtë botë. Ajo është sa të më bëhet kjo mirësi: mos flitet për mua. Asnjeri mos shkruanjë as gjë përmi var tim, sepse ata që dinë qëllimet e mija nuk kuxojnë t'i mburojnë[mbrojnë] ato.

Paditja le të mos i nxijnë ato- lini ato  edhe mua të rimë ndë panjojtje edhe paqtim-edhe varjen- le të mbetet pa mbishkrim, gjersa të tjera kohëra edhe të tjerë njerës do tëçëmojnë me të drejta karakternë tim. Kur atdheu tim mer vendin e tij mest kombeve të dheut-atëhere dhe vetëm atëhere të shkruhet epitafi im. Unë mbaronj!”.

(Shqipëruar prej G.M.Cilka)

Robert Emmet

Lexues i nderuar, pasi ke lexuar këtë ligjëratë para varjes së Robert Emitit, të lutem pusho pak, lexoje përsëri ngadalë dhe zbërthe çdo fjalë. Në fund lexoje me zë, recitoje, atëhere ajo merr kuptimin e plotë të saj.

Në gazetën " Dielli " të datës 12 mars 1909 ka një shkrim për këtë hero, i titulluar: Robert Emmet.

Ky shkrim, ashtu si shumë të tjerë nuk e ka emrin e autorit, por kuptohet se është i Fan Nolit. Në veprën "Noli- Vepra 2", botuar nga Akademia e Shkencave më 1987, shumë shkrime të kësaj kohe që janë pranuar si të Fan Nolit, janë shënuar "pa emër". Fan Noli duke qene kryeredaktor nuk e ka shënuar emrin e vet duke kujtuar se ai vetkuptohet por ky shkrim nuk është mbledhur.

Ky shkrim  ka filluar me dy rreshta të një poezie në të cilat ndjehet penda e përkthimeve të  ardhme të Nolit. Më poshtë ai ka përkthyer disa rreshta të tjera, që jepen si prozë poetike. Këto janë perkthime të hershme të Fan Nolit, të cilat i kam shtjelluar në librin tim "Noli i panjohur" dhe në disa artikuj të botuar në gazetat "Drita" dhe "Rilindja". Stili nolian i këtyre përkthimeve është mjaft i qartë në këtë shkrim 'pa emër"

Dielli-12 mars 1909 nr 3

Robert Emmet: Irlandë! Ora jote s'ka arrirë edhe. Rënko, o komp që vajton". Fjalët e Emmet-it në burg ditën më parë vdekjes së tij.

Irlandezët e Amerikës dhe të gjithë botës kremtuan më 4 të marsit ditlindjen e Robert Emmet, trimit kryengritës Irlandes, i cili bëri therorë jetën e tij, dyke u përpjekur të shpëtonjë Irlandën nga Anglia dhe  ta bëjë vend të lirë dhe të vetëqeverisur. Kujtimi i Emmet-it është i mallëngjyer për popullin Irlandes. E nderojnë për të mirën që u përpoq të mbarojë, me gjithë që s'mundi të goditë[të realizojë–ed] nga që nukë kishin organizimtë mirë.

Vjershëtori irlandes Thomas Moore [lexo  Mur] ish një nga miqtë më të afërmë të Emmetit. Pas vdekjes së tij tragjike shkrojti këtë vajtim:

"O mos e pëshpërit emërin e tij; lere të flerë më hije atje ku i prehen koskat, të ftohta e të pa-nderuara. Të helmuar, të heshtur dhe të herrët ishin lotët që derdhi, si ves'e natës që bie në lëndinë përmi kryet e ti. Po ves'e natës që bie megjithë që qan e heshtur, do ta zbukurojë me gjelbësira[ gjelbërime-ed] varrin ku fle. Dhe lottë që po derdhin, megjithë që rriedhin së fshehurazi, do ta ruajnë për shumë kohë kujtimin e tij të  lulëzuar në shpirtet tona".

Më pastaj gjithë ky vjeshëtor shkroi vjersha të tjera përmi jetën e mikut të tij, një nga të cilat gjeti vend mëçdo zemër Irlandezi më gjithë botëndhe të cilën e dinë të gjithë me gojë dhe e thonë si një lutje prej kishe. Ja katër vargjet e kësaj vjershe e cila ka titullin:

Emmet i Irlandës:

"Në ty fluturonin ëndërat e dashurisë sime të parë;

Çdo mejtim në krye tim ish yti.

Po më i mallëngjyeri bekim që qielli mund të falë

është kryelartësia të vdes kështu për ty".

Këtu në Boston u kremtua kjo ditë prej Ligës Irlandese së Bashkuar ku foli Z.F.Mc. Gettrick. Të dielën që shkoi Degët e Urdhërit Bibernian dhe shoqëria Irlandeze Clan-na-Gacl mbajti kremtime të veçanta. 

Robert Emmet-i lindi më 1780 (duhet 1788-ed) në Cork të Irlandës dhe mësoi për avokat në Dublin. Atje hyri në shoqërinë e fshehtë kryengritëse dhe shpejt arriu të jetë një nga krerët e saj. Ky  ish shpirt i kryengritjes. Ditën tiatër ia prenë kryet. Vdiq 23 (25) vjetsh. Irlandezët (Airishet) janë shumë të afërmë me  Shqiptarët, se gjyshërit e tyre Qeltët [Keltët] me pellazgët ishin  kushurinj të parë. [Fan Noli]

b.m. / dita

 

 

 

Shqipëria, me numrin më të lartë të studentëve në Europë

Posted: 17 Apr 2018 12:08 AM PDT

Nxënësit shqiptarë janë më të prirur të studiojnë jashtë në krahasim me të gjithë studentët e tjerë në Ballkan, Europën Qendrore e Lindore dhe vendet e tjera të Europës Perëndimore.

Shqipëria ka numrin më të lartë të studentëve që zgjedhin për të studiuar jashtë për 1000 banorë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të UNESCO-s, numri i studentëve shqiptarë që kanë vendosur të studiojnë jashtë në 2017-n ishte 24,543 persona. Sipas përllogaritjeve të Monitor në 2017-n për çdo 1000 banorë, kishte 9 studentë që studionin në arsimin e lartë jashtë vendit.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e para për numër më të lartë për 1000 banorë. Vendi i dytë në rajon për numër më të lartë studentësh që zgjedhin të jetojnë jashtë është Mali i Zi. Në vlerë absolute, në 2017-n rreth 4763 të rinj malazez kishin vendosur të studionin jashtë (popullsia në Malin e Zi nga të dhënat më të fundit është 622 mijë banorë).

Pas në vendin e tretë është Bosnja Hercegovina, ku për 1000 banorë në 2017-n kishte 3 studentë që kishin zgjedhur të studionin jashtë. Serbia dhe Maqedonia kanë një numër më të ulët studentësh për 1000 banorë që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit.

Krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, Greqia dhe Bullgaria për çdo 1000 banorë kanë tre studentë që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë. Më pas renditen vende si Kroacia dhe Rumania, të cilat kanë secila nga 2 studentë për 1000 banorë. Vendet e Europës Perëndimore, por edhe Amerika kanë një numër shumë të ulët të studentëve që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë në raport me popullsinë.

Studentët në universitetet shqiptare në rënie të fortë

Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin akademik 2016-2017 në arsimin e lartë kishte të regjistruar gjithsej 139,607. Në krahasim me disa vjet më parë numri i studentëve në Shqipëri ka rënë ndjeshëm, teksa në vitin akademik 2012-2013 kishte të regjistruar 172,561 persona. Pra në katër vjet numri i studentëve ka rënë me rreth 33 mijë persona (-19%). Dy janë arsyet e kësaj rënieje.

Së pari, është tendenca e plakjes së popullsisë. Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia e grupmoshës 15-24 vjeç u reduktua me 55 mijë persona në 2017-n, në krahasim me vitin 2014. Pesha e kësaj grupmoshe ka zbritur në 16% të totalit në vitin 2017, nga 19% që ishte një dekadë më parë (në 2007-n).

Arsyeja e dytë lidhet me tendencën e të rinjve shqiptarë për të studiuar jashtë shtetit, ku tradicionalisht Italia ka qenë e preferuar, ndërsa dy vitet e fundit një fluks i lartë po shkon në Gjermani, çka shihet dhe nga interesi i lartë për të mësuar gjuhën gjermane.

Nuk ka të dhëna se sa përqind e këtyre studentëve kthehen pas përfundimit të studimeve, apo rrinë në vendet e tjera në kërkim të një pune e jete më të mirë./monitor

s.a/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more