Skip to main content

“BE i kërkon Polonisë të pezullojë reformat gjyqësore” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“BE i kërkon Polonisë të pezullojë reformat gjyqësore” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


BE i kërkon Polonisë të pezullojë reformat gjyqësore

Posted: 19 Jul 2017 08:56 AM PDT

Komisioni Evropian i bëri thirrje Polonisë të pezullojë reformat kontroverse gjyqësore, të cilat, sipas tij, "do të kenë ndikim të madh negativ" në pavarësinë e gjyqësorit. Në të kundërtën, paralajmëroi KE, Polonia do të përballet me sanksione të paprecedente, nisur nga java e ardhshme. "Do t'i përgatisim me shpejtësi procedurat për shkelje të ligjit të Bashkimit Evropian", tha nënpresidenti i parë i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, pas një takimi të Komisionit në Bruksel. Qëkur ka fituar zgjedhjet në vitin 2015, Partia për Ligj dhe Drejtësi e Polonisë ka bërë përpjekje të rrisë ndikimin e qeverisë mbi gjykata dhe prokurori, ashtu si edhe në media. Javën e kaluar, Parlamenti, i cili kontrollohet nga Partia për Ligj dhe Drejtësi, ka miratuar reformat gjyqësore që opozita dhe të tjerët i shohin si kërcënim të ndarjes së pushteteve. Legjislacioni do t'i japë ministrit të Drejtësisë, të emëruar politikisht, kompetencë për të emëruar shefat e gjykatave të Polonisë. Përveç kësaj, Parlamenti do të zgjedhë anëtarët e Këshillit Kombëtar të Gjyqësorit, roli i të cilit është të mbrojë pavarësinë e gjykatave. Partia për Ligj dhe Drejtësi po ashtu ka paraqitur një projektligj në Parlament, që do të vinte nën kontroll të pushtetit ekzekutiv Gjykatën Supreme, e cila mbikëqyr gjykatat më të ulëta. "Këto ligje rrisin ndjeshëm kërcënimet sistematike mbi sundimin e ligjit," paralajmëroi Timmermans.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Irani "do t'iu përgjigjet sanksioneve të reja" të SHBA-së

Posted: 19 Jul 2017 07:49 AM PDT

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se vendi i tij do të reagojë "në mënyrë të përshtatshme" ndaj sanksioneve të reja të SHBA-së. "Amerikanët po përpiqen të vënë sanksione të reja, të cilat janë joracionale dhe në kundërshtim me frymën e marrëveshjes bërthamore", tha Rohani. Të martën, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të vendosin sanksione të reja kundër 18 individëve dhe entiteve për shkak të mbështetjes së tyre për programin e raketave balistike të Iranit dhe aktiviteteve të tjera ushtarake. Plani është shpallur një ditë pasi Uashingtoni ka konfirmuar se Irani është duke vepruar në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Me këtë marrëveshje me gjashtë fuqi botërore, Irani është pajtuar që të reduktojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. "Nëse amerikanët kalojnë sanksione të reja, me çfarëdo preteksti, kombi i madh i Iranit do të ketë një përgjigje të përshtatshme", tha Rohani.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vetëvendosje me LDK-në, AKR-në dhe Alternativën thonë se i kanë numrat për Qeverinë

Posted: 19 Jul 2017 07:33 AM PDT

Krijimi i shumicës parlamentare mbetet synim jo vetëm i koalicionit fitues të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, por edhe i dy subjekteve që u renditën në vendin e dytë dhe të tretë në këto zgjedhje. Duke besuar se koalicioni PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, do të dështojë të krijojë shumicën parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me partitë partnere, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën, thonë se janë duke vazhduar takimet për mundësin e arritjes së një koalicioni paszgjedhor. Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt që ka dalë i dyti për kah numri i ulëseve të fituara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, thotë se tashmë ekziston një shumicë parlamentar pa koalicionin fitues. Dardan Sejdiu, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se me LDK-në dhe partneret e saj, janë duke diskutuar rreth programit qeverisës dhe koalicioni të ri, për një qeverisje ndryshe. "Në fakt ekziston shumica parlamentare, nëse i shihini si të them numrin e deputetëve që i ka Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LAA. Ne i kemi 32 deputetë, derisa koalicioni LAA i ka 29 deputetë. Që do të thotë kemi 61 vende pa minoritete. Pra një shumicë shqiptare. Ne jemi duke u takuar dhe kemi pasur dy takime deri tani", tha Sejdiu. Të gjitha këto takime, thekson Sejdiu, janë në kuadër të diskutimeve, pasi që siç thotë ai, Presidenti nuk po e thërret seancën konstituive, ku do të bëhej zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit, për të vazhduar me procedurat e tjera. Pas konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit, koalicioni PAN, si fitues i zgjedhjeve, i ka 15 ditë afat për formimin e Qeverisë së re. Por, Vetëvendosje është e bindur se PAN nuk do të arrijë t'i sigurojë minimumin prej 61 votave për formimin e Qeverisë dhe pret që shansin e dytë ta ketë ky subjekt politik me LDK-në dhe partitë partnere. "Krejt këto takime e kanë rolin e përafrimit sa më të madh deri në momentin kur të na jepet mundësia e dytë pas mandatarit i cili vjen nga koalicioni PAN. Kështu që ne jemi duke punuar që të kemi një program qeverisës, në mënyrë që kur të na vjen mundësia t'i kemi numrat e duhur për të formuar Qeverinë e ndryshimit", tha Sejdiu.  Ndërkohë, Mimoza Kurasi- Lila, kryetare e partisë politike, Alternativa që është pjesë e koalicionit me LDK-në, tha për Radion Evropa e Lirë se takime me Lëvizjen Vetëvendosje, janë në vazhdim e sipër. "Mundësia dhe gatishmëria është që të formohet kjo shumicë parlamentare, vetëm duhet të përcillen procedurat e parapara me ligj dhe Kushtetutë. Do të thotë, që mundësia i jepet koalicionit fitues që ta formojë Qeverinë dhe në dështim të asaj përpjekje për koalicionin fitues, Presidenti duhet ta mandatojë ose ish dashur të mandatojë të dytin fitues nga këto zgjedhje, gjegjësisht partinë e dytë, Lëvizjen Vetëvendosje. Në atë situatë apo skenar vetëm kanë filluar përgatitjet në proces të dakordimit për programin qeverisës dhe pastaj në nivelin politik në një fazë të më vonshme", tha Kusari -Lila.  Kusari-Lila thekson se koalicioni PDK, AAK, NISMA i njohur si PAN, nuk i kanë numrat e mjaftueshëm për formimin e Qeverisë. Sipas saj, vonesat për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit janë indikatorët më të mirë që tregojnë se ai koalicion ka mungesë të votave. "Sikur t'i kishin votat do të kishim deri më tash mbledhjen konstituive të Kuvendit dhe procesin e mandatimit të zotit Haradinaj, për të prezantuar Qeverinë. Por, ma merr mendja që mungesa e votave dhe situata në të cilën po hyjmë është si rrjedhojë e mungesës së votave, që edhe e tregon se në cilëndo matematikë ata i kanë vetëm 59 vota dhe jo 61 vota sa ju duhet një shumicë minimale për të votuar Qeverinë në Kuvend", tha Kusari- Lila. Ndryshe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka caktuar ende datën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, por ai pritet që të zhvillojë një takim me partitë parlamentare më 24 korrik, pikërisht për datën e konstituimit të këtij institucioni. Më herët, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i subjekteve politike, të cilave u prin Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk i janë përgjigjur pozitivisht një ftese për të diskutuar për formimin e Qeverisë së re, nga kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Detyrat që e presin Qeverinë e re

Posted: 19 Jul 2017 06:31 AM PDT

Pavarësisht që debatet për atë se kush do të mund ta formojë Qeverinë e re të Kosovës vazhdojnë ende, ekzekutivin e ardhshëm të vendit, kushdo qoftë që e formon atë, e pret një listë e gjatë e detyrave, të cilat konsiderohet se janë me prioritet, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend. Sipas tyre, ratifikimi nga legjislativi i ri i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, i cili i hapë rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën, do të jetë detyra e parë, e cila nuk mund të shmanget në çfarëdo mënyre. Albert Krasniqi, analist i Institutit Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se prioritetet e Qeverisë së ardhshme do të përcaktohen varësisht se nga kush do të krijohet Qeveria, nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën i njohur si koalicioni PAN, i cili ka fituar 39 ulëse në Kuvendin e Kosovës, apo nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar 32 ulëse. Prioritetet e subjekteve politike, sipas tij, janë të ndryshme, por kushdo që do ta krijojë Qeverinë, do të ballafaqohet të paktën me tri çështje që konsiderohen prioritete. "Pavarësisht orientimeve të tyre ideologjike apo programore, është që të kalohet sa më shpejtë Marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit e Zi. Pastaj, do të duhej të bëhej sundimi i ligjit, përmes të cilit luftohet korrupsioni dhe që ndërlidhet me investimet e huaja në Kosovë dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Një prioritet i tretë, do të duhej të ishte reforma në shëndetësi, investimet më të mëdha, qoftë në infrastrukturë, në objekte, në ofrimin e më shumë shërbimeve për qytetarët e Kosovës", thotë Krasniqi. Mendim të përafërt ka edhe njohësi i çështjeve politike, Emrush Ujkani. Duke folur për Radion Evropa e Lirë ai thotë se prioritetet me të cilat do të ballafaqohet Qeveria e re, janë obligime ndërkombëtare, por edhe të brendshme. "Ratifikimi i Marrëveshjes për kufirin me malin e Zi, në këtë format apo në ndonjë tjetër, duhet përfundimisht ta ketë një përgjigje. E dyta do të jetë çështja e bashkëpunimit me mekanizmat ndërkombëtarë për të mundësuar funksionalizimin e Gjykatës Speciale. Natyrisht, si çështje e brendshme, institucionit të kryeministrit dhe Qeverisë së re do t'i bie që ta shtyjë përpara, aq sa është e mundur, gjendjen ekonomike dhe zhvillimin ekonomik, që ta kthejë në njëfarë forme besimin e Qeverisë tek qytetarët. Mendoj që kohët e fundit, besimi në Qeveri ka qenë goxha në nivel të ulët", thotë Ujkani. Megjithatë, Krasniqi shpreh mendimin se Qeveria e re do të përballet edhe me, siç thotë ai, detyra të tjera, të cilat janë të pashmangshme. "Krijimi i Asociacionit (të komunave me shumicë serbe) dhe një sërë kërkesash tjera, të cilat do të jenë të pashmangshme", vlerëson Krasniqi. Ujkani, thekson se vazhdimi i dialogut me Serbinë, do të jetë i pashmangshëm për Qeverinë e re. "Për të dhënë një kontribut të mjaftueshëm, për t'i kontribuuar stabilitetit rajonal, dialogu me Serbinë është detyrë që duhet të vazhdojë edhe më tutje. Natyrisht që Kosova, obligimet e karakterit ndërkombëtar, nuk është se i ka të reja. Do të jetë edhe lufta për ta fuqizuar sundimin e ligjit dhe për ta pavarësuar gjyqësorin në ndërmarrjen e veprimeve të veta". Për formimin e Qeverisë, janë të domosdoshme të paktën 61 vota të deputetëve. Deri më tash asnjë nga subjektet politike që kanë fituar ulëset në Kuvendin e Kosovës, nuk kanë prezantuar ndonjë koalicion, i cili ua garanton shumicën parlamentare, gjë që do tu mundësonte edhe krijimin e Qeverisë së re. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjykata shpall dënimet ndaj të akuzuarve për rastin ‘Badovci’

Posted: 19 Jul 2017 06:15 AM PDT

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur sot Aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarve B.L, G.H, M.H, E.L., të cilët në bashkëkryerje me të akuzuarin B.I., i cili gjendet në arrati, kanë kryer veprën penale: shtytje për kryerjen e veprave terroriste në tentativë. Kurse, ndaj të akuzuarit F.M. është shqiptuar dënimi për veprën penale që ka të bëjë me ndihmën në kryerjen e veprës penale: shtytja për kryerjen e veprave terroriste në tentativë. I akuzuari B.L është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj. Kurse, të akuzuarit G.H, M.H dhe E.L. po ashtu janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me burg në kohëzgjatje prej tre (3) vjet e gjashtë (6) muaj. I akuzuari F.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg në kohëzgjatje prej tre (3) vjetësh. Ky grup është shpallur fajtor pas marrëveshjes paraprake, sipas së cilës, ata kishin përgatitur veprën penale terroriste, "ashtu që më datën 10.07.2015, rreth orës 23.30 në afërsi të liqenit të Badovcit (në afërsi të Prishtinës), që me ikonografinë e territorit të organizatës terroriste ISIS kishin pasur qëllim të incizojnë një video propaganduese dhe që të lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të kësaj organizate terroriste dhe që të bëjnë publikimin e kësaj videoje në internet, për të dëshmuar para botës shtrirjen e të ashtuquajturit "Shteti islamik", në Republikën e Kosovës", thuhet në komunikatë. Gjykata konfirmon se koha e kaluar në paraburgim për të gjithë të akuzuarit nga data 11.07.2015 e tutje do t'iu llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim, andaj është vazhduar masa e paraburgimit ndaj të akuzuarve deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Deklarata e përbashkët, manovrime për pikë politike

Posted: 19 Jul 2017 06:09 AM PDT

Deklarata e partive politike shqiptare po zbehet apo po e humb kuptimin nga vet nënshkruesit e saj, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar qëndrimet e partive ndaj kësaj deklarate dhe tryezat e thirrura nga drejtuesit e partive, të cilat, sipas analistëve, më shumë kanë për qëllim përfitimin e pikëve politike se sa zbatimin e saj. Një takim i ri është thirrur nga Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), që është pjesë e koalicionit Aleanca për Shqiptarët, është bojkotuar nga Lëvizja Besa, e cila këtë parti e quan si "satelit të BDI-së dhe përçarëse të interesit shqiptare". Nga Lëvizja Besa kanë thënë se takimet e tilla që parashihen edhe me deklaratën politike, nuk mund të mbahen pa u dhënë sqarime paraprake nga partitë në pushtet sepse në programin e Qeverisë nuk janë paraparë pikat e kësaj deklarate, para se gjithash miratimi i Ligjit për gjuhën shqipe, në 100 ditët e para të punës së Qeverisë. Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ftesa e RDK-së, e cila thirret në emër të unifikimit, nuk ka logjik, në veçanti kur dihet se pikërisht kjo parti ishte ajo që dy ditë më parë prishi koalicionin me Aleancën për Shqiptarët. "Deklarata e partive politike shqiptare dhe e ashtuquajtura tryezë e tyre po përdoret në favor të politikës ditore, e jo në drejtim të asaj që u promovua në opinion, e që kishte të bëjë me harmonizim të qëndrimeve të spektrit politik shqiptar. Nuk shoh se ka seriozitet edhe në këtë ftesë, por edhe në ftesat e kaluara, pasi gjithnjë këto ftesa bëhen për të sfiduar ndonjë parti politike, apo edhe për të diskredituar ndonjërën prej tyre nëse nuk do të merr pjesë", thotë Neziri, duke shtuar e kjo bëhet me qëllim të përfitimit apo konsolidimit të radhëve të partive para zgjedhjeve lokale, që janë paraparë për në vjeshtë. Por, një qasje e tillë sipas Nezirit po e devlavon gjithnjë e më shumë deklaratën e partive shqiptare, të arritur më lehtësimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, e që kishte shkaktuar reagime të shumta në opinionin maqedonas, duke e vlerësuar si rrënuese të shtetit të Maqedonisë. Neziri thotë se edhe gjatë aktit të nënshkrimit kjo deklaratë më shumë kishte qëllim politik se sa kombëtare. "Kishte qëllim politik, shkaku i formimit të një shumice te kampi politik shqiptar që ajo shumicë do të përcaktonte e re, gjë që edhe ndodhi. Çdo përdorim apo keqpërdorim të asaj deklarate tani do të devalvojë gjithnjë e më shumë të njëjtën. Vlerësoj se edhe opinioni shqiptar e ka të qartë se gjithë ajo floskul e krijuar nga takimet e liderëve shqiptar nuk do të ketë efektin e pritshëm", thotë Neziri. Nga ana tjetër, analisti, Albert Musliu thotë se partitë shqiptare e kanë për obligim të kujdesen për zbatimin e pikave të deklaratës politike. Ai thotë se tentimet për të përfituar politikisht do të jenë të pashmangshme, por partitë nuk do të guxojnë të largohen nga obligimet e saj. "Pavarësisht sjelljes së tyre, partitë politike nuk do të mund të devalvojnë brendinë e deklaratës. Për mua rëndësia e kësaj deklarate është se janë qartësuar disa çështje të cilat janë të paevitueshme dhe partitë nuk do të mund t'i injorojnë pasi në çdo cikël zgjedhor elektorati do të kërkoj llogari prej tyre për përmbushjen e obligimeve të cilat i kanë marrë lidhur me pikat apo përmbajtjen e deklaratës", thotë Musliu. Megjithatë, sipas tij, për realizimin e saj nevojitet vullnet edhe nga partitë maqedonase, dhe në këtë kuadër, roli kryesor i takon partive shqiptare që të arrijnë t'i bindin partnerët e tyre në zbatimin e këtij deklarate që nuk ka asgjë të kontestueshëm pasi pikat e saj, sipas Musliut, janë pjesë përbërëse edhe të programeve të partive politike.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shtyhet “gjykimi i shekullit” në Mal të Zi

Posted: 19 Jul 2017 05:38 AM PDT

Gjyqi i 14 të akuzuarve për komplot për rrëzimin e Qeverisë së Malit të Zi, vitin e kaluar, është shtyrë në ditën e parë të nisjes, për shkak të kërkesës së mbrojtjes për të zëvendësuar prokurorin. Gjykatësja Suzana Mugosha e ka shtyrë seancën dëgjimore, dhjetë minuta pas nisjes, derisa prokurori i lartë i shtetit të vendosë mbi kërkesën e mbrojtjes. Avokatët mbrojtës e kanë arsyetuar kërkesën me, siç kanë thënë, faktin se Prokuroria Speciale, një ditë para gjykimit, ka publikuar transkriptën e komunikimit midis avokatëve dhe klientëve të tyre. "Prokurori Special ka spiunuar jo vetëm klientët dhe avokatët, por edhe korrespondencën midis avokatëve", tha Miroje Jovanoviq, njëri prej mbrojtësve. "Ne kemi të drejtë të merremi vesh për mbrojtjen pa u penguar. Nga prokurori i lartë i shtetit presim të deklarohet, shkurt dhe qartë, nëse e mbështet përgjimin dhe spiunimin e avokatëve dhe klientëve dhe përgjimin e komunikimit të ndërsjellë të avokatëve", tha Jovanoviq. Autoritetet shtetërore në Mal të Zi pretendojnë se nacionalistët serbë dhe rusë kanë bërë komplot për të pushtuar parlamentin gjatë zgjedhjeve parlamentare të tetorit të kaluar, të vrasin kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviq, dhe të instalojnë një udhëheqje pro-ruse, e cila do të parandalonte anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Të pandehurit përfshijnë deputetët Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq nga partia opozitare malazeze Fronti Demokratik, nëntë shtetas serbë, një tjetër malazez dhe dy rusë, të cilët po gjykohen në mungesë. Në mediat malazeze, ky gjykim i profilit të lartë cilësohet si "gjykim i shekullit". Mandiq ka mohuar çdo keqbërje dhe ka thënë se çështja është organizuar për të diskredituar partinë e tij pro-ruse. Mali i Zi thotë se "organe shtetërore ruse" kanë qenë të përfshira në komplotin e dyshuar, por Rusia e mohon. Prokurori special i Malit të Zi, Millivoje Katniq, ka kërkuar nga shteti rus që të bëjë hetime. Mali i Zi është bërë vendi i 29-të anëtar i NATO-s më 5 qershor, duke shënuar një kthesë historike kah aleanca transatlantike, pavarësisht protestave të Rusisë dhe anëtarëve të opozitës. Përgatiti: Valona Tela 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për komplot në Mal të Zi

Posted: 19 Jul 2017 05:28 AM PDT

Procesi gjyqësor në Mal të Zi kundër dy rusëve dhe 12 personave të tjerë, të akuzuar për komplot shtetëror, është shtyrë sot, pas kërkesës së mbrojtjes për zëvendësimin e prokurorit. Ndaj të akuzuarve rëndojnë akuzat për "krijim të organizatës kriminale". Dy rusët janë të akuzuar edhe për terrorizëm. Në aktakuzë pretendohet se ata kishin planifikuar ta marrin kontrollin e Kuvendit të Malit të Zi, ta vrajnë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviq, dhe ta instalojnë një udhëheqje proruse për parandalimin e pranimit të Malit të Zi në NATO.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Christian Panucci – trajner i kombëtares së Shqipërisë në futboll

Posted: 19 Jul 2017 05:25 AM PDT

Ish-mbrojtësi italian në futboll, Christian Panucci, është caktuar sot për trajner të kombëtares së Shqipërisë në futboll, duke e zëvendësuar bashkëkombasin e tij, Gianni De Biasi. Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, tha se Panucci, 44 vjeçar, është angazhuar për ta udhëhequr kombëtaren gjatë garave për Kampionatin Evropian në vitin 2020. Christian Panucci, që ka luajtur për Milanon, Interin, Romën dhe Real Madridin, tha se "qëllim i tij i vetëm është që ta dërgoj Shqipërinë në finalet e Euros 2020", raporton agjencia AP nga Tirana. Si trajner, Panucci ka punuar si ndihmës i trajnerit italian, Fabio Capello, derisa ai ishte selektor i kombëtares së Rusisë. Panucci ishte trajner edhe në klubet italiane, Livorno dhe Ternana. Derisa trajner i kombtares shqiptare ishte Gianni de Biasi, Shqipëria ka luajtur në pjeësn finale të Kampionatit Evropian, që u zhvillua vitin e kaluar. Ishte kjo pjesëmarrja e parë e Shqipërissë në pjesën finale të Kampionatit Evropian. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

OKB: Nga sulmi ajror në Jemen janë vrarë 20 civilë

Posted: 19 Jul 2017 05:10 AM PDT

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) thotë se së paku 20 civilë, përfshirë fëmijë, janë vrarë nga një sulm ajror në Jemen. Nga ky sulm i djeshëm është qëlluar një grup i civilëve në rajonin Mavza në provincën jugperëndimore, Taez, thuhet në kumtesën e sotme të UNHCR-së. Në njoftim thuhet se pjesa më e madhe e të vrarëve besohet se ishin të një familjeje. "Incidenti i fundit përsëri demonstron për rrezikun ekstrem, me të cilin ballafaqohen civilët në Jemen, e veçanërisht ata që përpiqen të largohen nga dhuna, pasi ata më mënyrë joproporcionale e bartin barrën kryesore të konfliktit", tha UNHCR. Banorët thanë se sulmi ishte kryer nga aeroplanët e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton kundër kryengritësve shiitë. Nga konflikti dyvjeçar ndërmjet kryengritësve shiitë huthi, që janë aleatë të Iranit, në njërën anë, dhe koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, që mbështetet nga perëndimi, nga ana tjetër, janë vrarë së paku 10 mijë njerëz në Jemen. Nga kjo luftë, po ashtu, është shkatërruar pjesa më e madhe e infrastrukturës së këtij vendi dhe kjo ka çuar në përhapje të urisë dhe sëmundjeve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shefi ushtarak largohet për shkak të mospajtimit buxhetor me Macronin

Posted: 19 Jul 2017 03:55 AM PDT

Shefi i forcave të armatosura të Francës, Pierre de Villiers, ka paraqitur dorëheqje pas një mospajtimi me presidentin, Emmanuel Macron, lidhur me shkurtimet buxhetore. Në deklaratën e sotme, gjenerali Villiers tha se nuk ndjen se mund ta udhëheq një armatë "për të cilën mendoj se është e domosdoshme të garantoj mbrojtje të Francës dhe popullit francez". Mospajtimi ndërmjet presidentit Macron, 39 vjeçar, dhe gjneralit de Villiers, 60 vjeçar, ka shpërthyer javën e kaluar, kur shefi i ushtrisë në një paraqitje në një komitet parlamentar tha se ai nuk do të lejoj që forcat e armatosura të "shkatërrohen" nga planet e qeverisë për shkurtimin e 850 milionë eurove nga buxheti. Raportohet se presidenti Macron më vonë e ka kritikuar gjeneralin për vënien e mospajtimit për buxhet në "sferën publike" dhe i tha atij se "unë jam shef". Shkurtimet janë pjesë e 4.5 miliardë eurosh për shpenzimet publike që i ka premtuar qeveria Macron.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Prodhuesit në Kosovë synojnë të jenë të barabartë me ata të rajonit

Posted: 19 Jul 2017 03:07 AM PDT

Autoritetet në Kosovë po synojnë që prodhuesit vendor të jenë të barabartë me ata të vendeve të rajonit. Qeveria në largim e Kosovës, ka miratuar Pakon Fiskale të quajtur 2.0, me masa të reja të politikave, të cilat, sipas zyrtarëve qeveritarë, lehtësojnë ndjeshëm të bërit biznes dhe fuqizojnë sektorin privat, si shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik. Kjo pako përfshinë lirimin nga tatimi doganor për të gjitha produktet që konsiderohen si lëndë e parë për prodhim, pastaj ndryshim/plotësimin e listës së produkteve që i nënshtrohen normës së reduktuar prej 8 për qind të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Po ashtu, parashihet krijimi i kodeve të reja tarifore për disa produkte, sipas praktikave të Bashkimit Evropian, ulja e akcizës në pije të gazuara dhe jo të gazuara, fiskalizimi e të tjera. Zëvendëskryeministri në Qeverinë në largim të Kosovës, Ramiz Kelmendi thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo pako e bën industrinë e prodhuese të Kosovës të nivelit të barabartë më të gjithë prodhuesit e vendeve të rajonit. "Pakoja fiskale 2.0 është një ndër vendimet më të mëdha që është bërë ndonjëherë në funksion të mbështetjes së prodhimtarisë vendore". "Pas miratimit të kësaj pakoje, unë mund të them se të gjitha komponentët prodhuese, repromaterialet, nuk do të kenë doganë. Nevojitet një afat kohor implementimi, por të gjithë prodhuesit e vendit në Kosovë do të jenë të barabartë në tregun e Kosovës, me prodhuesit rajonal dhe prodhuesit e shteteve të Bashkimit Evropian", thotë Kelmendi.  Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe prodhues në Kosovë shpresojnë se miratimi i kësaj pakoje do të përmirësojë kushtet, njëherësh do të stimulojë afaristët që merrem me prodhimin e produkteve, "Made in Kosova".  Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini tha për Radion Evropa e Lirë se miratim i kësaj pakoje ka qenë kërkesë e kamotshme e afaristëve kosovarë. Megjithatë, Shahini beson se efektet do të jenë pozitive nga zbatimi i kësaj pakoje. "Kjo pako do të barazon forcat prodhuese dhe konkurruese të prodhueseve vendor, karshi konkurrencës që ka ardhur vazhdimisht nga shtete rajonale dhe të Evropës. Por, që në disa raste prodhuesi vendor e ka humbur fuqinë konkurruese, por edhe konsumatori besimin tek prodhimi vendor, pasi në treg ka dalë më i shtrenjtë", thekson Shahini. Disa nga prodhuesit vendor edhe pse nuk kanë shumë informacione rreth përmbajtjes së pakos, shpresojnë se janë marrë për bazë kërkesat e tyre. Bashkim Osmani është i pronar i kompanisë "Laberion", që merret me prodhimin e lëngjeve natyrale. Ai megjithatë shprehet i rezervuar sa u përket masave për lehtësimin e të bërit biznes. "Ne si prodhues nuk kemi kërkuar asnjëherë më shumë se sa vendet e rajonit. Në momentin që kemi kushte të njëjta, menjëherë do të kemi mundësi të krijojmë vende të reja të punës, të kemi produkte më çmim më të lirë në treg", thotë Osmani për Radion Evropa e Lirë. "Të gjitha këto na barazojnë nga prodhuesit e vendeve të rajonit dhe Evropës. Ne konkurrencën më të madhe e kemi nga Serbia dhe Maqedonia. Unë mendoj se ende ka shumë për tu bërë në aspektin e politikave fiskale", thotë ai. Ndryshe, në shtator të vitit 2015, ka filluar zbatimi i pakos së parë fiskale, e cila sipas autoriteteve kompetente ka pasur efekte pozitive. Sipas tyre, kjo pako ka ndihmuar në formalizimin e bizneseve duke ndryshuar Ligjin për Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar, përkatësisht pragun e TVSH-së. Ministri i Financave në Qeverinë në largim të Kosovës, Avdullah Hoti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë, ka thënë se nga këto reforma bizneset kanë përfituar 47 milionë euro lirime të ndryshme për lëndë të parë dhe makineri prodhuese. Kurse 21 milionë euro, sipas tij, kanë përfituar qytetarët si rezultat i lirimit të Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar, nga 18 në 8 për qind.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Në garën e robotëve medalje fituan edhe afganet e reja

Posted: 19 Jul 2017 02:40 AM PDT

Gjashtë vajza afgane, të cilave fillimisht nuk u ishte dhënë viza për hyrje në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një garë të robotëve, kanë fituar medalje në këtë ngjarje ndërkombëtare. Ekipi i Afganistanit e ka marrë medaljen e argjentë për "të arritur të guximshme" në këtë ngjarje, që ka përfunduar mbrëmë. Autoritetet amerikane fillimisht kishin refuzuar që nxënësve nga disa shtete me popullatë shumicë myslimane, pjesëmarrës në këtë garë ndërkombëtare, tu lejohej hyrja në Sahtetet e Bashkiara, për shkak të implementimit të politikave të vizave të administratës së presidentit, Donald Trump. Megjithatë, me kërkesën e zotit Trump, zyrtarët amerikanë i lejuan gjashtë vajzat afgane nga pjesa perëndimore e Afganistanit, që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në garën First Global Challenge. Ky ekip afgan e paraqiti një robot që kishte aftësi për ta njohur ngjyrën e kaltër dhe të portokalltë dhe për t'i klasifikuar topat në lokacionet përkatëse. Medalja e artë në garën kryesore i takoi ekipit nga Evropa, Polonia e fitoi medaljen e argjentë, ndërsa Armenia ishte e treta dhe e fitoi medaljen e bronxtë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Podgoricë: Shtyhet procesi gjyqësor i të akuzuarve për komplot

Posted: 19 Jul 2017 01:44 AM PDT

Procesi gjyqësor i profilit të lartë në Mal të Zi i dy rusëve dhe 12 personave të tjerë të akuzuar për puç për ta penguar pranimin e këtij vendi në NATO, është shtyrë sot për shkak të kërkesës së mbrojtjes për zëvendësimin e prokurorit. Gjyqtarja Suzana Mugosha, e ka shtyrë dëgjimin derisa kryeprokurori i shtetit të vendos lidhur me këtë kërkesë të mbrojtjes. Të 14 personat e akuzuar në këtë proces, në mesin etyre dy rusë dhe dy liderë opozitarë në Mal të Zi, janë të ngarkuar me "krijimin e organizatës kriminale". Personat rusë janë të akuzuar edhe për terrorizëm. Në aktakuzë pretendohet se ata kishin planifikuar ta marrin kontrollin e Kuvendit të Malit të Zi, ta vrajnë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviq, dhe ta instalojnë një udhëheqje proruse për parandalimin e pranimit të Malit të Zi në NATO, raprton agjencia AP nga Podgorica. Rusët e identifikuar si Eduar Shishmankov dhe Vladimir Popov, janë të dyshuar se e kanë koordinuar operacionin nga Serbia fqinje. Ata të dy nuk janë të arrestuar dhe procesi kundër tyre zhvillohet në mungesë. Njëri prejtë akuzuarve, Andrija Mandiq, lider opozitar në Mal të Zi, tha sot se procesi gjyqësor është "proces i organizuar politik". Rusia e ka hedhur poshtë involvimin në komplotin e dyshuar. Përkundër kundërshtimit të fuqishëm të Rusisë, Mali i Zi në muajin qershor të këtij viti është pranuar në NATO.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

“Despacito” – më se 4 miliardë shikime në platforma të ndryshme

Posted: 19 Jul 2017 01:29 AM PDT

Kënga "Despacito" e këngëtarit nga Porto-Rikoja, Luis Fonsi, me ritmin e saj të ngjashëm me rege, është vlerësuar se është kënga me më së shumti shikime i të gjitha kohërave. Kompania, Universal Music Latin Entertainment, tha se "Despacito", në formën e saj origjinale dhe në verzionet remiks, ka arritur 4.6 miliardë shikime në platforma të ndryshme, përfshirë YouTube dhe Spotify. "Despacito", që në gjuhën spanjolle do të thotë "ngadalë", për 10 javë ishte në vendin e parë të toplistave në Shtetet e Bashkuara. Kjo është kënga e parë në gjuhën spanjolle që ka arritur në këtë pozitë të lartë, prej këngës "Makarena" në vitin 1996, raporton agjencia AFP.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shtëpia e Bardhë: Trump e ka pasur edhe një bisedë të shkurtër me Putinin

Posted: 19 Jul 2017 01:11 AM PDT

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e kanë mbajtur edhe bisedën e dytë, të cilën nuk e kanë zbuluar më parë, gjatë samitit të grupit të 20 vendeve më të industrializuara të botës, në fillim të këtij muaji në Gjermani, ka njoftuar mbrëmë Shtëpia e Bardhë. Të dy zyrtarët e lartë e kanë mbajtur një takim bilateral, që ka zgjatur më tepër se dy orë, më 7 korrik, ndërsa një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump dhe Putin, po ashtu, kishin "një bisedë të shkurtër" gjatë darkës së liderëve botërorë në samit, nikoqire e së cilës ishte kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në pamjet televizive të darkës shihet se Melania Trump, bashkëshorte e presidentit, Donald Trump, ishte ulur afër Putinit. Presidenti Trump, pastaj, në fund të darkës shkoi tek ata dhe u afrua te Putini, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke theksuar se biseda nuk konsiderohet se ishte takimi i dytë bilateral. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Michael Anton, nuk e ka specifikuar zgjatjen e bisedës. Por, ai tha se diskutimi ishte i rastësishëm dhe nuk mund të karakterizohet si "takim". "Bisedimi gjatë ëmbëlsirës nuk duhet të karakterizohet si takim", tha Michael Anton. Një zyrtar tjetër i Shtëpisë së Bardhë është shprehur se "nuk ka ekzistuar takim i dytë ndërmjet presidentit Trump dhe presidentit Putin, por vetëm një bisedë e shkurtër në fund të darkës". "Insinuata se Shtëpia e Bardhë është përpjekur ta fshehë takimin e dytë është false, qëllimkeqe dhe absurde", tha ky zyrtar. Në një postim të mbrëmshëm në rrjetin Twitter, presidenti Trump ka shkruar: "Tregimi i lajmit të rrejshëm të darkës sekrete me Putinin është i sëmurë. Të gjithë liderët e G20-tës, dhe bashkëshortet, ishin ftuar nga kancelarja gjermane. Shtypi e ka ditur!" "Lajmi i rrejshëm po bëhet gjithnjë e më tepër i pandershëm! Bile edhe darka e aranzhuar për liderët e lartë të G20-tës në Gjermani është bërë që të duket djallëzore", ka shkruar Trump në rrjetin Twitter. Ian Bremmer, presidenti i grupit konsultues të rrezikut politik, Eurasia Group, i cili kishte biseduar me dy njerëz që kanë marrë pjesë në këtë darkë, situatën e ka paraqitur më ndryshe se Shtëpia e Bardhë. Ai tha se Trump ishte ngritur nga karrigia e tij diku në mes të darkës dhe e kishte kaluar afro një orë duke biseduar "privatisht dhe në mënyrë të gjallë" me Putinin, ku ishte "vetëm edhe përkthyesi i Putinit". Mungesa e përkthyesit amerikan ka shkaktuar befasi në mesin e liderëve të tjerë në samit, tha Bremmer, i cili këtë e cilësoi si "shkelje të protokollit të sigurisë kombëtare". Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se në këtë takim rolin e përkthyesit e kishte një person rus, pasi përkthyesi amerikan në këtë darkë nuk fliste rusisht. Presidenti Trump ishte ulur afër bashkëshortes së kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe. Përkthyesi i tij kishte folur japonisht. Një zyrtar i Shteteve të Bashkuara ka pranuar se personat e tjerë në samit ishin të befasuar ta shihnin Trumpin të angazhuar me Putinin, ndërsa askush tjetër nuk ishte i pranishëm. "Askush nuk është i sigurt se për çka kishin biseduar ata dhe se a ishte kjo bisedë e pastër shoqërore ose i ka prekur çështjet bilaterale ose ato ndërkombëtare", tha ky zyrtar. Zoti Trump është nën shqyrtim intensiv për shkak të dyshimeve se ekipi i fushatës së tij ndoshta ka bashkëpunuar me përpjekjet ruse për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale amerikane në vitin 2016. Zoti Trump e ka hedhur poshtë çfarëdo bashkëpunimi me rusët.  Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Jon Huntsman nonimohet për postin e ambasadorit në Rusi

Posted: 19 Jul 2017 12:17 AM PDT

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar mbrëmë se do ta nominoj ish-ambasadorin në Kinë, Jon Huntsman Jr., që të jetë i dërguar i administratës së presidentit, Donad Trump, në Rusi. Ky nominim duhet të miratohet në Senat, ku aktualisht po zhvillohen hetime lidhur me dyshimet për përzierjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Jon Huntsman, 57 vjeçar, ishte ambasador amerikan në Kinë në periudhën 2009 – 2011. Ai për një kohë të gjatë pritej se do të jetë zgjedhje e zotit Trump për këtë post. Zoti Huntsman ka shërbyer në administratat e pesë presidentëve të Shteteve të Bashkuara dhe në vitin 2012 ishte kandidat për nominim presidencial i Partisë Republikane. Në muajin mars, kur ishte paralajmëruar se Huntsman do të emërohej ambasador në Rusi, ka pasur reagime të ndryshme në Moskë. Një politikan rus pat thënë se ai "nuk është paqësor", ndërsa Kremlini pat theksuar se e mirëpret secilin që është "mbështetës i besueshëm" i krijimit të dialogut ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rreth 500 ushtarë të vetëvrarë në Ukrainë

Posted: 19 Jul 2017 12:16 AM PDT

Qindra ushtarë ukrainas kanë kryer vetëvrasje pasi janë kthyer në shtëpi nga lufta në rajonin jugor të Donbasit. Prokurori ushtarak i Ukrainës thotë se ka regjistruar rreth 500 vetëvrasje në mesin e veteranëve ukrainas, gjatë konfliktit trevjeçar me separatistët pro-rusë. (Video: Televizioni Current Times i Radios Evropa e Lirë).

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Irani i akuzon SHBA-të për sanksione “ilegale”

Posted: 18 Jul 2017 11:19 PM PDT

Ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, dje e ka akuzuar administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, për përpjekje për "helmim të atmosferës" me sanksione të reja, përkundër faktit se Teherani e respekton marrëveshjen atomike të vitit 2015. Zarif ka vlerësuar se sanksionet e reja janë "ilegale" dhe i tha rrjetit CBS News, se ato paraqesin shkelje "të frymës" se marrëveshjes atomike. Administrata amerikane dje e ka shpallur një rund të ri të sanksioneve kundër 18 individëve dhe entiteteve të ndërlidhura me programin balistik raketor të Iranit dhe aktivitetet e tjera ushtarake. Kjo ndodhi vetëm një ditë pasi administrata kishte deklaruar se Irani po bashkëpunon me marrëveshjen bërthamore, e cila ishte nënshkruar me fuqitë botërore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Dënohet deklarata e separatistëve në Ukrainë për “Rusinë e Vogël”

Posted: 18 Jul 2017 11:09 PM PDT

Departamenti amerikan i shtetit, i dërguaari rus në bisedimet për paqe në Ukrainë dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e kanë shprehur zëshëm kundërshtimin e tyre ndaj deklaratës për "Rusinë e Vogël", në Ukrainë, që është shpallur dje nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Heather Nauert, këtë deklaratë të separatistëve në Donjeck e cilësoi si "fushë të shqetësimit për ne". Kryesuesi aktual i OSBE-së, Sebastian Kurz, ministër i jashtëm i Austrisë, tha se "është i shqetësuar për retorikën provokuese që e dëgjojmë nga Donjecku". Boris Gryzlov, shef i ekipit të negociatorëve të Rusisë për Ukrainën, po ashtu, theksoi se "kjo nismë nuk përputhet me procesin e Minskut" dhe se "atë e merr si ftesë për diskutim". Mëtutje ai tha se "kjo deklaratë nuk ka konsekuenca juridike".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more