Skip to main content

Tirana Observer: “24 orë para zgjedhjeve, “Zëri i Amerikës” sulmon Lulzim Bashën” plus 9 more

Tirana Observer: “24 orë para zgjedhjeve, “Zëri i Amerikës” sulmon Lulzim Bashën” plus 9 more


24 orë para zgjedhjeve, “Zëri i Amerikës” sulmon Lulzim Bashën

Posted: 21 Jul 2017 10:09 AM PDT

Në Shqipëri drejtuesi i Partisë Demokratike Lulzim Basha po kërkon një mandat të dytë në krye të forcës kryesore opozitare në votimet që do të mbahen nesër. Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 25 Qershorit dhe kritikave të forta nga brenda, që e bëjnë atë përgjegjësin kryesor, zoti Basha gjatë gjithë fushatës i është përmbajtur qëndrimit se rezultati ishte diktuar nga shitblerja e votës. Ai nuk i është përgjigjur akuzave të shumta për mënyrën se si ka drejtuar partinë apo dhe organizimin e garës për kryetarin, ndërsa premton se në të ardhmen vendimmarrja do t'i kalojë anëtarëve të thjeshtë

E vetmja dalje publike e zotit Basha është ajo pas zgjedhjeve të 25 qershorit kur përfundoi procesi i numërimit. Pasi nuk pranoi të jepte dorëheqjen por zgjodhi formulën e "ngrirjes" nga detyrat e tij organizative, ai shpalli rikandidimin për të mbrojtur projektin e tij të "Republikës së Re". Përballë furisë së kritikave të ashpra nga shumë eksponentë të partisë të cilët sipas tij nuk punuan asnjë ditë për fitoren, zoti Basha zgjodhi heshtjen duke refuzuar komentet publike. Në garë, përballë tij pati vetëm një rival, zotin Eduard Selami, ndërsa Astrit Patozi nuk pranoi të futej, pasi një sërë garancishë që ai kishte kërkuar u refuzuan.

Fushata e zotit Basha u zhvillua e mbyllur, dhe për publikun u servirën vetëm pamjet dhe deklaratat e përzgjedhura nga stafi i tij. Mediat asnjëherë nuk u pranuan të ndiqnin takimet dhe as ato pak raste debati që zhvilloi me rivalin tjetër në garë Selami, pas kërkesës së këtij të fundit.

Në takimet e para të fushatës së tij zoti Basha deklaroi se "Marr përgjegjësitë e mia dhe pranoj përgjegjësitë e mia në këtë proces. Gabimet e mia janë të gjitha politike, sepse prej minutës së parë asgjë se kam bërë për veten time, për pushtetin tim, apo për karriken time, por gjithcka e kam vënë në funksion të Partisë Demokratike dhe demokratëve të thjeshtë".

Por edhe gjatë vazhdimit të fushatës nuk u mësua se cilat ishin këto përgjegjësi dhe gabime. Opozita pësoi një nga humbjet e saj më të thella, por për zotin Basha rezultati ishte ndikuar nga shitblerja e votës: "Maxhoranca e dalë nga këto zgjedhje është një maxhorancë fiktive sepse nuk reflekton vullnetin e qytetarëve, por reflekton shtrembërimin e këtij vullneti përmes shit-blerjes së votës që tashmë është provuar katërcipërisht si varrmihësja e demokracisë tonë të brishtë"

Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, opozita ka humbur mbi 200 mijë vota. Megjithatë sipas zotit Basha, edhe demokratët nuk kishin dalë për të votuar në këmbim të parave: "Në Tiranë, vetëm për të mos dalë në votime, plani ka qenë 5 deri 15 familje opozitare për qendër votimi, pagesa 200 mijë lekë për familjar, jo për votues".

Pas tre muajsh protesta opozita vendosi të hyjë në zgjedhje pas marrëveshjes së zotit Basha me kryeministrin Rama, një marrëveshje që sipas tij ishte bërë nën trysninë ndërkombëtare, por që nuk mund të përsëritet: "Marrëveshja e 18 majit na diktoi provën nën presionin ndërkombëtar, me Edi Rama Kryeministër, prova dështoi. Ajo që ne kishim thënë u provua, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, është armik i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kur flas për përballje totale, për zgjedhje të lira e të ndershme, sigurisht që s'ka asnjë shans lloj bashkëpunimi politik apo koalicioni me Edi Ramën. I vetmi shans është përballja dhe fitorja përmes përballjes".

Ndonëse rrallë, të paktën në atë pjesë të bërë publike të fushatës së tij, zoti Basha ka sulmuar dhe kundërshtarët e tij të shumtë në parti, figura që u lanë jashtë listës së kandidatëve. "Çelësi është shpirti i pastër i demokratit. i atij që nuk pyet se kur me vjen radha për t'u bërë deputet por vjen në betejë sa herë ka betejë për vlerat për të cilat kemi lindur dhe luftojmë"

Zoti Basha ka mbrojtur projektin e tij të Republikës së Re e cila sipas tij nënkupton që fuqia e vendimmarrjes t'i kalojë anëtarëve të partisë: "Republika e Re është një raport i ri midis shtetit dhe qytetarit, se që këtej e tutje jo thjesht rekomandimet, por përcaktimet e përfaqësuesve për deputetë, për bashki dhe për këshilltarë bashkiakë, dhe çdo zyrë të zgjedhur publike apo brenda Partisë Demokratike duhet të vijnë me një anëtar-një votë nga anëtarët e PD"

Rivali në garë Selami është shprehur për një garë me kushte të pabarabarta. Kundërshtarët e zotit Basha kanë ndërmarrë një tur në disa qytete ndërsa flasin për një garë farsë me një rezultat të paracaktuar. Vetë zoti Basha i ka mëshuar shpesh idesë së bashkimit, por në rast fitoreje, ai rrezikon të ketë frenat e një partie të përçarë si kurrë më parë./VOA

Nga Artan Fuga/ Zgjedhjet në PD, komedi për budallenj

Posted: 21 Jul 2017 09:29 AM PDT

Nga Artan Fuga

Partia demokratike është para një votimi për kryetarin e saj duke zbatuar mekanizmin “një anëtar – një votë”.

Të gjitha parametrat tregojnë se do të jemi përpara një zgjedhje të gabuar, një farse politike, por që në fakt nuk lidhet vetëm me partinë në fjalë, por me të gjitha partitë politike.

Ajo që po i ndodh partisë demokratike nuk është veçse një rast i veçantë dhe lidhet me gjendjen e saj pas disfatës të përmasave katastrofike me rastin e zgjedhjeve parlamentare të qershorit të kaluar, dhe me faktin se ajo ndodhet e çarë dhe e përçarë në elitat e saj drejtuese.

Dikush mund të pyesi : E përse na qenka një farsë elektorale, një fasadë e shpifur gjoja demokracie? A nuk ka në republikat presidenciale edhe atje zgjedhje të presidentit të republikës ku voton i gjithë populli?

Përgjigja është e thjeshtë. Nuk kanë asnjë lidhje këto procese me njeri tjetrin. Kryetari i partisë mbledh të gjitha pushtetet de facto në duart e tij pasi zgjidhet dhe bën një natë, një orë, një muaj para votimit çfarë të dojë me partinë, kurse presidenti i një republike nuk është veçse njeri nga pushtetet e saj, sepse përveç tij ka gjykata, ka parlamente, ka kryeministër, etj., që e kufizojnë pushtetin e tij.

Kryetari i partisë i zgjedhur sipas mekanizmit “një anëtar – një votë”, është një diktator brenda partisë, një vetë zot vetë shkop, një individ që pasi shkel me këmbë të gjithë grumbullon rreth vetes një shpurrë servilësh, me pak përjashtime, që pasi i bëjnë lavde e çojnë pikën deri aty sa vetë kryetari “loz menç” dhe kujton se ato lavde dhe servilosje të pështira janë reale dhe kurtizanët e tij ja bëjnë sinqerisht.

Mua në këtë rast më vjen keq për kryetarët sepse pikërisht në këtë fazë humbin ndërgjegjen e asaj se janë njerëz normalë dhe jo perëndi, nisin të flasin pa lidhje sepse gjuha jashtë kontrollit të të tjerëve priret drejt modelit “halzaimer”, dhe mbi kurriz të tij, kurtizanët ngrenë “perandoritë” e tyre të vogla por mizore mbi ata që kanë poshtë.

Ai dikushi vazhdon të pyesi : Përse na qenka mekanizmi “një anëtar – një votë” prodhues diktatorësh partiakë, kur edhe në vende të tjera perëndimore, në parti perëndimore ka mjaft raste që ky parim zbatohet?

Sepse nuk është i njejti realitet, prandaj.

Anëtarët e partisë te ne, masa e tyre, ata njerëzit e thjeshtë që punojnë, nuk kanë luksin e perëndimorëve, që të informohen nga media për ngjarjet, personazhet dhe proceset politike. Militanti i bazës është te ne i painformuar sikurse nuk është qytetari perëndimor, për partinë e tij politike.

Ku e di përshembull te ne militanti se kush pagoi për ngritjen e Cadrës të Lirive Politike në bulevard? Ku e di militanti se cilët ishin personat që sakrifikuan dhe ndejtën ndryrë atje për tre muaj rresht gjatë ditës? Ku e di militanti i bazës se çfarë ndodhi mbrëmjen gjatë Paktit mes opozitës dhe qeverisë në mes të muajit maj? Ku e di militanti i bazës se kush i propozoi ministrat e opozitës në qeverinë e sotme? Ku e di militanti i bazës se cilat janë kriteret e përzgjedhjes të deputetëve demokratë në fshehtësinë e ndërgjegjes kryetarore?

Pa pasur përgjigjen e tyre dhe të shumë të tjerave, sigurisht që militanti voton kot, symbyllurazi.

Pastaj, mos harrojmë se militantti i bazës në partitë e mëdha perëndimore është një njeri i lirë nga kryetari i partisë. Kurse te ne një pjesë e madhe e militantëve, sidomos pjesa e tyre më aktive, ka interesa për t’u punësura në shtet nëse partia vjen në pushtet, ose është në pushtet. Ata nuk gjykojnë pra kryetarin e partisë, por bëjnë llogaritë se me cilin kandidat mund të sigurojnë më mirë interesat e tyre ngushtësisht personale. Kurse pjesa e lirë, ata më të painteresuarit për privilegje personale, ata që kanë gjykim më të saktë, ata nuk vijnë fare në votime.

Mos harrojmë se në perëndim, zgjedhjet në partitë politike monitorohen nga juristë të pavarur dhe jo nga komisione që i cakton kryetari i partisë dhe që i numuron vetë votat e veta dhe të kandidatëve të tjerë. Vendosni përmbaruesit e pavarurur të gjykatës në komisione, përndryshe mos flisni se kështu ndodh edhe në perëndim.

Aq më shumë se në perëndim për “primaret” përshembull votojnë edhe zgjedhësit edhe dashamirësit e një partie politike, dhe jo vetëm grupe të ngushta militantësh.

Dikushi mund të vazhdojë pyetjet e tij : Mirë po si ka ndodhur në Shqipëri?

Gjithkush e di se në partitë politike shqiptare, sado gjoja u kalua te mekanizmi “një anëtar – një votë”, në fakt ose nuk ka zgjedhje fare për kryetarin, ose ka zgjedhje që janë vetëm fasada ku të vjen keq për rivalët e kryetarit që dalin si alternative përballë tij.

Më mirë pranoj sinqeritetin e ashpër të kryetarit të partisë socialiste që u tha anëtarëve të partisë së vet : “Ikni ore tutje, dashkeni të më votoni juve mua!”. Sesa tipin e zgjedhjeve gati në errësirë dhe pa transparencë të Libras, Sfidës, etj.

Dihet gjithashtu se edhe në LSI kryetari themelues i partisë në procesin e zgjedhjes para disa muajve pati përballë një kandidat që i ka të gjitha meritat dhe cilësitë, por jo ato të një kandidature alternative me zotin Meta. Për të mos thënë se militantët dhe ne dashamirësit nuk kuptuam gjë pe gjëje lidhur me vendosjen dhe heqjen rrufe të zotit Vasili si kryetar partie.

Mos flasim pastaj për partitë e tjera.

A ka të këqia zgjedhja e kryetarit të partisë me mekanizmin një anëtar një votë?

Tmerrësisht shumë. Partia bëhet njê mekanizëm populist, një mekanizëm autoritar nën drejtimin e shefit të gjithëfuqishëm që emëron, punëson, çpunëson, aparatet e partisë dhe aparatçikët, të deleguarit e partisë në agjenci të ndryshme, pra krijon kastën e tij dhe me anë të saj injoron totalisht këshillat drejtuese, kongreset, i kompozon ato si do, loz me to si të lidhi e të zgjidhi këpucët e veta.

A nuk ndodhi kështu me partinë demokratike ku lista e kandidatëve të saj për deputet as nuk u konsultua me forumet drejtuese të partisë?

E trishtueshme, fyese, dhe që krijon një dyshim të pashërueshëm te funksionimi i brendshëm i asaj partie që tani po zgjedh kryetarin e saj sipas mekanizmave që i japin atij, kushdoqoftë, të gjitha kamzhikët për të “rrahur” këdo që i kundërvihet sadopak, apo të gjitha “kalemat” që i bien në duar për të vendosur vijën mbi cdo emër që ndofta flet me një dialekt ndryshe nga ai që flet ai.

Kryetari që merr votat e një pakice militantësh të sugjestionuar dhe nën presion e terror psikologjik, me vota që një dreq e di se kush i numuron, me votat e një numuri militantësh që pastaj nuk dihet se ku shkojnë e ku treten pa pasur mundësi t’i kërkojnë për nja 500 vjet llogari kryetarit të zgjedhur në mënyrë krejt populiste, mjerane dhe të trishtët, me mekanizma që nuk nderojnë askënd, merr staturën e të qënurit sipër dhe mbi forumet drejtuese të partisë.

Sa bën “koka” e kryetarit pastaj nuk bëjnë “kokat” e të gjithë të zgjedhurve nga kongresi.

Nuk ka gjë më të lehtë të manipulosh këto forume butaforike, fasadash, nga një kryetar që ka në dorë financat e partisë, mjetet e partisë, energjinë e burokratëve të partisë të paguar nga ai vetë.

Hapësira politike bëhet sikurse është bërë tanimë një hapësirë pa elita politike, një shkretëtirë politike, një vend ku askush nuk qendron dot më këmbë, një hapësirë politike kryetarësh.

Jemi familje kryetarësh tani ! – çirrejt Kapedani i filmit socrealist.

Brenda partisë humbet kontrolli nga ana e forumeve, partia nuk është më një arenë demokratike, drejtimi kolektiv bëhet aq kolektiv sa ishte kolektiv edhe drejtimi i Byrosë Politike “nën drejtimin e shokut Enver Hoxha”.

Dhe kryetari që përgjërohet tani se kur të ribëhet kryetar duke zëvendësuar vetveten herën tjetër, pas katër vitesh, do të jetë më i kuptueshëm, më i sjellshëm dhe nuk do të bëjë më
gabime.

Gjithçka varet nga ai në fakt! Besojeni fjalën e mirë!

Sepse atë kryetar ju o antikryetarë e keni prodhuar vetë, e prodhoni vetë me mekanizmin “një anëtar – një votë-, ku kryetari, ai, ose në parti të tjera, bëhen despotë, autoritarë, fyhrera.

Ja përse ka hutim në rastin aktual të partisë demokratike. Kjo vjen në thelb nga fakti që janë vetë forumet që gjithkush e di se kanë qenë jashtë loje të cilët pyesin të hituar : “Përse o kryetar na nxorre jashtë loje ne që ishim jashtë loje?” Të gjithë e dinë se me pëlqimin e vetë elitave drejtuese gjumashe, interesaxhije, forumet kanë qenë dhe janë fasada e kryetarëve.

Nuk është mirë dhe e besueshme pra që t’i hedhësh gurin kryetarit kur kryetari të ka venë drunë. Sepse atë kryetar e ke bërë vetë monument, i ke dhënë të gjitha fuqitë që ai të bëjë çfarë të dojë me ty.

Më mirë do të ishte të thoshin si ish ministri i ndjerë i sigurimit që kur e kërcënuan se do ta arrestonin, tha me paradoksin dhe intelegjencën e qartësisë së dramës që e priste :

“Nuk prish punë, partia ime do të më arrestojë”!

MISIONET E HENES / Të gjitha sekretet e 7 misioneve Apollo

Posted: 21 Jul 2017 08:41 AM PDT

Në dhjetor të vitit 1972, astronautët amerikanë lanë në Hënë një pllakë metalike me këtë mbishkrim: "Këtu njeriu përfundoi eksplorimin e parë të Hënës. Shpirti i paqes me të cilin ata erdhën le të pasqyrohet në jetën e të gjitha qenieve njerëzore".

Eksplorimet në Hënë që filluan me anijen Apollo 11 më 1969 dhe përfunduan me anijen Apollo 17 në vitin 1972. Vera e vitit 1969 ishte një kohë e veçantë në histori. Kjo ndodhi kur njerëz nga Toka – astronautë amerikanë – shkuan me anijen Apollo 11 në Hënë, zbritën dhe u kthyen në Tokë pa problem. Bota i nderoi këta astronautë si heronj.

Neil Armstrong dhe Edvin Aldrin ishin të parët që zbritën në Hënë. Po ata nuk ishin të fundit.

Agjencia amerikane për fluturime në Hapësirë e njohur me akronimin Nasa, ndërmorri edhe 6 misione të tjera në Hënë me anije Apollo.

Apollo 12 u nis për në Hënë vetëm 4 muaj pas kthimit të Apollo 11. Një natë më parë kishte rënë shi. Retë ishin shpërndarë, por shira të tjerë parashikoheshin. Zyrtarët e Nasa-s arritën në përfundimin se moti ishte i përshtatshëm dhe kështu Apollo 12 u nis nga Toka për në Hënë.

36 sekonda pas nisjes, një rrufe goditi raketën Saturn 5 që shtynte anijen. Anija Apollo humbi rrymën elektrike në sistemin e kontrollit. Aparaturat e ndërprenë funksionimin. Astronautët punuan me gjakftohtësi dhe e kthyen rrymën. Por një tjetër rrufe ra dhe rryma elektrike u ndërpre përsëri.

Rrufeja e dytë nuk e prekur raketën Saturn 5. Kështu kjo vazhdoi t'a shtynte anijen në udhën e saj. Astronautët shumë shpejt ndreqën defektin. Gjendja u normalizua dhe Apollo 12 mundi të vazhdonte fluturimin drejt Hënës.

Tre astronautët në bordin e Apollos ishin pilotë të marinës. Çarls Konrad ishte komandant i fluturimit. Richard Gordon, pilot i modulit komandues dhe Alan Bean ishte piloti i sondës për zbritjen në Hënë.

Pas katër ditësh, Apollo 12 arriti afër vendit të uljes në Hënë. Zona quhej Stuhitë e Oqeanit, rreth 2 mijë kilometra në perëndim të zonës ku ishte ulur Apollo 11.

Richard Gordon qëndroi në komandë të modulit duke i ardhur Hënës përreth. Çarls Konrad dhe Alan Bean fluturuan me sondë dhe e ulën në sipërfaqe të Hënës. Ata iu afruan sondës Surveyor 3, një anije pa pilot që kishte mbërritur 2 vjet më parë dhe kishte dërguar në Tokë rreth 6 mijë fotografi të Hënës, para se të ndalte së funksionuari.

Konrad zbriti në sipërfaqen e Hënës. "Sipërfaqja është e butë, shpresoj të mos fundosem në të", thoshte ai dhe zëri regjistrohej në qendrën e kontrollit të fluturimit në Tokë.

Alan Bean ndoqi Konradin në sipërfaqen e Hënës dhe të dy mblodhën rreth 35 kilogram gurë. Ata lanë aty 5 instrumente shkencorë që do të dërgonin informata në Tokë. Para se të iknin, Bean dhe Konrad vizituan edhe sondën Surveyor që kishte kohë që nuk funksiononte. Këta dy astronautë qëndruan në Hënë rreth 30 orë. Pastaj u kthyen në anijen Apollo e cila i priste në orbitë dhe prej andej nisën për në Tokë. Kapsula me 3 astronautët ra në oqeanin Atlantik, vetëm 6 kilometra nga vendi ku po priste anija e flotës detare.

Apollo 13

Gjatë projektit amerikan prej 7 fluturimesh në Hënë, Apollo 13, kurrë nuk mundi të zbriste në sipërfaqen hënore. Tre ditë pas nisjes nga Toka, një shpërthim e dëmtoi anijen. Astronautët humbën shumë prej sasisë së oksigjenit.

Atyre iu desh të anulonin zbritjen në Hënë dhe e përdorën sondën e zbritjes si "varkë shpëtimi". Oksigjeni i saj i mbajti astronautët gjallë gjatë udhëtimit për në Tokë.

Apollo 14

Apollo 14 u nis në janar të vitit 1971 dhe u ul në Hënë në zonën Fra Maouro paksa në lindje të rajonit ku kishte zbritur Apollo 12. Fra Maouro është një zone kodrash të larta të krijuara miliona vjet më pare nga rënia e një meteori të fuqishëm. Për këtë arsye shkencëtarët donin t'a studionin sipërfaqen e këtyre kodrave. Ata besojnë se nga studimi i të dhënave nga kjo sipërfaqe mund të sigurojnë infomata të rëndësishme rreth historisë së hershme të Hënës.

Komandant fluturimi i Apollo 14 ishte Alan Shepard. Ai njihej atëherë si amerikani i parë në Hapësirë. Stuart Rosa dhe Edgar Miçëll ishin dy anëtarët e tjerë të ekuipazhit. Në Apollo 14 astronautët kishin marrë me vete edhe një pajisje udhëtimi dy rrotëshe që ata do t'a përdornin për të mbajtur kamerat e mjete të tjera kur të zbrisnin në Hënë. Ky mjet u krijoi atyre mundësi të udhëtonin larg nga vendi i zbritjes, për të mbledhur gurë e për të bërë eksperimente. Astronautët mundën të ecnin deri në 3 kilometra larg nga sonda. Edhe pse kishin mjetin dy rrotësh, Shepard e Miçëll nuk mundën të arrinin në njërin prej objektivave të tyre, kraterin e quajtur Kone. Ata nuk kishin mjaft oksigjen për të udhëtuar aq larg dhe u kthyen në sondën që i priste.

Apollo 12 dhe Apollo 14 grumbulluan për shkencëtarët shumë informacione, që e shtynë Nasa-n të vazhdonte projektin e udhëtimeve në Hënë.

Tre misionet e tjera do t'u lejonin astronautëve të qëndronin më gjatë në Hënë. Ata tani do të përdornin një mjet me katër rrota për të udhëtuar në sipërfaqen e Hënës. Ky automjet u quajt Rover hënor dhe punonte me bateri. Me të astronautët mund të shkonin më shumë se 30 kilometra larg nga vendi i zbritjes. Roveri hënor mund të mbante pajisje me peshë prej110 kilogram dhe në të ishte instaluar edhe një kamer televizive që u dërgonte stacioneve në tokë pamje me ngjyra me cilësi transmetimi.

Apollo 15

Ekuipazhi i anijes Apollo 15 përbëhej nga atronautët David Skot, Alfred Uorden dhe Xhejms Irvin. Ata u nisën nga Toka në korrik 1971 dhe zbritën në Hënë në zonën e quajtur Hadley Rille afër Maleve Apenine, në veriperëndim të vendin ku ishte ulur Apolli 11.

Astronautët e Apollo 15 u kthyen pa problem në Tokë. Shkencëtarët u befasuan nga gurët që ata sollën me vete.

Njërin prej këtyre gurëve shkencëtarët e quajtën Guri i Gjenezës, që besohet të ketë një moshë prej 4 miliardë vjetësh. Sipas shkencëtarëve, ky gur ishte krijuar kur Hëna kishte qenë në moshën më të hershme.

Dheu që astronautët sollën nga Hëna përmbante copa zhami në ngjyrë portokalli. Shkencëtarët thonë se ky xham ishte rezultat i materialeve të krijuara në një thellësi prej 300 kilometrash nën sipërfaqen e Hënës.

Apollo 16

Në prill të vitit 1972, Apollo 16 u nis për në Hënë. Në bord ndodheshin astronautët Xhon Yuong, Thomas Mattingly dhe Çarls Duke. Young dhe Duke zbritën në jugperëndim të vendit ku ishte ulur zbritur Apollo 11.

Ata qëndruan në Hënë 45 orë dhe gjatë kësaj kohe mblodhën gurë dhe vendosën në sipërfaqe disa aparate shkencorë.

Apollo 17

Astronautët Juxhin Kerman, Harrison Shmid dhe Ronald Evans ishin të fundit që udhëtuan në Hënë me misionin Apollo 17. Ishte dhjetor i vitit 1972. Kerman dhe Shmid zbritën në një luginë thuajse në veri të vendit ku ishte ulur Apollo 11. Ata qëndruan në sipërfaqen e Hënës 72 orë dhe më shumë se 24 orë i kaluan duke punuar jashtë sondës me të cilën kishin zbritur. Këta astronautë kryen 3 udhëtime me Roverin hënor duke bërë fotografi e mbledhur gurë. Ata gjithashtu lane atje edhe shumë pajisje shkencore që do të vazhdonin të dërgonin në Tokë informata të ndryshme rreth Hënës.

Kerman dhe Shmid u nisën nga Hëna më 14 dhjetor dhe para se të largoheshin lanë atje një pllakë metalike me këtë mbishkrim: "Këtu njeriu përfundoi eksplorimin e parë të Hënës. Shpirti i paqes me të cilin ata erdhën le të pasqyrohet në jetën e të gjitha qenieve njerëzore". Pllaka metalike me këtë mbishkrim, sigurisht në anglisht, vazhdon të jetë në sipërfaqen e Hënës si shenjë e përhershme e mbërritjes së njeriut atje.

Me anijen Apollo 17 morri fund edhe prodhimi i raketës Saturn 5 si dhe prodhimi i anijeve Apollo.

Eksplorimet e Amerikës me njerëz në Hënë kishin përfunduar.

Kjo ishte një kohë e veçantë në historinë e njerëzimit, sepse për herë të parë njerëzit shkuan përtej planetit të tyre të vogël brenda sistemit gjigand diellor.

Pas kësaj, Hëna përsëri do të bëhej e paarritshme për njeriun./Astrit Lulushi/VOA

Erdogan tregon “muskujt”: Gjermania nuk është aq e fortë sa për të na trembur!

Posted: 21 Jul 2017 08:30 AM PDT

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan i kërkoi Gjermanisë që të tërhiqet nga vendimet e saj në kulmin e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve.

Reagimi vjen ndërkohë që Gjermania lajmëroi sot ndërprerjen e projekteve të armatimit për Turqinë.

"Unë dua t'u kujtoj miqve të mi gjermanë dhe të gjithë botës: Ju nuk jeni mjaft të fortë për të diskretituar Turqinë dhe nuk jeni kurrë aq të fortë sa të na trembni me gjëra të tilla", tha ai.

Erdogan gjithashtu tha se ai dënoi me forcë vërejtjet e ministrit gjerman me qëllim që të trembnin kompanitë që investonin në Turqi.

Ai shtoi se raportet e hetimit kundër kompanive gjermane ishin krejtësisht të rreme.

Presidenti turk tha gjithashtu se paralajmërimet e Ministrisë së Jashtme gjermaneve për udhëtimet në drejtim të Turqisë se mund të arrestohen, janë të pabaza dhe keqdashëse dhe se qeveria gjermane duhet të japë llogari për "terroristët" që strehon në vend.

Lidhjet midis dy aleatëve të NATO-s janë tensionuar më tej pasi Turqia arrestoi një aktivist gjerman të të drejtave të njeriut Peter Steudtner javën e kaluar.

Gjermania ka larguar edhe bazën e saj ajrore nga Incirliku i Turqisë.

Financial Times në Shqipëri: A doli kanabisi jashtë kontrollit?

Posted: 21 Jul 2017 08:15 AM PDT

Reporterja Kerin Hope e Financial Times ka vizituar Shqipërinë në një përpjekje për të pasqyruar situatën me kultivimin e kanabisit.

Gazetarja ka intervistuar një prej kultivuesve të kanabisit, një 30-vjeçar nga Lushnja.

Elezi thotë se nuk po fiton gjë nga mbjellja e hashashit, aq më tepër tani ka frikë se mos arrestohet.

Elezi shton se pret të fitojë vetëm 250 deri në 300 euro nga plantacioni i tij i vogël, i vendosur në pyll për të shmangur pikasjen nga helikopteri i policisë.

Kjo është shumë më pak nga 3 mijë euro që fitonte nga një bimë një vit më parë, pasi paguante 10 përqind të 'taksës' për zyrtarët vendorë, që mbyllnin një sy.

Mijëra prodhues të vegjël si Elezi e kanë kthyer Shqipërinë, vendin e dytë më të varfër në Europë, në prodhuesin më të madh të kanabisit në ajër të hapur.

Në shkrim thuhet se kanabisi eksportohet kryesisht në Europë përmes Greqisë dhe Italisë.

Por në pritje të hapjes së negociatave me BE-në, Shqipëria ka nisur pastrimin e kanabisit.

Vetëm gjatë vitit të shkuar, sipërfaqja e mbjellë ka rënë me 75 përqind.

Edi Rama thotë për gazetën se pret që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së në fillim te viteve 2020.

Por përpara se Shqipëria të nisë bisedimet, vendi duhet të tregojë progres në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit gjyqësor.

Gazetarja thekson se Shqipëria nuk është vetëm prodhuese e madhe e kanabisit, por edhe një vend tranzit për kokainën dhe heroinën që futet në BE.

Diplomatët perëndimorë thonë për FT se trafiku menaxhohet nga baronët vendas të drogës, që kanë lidhje me grupe kriminale nga Amerika Latine dhe Turqia.

Rama i ul shqetësimet e Perëndimit se vendi rrezikon të bëhet një narko-shtet, pothuajse i varur plotësisht nga të ardhurat e drogës.

"Nuk e mohoj që ka një problem me drogën," tha ai për FT.

"Por ka një kthesë të fuqishme këtë vit, sa i përket kanabisit. Zona e kultivuar është shumë e vogël, mbikëqyrja është rritur dhe policia është më aktive ndaj kultivuesve".

Kurse gazetari investigativ Artan Hoxha thotë se emrat e mëdhenj të drogës kanë mbrojtje politike në nivelet më të larta.

Baronët e mëdhenj të drogës nuk janë arrestuar.

Ai thotë se ndërhyrja e policisë ndihmoi që të stabilizoheshin çmimet.

"Gjërat po dilnin jashtë kontrollit. Nëse policia nuk do niste të shkatërronte bimët, një kile hashash do të shitej sa një kile domate," thotë Hoxha.

Kurse Spartak Ngjela, ish-ministër i Drejtësisë, thotë se kanabisi ofron mundësi financiare për zonat rurale, ku papunësia është 70 përqind.

Kultivuesit e kanabisit mendohet se kanë fituar 300 milionë euro vitin e shkuar, një shumë e ngjashme me remitancat e përvitshme që dërgojnë në shtëpi shqiptarët që punojnë në Europën perëndimore.

"Dy vitet e fundit, autoritetet u tërhoqën dhe lejuan fermerët që ta kultivojnë për të fituar para. Por gjërat dolën jashtë kontrollit dhe tashmë ka mbaruar," tha Ngjela.

Nga ana tjetër, ministri i Financave Arben Ahmetaj thotë se kërkon që të luftojë rritjen e kanabisit duke promovuar eksporte të tilla si vaji i ullir dhe luleshtrydhet.

Vetë Elezi thotë se po shqyrton disa mundësi.

"Ndoshta mund të mbjell sherebelë", thotë ai.

Heroi amerikan/ Portret i senatorit John McCain

Posted: 21 Jul 2017 08:00 AM PDT

Një numër i madh njerëzish kanë shprehur mbështetje për senatorin republikan John McCain, një figurë e spikatur e politikës amerikane, pasi u zbulua se ai ishte diagnostikuar me një formë agresive të kancerit në tru.

Zoti McCain shihet nga shumë amerikanë si një hero, për shërbimin e tij në Luftën e Vietnamit, ku u mbajt për 5 vjet si rob lufte, si edhe për 32 vitet që ka shërbyer si senator i Arizonës.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine e intervistoi zotin McCain vitin e kaluar dhe i hedh një vështrim jetës dhe kontributit të tij të deritanishëm, një ligjvënës 80-vjeçar i cili ka në plan të rikthehet së shpejti në Senat.

John McCain pati një fillim të rrezikshëm në jetë. Kur ishte i ri, pilot i flotës ushtarake detare në Vietnam, avioni i tij u qëllua me armë dhe u rrëzua mbi një liqen në Hanoi.

Ai qëndroi atje për 5 vjet të tjerë, si rob lufte, ku e rrahën dhe e torturuan.

Ai nuk flet shumë për ato vite. Por atij i pëlqen të flasë për 20 vizitat që ka bërë në Vietnam si dhe për përpjekjet e tij për të rikthyer në atdhe eshtrat e ushtarakëve amerikanë të vrarë atje. Ai dha një intervistë për Zërin e Amerikës vitin e kaluar:

"Para së gjithash, unë u përpoqa shumë për normalizimin e marrëdhënieve tona. Doja që plagët tona të shëroheshin, që shumë nga veteranët tanë, të cilët nuk mundën ta bënin këtë, të ktheheshin në vendin e tyre. Mund t'jua them numrin e veteranëve që kam takuar, të cilët i kanë çuar familjet e tyre në Vietnam, për t'u treguar se ku kanë qëndruar dhe luftuar kur ishin ushtarë. Marrëdhëniet mes popullit vietnamez dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë kurrë më të mira se sot."

McCain është kryetari republikan i Komisionit të Fuqishëm të Shërbimeve të Armatosura të Senatit. Ai njihet gjithashtu për bashkëpunimin e tij me demokratët për çështje si ndryshimet klimatike, reformën e plotë të imigracionit dhe atë të financimit të fushatave.

John McCain ka kandiduar dy herë për postin e Presidentit. Në vitin 2008, ai siguroi emërimin e Partisë Republikane për të kandiduar kundër kolegut të tij senator, Barack Obama. Disa javë para zgjedhjeve, zoti McCain mbajti qëndrim ndaj një prej përkrahësve të tij, që u përpoq ta fyente zotin Obama.

Pjesëmarrësi: "Ai është arab."

McCain:"Jo zonjë, ai është burrë i mirë, familjar, një qytetar me të cilin ndodh që unë të kem mosmarrëveshje."

Një nga njerëzit e parë që reagoi menjëherë pas njoftimit për diagnostimin me kancer në tru të zotit McCain, ishte Barack Obama, i cili postoi një tweet:

"John McCain është një hero amerikan dhe njëri prej luftëtarëve më të trima që kam njohur. Kanceri nuk e di se kë ka përballë. Munde atë John!"

Në mënyrë të ngjashme është shprehur edhe Presidenti Donald Trump dhe një numër i madh kolegësh të zotit McCain në Capitol Hill, të cilët mezi presin që ai rikthehet së shpejti në punë./VOA

Papa Françesku uron Metën me rastin e zgjedhjes së tij President

Posted: 21 Jul 2017 07:21 AM PDT

Papa Françesku ka uruar Ilir Metën më rastin e zgjedhjes së tij në postin e Presidentit të Republikës.

Në mesazhin e dërguar nga Selia e Shenjtë, Papa Françeku i përcjell përgëzimet më të sinqerta Metës për detyrën e re dhe shpreson në angazhimin e tij për të forcuar solidaritetin dhe unitetin e qytetarëve shqiptarë.

Më poshtë teksti i plotë i letrës:

Shkëlqesisë së Tij, z. Ilir Meta

Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Teksa ju bëheni gati të filloni bëheni mandatin tuaj si President i Republikës së Shqipërisë, dëshiroj t'ju përcjell përgëzimet më të ngrohta ju dhe qytetarëve shqiptarë.

Të ndërgjegjshëm për klimën pozitive të respektit dhe besimit reciprok ekzistues në Shqipëri midis njerëzve me tradita të ndryshme fetare.

Lutem që ju të mund të forconi gjithnjë e më shumë angazhimin tuaj për avancimin e lirisë, solidaritetit dhe unitetit drejt të mirës së përbashkët.

Lutem që për të gjithë shqiptarët të ketë bekime hyjnore për paqe dhe prosperitet.

Papa Françesku

Nishani mban fjalimin e fundit: Largohem kryelartë

Posted: 21 Jul 2017 07:08 AM PDT

Presidenti në ikje i Republikës, Bujar Nishani ka mbajtur këtë të premte fjalimin e fundit në këtë post.

Në fjalën e tij, Nishani është shprehur i nderuar për detyrën që ka mbajtur mbi shpatulla, për të cilën, siç ka thënë ai, ka dhënë maksimumin.

"Ishte një nder i lartë për mua të isha presidenti juaj dhe të punoja me ju. I pyetur se si ndihem? Si pas çdo pune, i kënaqur. Sipas çdo kënaqësie, i lumtur. Por sidomos kryelartë sepse kam patur nderin të kryej detyrën pa u lëkundur, pa u penduar dhe pa u ndalur para asnjë pengese. Ndoshta ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë, por ishte nder për mua që i shërbeva Shqipërisë. Nuk bëra kush e di se çfarë, thjesht bëra punën time. Faleminderit", ka thënë Nishani.

Në karrigen e lënë bosh nga Bujar Nishani do të ulet Ilir Meta , i cili do të betohet këtë të hënën në parlament.

Kush do të jetë ministër i Brendshëm? Saimir Tahiri i jep dritë jeshile Fatmir Xhafajt

Posted: 21 Jul 2017 06:58 AM PDT

Kryetari i PS-së së Tiranës Saimir Tahiri zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e FRESSH, në kampingun e Jalës duke u dhënë përgjigje disa pyetjeve me interes për qeverisjen e ardhshme, reformën në drejtësi, administratë, angazhimit të të rinjve në politikë, por edhe nëse ai do jetë sërish ministër i Brendshëm në kabinetin “Rama 2”.

I pyetur nëse do të ishte përsëri ministër i Brendshëm në kabinetin e ardhshëm, Tahiri, që për herë të parë flet publikisht për këtë çështje, e ka mohuar.

"Jo, unë nuk do jem ministër i Brendshëm dhe besoj që çdo punë e ka një fillim dhe një fund. Nuk ka rëndësi sa kohë je në një punë, ka rëndësi çfarë bën gjatë kohës që je. Unë them që u përpoqa të bëj më të mirën time. Besoj që cilido është pasardhësi, do e ketë të vështirë të zhbëjë gjithë atë që u rregullua", tha ish-ministri.

Në këtë mënyrë, Tahiri i ka hapur dritë jeshile Fatmir Xhafajt.

Ish-ministri i Brendshëm që pasoi Tahirin ështe edhe emri më i përfolur për ta rimarrë këtë detyrë në shtator,

Më tej, i pyetur për zbatimin e reformës në drejtësi, Tahiri nënvizoi se megjithëse pritet të jetë një proces i vështirë, do të zbatohet.

"Reforma në drejtësi ka filluar dhe është një proces që zor se ka kthim pas. Por unë nuk besoj se reforma në drejtësi, do të fusë drejtësinë në mendjen e njerëzve. Kështu që duhet pak luftë nga të gjithë dhe kjo kërkon kohë. Nuk është aq e lehtë", deklaroi Tahiri.

Çështje diskutimi ishte korrupsioni në administratën publike dhe niveli profesional i punonjësve në zyrat e shtetit.

"Sot administrata është një depozitë e madhe njerëzish, që jo rrallë nuk e meritojnë dhe prandaj ndodh që shërbimi është i ngadaltë, është me korrupsion. Por kush është jurist këtu e kupton që kjo ndodh jo vetëm pse njeriu është gabim aty, por se ndoshta ka nevojë që të shikohet edhe ligji, deri në pikën ku të ndjekësh rrugën ligjore është më e kollajtë, më e lehtë, sesa të ndjekësh rrugën joligjore, pra të japësh ca lekë dhe ta marrësh shërbimin. Kur të vijë dita që rruga ligjore të jetë më e thjeshtë se rruga joligjore, ne kemi reformuar sistemin deri në pikën që praktikisht të ofrosh lekë apo të kesh punonjës që marrë lekë, është e panevojshme. Dhe ajo ditë, unë them vjen, duke reformuar gjithë sistemin", u shpreh ai.

Tërmeti, një shqiptar i plagosur në ishullin grek

Posted: 21 Jul 2017 06:29 AM PDT

Në ishullin Kos, i goditur nga tërmeti, por edhe në brigjet turke të Bodrumit, jetojnë dhe pushojnë mijëra shqiptarë.

Top Channel ka komunikuar me autoritetet lokale, të cilat konfirmuan se deri në mesditë rezultonte se vetëm një shtetas shqiptar nga Flogji i Korçës ka mbetur plagosur nga lëkundja e fuqishme sizmike.

Ai quhet Aldo Begolli.

I plagosuri është dërguar në spitalin e ishullit me dëmtime në mes. Aldo Begolli është operuar dhe po merr mjekim në spital.

Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ambasada Shqiptare në Athinë është interesuar dhe ka vënë në dispozicion të familjes Begolli çdo ndihmë që do të jetë e nevojshme.

Ndërsa Ambasada Shqiptare në Ankara deklaroi se mbas kontakteve me autoritetet në zonën e Bodrumit nuk rezultojnë pushues shqiptarë të dëmtuar nga tërmeti.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more