Skip to main content

“Kolumbia me një fanse speciale në Botëror” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Kolumbia me një fanse speciale në Botëror” plus 9 more Gazeta SHQIP


Kolumbia me një fanse speciale në Botëror

Posted: 18 Apr 2018 01:57 AM PDT

Paola Canas është një modelet më seksi dhe më të famshme në Kolumbi. Ajo është nëna e një djali 4-vjeçar ndërsa në Botërorin Rusi 2018-të do të jetë një nga fanset më speciale të përfaqësueses kolumbiane me Los Cafeteros që do të kenë një motiv më shumë për të shkuar sa më larg në kompeticionin e verës së ardhshme.

Por edhe pse është fanse e James Rodriguez me shokë e mrekullueshmja Paola ka një pikë të dobët për një tjetër sport që nuk është futbolli. Paola pëlqen shumë golfin por edhe sportet ekstreme pasi është e apasionuar pas surfit.

18 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

E mërkura me shira të përkohshëm, kryesisht pasdite

Posted: 18 Apr 2018 01:43 AM PDT

Shira të përkohshëm në territor do të vijojnë dhe këtë të mërkurë, kryesisht pasdite.

Sipas Meteoalb, kushtet atmosferike mbeten të paqëndrueshme gjatë pjesës së parë të javës duke sjellë në territor shira të përkohshëm. Shirat do të jenë në formën e rrebesheve afatshkurtra, kryesisht në zonat Qendrore dhe Jugore.

Temperaturat pritet që sot dhe të enjten të kenë rënie të lehtë, duke shënuar maksimalisht 25 – 26˚C.

18 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

“Top Awards”, “Pasha jetën” nuk i ndahet katër këngëve të para

Posted: 18 Apr 2018 01:41 AM PDT

Bashkimi i dy reperave, Capital T dhe Majk, ka sjellë një ndër projektet më të preferuara të momentit. E publikuar rreth 7 javë më parë, "Pasha jeten" renditet në këngët më të votuara dhe të dëgjuara të klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të momentit.

Dyshja e talentuar, e cila ka bashkëpunuar gjithashtu rreth 8 vite më parë, ka rrëmbyer vëmendjen e publikut dhe ka bërë që nga java në javë, të ngjitet sa më në majë të listës, duke mos lëshuar vendin e 4-t. Eshtë java e dytë që kjo këngë mban këtë pozicion, falë mbështetjes së madhe nga ana e fansave të dy reperave.

Ndërkohë Capital T e ka çuar në 10 numrin e këngëve që gjenden në klasifikim ndërsa Majk ndodhet në listë me 6 projekte muzikore.

Për këtë javë, projektet e Capital T, "Pasha jeten", "Andiamo", "Hatixhe", "Pse po ma lun lojen", "Across the ëorld", "Lejla", "Pa Cenzure", "Gucci", "Numra" dhe "Ulu" renditen përkatësisht në vendet e 4-t, 15-të, 23-të, 26-të, 27-të, 35-të, 42-të, 53,të, 54-t dhe 74-të.

Nga ana tjetër, këngët e Majk, "Katile", "Stila", "Tarantino", "Le t'xhelozojnë", "Kcen", pozicionohen përkatësisht në vendin e 33-të, 56-të, 64-t, 66-të, 67-të.

18 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

2017, Shqipëria me nivelin më të lartë të kredive me probleme në rajon

Posted: 18 Apr 2018 01:38 AM PDT

Përkundër uljes me rreth 5 pikë përqindjeje të kredive me probleme gjatë vitit 2017, serish Shqipëria vijon të ketë këtë tregues në nivelin më të lartë në Rajon, duke lënë pas edhe Serbinë, e cila në vitin 2016 kryesoi renditjen rajonale për nivelin e lartë të NPL-ve (22)% .

Banka Botërore krahasoi të dhënat rajonale mbi NPL -të, nga të cilat del se Shqipëria kryeson Ballkanin Perëndimor me 13.2 % të kredive me probleme, teksa në vitin 2016 treguesi ishte mbi 18%.

Gjatë vitit 2017 Serbia raportoi  reduktimin më të lartë të NPL-ve, në rreth 12 për qind, nga më shumë se 22 për qind në vitin 2016.

NPL-të, edhe pse në rënie, janë ende larg në krahasim me nivelet e para krizës, megjithëse Maqedonia dhe Kosova ishim më pak të ekspozuara se vendet e tjera, referoi Banka.

Reformat e fundit kanë ndihmuar në reduktimin e NPL-ve në mënyrë të konsiderueshme në të gjitha vendet.

Kosova ka prezantuar një sistem i ri për të zbatuar ekzekutimin e kolateralit, ndërsa Shqipëria ka nisur të zbatojë një ligj për falimentin. Shqipëria gjithashtu po përpiqet të instalojë një sistem ristrukturimi jashtë gjykatës.

Ndërsa në Malin e Zi, NPL-të kanë rënë me 8% qysh kur nisi të batohet një skemë për ristrukturimin vullnetar të kredive.

Mesatarja rajonale e NPL ishte 8.7 për qind e totalit të kredive deri në dhjetor 2017. Ndërsa NPL-te kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme nga mbi 20 për qind në kohën e pikut në Shqipëri (në 13.2 përqind në 2017). Por Shqipëria mbetet me nivelin më të lartë të NPL-ve në Rajon vë në dukje Banka Botërore. Në kundërt Kosova ka nivelin më të ulët të NPL-së me vetëm 3.1 %.

Sipas te dhënave nga Banka e Shqipërisë në vlerë absolute, kredia që nuk kthehet për më shumë se tre muaj është 72 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro, nga 99 miliardë lekë që ishin në fund të 2016-s. Deri në fund të 6-mujorit të parë, bankat kishin fshirë në total nga bilancet 43 miliardë lekë, ose rreth 320 milionë euro.

Banka e Shqipërisë ka sqaruar në raportin e mbikëqyrjes së 6-mujorit të parë se rënia e stokut të kredive me probleme është rezultat i ristrukturimit të kredive me probleme, shlyerjes së kredive të prapambetura të bizneseve dhe fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave.

18 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

Peleshi: Do ndjek personalisht çdo projekt-ide në bujqësi

Posted: 18 Apr 2018 01:37 AM PDT

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi në vazhdim të takimeve informuese me shoqata dhe organizata fermerësh dhe agropërpunuesish në vend, ka pritur në ambientet e ministrisë, anëtarët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, të interesuar në programin IPARD.

Gjatë takimit ministri Peleshi u angazhua personalisht për të ndjekur nga afër çdo interesim, me qëllim kthimin e besimit për të gjithë aktorët pjesëmarrës për aplikimet dhe përfitimet nga këto skema.

"Unë personalisht do të hap një dosje për secilin prej jush, në kuptimin që do të ndjek se si do të shkojë fati i një projekt –ideje, të shprehur sot këtu dhe deri në fund. Këtë, ua kërkoj dy zëvendësministrave, edhe Dhimos, që do t'ju asistojë për pjesën profesionale, por edhe Ilirit, që do ta ndjekë si procedurë, si aplikim, deri në fund, padyshim, pastaj edhe drejtorja e AZHBR –së, që e ka dhe për detyrë funksionale, të sigurojë një vlerësim sa më të mirë, sa më transparent, sa më në kohë, pa vonesa për të gjitha aplikimet", tha ai.

Ashtu siç është njoftuar dhe më parë çelja e "Thirrjes së parë" për aplikime për financime, subvencione dhe grante që ky program do të japë për bujqësinë shqiptare, do të bëhet në fillim të muajit maji. Masa e parë ka të bëjë me mbështetje për investimet në asetet fizike në fermat bujqësore në këto sektorë prioritarë: qumështi, mishi, frutat, perimet dhe vreshtat duke synuar rritjen e furnizimit me produkte bujqësore të sigurta dhe të cilat prodhohen duke respektuar gjithmonë ambientin. Shuma minimale e mbështetjes është 10,000 EURO dhe shuma maksimale 500,000 EURO. Përfituesit e mbështetjes do të jenë fermerë, ekonomi bujqësore, persona fizikë ose juridikë, përfshirë SHBB-të. Një aplikant mund të përfitojë më shumë se një investim për këtë masë, por totali i investimeve për aplikant, nuk duhet ta kalojë vlerën prej 1,500,000 Euro për të gjithë kohë zgjatjen e periudhës së programit.

Në përfundim të investimit, përfituesi i mbështetjes duhet të ketë minimalisht disa tregues. Duhet të ketë të paktën 10 lopë të regjistruara në regjistrin e kafshëve dhe të paktën 100 dele ose dhi të regjistruara. Këto kritere vlejnë për sektorin e qumështit. Për sektorin e mishit subjekti duhet të ketë 10 gjedhë të regjistruara në regjistrin e kafshëve; 100 dele dhe/ose dhi të regjistruara, 1,000 shpendë (broilera dhe pula pjellëse), 10 dosa për mbarështim. Kriteret për sektorin e fruta –perimeve përcaktojnë që përfituesi duhet të ketë të paktën 0.5 hektarë tokë të kultivuar me perime ose të paktën 0.5 hektarë tokë të kultivuar me fruta në një ose disa parcela dhe të paktën 0.2 hektarë ambiente të mbrojtura me plastmasë dhe xham, në formë serre për bimët e mbrojtura. Për vreshtat kriteri është të ketë 0.5 hektarë vreshta.

Masa tjetër parashikon investime në asete fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit. Shuma maksimale e mbështetjes është 2,000,000 EURO, ndërsa minimalja është 25,000 EURO. Marrësit e mbështetjes do të jenë stabilimentet e përpunimit ushqimor, të cilët kanë përgjegjësinë për kryerjen e investimit në stabilimentin e tyre, e cila korrespondon me përkufizimin e "Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme" (SME). Dhe për këtë kategori masash janë përcaktuar disa kritere, të cilat duhet të përmbushen nga marrësi i mbështetjes në përfundim të investimit të kryer. Për sektorin e përpunimit të qumështit, të ketë kapacitete të përpunojë 1500 litra në ditë dhe 750 litra në zonat malore.

Për thertoret, për therjet e gjedhit, minimumi duhet të jetë 10 krerë në ditë; për therjet e të imëtave minimumi 40 krerë në ditë; për therjen e derrave minimumi 15 krerë në ditë; për shpendët, minimumi 5,000 shpendë në ditë. Dhe për përpunuesit e verës kapaciteti i përpunimit të jetë 200 hektolitra në vit. Edhe për këtë masë një aplikant mund të përfitojë më shumë se një investim, por totali i investimeve për aplikant, nuk duhet ta kalojë vlerën prej 3,000,000 Euro për të gjithë kohë zgjatjen e periudhës së programit.

18 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

Mogherini në Tiranë, i nis takimet me Metën

Posted: 18 Apr 2018 01:25 AM PDT

Presidenti Ilir Meta është zyrtari i parë shqiptar që është takuar me përfaqësuesen e lartë Federica Mogherini.

Sipas axhendës së Mogherinit, takimi pasardhës është me kryeministrin Edi Rama, në zyrën e të cilit ajo ka shkuar në këmbë nga Presidenca.

Ndërkaq, zëdhënësja e saj Maja Kocijancic shprehet se zyrtarja e Bashkimit Europian jep një inkurajim të fortë për reforma të mëtejshme.

18 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

Turizmi, vendet dhe qytetet më me ngjyra të planetit (Foto)

Posted: 18 Apr 2018 01:16 AM PDT

Nga Notting Hill në Murano, nga Valparaiso në Cinque Terre, një katalog i artit të gjallë

Ato që e bëjnë më të veçantë një fshat të vogël ose lagjet e lashta të një qyteti janë shtëpitë, të vendosura në mes të rrugëve të ngushta dhe të lidhura me njëra-tjetrën me rrugë të lashta ose ura të ndërtuara që në kohët e hershme. Kur janë me ngjyrë ata janë në gjendje të krijojnë një atmosferë unike dhe t’i japin të gjithë vendit një bukuri të madhe.

Vendet apo rrethet e një qyteti me ngjyra bëhen shumë shpesh dëshmia e kulturës lokale, si dhe e një lloj misteri të jashtëzakonshme të ngjyrave dhe jetës së jetuar. Hundredrooms kanë bërë një përzgjedhje të vendeve dhe qytezave me ndërtesat më me ngjyra dhe të gjalla në botë.

Një labirint ngjyrash në Calpe – Kjo ndërtesë e famshme dizajnuar nga Ricardo Boffil është një labirint plot ngjyra si i kuq, blu dhe kafe. Ajo është e vendosur pranë detit në qytetin bregdetar të Calpe, Spanjë. Pranë tij ka struktura të tjera të dizajnuara nga i njëjti arkitekt, edhe pse është Muri i Kuq që tërheq një numër më të madh kureshtarësh.

Calpe, Spanjë

Shtëpitë me shirita Aveiro – Ata janë pa dyshim shtëpitë më të njohura të Portugalisë. Gjithashtu i njohur si “Venecia portugeze”, Kosta Nova do Prado, e vendosur në rrethin Aveiro, karakterizohet nga “Palheiros”, të cilat janë pikërisht këto shtëpi simpatike ndërtuar në shekullin e nëntëmbëdhjetë për pushuesit.

Aveiro, Portugali

Lagjja La Boca, Buenos Aires – Një lagje e gjallë që tërheq shumë turistë. Një nga rrugët më të famshme është Caminito Street, ku ngjyrat e ndritshme të shtëpive dhe hartat e fasadave ndiqen njëra pas tjetrës, duke ngjallur mrekulli te vizitorët.

“La Boca”, Buenos Aires

Shtëpia e purpurt e Buranos – Ishulli i Buranos ndodhet 7 kilometra nga Venecia dhe karakterizohet nga ngjyrat e bukura të shtëpive, të cilat janë pasqyruar në kanalet e këtij vendi simpatik. Në kohët e lashta ata ishin shtëpi të peshkatarëve, të cilat sot kontribuojnë në krijimin e një atmosfere të çmuar.

Burano, Itali

Shtëpitë mister në Vjenë – Hundertwasser është një kompleks shumë original, i ndërtuar në mes të 1983 dhe 1986. Një mister i vërtetë i ngjyrave, i cili duket i projektuar, më shumë sesa nga një arkitekt i njohur, nga një fëmijë me imagjinatë të gjallë.

Vjenë, Austri

Fasadat e Notting Hill – Shëtitja nëpër këtë lagje të famshme të Londrës është një trajtim i vërtetë për turistët. Këtu ka shumë shtëpi të vogla bashkangjitur njëra-tjetrës, të pikturuar me ngjyra të ndritshme dhe hije pastel. Për ta pasuruar janë edhe kopshtet e vogla dhe lulet që zbukurojnë dyert e hekurit të vendosur në kulmin e 3-4 hapave.

Notting Hill, Britani

Shtëpitë me ngjyra të Valparaiso – Valparaiso (Kili) është një qytet port i këndshëm, ku shtëpitë shumëngjyrëshe krijojnë një peizazh të këndshëm që nuk mund të mos tërheqë vëmendjen e vizitorit.

Valpariso, Kili

Një fshat i mbushur me ngjyra në Cinque Terre – Midis vendeve të mrekullueshme të Cinque Terre, në bregdetin ligurian, gjendet edhe Vernazza, një fshat ku shtëpitë e peshkatarëve të vjetër janë pasuruar me ngjyra shpërthyese dhe të bukura për t’u parë.

Vernazza, Itali

Lagjja franceze e New Orleans – Kjo është lagjja më e vjetër në qytetin amerikan të New Orleans. Këtu ka shumë shtëpi me ngjyra dhe shumë prej tyre karakterizohen edhe nga ballkone si dhe nga galeritë tipike të arkitekturës koloniale.

New Orleans, SHBA

Shtëpitë e peshkatarëve në Cudillero, Asturias – Edhe ky port i Asturias, në veri të Spanjës, gjithashtu mburret me shtëpitë e peshkatarëve të vjetër, të cilët me ngjyra të forta krijojnë një atmosferë piktoreske të denjë për filmin më të bukur romantik.

Asturia, Spanjë

18 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

Basha kthehet pasdite nga Berlini, Mogherini takohet me Palokën

Posted: 18 Apr 2018 12:49 AM PDT

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha kthehet pasditen e të mërkurës nga Berlini, teksa në mesditë përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini do të pritet nga Edi Paloka dhe Tritan Shehu.

Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani Basha ka zhvilluar takime të shumta me parlamentarë dhe funksionarë të qeverisë gjermane, një seancë dëgjimore me deputetët e grupit më të madh parlamentar gjerman CDU/CSU, dhe me anëtarët të Komisionit për Çështjet Europiane dhe të Politikës së Jashtme.

Takime të veçanta me Johann Wadephul, Nënkryetar i Grupit Parlamentar CDU/CSU dhe Kryetar i Grupit të Punës për Ballkanin, me Gunther Krichbaum, Kryetarin e Komisionit për Çështje Europiane; me Raporterin e CDU/CSU për Shqipërinë Thorsten Frei, me Këshilltarin e Grupit CDU/CSU për punët e Jashtme dhe sigurinë Joachim Falenski dhe me përfaqësues të lartë të qeverisë dhe në kancelarinë gjermane ku u prit nga Këshilltari i Kancelares Merkel për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Dr. Jan Hecker.

Në këto takime kryetari i opozitës ka argumentuar pro hapjes së negociatave si një hap i rëndësishëm në vetvete për të forcuar demokracinë, shtetin ligjor dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

18 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

Xhaçka takon Matiss: Konsiderojeni Shqipërinë si një vend kontakti në rajon

Posted: 18 Apr 2018 12:46 AM PDT

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë vizitës së saj në SHBA është pritur nga sekretari i Mbrojtjes, James Mattis.

Zyrtari i lartë amerikan i Mbrojtjes e ka vlerësuar Shqipërinë si një aleat i Shqipërisë në të gjitha aspektet.

"Shqipëria ka treguar se madhësia e saj gjeografike ka shumë më pak rëndësi, se sa angazhimi i saj në Aleancë. Shqipëria godet më fort se sa pesha e saj. Ju jeni aleati ynë jo vetëm në uniformë, por në të gjitha aspektet. Do të keni gjithmonë ndihmën tonë", u shpreh Mattis.

Nga ana e saj Ministrja e Mbrojtjes e ka ftuar James Mattis që SHBA ta konsiderojë Shqipërinë si një vend kontakti në rajon.

Një prani e SHBA-së ose e NATO-s në Shqipëri, ka theksuar Xhaçka, është një demonstrim se kjo zonë nuk harrohet nga aleatët tanë.

"Ballkani Perëndimor është një rajon i orientuar nga Perëndimi. Ndajmë dhe mbrojmë parime e vlera të njëjta ndaj mirëpresim forcimin e partneritetit tonë strategjik. Ju ftojmë ta konsideroni me dashamirësi Shqipërinë si një vend kontakti në rajon. Do vijojmë të luajmë një rol konstruktiv për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë. SHBA mund të mbështeten tek ne.

Besojmë se është koha për të parë një gjurmë në Shqipëri. Një prani e SHBA-së ose e NATO-s në Shqipëri është një demonstrim se kjo zonë nuk harrohet nga aleatët tanë. Jemi të gatshëm të vëmë në dispozicion bazat tona detare/kapacitetet tona tokësore/ajrore/detare. Dëshirojmë të shohim një rritje të prezencës së industrisë së mbrojtjes amerikane në Shqipëri", tha Xhaçka.

18 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

Juve-Napoli vijon sfida në distancë përpara duelit direkt, Fiore-Lazio spektakli i garantuar

Posted: 18 Apr 2018 12:24 AM PDT

Dueli në distancë mes Juventusit dhe Napolit për titullin kampion në Serie A do të vijojë këtë të mërkurë me sfidat e javës së 33-të të kampionatit italian që do të shërbejnë si parapërgatitore për përballjen e drejtëpërdrejtë të së dielës. Pas suksesit bindës të Interit ndaj Cagliarit sot do të luhen 9 takimet e tjera të këtij raundi. 6 nga 9 sfida do të keni mundësi t'i ndiqni live edhe në Supersport. Juventusi i Allegrit do të kërkojë të ruajë distancën prej 6 pikësh ndaj Napolit ndjekës në renditje teksa do të sfidojë, Crotonen në transfertën kalabreze.

Një sfidë e lehtë në letër por që mund të rezultojë e vështirë në fushë për bardhezinjtë, pasi Crotone e Valter Zengas luan për mbijetesë. Më të lehtë pritet ta ketë Napoli sfidën shtëpiake ndaj Udineses kjo edhe për faktin se trajneri Oddo ka lënë disa titullarë pushim për t'i ruajtur për duelin e drejtëpërdrejtë për mbijetesë ndaj Crotones fundjavën e ardhshme. Sfida më intriguese e mbrëmjes së Serisë A do të luhet në Firence. Në Artemio Franchi, Fiorentina pret Lazion me shpresën për tu rikthyer te suksesi pas ndalesës ndaj Spalit që prishi ecurinë e 6 fitoreve radhazi.

Bardhekaltrit në krahun tjetër do të luajnë gjithashtu për fitore për tu rikthyer në 4-shen e parë. Roma me mungesa pret në shtëpi Genoan ndërsa Milani ka një transfertë delikate ndaj Torinos. Mesjava gjithsesi do të hapet me duelin e orës 18:00 mes Beneventos dhe Atalantës me miqtë që synojnë fitoren për të luajtur deri në fund shanset për t'u kualifikuar në Europa League sezonin e ardhshëm.

18 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more