RTSH: “Maqedoni; Ivanov flet për herë të parë për zgjedhjet e reja” plus 9 more |
- Maqedoni; Ivanov flet për herë të parë për zgjedhjet e reja
- PS synon 71 deputetë në zgjedhjet e 18 qershorit
- Kryeministrja May njofton BE-në për daljen e Britanise prej saj
- Raporti i OKB-së për Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë
- Paris; Alarm për bombë
- Basha: Qeveria Rama drejt rrëzimit!
- Meta: Fuqizimi i gruas do të thotë fuqizim i familjes
- Sport; Kategoria e parë sot në TVSH
- Partia Socialiste do të mbajë kongresin e saj zgjedhor në prill
- Shtëpia e Bardhë, shtohet siguria pas arrestimit të një personi
Maqedoni; Ivanov flet për herë të parë për zgjedhjet e reja Posted: 20 Mar 2017 07:21 AM PDT Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka folur për herë të parë për mundësinë e mbajtjes se zgjedhjeve te reja si një rrugë për daljen nga kriza politike dhe institucionale që e ka lënë vendin për më shumë se tre muaj pa qeveri. Në drejtim të tij po bëhen apele nga komuniteti ndërkombëtar për dhënien e mandatit kreut te LSDM-se Zoran Zaev, i cili ka dëshmuar se ka shumicën parlamentare. Ivanov nga Hungaria, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, i është bashkuar linjës se VMRO-DPMNE-se. Sipas tij, në këto zgjedhje, qytetarët do të deklarohen dhe mbajnë qëndrim për të gjitha çështjet që dolën në periudhën pas-zgjedhore, duke iu referuar kështu platformës se partive shqiptare. Ne lidhje me këtë, Ivanov ka ritheksuar se ishte ky dokument qe thelloi krizën politike dhe se ai është bërë pengesë për krijimin e qeverise së re. "Si president nuk mundem dhe nuk do të lejoj që dikush të beje pazar me Kushtetutën dhe interesat shtetërore të Maqedonisë dhe të luajë me ndjenjat e qytetarëve të Maqedonisë. Mendoj se mbajtja e zgjedhjeve te tjera është një nga opsionet e mundshme pë zgjidhjen e këtij ngërçi." Lidhur me mosdhënien e mandatit për Qeverinë e re liderit të LSDM-së Zoran Zaev, Ivanov ka theksuar se problem ka qenë afati kur janë dorëzuar firmat si argument për shumicë parlamentare dhe fakti se Zaevi nuk ka hequr dorë nga Platforma shqiptare. |
PS synon 71 deputetë në zgjedhjet e 18 qershorit Posted: 20 Mar 2017 07:16 AM PDT Kreu i PS-së njëherësh dhe kryeministri Edi Rama, u kërkoi deputetëve dhe strukturave të partisë rezultat më të lartë në zgjedhjet e 18 qershorit, krahasuar me ato të katër viteve më parë kur socialistët erdhën në pushtet pas tetë viteve në opozitë. Zoti Rama ka zhvilluar të hënën një mbledhje të kryesisë së PS dhe më pas me grupin e saj parlamentar. Burimet të besueshme thanë për RTSH-në, se zoti Rama pret që në këto zgjedhje, PS të mund të arrijë shumicën e thjeshtë të 71 mandateve, duke i dhënë vetes mundësi të mos kushtëzohet nga partitë e tjera në formimin e qeverisë së ardhshme. |
Kryeministrja May njofton BE-në për daljen e Britanise prej saj Posted: 20 Mar 2017 07:09 AM PDT Kryeministrja britanike, Theresa May do të njoftojë zyrtarisht Bashkimin Europian gjatë së mërkurës së ardhshme, se Britania e Madhe do të nisë procesin e largimit nga blloku 28-anëtarësh. "Downing Street" njoftoi këtë të hënë se kryetarja e ekzekutivit britanik do t'u shkruajë një letër 27 krerëve të tjerë të BE-së, duke shtuar edhe pritshmërinë e saj se negociatat do të nisin sa më shpejt të jetë e mundur që pas aktivizimit të "nenit 50" të Traktatit të Lisbonës. Kjo lëvizje e Britanisë vjen 9 muaj pasi britanikët në tërësi votuan me 51.9% në favor të shkëputjes nga BE-ja në referendumin e qershorit të vitit të kaluar. Bisedimet mbi kushtet e largimit dhe marrëdhënieve të ardhshme dypalëshe nuk lejohen të zhvillohen tashmë për shkak të "nenit 50", por mund të nisin vetëm pasi Britania e Madhe të njoftojë BE-në se do të largohet. Nëse gjithçka shkon sipas udhërrëfyesit zyrtar të përcaktuar për negociata dyvjeçare, "Brexit" mund të bëhet realitet në mars të vitit 2019. Zëdhënësi shtoi se qeveria britanike dëshiron që negociatat të nisin sa më shpejt të jetë e mundur, por shtoi se "mirëkuptojnë tërësisht se, është e drejta e 27 vendeve të tjera anëtare të BE-së që të marrin kohën e mjaftueshme për të rakorduar pozicionet e tyre". |
Raporti i OKB-së për Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë Posted: 20 Mar 2017 07:01 AM PDT 20 Marsi është dita e fundit e stinës së dimrit e po ashtu cilësohet si Dita Botërore e Lumturisë. Në këtë ditë u publikua edhe raporti i vitit 2017 lidhur me vendet më të lumtura në botë. Në vendin e parë sa i përket cilësisë së jetës dhe mirëqënies së qytetarëve renditet Norvegjia. Janë pikërisht vendet e Europës Veriore që konfirmohen si shtetet më të lumtura ndërsa vendet e Afrikës së bashku me Sirinë dhe Jemenin janë vendet ku jetohet më keq. Në listën e përbërë nga 155 shtete vendi ynë renditet i 109 i ndjekur nga Bangladeshi, Namibia, Kenia dhe Mozambik. Sa i përket rajonit tonë Kosova renditet në vendin e 78, Mali i Zi në vendin e 83, Greqia në vendin e 87,Maqedonia në vendin e 92. "Vendet e lumtura janë ato shtete që kanë një ekuilibër mes prosperitetit dhe kapitalit social që nënkupton një besim të lartë te shoqëria dhe besim te qeveria', shprehet Xhefri Saks këshilltar i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Në 10 vendet e para janë Norvegjia, Danimarka, Islanda, Zvicra, Finlanda, Kanadaja, Zelanda e Re, Australia dhe Suedia. Në fund të listës renditen, Sudani Jugor, Guinea, Ruanda, Tanzania, Burundi etj. Ndërsa sa i përket shteteve të mëdha europiane renditet në vendin e 16 Gjermania e ndjekur nga Britania në vendin e 19 dhe Franca në vendin e 31. Ndërsa SHBA janë në vendin e 14. Një klasifikim i tillë i cili tregon se cilat shtetet janë më të lumtura bazohet në 7 faktorë: prodhimi i brendshëm bruto, shpresat për jetën, liria, zemërgjerësia ndaj qytetarëve, mbështetja sociale dhe niveli i korrupsionit në qeveri dhe biznes. Madje hartuesit e raportit shpresojnë që shumë shtete të ndjekin shembullin e Emirateve të Bashkuara të cilët kanë edhe një ministër të Lumturisë. |
Posted: 20 Mar 2017 06:48 AM PDT Një alarm për bombë ka tronditur kryeqytetin francez. Zyra e prokurorit të financave në Paris është evakuuar për shkak të një alarmi për bombë. Një zyrtar i policisë tha se ekspertët e eksplozivëve kanë rrethuar qendrën e Parisit. Policia është në kërkim për eksploziv në selinë e prokurorit financiar pas një kërcënimi në telefon. Zëdhënësja e prokurorisë tha se punonjësit presin jashtë ndërtesës, ndërkohë që kërkimi vazhdon. Franca mbetet në gjendje të jashtëzakonshme, pas një sërë sulmesh terroriste që kane lënë qindra viktima. |
Basha: Qeveria Rama drejt rrëzimit! Posted: 20 Mar 2017 06:40 AM PDT Partia Demokratike nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve pa u garantuar vota e lirë, përmes krijimit të një qeverie teknike. Kjo është përgjigja që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i dha deklaratave të kryeministrit, i cili u shpreh të dielën se nuk do të ketë qeveri teknike dhe se zgjedhjet do të zhvillohen në datën e përcaktuar, në 18 qershor, pavarësisht nese opozita merr apo jo pjesë në to. “Fitorja e Shqipërisë europiane, republika e re që do të themelohet mbi votën e lirë të çdo qytetari shqiptar, zgjedhje pa garantuar votën e lirë ne nuk do të lejojmë. Nuk do të ketë zgjedhje fasadë. Ndaj bëji derman vetes, bëhu i zgjuar, jep dorëheqjen, hape rrugën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme” ju drejtua zoti Basha kryeministrit Rama. |
Meta: Fuqizimi i gruas do të thotë fuqizim i familjes Posted: 20 Mar 2017 06:24 AM PDT Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me strukturat e Lëvizjes së Gruas për Integrim të qytetit të Lushnjes. Në fjalën përshëndetëse të mbajtur gjatë këtij takimi zoti Meta tha se fuqizimi i gruas do të thotë fuqizim i familjes dhe se kjo është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë të tronditur gjatë këtyre 26 viteve nga trauma të mëdha sociale. |
Sport; Kategoria e parë sot në TVSH Posted: 20 Mar 2017 04:44 AM PDT Kategoria e Parë, e cila i ka luajtur të shtunën dy ndeshjet e para të javës së saj të 20-të, që është në fakt java e dytë e fazës së 3-të, ka vijuar të dielën me një tjetër takim. Bëhet fjalë për ndeshjen midis Lushnjës dhe Shkumbinit, u luajt pasdreke në Stadiumin "Roza Haxhiu" dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Vendasit fituan me shifrat 3-1 dhe kanë rimarrë kreun e renditjes së grupit B, me 26 pikë, dy më tepër sesa Bylisi, që mundi dje në Ballsh Tomorin me rezultatin 2-0. Ndërkohë, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë sot edhe takimin e fundit të javës së 20-të të Kategorisë së Parë, atë midis Besëlidhjes dhe Burrelit. Kjo ndeshje, që luhet duke nisur nga ora 14:00, është e vlefshme për grupin A. Lezhjanët mbajnë vendin e dytë në renditje, me 23 pikë dhe do të synojnë të shkurtojnë hendekun prej 5 pikësh që i ndaj nga Kamza kryesuese. Ndërkohë, Burreli renditet i fundit në minigrupin e betejës për titull, me 13 pikë. |
Partia Socialiste do të mbajë kongresin e saj zgjedhor në prill Posted: 20 Mar 2017 04:35 AM PDT Kryetari i Partisë Socialiste Ed Rama vendosi të mbledhë në muajin prill kongresin zgjedhor. Këtë zoti Rama ja bëri të ditur kryesisë së PS gjatë një mbledhjeje të mbajtur të hënën. Në këtë kongres do të prezantohet programi me të cilin socialistët do të shkojnë në zgjedhjet e përgjthshme të 18 qershorit, si dhe lista e kandidatëve për deputetë. Data e zhvillimit të kongresit do të vendoset nga Asambleja e PS e cila do të mblidhet në 2 prill, por ka shumë mundësi që ajo të jetë 29 prilli. Ndërkohë sot Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve regjistroi Partinë Socialiste si subjekt zgjedhor. |
Shtëpia e Bardhë, shtohet siguria pas arrestimit të një personi Posted: 20 Mar 2017 04:03 AM PDT Shërbimi sekret amerikan ka përforcuar përpjekjet e sigurisë pasi një person hyri me makinë deri tek një pikë kontrolli në Shtëpinë e Bardhë të shtunën në mbrëmje dhe tha se kishte një bombë. Zyrtarët thonë se shoferi u arrestua menjëherë dhe automjeti iu bllokua. Një zëdhënës i Shërbimit Sekret tha se është ndërmarrë një "hetim penal". Nuk ishte menjëherë e qartë nëse personi kishte vërtet bombë në makinë. Presidenti Donald Trump nuk ishte në Shtëpinë e Bardhë. Ai kaloi fundjavën në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, fundjava e tij e pestë atje që kur mori detyrën më 20 janar. Incidenti ndodhi vetëm pak orë pasi Shërbimi Sekret kapi një person që hyri në perimetrin e sigurisë së Shtëpisë së Bardhë. Sipas njoftimeve, oficerët e Shërbimit Sekret mennjëherë e kapën dhe arrestuan personin. Më 10 mars, një burrë nga Kalifornia përshkoi tre barriera rreth Shtëpisë së Bardhë, dhe ia doli të mos kapej për mbi 15 minuta para se të kapej pranë një dere që çonte në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë në ato moment. |
You are subscribed to email updates from RTSH-Radio Televizioni Shqiptar. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |
Lexo edhe: