Skip to main content

Tirana Observer: ““Nuk jam deputet!”, si edukoheshin shqiptarët në vitet ‘30” plus 9 more

Tirana Observer: ““Nuk jam deputet!”, si edukoheshin shqiptarët në vitet ‘30” plus 9 more


“Nuk jam deputet!”, si edukoheshin shqiptarët në vitet ‘30

Posted: 20 Mar 2017 11:27 AM PDT

Historiani dhe gazetari Armand Plaka duke marrë shkak edhe nga situata politike e ditës, ka botuar në Facebook dy foto të rralla nga gazeta "Minerva" të vitit 1934.

Duke zbuluar arsyen se pse vendosi të botojë këto dy foto, Plaka jep edhe shpjegimin si më poshtë:

"Je Ne Suis Pas Depute! (Nuk jam deputet!)- ja me çfarë shembujsh thirrej te edukohej popullata në vitet ’30 te shekullit te shkuar. Sot të qenurit deputet, (pavarësisht se nuk mund të thuhet kështu për të gjithë) sikurse ai i të qenurit doganier, po bëhet një shembull i urryer ndër shqiptarët, për shkaqe që dihen. Kjo thirrje vlen me shume se atëherë, sot e gjithë ditën dhe do ishte mirë ta merrnin si shembull e ta valëvisnim si flamur. Marrë nga Gazeta Minerva, maj 1934".

Vasilika Hysi: Koalicioni PS-LSI është i vlefshëm deri më 18 prill

Posted: 20 Mar 2017 10:58 AM PDT

Deputetja socialiste Vasilika Hysi ka shprehur qëndrimin e saj lidhur me situatën politike në vend, dhe ecurinë e koalicionit PS­LSI.

Hysi tha se deri më tani ecuria e koalicionit ka qenë pozitive.

E pyetur nëse së fundmi ka patur problematika brenda koalicionit nisur edhe nga deklaratat e ditëve të fundit, ajo tha se edhe brenda një familje, anëtarët e saj nuk mendojnë njësoj.

Vasilika Hysi tha se koalicioni është i vlefshëm deri më 18 prill, datë kur bëhet edhe regjistrimi i koalicioneve të reja për zgjedhjet e 18 qershorit.

"Edhe në çdo familje ka diskutime, anëtarët kanë mendime të ndryshme për çështje të caktuara. Ky koalicion ka një marrëveshje 4­vjeçare, është deri më 18 prill, atëherë kur do të bëhet regjistrimi i koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit. Ju mund të keni dëgjuar debate e diskutime, këto janë dëshira edhe të njerëzve jashtë koalicionit. Për mendimin tim, koalicioni ka funksionuar mirë.

Nuk është e lehtë të bëhen reforma kaq të rëndësishme. Edhe pritshmëria e qytetarëve ka qenë e lartë. Ndaj është i nevojshëm edhe një mandat i dytë, që të vijohet me këto reforma, dhe të ndihen plotësisht rezultatet e tyre", tha Hysi e ftuar në studion e "News24", në rubrikën "Opinion".

Deputetja socialiste ka komentuar edhe qëndrimin e shprehur nga presidenti Bujar Nishani një ditë më parë, sa i takon dekretimit të kandidaturës së Fatmir Xhafajt në postin e ministrit të Brendshëm.

"Fjala e Presidentit nuk ishte ajo që unë prisja, pasi në opinionin tim jo vetëm si politikane por edhe si juriste, ai duhet të ishte mbi palët.

Ky është funksioni i Presidentit. Nuk mund të mbajë Presidenti qëndrime që dalin jashtë Kushtetutës. Lidhur me orientimet që i dha Parlamentit për votimet ose jo të dekretit të z.Xhafaj, i kapërcen kufijtë e qëndrimit që duhet të mbajë Presidenti.

Në ditët e sotme kushdo mund të bëhet "pis" nga debatet, sidomos kur je figurë publike. Parlamenti në këto vite ka ofruar modelin më të shëmtuar të të bërit politikë ku të gjithë shajnë, dhe njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë se kush është e vërteta", u shpreh ajo.

Xhafaj: E vërteta e akuzave për “torturat” në kohën e komunizmit

Posted: 20 Mar 2017 10:23 AM PDT

Fatmir Xhafaj, i emëruar nga Rama si ministri i ri i Brendshëm ka reaguar sot per here te pare ne lidhje me akuzat publike te leshuara ndaj tij per tortura ne kohen e Komunizmit.

JA DEKLARATA PUBLIKE E FATMIR XHAFES:

Kjo deklaratë nuk do të kishte qënë e nevojshme nëse gjatë ditëve të fundit, për shkak të detyrës që më ka besuar Kryeministri, mbi personin tim nuk do të kishte nisur një fushatë shpifjesh dhe balte. Të gjithë ata që më njohin personalisht mua dhe familjen time, por edhe të gjithë ata që me mua kanë patur thjesht një raport profesional, e kanë plotësisht të qartë se akuzat e ditëve të fundit janë vetëm shpifje të ulëta, të fabrikuara dhe pa asnjë lidhje me realitetin. Por, për shkak të rëndësisë së detyrës së re që më është ngarkuar, unë jam i detyruar të ndaj me çdo shqiptar të vërtetën time.

Unë jam i bindur se çdo person që përzgjidhet për të kryer detyrën e Ministrit të Brendshëm, ka detyrim përpara publikut, për të bërë transparencë të plotë mbi çdo aspekt të jetës së tij profesionale, personale apo familjare.

Por jam po ashtu i bindur se, në emër të së drejtës së opozitës për të informuar, askush nuk duhet të shtrembërojë, fabrikojë, apo falsifikojë fakte që lidhen me jetën dhe figurën e çdo qytetari, qoftë ky edhe kandidat për tu emëruar Ministër i Brendshëm.

Në vitin 1982 kam përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Tiranës. Në shtator të atij viti jam emëruar Këshilltar Ligjor pranë Zyrës së Ndihmës Juridike në Gjykatën e rrethit Krujë. Në maj 1983 jam zgjedhur gjyqtar në Gjykatën e rrethit Krujë. Në qershor 1984 krijohet për herë të parë organi i hetimit penal, si institucion i veçantë dhe i pavarur nga institucione të tjera, pjesë e organeve të sistemit të drejtësisë të asaj kohe pranë prokurorive të rretheve, tërësisht i ndarë nga organet e hetimit të Ministrisë së Brendëshme. Po atë vit, në qershor, më emëruan në punë pranë këtij organi. Në këtë periudhë prej një vit e gjysëm, (qershor 1984 – dhjetor 1985), kam kryer edhe stazhin gjashtëmujor në prodhim, pranë Ndërmarrjes Bujqësore Krujë. Në fund të vitit 1985 jam larguar përfundimisht nga puna në organet e sistemit të drejtësisë në moshën 26-vjeçare.

Sikurse del qartë nga këto fakte, asnjë ditë të jetës sime nuk kam shërbyer në strukturat e sistemit të Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe dhe as në organet e hetimit që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme.

Këto ditë, kam dëgjuar në media, gjëra absurde që nuk kanë të bëjnë fare me personin tim. Një shtetas shqiptar me banim jashtë atdheut pretendon me mesazhe e telefonata të porositura se në vitin 1986, e paskam dhunuar apo torturuar, vit në të cilin, unë nuk kam qënë fare në punë në organet e drejtësisë të asaj kohe. Në Janar të vitit 1986 kam filluar punë si drejtues i rinisë në Tiranë dhe ky fakt është i dokumentuar.

Ndërkohë, janë të pavërteta pretendimet e një zonje për dhunë ndaj saj dhe vëllait të saj në një proces penal të kohës. Sa unë jam në dijeni, kjo çështje penale është gykuar dhe përfunduar në fundin e vitit 1986, periudhë kur unë nuk isha më pjesë e sistemit të drejtësisë.

Të gjitha këto fakte të cilat jam i detyruar t'i ndaj sot me publikun, më bëjnë të ndihem i keqardhur për mënyrën se si dy individët që kanë ngritur akuza ndaj meje janë keqpërdorur nga porositësit e tyre. Dhe në të njëjtën kohë, jam i befasuar edhe nga mënyra që opozita ka zgjedhur për të përdorur historitë e dy emigrantëve, të cilët i ka kthyer në dëshmitarë të rremë, për të provuar një akuzë të rremë, në sallën e gjyqit të rremë të organizuar në selinë e re të Partisë Demokratike.

Për ata të cilët më njohin sado pak personalisht, por me siguri edhe për shumicën e opinonit publik që ndër vite është njohur me punën dhe qëndrimet e mia, do të ishte e panevojshme që sot të deklaroj se nuk kam ASNJË lidhje me sa pretendohet kundrejt meje.

Edhe pse në qytetin e Krujës unë dhe familja ime jetuam për shumë pak kohë, jemi pritur bujarisht dhe kemi gëzuar respekt. Banorët e Krujës dinë gjithashtu mirë edhe se çfarë përfaqësojnë personat apo rastet e sipërpërmendura.

Dëshiroj të jem i qartë dhe i sinqertë me të gjithë : natyra ime si person, edukimi im familjar dhe ai profesional, i gjithë formimi im në tërësi, nuk ka patur, nuk ka dhe kurrë nuk do të ketë ASNJË lidhje me dhunën e çfarëdo lloji qoftë ajo. Gjithçka ëshë thënë e komentuar këto ditë, janë thjesht SHPIFJE të ulëta në funksion të fushatës politike të ndërmarrë kundër meje.

Më thellon keqardhjen edhe fakti se kryetari i ri i partisë më të madhe opozitare, ripërtyp në publik akuza e shpifje të moçme të shefit të tij politik, në adresë të familjarëve të mi. Këto akuza e shpifje i kanë kaluar të pesëmbëdhjetë vjetët dhe e kanë marrë përgjigjen më shumë se një herë. Ato riaktivizohen sa herë më besohet një detyrë me rëndësi, njësoj si herën e fundit gjatë kryerjes së funksionit të kryetarit të komisionit parlamentar të Reformës në Drejtësi. I kujtoj liderit të Partisë Demokratike dhe i mësoj kryetarit aktual të saj, se në tetor 2010 kam bërë një deklaratë në Parlament lidhur me baltën e hedhur në mënyrë sistematike ndaj meje dhe e kam ftuar publikisht qeverinë apo grupin parlamentar të Sali Berishës të hetojë për çështjen në fjalë dhe akuzat lidhur me personin tim.

E kam ditur atëherë, sikurse e di edhe sot, se për kundërshtarët e mi akuzat e tyre publike janë pjesë e lojës së ulët politike. Sa herë flasin me mua në Parlament, sigurisht në ambiente pa kamera, më thonë se nuk duhet t'i marrë seriozisht e as të shqetësohem, pasi në fund të fundit kjo është politika. Parimi makiavelik sipas të cilit "qëllimi justifikon mjetin" qëndron në themel të propagandës së Partisë Demokratike.

Pavarësisht se jam i bindur se kjo deklaratë dhe këto sqarime të miat nuk kanë për të ndryshuar mendjen, e aq më pak metodat e punës, së atyre që nuk ngurojnë të luajnë këtë lojë të dëmshme për vendin, unë zgjodha të jem transparent me publikun.

Thellë thellë, besoj se ka vetëm një mënyrë shterruese që unë t'i përgjigjem kësaj ofensive të çartur balte. Të bëj vetëm atë që unë di të bëj më mirë. Të punoj me ndershmëri e profesionalizëm çdo ditë në shërbim të vendit tim, në respekt të kushtetutës, ligjeve dhe njerëzve. Të kryej detyrën që më është besuar me pasion qytetar dhe vendosmëri të plotë, për të çuar përpara përpjekjen e madhe që është bërë në këto tre vite, për të kthyer Policinë e Shtetit në krye të detyrës, në shërbim të qytetarëve.

Koha është vlerësuesi që nuk gabon kurrë !

FATMIR XHAFA

Lulzim Basha braktis çadrën, niset drejt SHBA

Posted: 20 Mar 2017 10:17 AM PDT

Pas deklaratave të prera të kryeministrit Edi Rama se do të hyjë me ose pa opozitën në zgjedhje me 18 qershor, Lulzim Basha bën një lëvizje të papritur.

Kreu i PD-së niset nesër drejt SHBA-ve ku do të qëndrojë disa ditë, gjatë të cilave do të takohet me zyrtare të lartë amerikanë dhe më 27 mars do të marrë pjesë në një samit.

Mësohet se në fokus të takimeve do të jetë situata politike në vend si dhe protesta e opozitës që prej një muaji është duke u zhvilluar fiks para zyrës së Ramës ku është instaluar 'Çadra e Lirisë'.

Nuk dihet se kujt do ia lërë Basha drejtimin e opozitës, pasi çdo ditë lideri i PD-së mban fjalime përpasa protestuesve në çadrën e ngritur në bulevard.

Rama zbardh kulisat: “Nishani e dekretoi Xhafajn nën presionin e ndërkombëtarëve”

Posted: 20 Mar 2017 09:15 AM PDT

Kryeministri Edi Rama mblodhi sot kryesinë socialiste ku foli në fillim për zgjedhjen e ministrave të rinj.

Në të njëjtin moment, presidenti dekretoi emërimin e 4 ministrave të rinj, pavarësisht rezervave që ai shfaqi një ditë më parë për figurën e Fatmir Xhafajt.

Mbledhja ka zgjatur rreth 1 orë dhe mësohet se është thirrur nga kryetari Rama sapo kreu i shtetit lajmëroi konferencën për shtyp një natë më parë.

Lidhur me konferencën e së dielës të Nishanit, mësohet se Rama ka informuar kryesinë me faktin se kandidatura e Fatmir Xhafajt gëzon mbështetje të plotë të partnerëve strategjikë të Shqipërisë.

Pa dhënë detaje, Rama ka lënë të kuptohet se presidenti i Republikës është tërhequr nga plani i rrëzimit të dekretit për ministrin e Brendshëm nën presionin e partnerëve, raporton Top Channel.

Pjesa tjetër e mbledhjes është fokusuar tek organizimi elektoral dhe intensifikimi i komunikimit me zgjedhësit në çdo qark.

Qeveria teknike dhe shtyrja e zgjedhjeve nuk janë opsione për PS, ka thënë më tej Rama, duke ripërsëritur se PS do të futet në zgjedhje edhe sikur të gjitha partitë e tjera të mos e bëjnë një gjë të tillë. Një mesazh ky, jo vetëm për kërcënimet për bojkot nga opozita, por edhe për aleatin më të afërt në koalicion, LSI.

Por po ashtu, kreu i qeverisë ka rishprehur bindjen se asnjë parti nuk do t'i bojkotojë zgjedhjet dhe se PD po humbet kohë kot, duke djegur edhe afatet për dialog në funksion të përmirësimit të standardeve zgjedhore.

Sipas burimeve nga Kryesia, as Edi Rama dhe as të pranishmit e tjerë nuk e kanë përmendur fare LSI-në gjatë mbledhjes.

Ndalimi i filmave, regjisori Saimir Kumbaro: Po na trajtojnë si kriminelë

Posted: 20 Mar 2017 08:51 AM PDT

Të ndalohen, të kufizohen apo të shfaqen të shoqëruar me një bisedë paraprake, ku të shpjegohet konteksti e qëllimi. Shfaqja e filmave të realizuar gjatë viteve të komunizmit ka ndezur së fundmi një debat mbi mënyrën se si duhen shfaqur ata. Për kundër atyre që mendojnë se filmat e komunizmit, që kanë shërbyer si propagandë e pastër e kohës, nxisin urrejtje te brezi i ri dhe i edukojnë keq ata, regjisori Saimir Kumbaro thotë se të rinjtë e sotëm as duan t'ia dinë për ideologjinë, por i pëlqejnë shumë ata.

Në vijim të këtij debati, Kumbaro, firmën e të cilit mbajnë 12 filma artistikë, ofron variantin e tij si krijues për mënyrën e "trajtimit" të kësaj pasurie filmike të para viteve '90.

Këto ditë është hapur një debat mbi filmat e realizuar gjatë viteve të diktaturës. Është hedhur propozimi që shfaqja e tyre të kufizohet, për shkak se shumica prej tyre kanë përmbajtje ideologjike. Ç'mendoni për të gjithë këtë debat?

E gjithë kjo fushatë mua më duket një fyerje. Nuk mund të fyesh të gjithë ata krijues që i kanë bërë këta filma me mund. Mund të ketë ndonjë film "problematik", siç i quajnë, më së shumti dokumentarë, që i japin disa kanale televizive, që i kanë marrë pa lekë, por edhe në këto raste thirren krijuesit, regjisori e skenaristi e pyeten se si është realizuar ky film, në çfarë konteksti, cili ishte mesazhi që doje të përcillje etj.

Po na trajtojnë si armiq dhe po na duket vetja si pjesë e procesit të dekriminalizimit, por ne nuk kemi bërë asnjë krim. Çfarë krimi paskam bërë unë që kam realizuar filmin "Rrethimi i vogël" apo "Koncert në vitin '36"?! Këtu nuk kanë kërkuar ndjesë udhëheqësit në diktaturë, ndërkohë po na trajtojnë ne si kriminelë.

A mund të ngrihet një komision vlerësues për këto krijime, siç edhe është hedhur si ide?

Komision? Kush janë këta zotërinj, këta profesionistë që nuk i njohim, që do të vlerë- sojnë se cili film bën e cili nuk bën, cili është i mirë dhe cili është i keq. Këtë duhet ta bëjnë kritikët e filmit, por ne nuk kemi të tillë. Filmi është një krijim shumëplanësh, ndaj i thonë edhe arti i shtatë, pasi përfshin në të shumë lloje artesh dhe nuk mund të vlerësohet aq thjesht sa pretendojnë këta.

Por s'mund ta mohojmë se kanë përmbajtje ideologjike…

Ideologjia dhe propaganda ishte pjesë e kohës. Nuk kishe mundësi zgjedhjeje, por duhet thënë se ideologjinë e bën ai që të jep lekët. Sot, një producent amerikan të jep lekët dhe të thotë që filmin do ta bësh si dua unë. Asokohe, producent dhe financues ne kishim Partinë e Punës, ai të thoshte urdhëro miellin, me këtë do të bësh bukën.

Po a ka mes tyre nga ata që duhen ndaluar apo kufizuar në shfaqje apo komentuar…?

Po, ka filma "problematikë", sidomos ata dokumentarë ku paraqitet Enveri si Krishti, si shpëtimtari i kombit. Këta filma duhet të jenë pjesë e arkivit dhe duhet të trajtohen si të tillë. Ata duhet të shoqërohen me shpjegimet dhe komentet përkatëse, duke dhënë informacion për kohën kur janë realizuar, mbahet edhe një qëndrim, por nuk mund të shfaqen vetëm me komentin e vitit '80 apo më herët. Këto prodhime duhet të trajtohen si në të gjithë botën. Le të marrim rastin e Gjermanisë, që shfaq dokumentarët për Hitlerin. Edhe filmat tanë, sidomos ata dokumentarë, për të cilët fola më sipër, mund të shoqërohen me një bisedë me realizuesit e tyre, që të tregojnë historinë e krijimit, kontekstin në të cilin janë krijuar.

A mendoni se shfaqja e dendur e këtyre filmave mund të ndikojë në edukimin e brezit të ri?

Mund të shërbejë sërish si propagandë? Rinia nuk do t'ia dijë fare për propagandën. Kam pyetur unë qindra vetë dhe as u intereson ana ideologjike. Veçanërisht fëmijët e diasporës lënë kokën për filmat shqiptarë, sidomos për shkak të gjuhës. Personalisht kam qenë partizan i idesë që këta filma të kufizohen, mos të jepen kaq shumë, por edhe kjo është e pamundur, në gjithë Shqipërinë ka 70 televizione që japin pa fund këta filma. Askush nuk ka të drejtë t'i ndalojë. Jemi në demokraci dhe kushdo t'i shohë e kushdo jo. Në asnjë vend të Lindjes nuk janë ndaluar filmat.

Nëse kjo do të ndodhte, a ju cenon juve kjo nismë?

E dini? Unë nuk kam asnjë përfitim nga shfaqja e këtyre filmave. Kam realizuar 12 syresh dhe marr vetëm 1 milion lekë të vjetër në vit për të gjithë. Unë duhet të paguhem 50 mijë lekë të vjetër për një projeksion. Do të ishte mirë sikur të m'i jepnin ato para. Por filmi jepet 20 herë dhe unë paguhem për vetëm një projeksion. Kjo është vjedhje dhe kjo është çështja që është ngritur e me të cilën duhet të merren./Panorama

Dorëzohet Ventura: Shqiptarët do të mbushin edhe tribunat e Palermos

Posted: 20 Mar 2017 08:33 AM PDT

Duket se taktika për të dërguar Italinë në Palermo në mënyrë që të mbahen larg tifozët shqiptarë nuk do të funksionojë.

Për këtë është i ndërgjegjshëm edhe trajneri Xhampiero Ventura i cili e merr si të mirëqenë faktin se do të ketë mbipopullim kuqezi në tribuna.

"Deri më sot nuk kam ndikuar asnjëherë mbi zgjedhjen e fushave ku mund të shkojmë të luajmë. Por isha i pranishëm në Xhenova për miqësoren kundër Shqipërisë dhe më bëri shumë përshtypje prania masive e shqiptarëve. Isha edhe në Marsejë për Europianin dhe tre të katërtat e stadiumit ishin shqiptare… kundër Francës.

E marr të mirëqenë që do të mbushin edhe tribunat e Palermos, por edhe kjo është e bukur, pasi do të jetë një ndeshje historike për ta. Por Palermo nuk ka zhgënjyer asnjëherë nga pikëpamja e publikut, i cili ka qenë gjithmonë pranë Kombëtares, gjithmonë i ngrohtë me të, ndaj uroj që të jetë kështu edhe këtë radhë", deklaroi ai.

Për Venturën, kjo ndeshje është e një rëndësie të veçantë në optikën e kualifikimit të mëtejshëm.

Asnjë nënvlerësim apo shpërqendrim ndaj skuadrës së De Biasit.

69-vjeçari paralajmëron se Italia e tij mund të bëjë surprizën në Rusi 2018, sigurisht nëse kualifikohet.

"Kjo ndeshje me Shqipërinë na jep mundësinë që të shkojmë në Spanjë për të tentuar vendin e parë. Rezultati është shumë i rëndësishëm, por unë jam shumë i qetë dhe e kam qartë se është një takim delikat. Kemi grumbulluar shumë të rinj, për të ndërtuar një kombëtare të fortë. Problemi më i madh është kualifikimi. Nëse arrijmë të kualifikohemi, Italia mund të bëjë surprizën e madhe."

Ventura ndër të tjera theksoi se drejton një skuadër që kërkon t'i bëjë krenarë të gjithë italianët, ndërsa për grumbullimin e disa të rinjve, siç është portieri i tretë Meret, trajneri veteran sqaroi se po mendon edhe për të ardhmen dhe thjesht për kualifikimin e Italisë në Botëror.

Lajmi i keq në ditën e parë të grumbullimit të Italisë është mbetja jashtë listës e Gabiadinit, i dëmtuar në sfidën mes Southamptonit dhe Totenhamit. Në vend të 25-vjeçarit Ventura ka thirrur Petagnan e Atalantës.

Almeda dhe ‘Çenari’ nën ritmet e “Bonbon”: Kjo është për ty Shqipëri

Posted: 20 Mar 2017 07:45 AM PDT

Almeda Abazi dhe Tolgahan Sayisman janë ndër çiftet më të përfolura kohët e fundit.

Përmes postimeve në rrjetet sociale, dy yjet kanë treguar se po e dëgjojnë hitin e Era Istrefit, "Bon bon", transmeton Indeksonline.

"Kjo shkon për ty Shqipëri", ka qenë mbishkrimi i Almedës me etiketim Era Istrefin. Fotografitë janë shoqëruar edhe me 'emocionin' e flamurit kombëtar.

Bukuroshja shqiptare, e cila po bën karrierë si modele dhe aktore ne Turqi, muaj më parë e ka kurorëzuar me martesë dashurinë me aktorin e famshëm turk.

Çifti u martua në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pikërisht në ditëlindjen e Almedes.

“E bukura dhe bisha”, historia e vërtetë e përallës së famshme, çifti i vërtetë nuk pati fund të lumtur

Posted: 20 Mar 2017 07:32 AM PDT

Historia e përjetshme e Disney "E bukura dhe bisha" mori sërish jetë këtë vit falë Emma Ëatson dhe Dan Stevens. Por e dini që historia e tyre magjike nuk është rezultat i fantazisë së një personi? Ajo bazohet në një histori të vertetë, e cila vërteton se bukuria fshihet thellë brenda nesh.

Pedro Gonzalez u lind në Tenerife të Spanjës në vitin 1537, por nuk u rrit si fëmijët e tjerë, me pamje normale. Ai kishte një shtresë të leshtë në të gjithë trupin dhe fytyrën duke krijuar përshtypjen e një burri të egër, një krijese nga mitologjia e Evropës së mesjetës që ishte gjysmë njeri dhe gjysmë kafshë. Të gjithë besonin se ai shndërrohej në një krijesë të egër gjatë natës, nga ata që hanin edhe fëmijë.

Historia e tij filloi me kurorëzimin e mbretit Enrico II të Francës në mes të shekullit të 16-të, kur ai iu dha si dhuratë mbretit. Prania e tij krijoi entusiazëm tek të pranishmit. Pedro u mbajt i mbyllur në bodrumin e kështjellës.

Ndërkohë që e mbanin të mbyllur në bodrum e vizitonin shpesh doktorë dhe shkencëratë që dëshironin të vërtetonin se ai nuk ishte njeri i egër. Në realitet ishte një djalosh 10-vjeçar me shumë qime, një sëmundje që sot njihet si hipertrikoza kongjenitale. Fenomeni që ndodhte në trupin e tij njhej ndryshe edhe si “sindroma e njeriut ujk” dhe gjatë mesjetës u shfaq në rreth 50 veta. Pedro ishte i pari.

Në atë kohë, njerëzit me çrregullime trupore konsideroheshin më shumë si simbole pasurie dhe jo si qenie njerëzore. Për shkak të gjendjes së tij, mbreti e pa Pedon si një trofe. Për të provuar se si ai do të reagonte e shkolloi si të gjithë të tjerët dhe i lejoi që të mbante versionin latin të emrit të tij Petrus Gonsalvus. Pedro mësonte shumë shpejt. Pasi mësoi tre gjuhë dhe filloi punë në gjykatë.

Në vitin 1559, mbreti Enrico II u nda nga jeta për shkak të një goditjeje dhe la pas gruan e tij Catherine de Medici. Ajo dëshironte të zbulonte nëse do të lindeshin të tjerë si Pedro nëse e martonte atë dhe bënte fëmijë. Ndaj vendosi ta martonte me një vajzë të bukur që mbante emrin e saj, vajzën e një nënpunësi të gjukatës. Çifti u takua për herë të parë ditën e dasmës. Nuk janë bërë të njohura shumë detaje nga dita e dasmë dhe nga martesa e tyre, por thashethemet që doktorët e mbretëreshës i vëzhguan gjatë natës së tyre të parë qëndrojnë ende. Ata dëshironin të shikonin nëse Pedro të të shndërrohej në përbindësh gjatë natës dhe nëse bukuroshja do ia dilte. Duke i surprizuar të gjithë, bukuroshja u dashura me "bishën" dhe ata kishin një martesë të lumtur. Mbretëresha u dëshpërua kur dy fëmijët e tyre të parë nuk kishin trashëguar lëkurën e leshtë të të atit. Por u gëzua kur dy djemtë dhe tre vajzat e tjera trashëguan sindromën e të atit. Pedro dhe Catherine kishin gjithsej shtatë fëmijë, pesë prej të cilëve me “sindromën e njeriut ujk”.

Familja e tyre u bë shumë e njohur dhe mund të udhëtonte në të gjithë Evropën, ashtu si fisnikët e tjerë. Ata vendosën të qëndronin në Spanjë, atje ku kishin mbështetjen e Dukës së Parmës. Fëmijët e tyre me “sindromën e njeriut ujk” u dhanë si dhuratë në familje të ndryshme. Nuk ishte e lehtë nga familja të ndahej prej tyre, por nuk kishin zgjidhje tjetër. Pedro dhe Chatherine përfundian në liqenin Bolsena të Italisë, atje ku kaluan vitet e fundit të jetës. Pedro u nda nga jeta në vitin 1617, ndërsa e shoqja jetoi deri në vitin 1623.

I dhimbshëm është fakti që pavarësisht se Pedro ishte një njeri i sjellshëm dhe i butë gjatë gjithë jetës së tij, iu refuzua shtrati i vdekjes dhe varrimi në dhé të shenjtë, për shkak të paraqitjes. Deri në fund të jetës, atë e trajtuan më shumë si kafshë sesa si njeri.

Fatkeqësiht historia e vërtetë e të bukurës dhe bishës nuk kishte fund përrallor…

El Pais: Shqipëria xhungla e rrezikshme e operacioneve estetike

Posted: 20 Mar 2017 07:19 AM PDT

E përditshmja spanjolle 'El Pais' ka lëshuar alarmin sa u përket ndërhyrjeve estetike në Shqipëri për shkak të mungesës së infrastrukturës shëndetësore dhe legjislacionit të munguar. Nuk mungojnë as paralajmërimet e italianëve…

Turizmi estetik dhe dentar në Ballkan është tashmë një fenomen i konsoliduar. Tarifat e ulëta të shërbimit që ofrojnë kryeqendrat e Europës Lindore, kanë filluar të tërheqin vëmendjen e shumë personave.

Por, e përditshmja spanjolle 'El Pais' ka lëshuar alarmin sa u përket ndërhyrjeve estetike në Shqipëri për shkak të mungesës së infrastrukturës shëndetësore dhe legjislacionit të munguar. Shkrimi është ripublikuar në shkurt edhe në mediat italiane.

Maria Antonia Sanchez Villejo e 'El Pais' shkruan se ka raste kur ndërhyrjet mund të kenë pasoja të rënda shëndetësore.

Ajo shkruan se viktimat e para janë vetë shqiptarët, të rinjtë mes 20-30 vjeç, të cilat pas ndërhyrjeve vuajnë efektet anësore, siç janë: temperatura, shenjat, endemitë, paralizat faciale etj. Bëhet fjalë për dëme të pariparueshme. "Numri është kaq i lartë sa mund të flitet për epidemi", shkruan 'El Pais'.

Shkaqet

Pasojat, shkruan e përditshmja spanjolle, më së shumti shkaktohen nga përdorimi i tepruar i filler (substancë mbushëse për lëkurën), një pjesë e të cilave janë të ndaluara në vendet e Bashkimit Europian, si Italia apo edhe Franca.

Në Shqipëri, çmimi i trajtimeve të vogla estetike si shtimi i volumit të buzës apo edhe i mollëzave kushton rreth 50 euro.

Në vende të tjera, një seancë e vetme kushton nga 300-600 euro. Por, çmimet ndryshojnë nga pjesa e fytyrës ku bëhet ndërhyrja dhe nga filler-i që përzgjidhet.

Legjislacioni

Por ajo që ndikon tek ky fenomen, shkruan 'El Pais', ka të bëjë edhe me boshllëkun legjislativ, ndërsa së fundmi po parashikohet edhe rregullimi sipas normativës së BE-së.

Vallejo, shkruan se në Tiranë nuk mungojnë edhe ofertat promocionale të tipit "Sill 3 shoqe dhe do të kesh zbritje me 30%", përfundon artikulli i 'El Pais'.

Më herët ishte një artikulli i përbashkët i 'EurActiv.com' me AFP, që jepte alarmin se sallonet e bukurisë në Shqipëri, që nuk kanë ekspertizë dhe mbikëqyrje mjekësore, janë duke ofruar shërbime kozmetike të rrezikshme. Të parregulluara ligjërisht dhe me vakum ligjor, ato po alarmojnë mjekët profesionistë, sipas artikullit.

Blogjet italiane: Shqipëria, xhungla e ndërhyrjeve estetike

Edhe blogjet dhe mediat profesionale italiane shkruajnë se Shqipëria është xhungla e ndërhyrjeve estetike. Mjekët japin alarmin se po shtohen qendra të tilla, pa kontrollin e duhur.

Në fillim të shkurtit, blogu italian 'youmedia.fanpage.it' shkruan se problemi, që po e denoncojnë shumë mjekë, është se është përhapur një zakon i keq për të marrë ekspertë të dyshuar nga Turqia, Greqia dhe vende të tjera për edhe një fundjavë për të kryer këto trajtime të rrezikshme.

"Në Shqipëri, gjithnjë e më shumë vajza të reja po kryejnë ndërhyrje estetike. Faktorë janë tendenca e pandalshme për të ndarë fotot dhe selfie në rrjetet sociale, me dëshirën për të dalë bukur, si dhe çmimet dhe zbritjet që ofrojnë gjithnjë e më shumë Sallonet e Bukurisë dhe Estetikës. Ndërhyrjet e vogla për të përmirësuar pamjen duket se po pësojnë një bum të vërtetë, duke ngritur shqetësimin te mjekët për mungesën totale të rregullave dhe kontrolleve të sakta në këto struktura", thuhet në kronikën e realizuar nga blogu italian.

 

 

 

 

Shqipëria konkurron me çmimet, por…

Shqipëria konsiderohet si një vend tërheqës për turizmin mjekësor dhe atë estetik për shkak të tarifave të ulëta që aplikohen.

Kështu sipas të dhënave të mbledhura nga 'Monitor', rinoplastika  kushton më shtrenjtë në SHBA  me rreth 5,000-15,000 dollarë, e ndjekur nga Anglia me rreth 7,400 dollarë, Franca me rreth 6,300 dollarë, por edhe Belgjika me rreth 6,000 dollarë.

Në Shqipëri, operacionet plastike në hundë kushtojnë nga 1,000 – 1,500 euro. Në Çeki ky çmim llogaritet në rreth 2,500 euro, ndërsa në Itali nga rreth 2,400 euro në 3,500 euro.

Ashtu si në rastin e turizmit dentar, Shqipëria është konkurrente me çmimet, por rreziku i këtyre ndërhyrjeve dhe mungesa e kontrollit po bëjnë që mediat e vendeve të BE-së të paralajmërojnë qytetarët e tyre për dëmet e pariparueshme që mund t'u kanosen. /Monitor/

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more