Skip to main content

RTSH: “Finlandë, 2 të vrarë dhe 6 të plagosur në një sulm me thikë” plus 9 more

RTSH: “Finlandë, 2 të vrarë dhe 6 të plagosur në një sulm me thikë” plus 9 more


Finlandë, 2 të vrarë dhe 6 të plagosur në një sulm me thikë

Posted: 18 Aug 2017 09:30 AM PDT

Dy vetë janë vrarë dhe të paktën gjashtë të tjerë janë plagosur kur një person i sulmoi ata me thikë, në qytetin Turku në Finlandë, njoftuan burime të policisë. Policia tha se ajo qëlloi njeriun që sulmoi disa njerëz. Sulmuesi është marrë në paraburgim pasi u qëllua në këmbë, shtoi ajo.
Ngjarja e rëndë ndodhi të premten pas mesidtës në zonën Puutori-Market Square. Policia ka paralajmëruar se sulmuesit e tjerë mund të mbeten të lirë dhe u kërkoi njerëzve të qëndrojnë larg qendrës së qytetit.
Drejtori i Spitalit të Universitetit të Turku, Petri Virolainen u tha gazetarëve se së paku tetë vetë ishin dërguar me lëndime dhe një person kishte vdekur. Në një konferencë për shtyp më vonë, policia konfirmoi një vdekje të dytë.

Fluksi i hyrje-daljeve në Kakavijë

Posted: 18 Aug 2017 05:27 AM PDT

Gjatë 24 orëve të fundit në sportelet e daljes nga toka shqiptare në stacionin kufitar të Kakavijës janë regjistruar rreth 4 mijë e 500 këmbësorë si dhe 1100 automjete. Gjatë ditës së sotme në pjesën tonë të kufirit kanë funksionuar katër sportele për kontrollin e dokumentave ndërsa pala greke ka punuar me dy sportele në hyrje. Ndryshe nga vitet e tjera ankesat për pritje të gjata në kufi duket sa janë reduktuar. Pothuajse i njëjti fluks lëvizje vazhdon të regjistrohet edhe në hyrje të tokës shqiptare. Gjatë 24 orëve të fundit nëpërmjet stacionit kufitare të Kakavijes kanë hyrë në vendin tonë rreth 4 mijë këmbësorë dhe 1 mijë automjete. Të dyja policitë shqiptare dhe greke kanë përforcuar kontrollin kufitar për goditjen e tentativave të trafiqeve të paligjshme dhe kryesisht të narkotikëve.

Analizë e sulmeve terroriste në Europë

Posted: 18 Aug 2017 05:19 AM PDT

Sulmi në Las Ramblas të Barcelonës, është i fundit nga incidentet vdekjeprurës me automjete të shënuara në Perëndim, si pasojë e të cilëve 129 persona kanë humbur jetën që nga viti 2014. Sulmet me automjete ndaj civilëve janë bërë një metodë e preferuar e terroristëve gjatë tre viteve të fundit pasi agresorët e përfshirë në to nuk kanë nevojë për trajnim apo ekspertizën që duhet per t’u mësuar taktikat konvencionale, sic janë sulmet me bomba. Tre vite më parë, Abu Muhamed Al-Adnani, zëdhënës i shtetit islamik, u bëri thirrje mbështetësve të këtij grupi terrorist të ndërmerrnin sulme në Perëndim duke përdorur autmojetet si armë. Më vdekjeprurësi i këtyre sulmeve ishte ai i vitit të shkuar në Nisë, ku një terrorist u mori jetën 84 personave që po festonin Ditën e Bastijës. Një pjesë e madhe e këtyre sulmeve me automjete janë frymëzuar nga ISIS por taktika është kopjuar edhe nga agresorë të motivuar nga të tjera ideologji. Në qershor të këtij viti, një fanatik antimusliman, vrau një person dhe plagosi 11 të tjerë, kur ai mësyu me automjete drejt një grupi muslimanësh të cilët po festonin Ramazanin jashtë një xhamie në veri të Londrës. Sipas dëshmitarëve, agresori thirri "Dua t’i vras të gjithë muslimanet… unë e bëra pjesën tim". Të shtunën që lamë pas, një ekstremist i krahut të djathtë vrau një grua ndërsa mësyu me makinë drejt një grupi protestuesish anti-racistë në Sharlotsvill të Virxhinias, SHBA. Sulmet me automjete nuk janë krejtësisht të reja. Al Kaeda bëri thirrje për sulme të tilla në vitin 2010. Në 2006-ën, Muhamed Taheri-Azar plagosi nëntë përsona ndërsa drejtoi me shpejtësi automjetin e tij drejt një turme në mjediset e Universitetit Çepël Hill në Karolinën e Veriut, SHBA. Terroristët palestinezë gjithashtu e kanë përdorur shumë këtë taktikë. Por çka është e re në lidhje me këto sulme është shpeshtësia e tyre. Vetëm në 12 muajt e fundit, në Europë janë ndërmarrë 8 sulme me automjete ndaj civilëve, përfshi edhe atë të orëve të para të së premtes në Kambrills të Spanjës, ku u raportuan 7 të plagosur.

Policia rrugore/Masa për parandalimin e aksidenteve gjatë ditëve të pelegrinazhit

Posted: 18 Aug 2017 05:12 AM PDT

Pelegrinazhi në malin Tomorr, policia e Beratit masa për të parandaluar aksidentet dhe siguruar rendin dhe qetësinë. Mijëra peligrinë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe gjithë bota do të udhëtojnë gjatë këtyre ditëve drejt malit të shenjtë të Tomorrit, ku besimtarët bektashinjë do të kremtojnë festën e tyre të përvitshme. Kryegjyshata Botërore e Bektashinjëve mësohet se ka hapur dyertë e Teqesë së Kulmakut, ku përqëndrohen të gjitha rritet dhe faljet e festës, ndërkohë që kulmi parashikohet të jetë data 22, ku rregjistrohet numri më i madh i peligrinëve. Nga ana tjetër për të shmangur numrin e aksidenteve, por dhe parandaluar ngjarjet kriminale Drejtoria vendore e Policisë Berat në bashkëpunim me komisariatet Kuçovë, Skrapar, Ura Vajgurore do të zbatojë një plan të detajuar masash. Arjan Ardinaj shefi i qarkullimit prane drejtoris se policise qarkut Berat bëri me dije se më i përqendruar shërbimi me uniforma blu do të jetë përgjatë akseve rrugore Berat-Poliçan-Pronovik- Novaj-Teqe, Poliçan-Çorovodë, Çorovodë-Gjerbës-Teqe e Kulmakut, e pika të tjera që do të vendosen si dhe në territorin ku zhvullohet aktiviteti i pelegrinazhit, bëri me dije ai. Ardinaj u shpreh se uniformat blu do të zbatojnë ligjin për të gjitha rastet e shkeljes së rregullave të qarkullimit veçanërisht në konsumimin e alkolit të drejtuesve të mjeteve.

Raporti i ministrave teknikë të PD-së, reagon kryeministria

Posted: 18 Aug 2017 04:59 AM PDT

Dorëheqja dhe raporti i ministrave teknik të Partisë Demokratike ka sjellë një reagim të zyrës së kryeministrit. Në reagim përvec falenderimeve përkatëse, kryeministri Edi Rama shpreh njëherësh edhe keqardhje për raportet përkatëse të përgatitura nga ministrat teknik. Ky raport është një dokument politik, krejt i njëanshëm dhe aspak në nivelin e lartë profesional të Zëvendëskryeministres teknike, si drejtuese e Task Forcës në fjalë. Sidoqoftë, Kryeministri i falenderon ministrat teknike për gjithçka të mirë bënë, apo u përpoqën të bënin gjatë mandatit të tyre të posaçëm”, thuhet në reagimin e Kryeministrisë. Reagimi përfundon duke u shprehur mirëkuptimin e plotë të kryeministrit Rama, qoftë për disa gafa të bujshme e krejt të panevojshme pas zgjedhjeve në sektorin e arsimit, qoftë për mbytjen në fund fare në lugën e ujit të politikës, prej ku ka dalë edhe raporti i njëanshëm, joteknik e joprofesional i Task Forcës, dhe duke u uruar zonjave e zotërinjve të dorëhequr, shëndet e suksese të mëtejshme në jetë!

Basha reagon për raportin: “Ministrat teknikë u sabotuan, u lanë pa fonde dhe pa burime”

Posted: 18 Aug 2017 04:52 AM PDT

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar në Facebook lidhur me raportin e ministrave teknikë për zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit. Sipas Bashës ky raport provon se zgjedhjet u manipuluan dhe se në këto zgjedhje u përdor çdo metodë dhe mjet i mundshëm për ndikimin e votës. “Ministrat teknikë u sabotuan, u lanë pa fonde dhe pa burime; drejtuesit e lartë refuzuan bashkëpunimin dhe nuk ju bindën udhëzimeve të tyre; institucionet përgjegjëse vepruan sa për sy e faqe ose nuk u angazhuan fare. E gjitha kjo ndodhi për mungesë totale të vullnetit politik nga Edi Rama për të përmbushur detyrimet që mori përsipër përpara shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar”, akuzon Basha në statusin e tij në rrjete sociale. Sipas kryedemokratit tashmë po ndihen pasojat e këtij manipulimi ku “parlamenti i dalë nga këto zgjedhje nuk reflekton vullnetin e lirë të zgjedhësve por shitblerjen masive të votës dhe përdorimin e kontigjentit kriminal dhe parave të drogës të cilët janë sot varrmihësit e demokracisë së brishtë shqiptare. “Basha vijon më tej duke shkruar se “vendi ka nevojë për një reformë të thellë të sistemit politik” dhe se “garantimi i zgjedhjeve të lira dhe një demokracie funksionale kërkojnë përfshirjen e gjithë shoqërisë, duke filluar me vetëdijësimin se shkelja dhe manipulimi i vullnetit të zgjedhësve është jo vetëm dhunim i një të drejte themelore njerëzore dhe politike, por edhe shkaku kryesor i keqqeverisjes dhe arrogancës politike që vuan vendi ynë prej kohësh.”

Zjarret në zonën e Fierit, rrezik në rafinerinë e Patosit

Posted: 18 Aug 2017 04:42 AM PDT

Një zjarr i fuqishëm ka rënë në mëngjesin e sotëm pranë depozitave të naftës në Patos. Zjarri ka rënë rreth 100 metra rreth depozitave të naftës të një kompanie private në vendin e quajtur “Ofiçina Patos” duke u bërë rrezik edhe për zonën përreth. Në vendngjarje kanë shkuar edhe punonjësit zjarrëfikës si dhe avari shpëtimi Patos sipas të cilëve njoftohet se zjarri është vënë nën kontroll duke bërë të mundur izolimin e vatres së zjarrit ndërsa ende po punohet për shuarjen e tij. Sipas njoftimeve të para nga vendngjarja mësohet se janë djegur rreth 4 dynym sipërfaqe shkurre dhe kullot. Shkak i zjarrit mendohet të jetë vetndezja nga mbetjet e naftës që derdhen në kanalet kulluese.
Zjarret mbeten problematike në Qarkun Fier. Në 24 orët e fundit janë regjistruar dy zjarre të cilat të influencuara dhe nga era kanë djegur sipërfaqe me pyll dhe kullota. Në fshatin Darëzezë, bashkia Fier ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Zjarrfikësit me mjete kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.1 ha me shkurre dhe pisha. Në fshatin Shtyllas, bashkia Fier ka rënë zjarr në shkurre dhe kallama pranë një ullishteje. Zjarrfikësit me mjete kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.4 ha me shkurre dhe kallama. Ndërhyrja e zjarrëfikëseve ka bëre të mundur shuarjen e zjarrjeve në fjalë.

Shkatërrohet unaza e qytetit të Rreshenit

Posted: 18 Aug 2017 04:29 AM PDT

Një skandal i vërtetë është ndërtimi i unazës së qytetit të Rreshenit. Ajo tashmë është jasht përdorimit si pasojë e shkatërrimit që pësoi nga gërryerjet e lumit Zmeja gjatë prurjeve të tij në dimrin e kaluar. Duke parë këtë katastrofë që pësoi unaza e sapo përfunduar, këshilltarët opozitarë kërkuan që të mblidhet urgjentisht këshilli bashkiak i Mirditës e të merret në shqyrtim ky skandal, për të përcaktuar shkaqet dhe fajtorët e këtij shkatërrimi por kjo gjë nuk u pranua. Më pas këshilltarët opozitarë të këshillit të bashkisë Mirditë kërkuan herë pas here që problemi të futet në rendin e ditës në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak por kërkesa e tyre nuk u aprovua edhe për arsye të numrit të pakët të tyre në këshill. Pas shumë përpjekjesh dhe pas shumë kohësh ai u fut në rendin e ditës. Nga dokumentacioni i kësaj bashkie rezulton se projekti ka mangësi të shumta. Në këtë projekt mungon tërësisht studimi hidroteknik, gjeologjik, hidrogjeologjik dhe mjedisor pa të cilat projekti nuk ka asnjë vlerë për zbatim. Fondi i kësaj rruge është tenderuar pa patur një projekt teknik të përfunduar gjë që përben shkelje të rëndë ligjore. Në dokumentat e tenderit mungojnë shkresat se nga ka ardhur fondi për këtë objekt. Nga ana e bashkisë Rreshen nuk është bërë tender për supervizor. Këshilltarët opozitarë referuan në këshillë se nga verifikimi i dokumentacionit del se shkatërrimi i rrugës ka ardhur si pasojë e mungesës së projektit të pa realizuar konform ligjit. Ndër të tjera në projekt nuk është përfshirë mbrojta lumore. Për të gjitha shkeljet, mangësitë dhe abuzimet që janë bërë në unazën e qytetit të Rreshenit me një vlerë prej 912 milion e 961 e mijë e 550 lekë (912.961.550 lekë ) me një gjatësi prej rreth 400 metra, këshilltarët opozitarë kërkuan ndjekjen penale të ish kryetarit të bashkisë Rreshen zotit Ndue Gega, të inxhinierit të zyrës urbanistike Rreshen zotit Altin Marashi për dëmin e madh që kanë shkaktuar me abuzimet e tyre me detyrën dhe shkeljet e shumta ligjore që kanë kryer. Po ashtu përveç tyre të ndiqen penalisht nga prokuroria Lezhë edhe persona të tjerë të lidhur me këtë skandal.

Ornela Kapetani rrëmben Zemrën e Sarajevës/Sarajevo Film Festival

Posted: 18 Aug 2017 04:09 AM PDT

Aktorja shqiptare Ornela Kapetani sjell trofeun e aktores më të mirë nga Sarajeva në Tiranë. Festivali i 23-i filmit në kryeqytetin boshnjak ka rezervuar një pritje dhe vlerësim të merituar për protagonisten e filmit "Dita Zë fill" me regji nga Gentian Koçi. Ceremonia e ndarjes së çmimeve ka rezervuar jo vetëm një zemër për aktoren shqiptare por edhe duartrokitje zemre për të pasi mes lotësh mallëngjimi Ornela falenderoi: "Faleminderit, nuk kam përgatitur asnjë fjalim sepse vërtet nuk e prisja këtë….dëshiroj të falenderoj regjisorin që më zgjodhi mua për rolin e Letës, dëshiroj të falenderoj edhe jurinë e Sarajevo Film Festival që ka qënë e shkëlqyer….wow… nuk dua të harroj bashkëshortin dhe djalin tim sepse kam qënë me fat që nuk kam marrë një mandat kërkimi ndërkombëtar për rrëmbim të djalit tim teksa vrapoja nëpër Shqipëri. Dhe dua tia dedikoj këtë çmim nënës time, e cila ka ndikuar në kërkimin tim për kuptimin e vetvetes. E në kërkimin tim të dëshpëruar unë jam prekur nga gra të mençura dhe të forta që i kanë dhënë dritë jetës time dhe rrugëtimit tim." Zemra e Sarajevës konsiderohet sukses i madh, në tërësi për kinemanë shqiptare pasi është vetëm hera e dytë që filmi shqiptar prezantohet në kompeticion zyrtar në këtë festival. Çmimi për aktoren më të mirë në një festival prestigjioz si ky i Sarajevës ku të ftuar nderi janë emra të mëdhenj të kinemasë si De Niro apo Oliver Stone është një ngjitje në skenën e vëmendjes botërore. Ornela e cila ka studjuar aktrim në Londër është aktore e dëshmuar tanimë, me role në "Hostage", "Correction" dhe me rolin e Letës në filmin me të cilin fitoi trofeun e aktores me te mire në Sarajevë. Sarajevo Film Festival shpalli si Filmin më te mirë "SCARY MOTHER / SASHISHI DEDA" me regji nga Ana Urushadze. Şerban Pavlu morri çmimin për aktorin më të mirë, ndërsa EMANUEL PÂRVU u shpall regjisori më i mirë. Ceremonia e ndarjes së çmimeve të Festivalit të Filmit u transmetua direkt nga Sarajeva në RTSH.

 

Sulmet terroriste në Spanjë janë dënuar nga liderë dhe autoritete të ndryshme politike të botës

Posted: 18 Aug 2017 02:27 AM PDT

E gjithë bota është solidarizuar me Spanjën, ku 13 persona humbën jetën dhe dhjetra të tjerë u plagosën gjatë një sulmi në sheshin Las Ramblas në Barcelonë. Flamujt e Bashkimit Europian ishin në gjysëm-shtizë këtë mëngjes, në shenjë zie për viktimat dhe solidariteti me të plagosurit, shtetas të 24 vendeve të ndryshme. Ndërsa dënoi ngjarjen përmes një postimi në rrjetin social twitter, Presidenti amerikan, Donald Tramp i ofroi Spanjës ndihmën e SHBA-ve. Presidenti rus Putin, shprehu ngushëllimet e tij në një mesazh dërguar mbretit të Spanjës, ndërsa e konsideroi ngjarjen një krim krim mizor dhe cinik kundër civilëve. Presidenti francez, Manuel Makron shkruajti në twitter se ai dhe Franca janë pranë viktimave të sulmit tragjik, duke shprehur vendosmërinë e tij kundër terrorizmit. Dritat e kullës Eifel u fikën mbrëmjen e së enjtes, si shprehje ngushëllimi për ata që humbën jetën. Duke ngushëlluar familjet për humbjen e njerëzve të dashur dhe uruar shëndet të shpejtë të lënduarve, presidenti Shqiptar Ilir Meta gjithashtu shprehu solidaritetin e tij dhe të popullit shqiptar me autoritetet dhe popullin spanjoll në luftën kundër terrorizmit dhe kapërcimin e kësaj situate. "Mendimet tona janë me viktimat e sulmit të tmerrshëm në Barcelonë", shprehet kryeministrja britanike Tereza Mei, e cila theksoi se Britania e Madhe qëndron me Spanjën kundër terrorizmit. Ndërkohë në Spanjë, qeveria ka shpallur tre ditë zie kombëtare, ndërsa këtë të premte u mbajt një minutë heshtje në të gjithë vendin.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more