Skip to main content

“SHBA u ndalon amerikanëve vizitën në Korenë V.” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“SHBA u ndalon amerikanëve vizitën në Korenë V.” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


SHBA u ndalon amerikanëve vizitën në Korenë V.

Posted: 21 Jul 2017 09:05 AM PDT

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar se do të ndalojnë udhëtimin e shtetasve amerikanë drejt Koresë së Veriut. Ky vendim vjen pas vdekjes së studentit amerikan Otto Warmbier, i ishte dënuar me 17 muaj punë të vështirë në Korenë e Veriut dhe më pas vdiq, pasi u lirua në gjendje kome. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit në SHBA, Heather Nauert, ka thënë se vendimi i ndalimit do të prezantohet zyrtarisht në Regjistrin Federal, në javën e ardhshme, ndërsa do të hyjë në fuqi, një muaj pas njoftimit zyrtar. "Për shkak të shqetësimeve në rritje rreth rrezikut serioz të arrestimeve dhe ndalimeve afatgjata që zbatohen sipas sistemit ligjor të Koresë së Veriut, Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, ka autorizuar një Kufizim Gjeografik të Udhëtimit drejt Koresë së Veriut, për të gjithë banorët që kanë pasaportë amerikane", ka thënë Nauert. Ajo ka thënë se ata që dëshirojnë të udhëtojnë në këtë vend për "qëllime humanitare apo çështje tjera të limituara", duhet të pajisen me "pasaportë speciale". Departamenti i Shtetit në SHBA ka thënë se Uashingtoni e mbanë përgjegjës Penjanin për trajtimin e Warmbierit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kërkohen strategji të reja kundër martesave të fëmijëve në Indi

Posted: 21 Jul 2017 08:22 AM PDT

India duhet të lansojë fushata në rrjete sociale, të shkruajë libra dhe të përfshijë edhe të rinj në organizime, në mënyrë që të ndalohen martesat e fëmijëve në këtë vend. Në Indi gjysma e vajzave martohen para moshës që e përcakton ligji, sipas një raporti të publikuar sot. Pavarësisht ligjit, i cili ndalon martesën e vajzave nën moshën 18 vjeçare, në realitet, tradita është e rrënjosur thellë në shoqërinë indiane. Sidoqoftë, një gjë e tillë shumë rrallë raportohet si krim, pasi zyrtarët nuk i ndjekin penalisht shkelësit e ligjit. Si rezultat, India renditet në mesin e vendeve me numrin më të madh të martesave të fëmijëve në botë, sipas agjencisë së fëmijëve UNICEF, që funksionon në kuadër të OKB-së. "Përpjekjet ligjore kanë dështuar në thyerjen e traditës dhe kulturës, e cila vazhdon të mbështesë martesat e fëmijëve", ka thënë organizata joqeveritare ActionAid India, në raportin e saj. Ndonëse ka raste edhe të djemve që martohen gjatë fëmijërisë, vajzat janë shumë më të prekura nga tradita.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin - kundërthënie për komentet për gjuhën ruse dhe të minoriteteve

Posted: 21 Jul 2017 07:38 AM PDT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka marrë kritika dhe lavdërime në Internet, për komentet lidhur me gjuhët e minoriteteve etnike në këtë vend. Gjatë vizitës së djeshme në republikën Mari El, zoti Putin ka sugjeruar se rusët etnikë po detyrohen t'i mësojnë gjuhët e minoriteteve në rajonet që kanë popullatë të konsiderueshme minoritare. "Është e palejueshme për ta detyruar dikë që ta mësojë gjuhën, që nuk është gjuhë amtare e tij ose e saj, e po ashtu, për t'i zvogëluar orët e mësimit të gjuhës ruse në republikat etnike të Rusisë", tha Putin. Shumë njerëz në Internet kanë diskutuar për komentet e Putinit dhe thanë se ato janë kundër parimit të federalizimit dhe do t'i shkatërrojnë përpjekjet nga shumë grupe etnike në Rusi, për t'i ripërtrirë gjuhët dhe kulturat e tyre. Por, ka pasur edhe shumë të tjerë që i kanë lavdëruar komentet e Putinit, duke thënë se rusët etnikë nuk kanë nevojë t'i mësojnë gjuhët e tjera. Afro 52% e 700 mijë banorëve të republikës Mari El, janë etnikë Mari dhe shumica prej tyre synojnë mbrojtjen e gjuhës së tyre, që ka prejadhje nga Urali.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Haradinaj shënjestron deputetët për formimin e Qeverisë

Posted: 21 Jul 2017 07:18 AM PDT

Koalicioni PAN dhe kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka vënë në shënjestër deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, në kuadër të përpjekjeve për sigurimin e votave të nevojshme për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Këto përpjekje politike kanë sjellë mbështetjen e parë verbale që i është dhënë Haradinajt për formimin e Qeverisë nga tabori rival, Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht nga Teuta Rugova, bija e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, i cili ishte dhe themelues i LDK-së. Megjithatë, Teuta Rugova nuk ka thënë se do ta votojë apo jo Haradinajn, por i ka bërë thirrje LDK-së që të veprojë siç do të vepronte presidenti Rugova, përkatësisht që të mos bllokohet procesi i formimit të Qeverisë. I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj ka vizituar të premten, familjen Rugova dhe deputeten e zgjedhur Teuta Rugova [LDK]. Sipas një komunikate të AAK-së, Haradinaj ka marrë mbështetjen e familjes Rugova, dhe rrjedhimisht edhe të deputetes Teuta Rugova për formimin e Qeverisë. Në anën tjetër, në rrjetin social Facebook Teuta Rugova, ka shkruar se drejtuesit e LDK-së nuk duhet të jenë pengesë për formimin e institucioneve të vendit.  "Unë kërkoj nga strukturat udhëheqëse të LDK-së, që në Qeverinë e gjerë dhe stabile që po kërkohet nga miqtë tanë të përhershëm, SHBA-të dhe BE-ja, në marrëveshjen e koalicionit, para ndarjes së përgjegjësive qeveritare të vendosen prioritetet për qytetarët e Kosovës, e që janë: formimi i ushtrisë, zgjidhja e problemit të demarkacionit që do të rezultonte me liberalizim vizash, reforma zgjedhore dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës", ka shkruar Rugova. Nga koalicioni PAN, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj kishte paralajmëruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se synohen marrëveshje me disa deputetë dhe jo me parti politike jashtë koalicionit PAN. Andaj, pretendimet e Haradinajt që t'i sigurojë mbi 61 vota për formimin e Qeverisë, nuk kanë të bëjnë vetëm me Teuta Rugovën, por edhe deputetë të tjerë. Ndërkohë, analistët politikë e cilësojnë si jo normale sjelljen e deputetëve, në rast se veprojnë kundër politikave partiake. Analisti Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se veprimet e tilla duhet të quhen me emrin 'kontrabandë e njerëzve'. "Mund të tingëllojë vrazhdë, mirëpo nuk ka se ka shprehje tjetër më të përshtatshme. Të paktën kështu mendoj unë, duke pas parasysh se edhe po që se këta deputetë nuk kontrabandohen në subjektin tjetër politik apo kampin tjetër politik", tha Mushkolaj. Sipas tij, nëse deputetët do të merrnin vendime jashtë qëndrimeve të proklamuara të subjekteve të tyre, atëherë kjo do të mund të interpretohej edhe si keqpërdorim i vullnetit të votuesve. Kalimet nga një subjekt politik në tjetrin, në këtë kohë, sipas analistit Mushkolajt, mund të ndikojnë negativisht edhe në përbërjen e Qeverisë. "Besoj që edhe ata deputetë të cilët mund ta kenë ndarë mendjen për t'ju bashkuar PAN-it apo mendojnë ta bëjnë një gjë të tillë, duhet ta mendojnë mirë ketë veprim të tyre për shkak se është përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe", u shpreh Mushkolaj. Ndërkaq, Petrit Zogaj, analist dhe drejtor ekzekutiv i organizatës "Fol", tha për Radion Evropa e Lirë tha se sistemi politik në Kosovë, por edhe rezultatet e zgjedhjeve, po e imponojnë një 'gjueti' politike të disa partive dhe deputetëve për të marrë vota që do të mundësonin krijimin e Qeverisë. "Edhe deputetët e kanë mundësinë që individualisht të pajtohen për një program që do ta votonin në Kuvendin e Kosovës. Në këtë rast, (rastin me Teuta Rugovën) nuk po e shoh një gjë të tillë", tha Zogaj. Për analistin, Zogaj marrëveshje ndërmjet dy apo më shumë subjekteve politike, mund të konsiderohen normale nëse ka dakordim për një program qeverisës, kurse marrëveshjet individuale dhe të papublikuara lënë shije të keqe. Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, nisma fillestare për formimin e Qeverisë i takon koalicionit PAN, që përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma. Kandidati këtij koalicioni për postin e kryeministrit, është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Krahas votave nga partitë e shumicës shqiptare, Haradinajt i mbetet të bisedojë edhe me partitë e komuniteteve pakicë, të cilat edhe ashtu janë kategori kushtetuese dhe duhet të jenë pjesë e Qeverisë së Kosovës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Myslimanët nën 50 vjet nuk mund ta vizitojnë vendin e shenjtë në Jerusalem

Posted: 21 Jul 2017 07:01 AM PDT

Policia e Izraelit thotë se meshkujt nën 50 vjet, nuk mund ta vizitojnë tempullin e kontestuar në Jerusalem, para protestave të pritura për shkak të masave të reja të sigurisë atje. "Hyrja në Qytetin e Vjetër dhe Tempullin e Lartë do të jetë e lejuar vetëm për meshkujt 50 vjeçar ose më të vjetër. Femrat e të gjitha moshave do të lejohen", theksohet në kumtesën e sotme të policisë izraelite. Tensionet janë shtuar pasi policia e Izraelit ka vendosur detektorë metalikë në hyrje të kompleksit të xhamisë, Haram al-Sharif, pas vrasjes së dy policëve izraelitë gjatë një sulmi terrorist javën e kaluar. Tempulli konsiderohet i shenjtë nga myslimanët dhe hebrenjtë. Liderët myslimanë u kanë thënë besimtarëve që të falen në rrugët afër tempullit, në mënyrë që mos kalojnë nëpër detektorët metalikë. Ata, njëherësh, kanë bërë thirrje për protesta masive sot pas faljes së drekës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Ish-ylli i futbollit Simpson do të lirohet nga burgu

Posted: 21 Jul 2017 06:49 AM PDT

O.J. Simpson, ish-yll i futbollit amerikan, është vendosur të lirohet, pasi i kaloi nëntë vjet burg për plaçkitje të armatosur dhe sulm me armë. Ai para më se 20 vitesh, ishte liruar nga aktakuza për vrasje të ish-bashkëshortes së tij dhe shokut të saj, në procesin i cili konsiderohet se kishte pasur publicitet më të madh në Shtetet e Bashkura. Një komision për amnisti në shtetin Nevada, dje ka vendosur që O.J. Simpson, 70 vjeçar, të lirohet pasi ta shërbejë minimumin e paraparë për veprën e kryer penale. Ai mund të lirohet më 1 tetor. Simpson ishte në burgun në Nevada prej vitit 2008, kur ishte dënuar për plaçkitje të armatosur në një hotel në Las Vegas. Ky dënim ishte bërë 13 vjet pasi Simpson ishte liruar nga aktakuza për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Nicole Brown Simpson, dhe shokut të saj, Ron Goldman. Procesi për vrasje i trasnmetuar në televizion, ishte ndjekur me interesim të madh nga amerikanët, ndërsa lirimi i tij kishte shkaktuar kundërthënie. Në vitin 1997, një gjykatë civile gjeti se O.J. Simpson kishte përgjegjësi për vrasjet dhe urdhëroi që familjeve të të vrarëve tu paguaj një shumë prej 33.5 milionë dollarëve. O. J. Simpson, gjatë karrierës së tij në 11 sezone në Ligën Kombëtare Futbollistike (NFL), kishte arritur shumë rekorde. Më vonë ai kishte punuar në televizion dhe film dhe ishte komentator futbolli.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

DASH kërkon nga Maqedonia të angazhohet në luftën kundër terrorizmit

Posted: 21 Jul 2017 06:34 AM PDT

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, duke komentuar raportin e Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), ka bërë të ditur se në rrjedhë e sipër është formimi i Komitetit Kombëtar për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm, në funksion të luftës kundër terrorizmit, ku fokus i veçantë do t'i jepet de-radikalizmit dhe programeve për parandalimin e këtij fenomeni. "Njëkohësisht janë duke u zhvilluar konsultime ndërmjet resorëve përkatës për emërimin e amtarëve që do ta përbëjnë këtë komitet, ndërkohë që Qeveria gjatë mbledhjeve të ardhshme do të emërojë koordinatorin e këtij organi dhe dy zëvendës", bëjnë të ditur nga dikasteri i sigurisë në Maqedoni. Ndryshe, në raportin e fundit, sa i përket terrorizmit gjatë vitit 2016, Departamenti amerikan i Shtetit, në pjesën që ka të bëjë me Maqedoninë, ka theksuar nevojën e përforcimit të kapaciteteve të institucioneve shtetërore të Maqedonisë, për detektimin dhe për parandalimin e akteve terroriste pa mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Në raport po ashtu theksohet se në Maqedoni mungon korniza ligjore për luftë kundër shpëlarjes së parave dhe financim të terrorizmit, por edhe kriminalizimin dhe financimin e terrorizmit, ndërkaq nuk ka as rregullativë të komplikuar për ngrirje dhe konfiskim të mjeteve terroriste, e cila bëhet në bazë të vendimit gjyqësor. Samet Shabani nga organizata joqeveritare Analitika, e cila ka zhvilluar më shumë hulumtime rreth politikave të Qeverisë ndaj ekstremizmit të dhunshëm, për Radion Evropa e Lirë thotë se autoritetet maqedonase kanë tendencë që çështje e ekstremizmit të dhunshëm ta vështrojnë vetëm nga perspektiva e zbatimit të ligjit. Kjo, thotë Shabani, demonstrohet nga fakti se Maqedonia si shtet nuk ka strategji të veçantë për luftim të ekstremizmit të dhunshëm, por luftimi i ekstremizmit të dhunshëm shihet si pjesë e strategjisë më të gjerë kundër terrorizmit. "Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm kërkon një strategji ku do të angazhohen dhe fuqizohen individë dhe grupe në nivel lokal, për të krijuar rezistencë kundër ekstremizmit të dhunshëm. Komunitetet kanë një rol kyç në njohjen dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, pasi që kjo dukuri po ndodh nëpër lagjet e tyre, tek njerëzit që janë të afërmit e tyre, miqtë e tyre, dhe njerëz që i njohin". "Prandaj, është jetike që vet komunitetet të pajisen me mjetet dhe aftësitë e duhura, në mënyrë që të mund ta adresojnë këtë kërcënim që po dëmton çdo komunitet individual", thotë Shabani. Nga ana tjetër, Vlladimir Pivovarov ish drejtues i shërbimeve të inteligjencës, vlerëson se Maqedonia si shtet duhet të bëj hulumtime thelbësore rreth motiveve që të rinjtë nga Maqedonia çon të kyçen në luftërat e huaja. "Shkenca është përjashtuar nga institucionet e sigurisë, ndërkohë që pikërisht hulumtimet shkencore duhet të paraqesin një strumbullar të pikënisjes së ndërtimit të strategjive të caktuara në luftën kundër terrorizmit". "Me rëndësi të veçantë është të ndërmerren më shumë masa si preventivë, dhe njëkohësisht me shumë kujdes të ndiqen dhe analizohen numrat e personave të cilët përfshihen në luftërat e huaja dhe atyre të cilëve kthehen sërish në Maqedoni", thekson Pivovarov. Ekspertët e sigurisë thonë se një kujdes i veçantë duhet t'i kushtohet risocializmit të personave dhe familjeve të tyre, pas kthimit nga zonat e luftës. "Aktualisht në Maqedoni nuk ka asnjë program aktiv për risocializimin dhe riintegrimin e luftëtarëve të huaj të cilët janë kthyer, dhe të cilët, në sajë të mungesës së programeve, mund të kthehen në fushëbetejë në të ardhmen. Personat që janë dënuar me burg për shkak të ekstremizmit të dhunshëm do të jenë në kontakt me të burgosurit e tjerë, që tanimë janë më të ndjeshëm, në krahasim me njerëzit e tjerë në përgjithësi, ndaj ideve radikale, dhe ka gjasa të përpiqen që t'i bindin ata për t'i përhapur idetë e tyre", thekson Samet Shabani nga Qendra hulumtuese Analitika. Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për terrorizmin në vitin 2016 përmendet edhe Maqedonia, me ç`rast theksohet ndërmarrja e tri aksioneve të ndryshme anti-terroriste, prej të cilave, njëra ka qenë në koordinim me Shqipërinë dhe Kosovën, që ka sjellë deri në arrestimin e 23 personave. "Qeveria e Maqedonisë, në mars ka miratuar strategji nacionale për anti-terrorizëm. Në strategji ka pjesë të përkushtuar për mbrojtje nga ekstremizmi i dhunshëm, por nuk ekziston strategji nacionale për luftim të ekstremizmit të dhunshëm. Qeveria ka krijuar një draft-plan për anti-terrorizëm në nëntor, dhe e ka dorëzuar për shqyrtim në Komisionin Evropian. Megjithatë, në këtë plan aksional mungojnë shenjat për implementim, vlerësim të financimit, si dhe mekanizmat për mbikëqyrje të evoluimit", nënvizohet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Futboll: Shkëndija dhe Skënderbeu kualifikohen për xhiron e 3-të

Posted: 21 Jul 2017 06:18 AM PDT

Pas ndeshjeve të kthimit të xhiros së dytë të kualifikimeve për Ligën Evropiane në futboll, skuadrat Shkëndija (Maqedoni) dhe Skënderbeu (Shqipëri), ia dolën të kualifikohen për xhiron e tretë. Shkëndija e Tetovës kundër Helsinkit të Finlandës si mysafire doli baras 1:1, kështu që u kualifikua për xhiron e tretë, pasi në ndeshjen e parë kishte fituar me rezultat 3:1. Shkëndija ka mbetur e vetmja skuadër në këtë garë nga Maqedonia, pasi Rabotniçki i Shkupit është eliminuar nga Dinamoja e Minskut të Bjellorusisë. Skënderbeu në Korçë fitoi kundër ekipit Kairat të Kazakistanit me rezultat 2:0. Duke pasur parasysh se në takimin e parë ndeshja kishte përfunduar baras me rezultat 1:1, Skënderbeu kaloi në xhiron e tretë të kualifikimeve për Ligën Evropiane, ndeshjet e së cilës zhvillohen më 27 korrik dhe 3 gusht. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Në Shangai të Kinës sot temperatura arriti në 40.9 gradë Celsius

Posted: 21 Jul 2017 06:07 AM PDT

Qyteti Shangai në Kinë është përfshirë nga një valë tejet e nxehtë e motit, e cila sot ka arritur në 40.9 gradë Celsius, që paraqet temperaturë shumë të lartë dhe rekorde. Për këtë arsye, autoritetet thanë se kanë dhënë "alarm të kuq" për mot jashtëzakonisht të nxehtë, që e ka përfshirë pothuajse pjesën më të madhe të këtij vendi. Temperatura të larta në këtë qytet, që është me numrin më të madh të popullsisë në Kinë, po mbretërojnë tash e dy javë, por dita e sotme ishte më e nxehta prej se ishte krijuar një stacion meteorologjik në vitin 1872, tha Zyra për mot në këtë qytet. Spitalet në këtë qytet kanë informuar për numër të shtuar të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet e ndërlidhura me motin e nxehtë, kanë raportuar mediat shtetërore, ndërsa kopshti zoologjik ka sjellur blloqe të mëdha të akullit në vendet e shtazëve, për t'i ndihmuar në përballimin e nxehtësisë së lartë, raporton agjencia AFP nga Shangai.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

AP: SHBA do t’i ndalojë amerikanët të vizitojnë Korenë V.

Posted: 21 Jul 2017 05:46 AM PDT

Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se Shtetet e Bashkuara do t'i ndalojnë qytetarët e tyre të udhëtojnë në Korenë e Veriut. Raportet vijnë pak javë pas vdekjes së Otto Warmbier, një student amerikan, i cili është dënuar me 17 muaj punë të vështirë në Korenë e Veriut, ndërsa ka ndërruar jetë pasi është liruar në gjendje kome. Duke cituar zyrtarë që kanë folur në kushte anonimiteti, AP raporton se sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, do të vendosë "kufizim gjeografik të udhëtimit" për Korenë e Veriut, që do ta bëjë të paligjshme hyrjen atje me pasaportë amerikane. AP thotë se zyrtarët nuk janë të autorizuar të flasin publikisht përpara se të shpallet vendimi. Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka bërë ende komente. Dy agjenci udhëtimi që organizojnë turne në Korenë e Veriut - Young Pioneer Tours dhe Koryo Tours - kanë thënë se janë njoftuar me vendimin.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Teuta Rugova jep sqarime shtesë për takimin me Haradinajn

Posted: 21 Jul 2017 05:11 AM PDT

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Rugova, i ka dhënë mbështetje verbale kandidaturës së Ramush Haradinajt nga koalicioni PAN, për postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Ndonëse nuk ka thënë decidivisht se do ta votojë Haradinajn për kryeministër,  e bija e presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, themeluesit të LDK-së, megjithatë ka konfirmuar mbështetjen për Haradinajn. "Unë kërkoj nga strukturat udhëheqëse të LDK-së, që në Qeverinë e gjerë dhe stabile që po kërkohet nga miqtë tanë të përhershëm, SHBA-të dhe BE-ja, në marrëveshjen e koalicionit, para ndarjes së përgjegjësive qeveritare të vendosen prioritetet për qytetarët e Kosovës, e që janë: formimi i ushtrisë, zgjidhja e problemit të demarkacionit që do të rezultonte me liberalizim vizash, reforma zgjedhore dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës", ka shkruar Teuta Rugova në rrjetin social Facebook. Paraprakisht familja Rugova ka pritur në shtëpinë e tyre Ramush Haradinajn. "Nuk është e drejta jonë të injorojmë votën e qytetarit, por nuk është as e drejta jonë të injorojmë bashkëpunimin e ngushtë të babait tim, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova me Ramush Haradinajn. Unë ju siguroj se babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në situatën e sotme kurrsesi nuk do të kishte udhëhequr LDK-në në asi mënyre që të bllokoj proceset dhe të injoroj rekomandimet e miqve tanë të përhershëm, SHBA-ve dhe BE-së", është shprehur Rugova.  Ndërkaq, në një postim tjetër sqarues, Teuta Rugova thotë se mbetet pjesë e strukturave të LDK-së dhe qëndrimeve të partisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Daçiq: Së shpejti do të qartësohet statusi i qendrës ruse në Nish

Posted: 21 Jul 2017 05:05 AM PDT

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se statusi i një qendre ruse në qytetin Nish do të qartësohet shpejt. Daçiq i tha së përditshmes serbe "Veçernje Novosti" se Beogradi do të vendosë shpejt nëse do t'i japë ose jo statusin diplomatik stafit të Qendrës Humanitare Ruso-Serbe. Ai tha se personalisht nuk e përkrah idenë. Komentet e Daçiqit vijnë tri ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar nënpresidentin amerikan, Mike Pence, në Uashington. Bisedimet e tyre kanë prekur edhe lidhjet e Serbisë me Rusinë. Stafi në qendrën ruso-serbe ka thënë se dëshiron statusin e njëjtë diplomatik sikurse stafi i NATO-s në Serbi. Kur kjo qendër është themeluar në vitin 2012, zyrtarët rusë kanë thënë se qëllim i tyre është të ndihmojnë në trajtimin e katastrofave natyrore dhe se nuk kanë qëllime politike. Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Britan Yee, ka thënë në muajin maj se qendra mund të ketë motive të tjera, si ndikimi në opinionin publik.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Irani arreston të konvertuar të krishterë

Posted: 21 Jul 2017 04:15 AM PDT

Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran shprehu shqetësim për, siç tha, "trendin shqetësues" të arrestimit të të konvertuarve të krishterë në Iran. Organizata me seli në Nju Jork tha se, në më pak se dy muaj, njëmbëdhjetë të konvertuar të krishterë dhe ish-lideri i Kishës Pentekostale Asiriane në Iran janë dënuar me burgime të gjata. "Të krishterët njihen si pakicë zyrtare fetare në Kushtetutën e Iranit, por shteti vazhdon t'i ndjekë penalisht anëtarët e këtij besimi, sidomos të konvertuarit", tha Hadi Ghaemi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Iran. Aktivistët thonë se dhjetëra të konvertuar të krishterë janë arrestuar dhe keqtrajtuar viteve të fundit në Iran, ku, sipas ligjeve islamike, një mysliman i konvertuar në një besim tjetër mund të dënohet me vdekje. Grupet e krishtera thonë se numri i të konvertuarve në Iran po rritet pavarësisht presionit të shtetit. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Scaparrotti: Transformimi i FSK-së në ushtri, përmes Kushtetutës 

Posted: 21 Jul 2017 03:22 AM PDT

Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, gjenerali Curtis Scaparrotti ka thënë të premten në Prishtinë se Ushtria e Kosovës mund të themelohet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese. Në përmbyllje të vizitës së tij në Kosovë, gjenerali Scaparrotti ka thënë se siguria në rajonin e Ballkanit mbetet shumë e rëndësishme për gjithë Evropën. Ai i ka inkurajuar institucionet e Kosovës të shtojnë përpjekjet në fushën e sundimit trendit dhe ligjit. Scaparrotti ka thënë se NATO do të vazhdojë të jetë e pranishme në Kosovë, për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ndërkaq ,duke folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, si një nga synimet e proklamuara të presidentit Hashim Thaçi, gjenerali Scaparrotti tha se kjo çështje u takon institucioneve të Kosovës, por vendimi duhet të merret përmes ndryshimeve kushtetuese duke bashkëpunuar me komunitetet pakicë. Gjatë vizitës në Kosovë, ai fillimisht është pritur nga Presidenti Hashim Thaçi dhe më pas ka takuar dhe ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demollin. Presidenti Thaçi, sipas një komunikate për media, ka theksuar se roli i NATO-s në Kosovë ka qenë përcaktues jo vetëm në ruajtjen e stabilitetit dhe rritjen e sigurisë, por edhe në bashkëpunimin ndërmjet të gjitha komuniteteve. "Roli juaj në Kosovë, si dhe në rajon është i pazëvendësueshëm. Do të jemi gjithmonë mirënjohës për këtë mbështetje", ka theksuar Presidenti. Sipas tij, Kosova ka përfunduar me sukses procesin e zgjedhjeve, të cilat kanë qenë të lira, fer dhe demokratike. "Tani jemi në proces të krijimit të institucioneve të Kosovës, të cilat do të jenë multietnike dhe me orientim të qartë euroatlantik", ka thënë presidenti Thaçi. Duke folur për bashkëpunimin me shtetet e rajonit, presidenti Thaçi ka përshëndetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke shpresuar që rrugën e njëjtë do ta ndjekin edhe shtetet tjera, duke kontribuar kështu për paqen afatgjatë në rajon. Presidenti ka theksuar se Kosova është duke punuar që të përmbyll procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës. "Kjo do të ndodh në koordinim të plotë me ju dhe me përfshirjen e të gjitha institucioneve dhe komuniteteve në Kosovë", ka shtuar ai. Ai ka thënë se Kosova po ashtu do të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe do të punojë për bashkëpunimin rajonal dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore. Gjenerali Scaparrotti, i cili njëherësh është dhe Komandanti i Komandës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë, gjatë këtyre takimeve në Prishtinë ai është shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo. NATO, që nga qershori i vitit 1999, ka forcën paqeruajtëse në Kosovë, KFOR-in, e cila atë kohë përbëhej nga rreth 50 mijë trupa, kurse aktualisht numëron disa mijëra ushtarë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Thaçi takohet me komandantin e NATO-s, Scaparroti

Posted: 21 Jul 2017 03:21 AM PDT

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim komandantin Suprem të NATO-s për Evropë, Gjeneralin Curtis Scaparroti, i cili ishte i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo. Gjenerali Scaparroti po ashtu ka vizituar Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Siemens ndërpren disa furnizime për Rusinë

Posted: 21 Jul 2017 02:13 AM PDT

Gjiganti industrial i Gjermanisë Siemens tha se do të shkurtojë disa nga lidhjet e tij me Rusinë, pas informacioneve se katër turbina me gaz, të shitura për përdorim në një central elektrik rus, janë transferuar "në mënyrë të paligjshme" në gadishullin ukrainas të Krimesë. Siemens tha se "për momentin" do të ndalojë furnizimin e kompanive shtetërore ruse me pajisje për gjenerim të energjisë elektrike. Krimeja është subjekt i sanksioneve të Bashkimit Evropian, prejse Rusia e ka aneksuar atë nga Ukraina në mars të vitit 2014. Siemens tha se nuk ka indikacione për shkelje të rregullave të eksportit, porse ka "informacione të besueshme" se turbinat kanë përfunduar në Krime.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Exxon Mobil e paditi administratën amerikane

Posted: 21 Jul 2017 02:04 AM PDT

Gjiganti amerikan i naftës, Exxon Mobil, është përgjigjur ndaj asaj që kjo kompani e ka cilësuar si "fundamentalisht jokorrekte" dënimin e shpallur dje nga Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, për shkelje të sanksioneve amerikane kundër Rusisë, vetëm disa javë pasi ato ishin imponuar në vitin 2014. Exxon Mobile e paditi Qeverinë për ta bllokuar dënimin prej 2 milionë dollarëve për shkelje të dyshuar të sanksioneve në maj të vitit 2014, pak kohë pasi presidenti i atëhershëm, Barack Obama, kishte shpallur sanksione për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë. Në shënjestër të këtyre sanksioneve ishte edhe shefi ekzekutiv i kompanisë së kontrolluar nga shteti në Rusi, Rosneft, Igor Sechin. Në atë kohë, kur i ka shkelur sanksionet ndaj Rusisë, shef ekzekutiv i kompanisë, Exxon Mobil, ishte Rex Tillerson. Ai kishte dhënë dorëheqje nga ky post këtë vit, kur u emërua Sekretar amerikan i Shtetit. Në njoftimin e vet, Departamenti i Thesarit tha se degët amerikane të kompanisë Exxon Mobil, "kishin marrë pjesë në shërbimet e një individi, pasuria dhe interesat e të cilit ishin bllokuar, e në mënyrë më konkrete, duke i nënshkruar tetë dokumente juridike, të ndërlidhura me projektet e gazit dhe naftës në Rusi me Igor Sechinin". Exxon pat treguar "mospërfillje për kërkesat e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara", tha ky departament. Dënimi prej 2 milionë dollarësh duket se është kryesisht lëvizje simbolike kundër kompanisë, Exxon Mobil, e cila vitin e kaluar ka pasur të ardhura prej 7.8 miliardë dollarësh. Në një email dërguar Radios Evropa e Lirë, Exxon Mobil, është mbështetur në përjashtimin ndaj akuzave, duke thënë se në kohën e dyshimeve për shkelje, kompania kishte marrë udhëzime nga Qeveria për çështjen nëse transakcionet e kompanisë do të ishin shkelje e sanksioneve. Rrjedhimisht, kompania Exxon Mobile, e ka ushtruar një padi në një gjykatë federale në Teksas, me synimin që ta bllokoj këtë dënim, duke e akuzuar Zyrën për kontroll të pasurive të jashtme të Departamentit të Thesarit për përpjekje "për zbatimin retroaktiv" të një urdhri të mëhershëm. Kjo është "fundamentalisht jokorrekte dhe paraqet mohim të procesit të nevojshëm sipas Kushtetutës dhe është shkelje e Aktit të Procedurës Administrative, meqë pjesëmarrësit tregtarë, përfshirë Exxon Mobile, nuk kanë pasur shpjegim të interpretimit, që tash po synohet ta imponojnë retroaktivisht", thuhet në padinë e kompanisë, Exxon Mobil. Në një deklaratë të mëhershme, zëdhënësi i kompanisë, William Holbrook, tha se Exxon Mobil i kishte respektuar "udhëzimet e qarta nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Thesarit, kur përfaqësuesit e saj i kishin nënshkruar dokumentet, ku përfshiheshin aktivitetet në zhvillim për naftë dhe gaz në Rusi me Rosneftin, i cili ishte entitet jo i bllokuar, që ishin nënshkruar nga shefi ekzekutiv i Rosneftit, Igor Sechin, në kapacitetin e tij të përfaqësuesit zyrtar".  Në Moskë, zëdhënësi i Rosneftit, Mikhail Leontiev, e ka shtuar pyetjen se përse Departamenti i Thesarit ka lëvizur tash për ta dënuar Exxon Mobil, duke vlerësuar se dokumentacioni i kontratave ishte publik për më tepër se tri vjet. Çështja e sanksioneve kundër Rusisë është shndërruar në shqetësim në rritje nën presidentin amerikan, Donald Trump, i cili vazhdimisht ka sugjeruar se ato mund të tërhiqen ose zbuten. Senati i Shteteve të Bashkuara ka lëvizur për përforcim të sanksioneve ekzistuese, duke kërkuar që nëse Trump synon t'i tërheq ato, atëherë ai duhet ta ketë pëlqimin e Kongresit. Legjislacioni për këtë çështje tash ndodhet në procedurë në Dhomën Përfaqësuese, ku duket se është ngadalësuar. Gjatë dëgjimit konfirmues të zotit Tillerson në Senat në muajin janar të këtij viti, ai tha se tash për tash, është në favor të mbajtjes së sanksioneve kundër Rusisë. Por, gjatë nj paraqitjeje tjetër në Komitetin për marrëdhënie të jashtme të Senatit, në muajin qershor, ai ka kërkuar nga ligjvënësit që të mos i forcojnë sanksionet ekzistuese, duke argumentuar se administratës i duhet fleksibilitet për negociata me Moskën. Në prill të këtij viti, Exxon Mobil, kërkoi nga Departamenti i Thesarit përjashtim nga sanksionet në mënyrë që të mund të realizojë shpime në Detin e Zi, në bashkëpunim me kompaninë Rosneft. Departamenti i Thesarit e hoshi poshtë këtë kërkesë. Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Praga heq pllakën përkujtimore për marshallin sovjetik

Posted: 21 Jul 2017 01:39 AM PDT

Autoritetet komunale në Pragë të Çekisë kanë vendosur të heqin pllakën përkujtimore të një marshalli sovjetik, i cili ka marrë pjesë në çlirimin e qytetit në fund të Luftës së Dytë Botërore. Një zëdhënës i zyrës së kryebashkiakut tha se pllaka që nderon marshallin e Ushtrisë së Kuqe, Ivan Konyev, është hequr për shkak të "pasaktësive historike" në tekstin e saj. Ai tha se memoriali do t'i jepet Muzeut të Qytetit të Pragës, edhe pse autoritetet janë të gatshme t'ua dhurojnë atë të afërmve të Konyevit në Rusi. Më 5 maj të vitit 1945, banorët e Pragës janë ngritur kundër forcave pushtuese të Gjermanisë naziste. Shumë shpejt, njësitet e Ushtrisë Çlirimtare Ruse i janë bashkuar luftës në anën e kryengritësve. Më 8 maj, forcat gjermane kanë nisur të tërhiqen nga Praga, pasi kanë nënshkruar armëpushim me kryengritësit. Më 9 maj, pasi Praga është pastruar pothuajse tërësisht nga gjermanët, atje kanë hyrë njësitet e Ushtrisë së Kuqe nën komandën e Konyevit. Historianët çekë thonë se në mesin e trupave të Konyevit ka pasur forca të policisë sekrete sovjetike që kanë grumbulluar mijëra qytetarë çekë me reputacion anti-Bolshevik dhe i kanë dërguar ata në kampet sovjetike të punës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

McCain: Do t'i kthehem punës së shpejti

Posted: 21 Jul 2017 01:01 AM PDT

Senatori amerikan, John McCain, tha se së shpejti do t'i kthehet punës në Uashington, edhe pse është diagnostikuar me kancer në tru. "E vlerësoj shumë mbështetjen. Do të kthehem shpejt - fatkeqësisht për partnerët e mi në Kongres me të cilët kacafytem", tha McCain përmes një postimi në Twitter. Mjekët thonë se McCain, 80 vjeç, ka glioblastomë, një kancer agresiv që shoqërohet me koagulim gjaku. McCain është operuar në kokë javën e kaluar. Ai është veteran i luftës në Vietnman dhe kryeson Komitetin e Senatit për Shërbime të Armatosura. "Senatori McCain ka qenë gjthmonë luftëtar", ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump, duke i uruar shërim të shpejtë.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kosova, treg i “dallavereve” me naftë

Posted: 21 Jul 2017 12:19 AM PDT

Sektori i derivateve të naftës, i njohur dhe si tregu më fitimprurës në Kosovë, karakterizohet me parregullsi të shumta, që nga importi e deri të shitja më pakicë e këtij produkti. Kosova nuk posedon rafineri të derivateve të naftës, kështu që ky produkt pothuajse më i kërkuari në Kosovë, importohet nga vendet e rajonit dhe të Evropës. Kurse, janë evidentuar edhe raste të kontrabandës me naftë dhe derivate të saj në pjesën veriore të Kosovës, në kufirin me Serbinë. Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, shumë herë ka shfaqur shqetësimin se 97 për qind e naftës që hyn në Kosovë nuk kontrollohet, po vetëm bëhet përshkrimi i analizave. Fadil Berjani, kryetar i kësaj shoqate tha për Radion Evropa e Lirë se vazhdimisht është kërkuar që kontrolli i cilësisë së derivateve të naftës të realizohet qysh në pikat kufitare. "Karburantet e lëngëta të naftës janë duke hyrë në Kosovë me cilësi të dobët, dhe është duke u manipuluar me këtë produkt nëpër pikat e karburanteve brenda territorit të Kosovës. Për këtë problem duhet të merren masa sa më shpejtë që është e mundur", tha Berjani. Në përpjekje për të përmirësuar dhe vendosur rend në sektorin e naftës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në muajin shkurt të këtij viti, ka miratuar një Udhëzim Administrativ për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, në bazë të të cilit monitorimi i cilësisë së karburanteve bëhet në pikat doganore dhe jo nga trupat inspektues, pasi që nafta të ketë hyrë në tregun e Kosovës. Për shkak të dyshimit të cilësisë së naftës, ka disa ditë që mbi 40 maune me këtë produkt janë bllokuar në terminalin doganor në Morinë. Në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i kësaj agjencie, Adriatik Stavileci tha se që nga marrja e përgjegjësisë, sipas udhëzimit administrativ, Dogana ka aplikuar sistemin e kontrolleve të bazuara në analizat e riskut. Rasti i fundit, thotë ai, është ndërlidhur më tejkalimin e parametrave të lejuar për disa dërgesa të naftës. "Sipas analizave, tejkalimi i parametrave është shumë i lartë, prandaj mostrat janë dërguar edhe një herë për super analizë në një laborator jashtë shtetit të Kosovës", tha Stavileci. Maunet e bllokuara në kufi, u përkasin tri kompanive që në Kosovë konsiderohen më të mëdhatë në këtë sektor. Ky rast është shqetësues, thotë Fadil Berjani, duke mos i siguruar klientët për cilësi të naftës në tregun e Kosovës, e cila importohet nga vende te ndryshme të Evropës. "Kjo tregon për mallin e dyshimtë. Do të thotë, bllokohen mbi 30 autobote, të gjitha kanë dalë jo konform ligjeve. Kjo është shqetësuese. Pikat karburanteve në brendi të territorit të Kosovës nuk janë duke e përzierë derivatin, por derivati po hynë me cilësi të dobët", tha Berjani. Në anën tjetër Lulzim Syla, kryeinspektor i Tregut në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, thotë se kompetent për kontroll të cilësisë së naftës në kufi është Dogana e Kosovës, kurse inspektorati i MTI-së është kompetent për monitorimin e cilësisë së naftës brenda tregut të Kosovës. Ai tregon se ky trup inspektues, vazhdimisht kontrollon tregun për parregullsi eventuale. "Ne si inspektorë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, vitin e kaluar kemi marrë rreth 580 mostra, nga ky numër 34 kanë dalë jo konform udhëzimit administrativ. Problemi më i madh, ka qenë jo me sulfurin, por më pikën e ndezjes. Mirëpo, sido që të jetë, një parametër sa do i vogël që devijon, ne si Inspektorat jemi të detyruar ta procedojmë lëndën në gjykatat kompetente", thotë Syla. Cilësia e dobët e derivateve të naftës, mungesa e territoreve të lira për të vepruar, krijimi i privilegjeve për kompani të caktuara të naftës, moskontrollimi gjithnjë me rastin e zhdoganimit të këtij produkti, mosfiskalizimi i këtyre operatorëve ekonomikë, që llogariten me qarkullim milionësh, janë vetëm disa nga parregullsitë që përmenden vazhdimisht në këtë sektor.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more