Skip to main content

“Çfarë kërkon SHBA në Siri?” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Çfarë kërkon SHBA në Siri?” plus 1 more Telegrafi Opinione


Çfarë kërkon SHBA në Siri?

Posted: 22 Feb 2018 10:42 AM PST

Duke qenë se shumica e Lindjes së Mesme është aktualisht në një gjendje trazire, sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, duhet të lavdërohet që e mbajti konfliktin sirian në mendje gjatë vizitës së tij të fundit në rajon.

Puna e tij nuk ka qenë e thjeshtë. Diplomacia amerikane ka qenë shumëçka veçse jo e padukshme në Lindjen e Mesme dhe Departamenti i Shtetit nuk duket se ka ndonjë ide, apo më e rëndësishmja ndonjë financim me të cilin të udhëheqë. Nëse Shtetet e Bashkuara kërkon vërtet të zgjidhë krizën vdekjeprurëse në Siri, duhet të fillojë të tregojë interes të përbashkët – dhe të mbajë fjalën.

Ndërlikimi i situatës në Siri e ka kaluar shumë kapacitetin e botës për ta zgjidhur atë. Ngjarjet që po ndryshojnë shpejt, një numër një rritje palësh dhe ndryshimi i vazhdueshëm i fronteve të betejës e bëjnë situatën të ndërlikuar.

Gjashtë muaj më parë, kishte dy trende të qarta në konflikt: presidenti sirian Bashar al-Assad me ndihmën e Rusisë, Iranit dhe Hezbollahut ishte drejt fitores; dhe Shteti Islamik do të mundej një herë e mirë nga një koalicion i drejtuar nga SHBA. Sot, fushata e suksesshme kundër ISIS duket një fitore si e Pirros. Qindra mijëra jetë janë humbur dhe një zgjidhje e konfliktit nuk parashikohet në të ardhmen e afërt.

Bota duket edhe më pranë buzë greminës. Në javët e fundit, Izraeli është përplasur me forcat iraniane në Sirinë jugore për të treguar se nuk do ta lejojë Iranin të krijojë një prani atje. Dhe Turqia ka lançuar një fushatë të fortë kundër kurdëve të Sirisë përtej kufirit. Assadi ka kuptuar realitetin dhe ka lënë të kuptohet se do t'i lëshojë territor kurdëve sirianë. Por Turqia nuk ka dëshirë të tolerojë një entitet autonom kurd në kufirin e vet.

SHBA-ja, nga ana tjetër, ka kaluar gjashtë vitet e fundit duke drejtuar grupe të ndryshme luftëtarësh arabë suni nën rrethanat e favorshme të të ashtuquajturave Forca Siriane Demokratike, një degë e asaj që quhej më parë Ushtria e Lirë Siriane. Disa elementë të saj kanë qenë më aktivë se disa të tjerë dhe kanë luftuar edhe krah kurdëve kundër ISIS. Por tani ata e gjejnë veten në shënjestrën jo vetëm të Assad, por edhe të Rusisë dhe milicive të tjera shiite të mbështetur nga Irani.

SHBA-ja kishte të drejtë që u përqendrua te mundja e ISIS; por tani përballet me një mision më të gjerë: të sigurojë mbijetesën e aleatëve të saj në terren. Kjo ngre perspektivën e një konflikti direkt me fuqi të tjera, jo vetëm Rusinë. Në fakt, SHBA mund të ketë vrarë tashmë dhjetëra kontraktorë të ushtrisë ruse në një sulm ajror të fundit.

SHBA dhe partnerët e saj evropianë kanë hezituar të kritikojnë aleatin e tyre të NATO-s Turqinë dhe zor se e kanë nxitur presidentin turk Recep Tayyip Erdogan të tregojë përmbajtje. Por shtrëngimi, një nga mjetet e preferuara diplomatike të SHBA, zor se funksionon me ata që janë në zemër të betejës.

Për më tepër, Turqisë duket se nuk i intereson ç'ka mendojnë aleatët e vet. Për shembull, së fundmi ngriti vetullat te NATO duke blerë armatime të reja ruse siç ishin S-400. Kjo nuk shkon mirë me procesin e paqes për të ardhmen. Në fund të fundit, vendet perëndimore do të kenë nevojë për Turqinë që të balancojnë rusët, agjenda strategjike e të cilëve shkon përtej Lindjes së Mesme.

Kur historianët të shohin pas në konfliktin sirian, ata do të vlerësojnë të dy presidentët si Obamën dhe Trump për luftimin e vazhdueshëm të ISIS. Por do të jetë faji i SHBA që nuk e ka kuptuar luftën më të gjerë.

Është e qartë se administrata e Obamës nuk e dinte se çfarë pazari po bënte kur, pa menduar për atë që do të vinte, kërkoi largimin e Assad në 2011. Në korrik të atij viti, Robert S. Ford, ambasadori amerikan në Siri, u dërgua në qytetin suni Hama, ku babai i Assad urdhëroi një masakër 30 vite më parë. Sipas departamentit të shtetit në atë kohë, ideja e vizitës ishte [të shprehej] mbështetja e fortë për të drejtën e popullit sirian për tu mbledhur në mënyrë paqësore dhe për të shprehur veten". A nuk e parashikoi administrata që Assad – ashtu si babai i tij – do të reagonte ndaj një kryengritjeje popullore me dhunë?

Kur SHBA mori një vendim për të kundërshtuar Assad shtatë vite më parë, po vlerësonte interesat e vet kombëtar në Siri ndërsa shpërfilli interesat e aktorëve të tjerë kyç si Turqia, Rusia, Irani dhe Izraeli. Dhe tani, me SHBA-në që po lëkundet, ka një rrezik të vërtetë për një luftë amerikano-ruse të deleguar dhe të mirëpajisur.

Deri më tani, administrata e Trump nuk është nxitur të veprojë nga katastrofa humanitare e civilëve sirianë. Por mbase do të bënte më shumë nëse merrte parasysh se çfarë kërcënimi është konflikti për të gjithë rajonin.

Nëse administrata do të tregojë lidership, duhet të fillojë duke u konsultuar me fuqitë e tjera rajonale për të kuptuar interesat e tyre dhe për të vendosur si mund të arrihet paqja. Tillerson mund të jetë duke u përpjekur për ta bërë këtë. Por pa pyetur aktorët rajonalë se çfarë duan, administrata Trump duhet t'i bëjë së pari vetes këtë pyetje. Me pasojat në Siri që po rriten shpejt, mbetet e paqartë se cili është pozicioni i Amerikës. /Project Syndicate/reporter.al/

The post Çfarë kërkon SHBA në Siri? appeared first on Telegrafi.

Serbia, “e përkëdhelura” e Bashkimit Evropian

Posted: 21 Feb 2018 10:51 AM PST

Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një hap më "serioz" për integrimin e Ballkanit Perëndimor (BP). Ndoshta, më mirë të thuhet, po tregohet më i afrueshëm dhe miqësor me Serbinë, e cila, për të plotësuar interesat e vetë, luan fort, me "dy karrige" apo më shumë, dhe është në gjendje të destabilizojë rajonin, kryesisht Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë – destabilizimi i të cilave sjell edhe atë të Shqipërisë. Për pasojë, burokratët evropianë, për Serbinë, kanë zgjedhur ofrimin e "karotës" në vend të "kërbaçit" – duke iu referuar metaforës në diplomaci "karota dhe kërbaçi". (Qasja "carrot and stick" përdoret si një kombinim i shpërblimit me ndëshkimin për përmbushur një objektiv të caktuar. Në këtë rast, Serbisë po i afrohet vetëm karota).

Siç deklaroi presidenti i Komisionit, Juncker, do të adaptohet një strategji për një "perspektivë të besueshme të zgjerimit me Ballkanin Perëndimor". Faqja zyrtare e BE e konsideron këtë hap "një konfirmim për të ardhmen evropiane të rajonit si një investim gjeostrategjik në një Evropë të stabilizuar, të fortë e të bashkuar, të bazuar në vlera të përbashkëta". Strategjia përcakton prioritete, si: nevoja për reforma; fqinjësi të mirë mes vendeve të BP; proces i bazuar në merita – në bazë të rezultateve; një plan-veprim me iniciativa të interesit të përbashkët. Komisioni sinjalizon një mundësi hyrjeje të Serbisë dhe Malit të Zi më 2025, dhe vendet e tjera në një moment tjetër të pacaktuar në kohë. Ideja e kësaj platforme është: a) mbajtja gjallë e shpresës së vendeve të BP se kanë vend në familjen evropiane, duke qenë se në këtë rast strategjia theksohet nga fjala "e besueshme"; b) besueshmëria shtohet nga bashkëpunimi me NATO-n për të rritur influencën gjeopolitike në një rajon problematik ku përplasen disa rryma.

Është për t'u theksuar se BE shpall këtë strategji në të njëjtën kohë kur NATO po diskuton gjithashtu procesin e zgjerimit, duke marrë në konsideratë kandidimin e Maqedonisë dhe Bosnjës. Ky sinkronizim i dy institucioneve më të rëndësishme evropiane ka një prapaskenë gjeopolitike, dhe kuptohet se në qarqet drejtuese të Evropës ka rënë kambana e alarmit. Nga njëra anë synohet forcimi institucional i shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe përfshirja e tyre në sistemin evropian politik dhe të sigurisë, dhe nga ana tjetër synohet një reduktim i influencës së Rusisë dhe Turqisë. Të dy këta objektiva janë të vështira për t'u arritur, duke parë përparimin e ngadaltë të vendeve të BP, ndasitë mes tyre, lidhjet politike e historike me Rusinë dhe Turqinë, dhe lojën e këtyre dy fuqive në rajon.

Për të minimizuar dëmet anësore, duket se BE e konsideron të rëndësishme "përkëdheljen" e Serbisë. Ndryshe nga Mali i Zi, të cilit i ofrohet gjithashtu hyrja më 2025, Serbia nuk ka shfaqur interes për përfshirje në NATO, gjë që do të binte ndesh me politikën e saj "me dy karrige" (me Rusinë dhe Evropën). Edhe pse Serbia sfidon haptas me këtë qëndrim, BE dhe NATO shfaqin dobësi për ta detyruar apo për ta tërhequr në suazën e vet.

Edhe procesi i Berlinit parashikon një plan të qartë, me financime për rajonin dhe një afat të qartë për hyrje në BE (viti 2025). Dihet që Serbia ka përfituar një pjesë të majme të financimeve, gjë që nënkupton: a) joshje të saj drejt BE-së; dhe b) largim nga sfera ruse. Nga kjo lojë, Serbia ka përfitime dhe fiton rol dominues në rajon, duke kushtëzuar vendet e tjera, përfshirë Shqipërinë.

Duke vënë Serbinë dhe një shtojcë të saj, Malin e Zi, si pararendëse në dhomën e pritjes, BE ul peshën e hapësirës shqiptare. Perëndimi kënaqet me kontrollin që zotëron në këtë hapësirë, e cila është vazhdimisht në stanjacion. Hapësira shqiptare (Shqipëri, Kosovë në kufijtë të hartave shtetërore, por shkon më tej) nuk e ka kuptuar ashtu si Serbia integrimin në Evropë. Pret ose vonohet, dhe nuk kërkon ose nuk reagon.

Kjo gjë vjen nga dy arsye. Së pari, Serbia kushtëzon rajonin me peshën e saj gjeopolitike, duke e shfaqur këtë pistë – përveç lidhjes me Rusinë – edhe në lojën me Kosovën dhe Bosnjën. Së dyti, Shqipëria dhe Kosova, me gjithë vulnerabilitetin e tyre, nuk e kanë aftësinë për të shpalosur në momente të caktuara si pavarësi ashtu edhe varësi në politikën e jashtme. Kryeministri i Shqipërisë tenton të kopjojë shpesh Serbinë (e cila shfrytëzon lidhjen me Rusinë) kur përmend shfrytëzimin e lidhjeve me Turqinë për kundërpeshë. Këto deklarata për ndryshim kursi të Shqipërisë, janë tepër të mekëta dhe për pasojë bien në vesh të shurdhët.

Përtej lojës së Serbisë dhe "përkëdheljes" së saj nga BE, a e ka kuptuar Perëndimi siç duhet Ballkanin? Në nivel politik, vendet ballkanike janë të gatshme të ndjekin udhëzimet për përmbushjen e detyrave përpara Brukselit, dhe në njëfarë mënyre ta pranojë varësinë prej tij, por duhet parë më thellë. Disa autorë theksojnë dallimin mes "ndërtimit të institucioneve dhe ekonomikeve të forta" dhe "ndërtimit të komeve dhe shoqërive të forta". Dhe normalisht kombet janë më domethënëse se qeveritë. Fuqi të tilla, si Rusia dhe Turqia në Ballkan, ushtrojnë një politikë "dinake" që njihet si diplomaci publike. Në pikëtakimet e Ballkanit me Rusinë dhe Turqinë nga njëra anë, dhe me Perëndimin nga ana tjetër, gjenden rrënjët e përplasjes.

Këtë e shpjegon qartë autori me reputacion në këtë fushë, Joseph Nye, i cili thekson se "fuqia e butë ka prirjen për të funksionuar tërthorazi, duke përcaktuar mjedisin për politika, dhe shpesh duhen vite për të realizuar rezultatet e dëshiruara". Nye përcakton tri kategori apo resurse për fuqinë e butë: kultura (në vende ku është atraktive për të tjerët); vlerat politike (kur ato përkojnë me vlerat e vendit tjetër); dhe politika e jashtme (kur të tjerët e konsiderojnë atë të ligjshme dhe me autoritet moral). /Mapo/

The post Serbia, "e përkëdhelura" e Bashkimit Evropian appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more