Skip to main content

“Veteranja e UÇK-së dokumenton krimet e luftës përmes fotografive (Video)” plus 9 more Telegrafi Kosovë

“Veteranja e UÇK-së dokumenton krimet e luftës përmes fotografive (Video)” plus 9 more Telegrafi Kosovë


Veteranja e UÇK-së dokumenton krimet e luftës përmes fotografive (Video)

Posted: 17 Jan 2017 03:18 PM PST

Përballja me portretet e serbëve që kryen krime në Kosovë i ktheu 17 vjet prapa banorët e Gjakovës.

Kjo pasi për të bëmat e serbëve gjatë luftës, në atë qytet u hap një ekspozitë, njofton Klan Kosova.

Në këtë ekspozitë u publikuan shumë fakte për krimet por edhe për ata që bënë ato.

E jo tek pak njerëz të Gjakovës, fotografitë e policëve e ushtarëve serbë rikthyen tmerrin e luftës.

Fotografitë nga masakrat e civilëve, shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe portretet e paramilitarëve serbë për t'i publikuar në këtë ekspozitë, i mblodhi veterania e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shkëndije Hoda.

The post Veteranja e UÇK-së dokumenton krimet e luftës përmes fotografive (Video) appeared first on Telegrafi.

Havolli: Vetëm pesë persona e dinin për aksionin e ROSU-s për ndaljen e trenit serb (Video)

Posted: 17 Jan 2017 02:41 PM PST

Shefi i Kabinetit dhe këshilltari për ekonomi i Kryeministrit Isa Mustafa, Sokol Havolli tha se kryeministri gjatë gjithë javës së kaluar ka pasur komunikim dhe njoftim të vazhdueshëm të partnerëve dhe të faktorit ndërkombëtar në Kosovë lidhur me hapat që do të ndërmerren në rast të tentativës së hyrjes së trenit serb, ashtu siç është paralajmëruar.

Havolli tha se paralajmërimet e Kryeministrit ndaj partnerëve tanë kanë qenë të vazhdueshme se nuk do të lejohet të hyjë një tren i tillë edhe nuk do të lejohet të realizohet një provokim i tillë.

Havolli ka thënë se kritikat që iu bënë Qeverisë kinse për vendime të vonshme, nuk janë të sakta.

"Nuk mund të ndahen informacione sensitive me publikun. Nuk kanë mundur ta dinë më shumë se pesë persona për këtë aksion në gjithë shtetin", ka deklaruar ai.

Ai tha se dihet botërisht se qëllimi i atij treni nuk ka qenë transportimi i ndonjë udhëtari po të bëhet një provokim tipik nacionalist i shekujve të kaluar i një mentaliteti të kaluar i një menataliteti luftënxitës të cilin Kosova nuk e përkrahë dhe nuk e kultivon atë mentalitet. /21Media/

The post Havolli: Vetëm pesë persona e dinin për aksionin e ROSU-s për ndaljen e trenit serb (Video) appeared first on Telegrafi.

Me tren, pa frikë për çdo ditë nga Kraleva në Mitrovicë (Foto)

Posted: 17 Jan 2017 02:28 PM PST

Pasagjerët udhëtojnë më tren nga Kraleva në Mitrovicë për çdo ditë, në dy termine dhe më së shumti përdoret nga fshatarët e luginës së Ibrit si dhe student, nis një artikull i portralit serb Blic.rs.

Fotografia e mësipërme është bërë në mëngjesin e një prej ditëve të janarit të ftohtë, në stacionin në Kralevë, ku një numër i udhëtarëve po presin që të nisen me linjën për Ibër, vazhdon teksti i portalit serb.

Në mesin e tyre është edhe një reporter i mediumit serb, që pritet të udhëtojë për në Mitrovicë.

Pasagjerët thuhet se nuk kanë frikë ani pse treni me ngjyra të Serbisë nuk u lejua të hynte në Kosovë.

Jasmina Ivkoviq një studente e Fakultetit Juridik në Mitrovicën Veriore ka thënë se normalisht udhëton nga Kraleva për në këtë qytet, përcjell Klan Kosova.

"Kurrë nuk jam ndjerë e shqetësuar".

"Lëreni këtë, mediat i kanë dhënë shumë zë. Ky tren funksionon normalisht nga Kraleva për në Mitrovicë", ka thënë ajo.

Ivkoviq udhëton me këtë linjë tash e dy vjet dhe shton se nuk ka pasur asnjë problem asnjëherë.

Edhe një student tjetër, i vitit të katër në Fakultetin e Edukatës Fizike dhe Sportive në Leposaviq, Mitar Rakonjac ka thënë se që prej kur udhëton me këtë tren nga Kraleva në Mitrovicë gjithçka ka qenë korrekte.

Pensionisti Duro Andrijaniç shpesh udhëton në mes Kralevës dhe Rashkës.

Ai ka thënë se nuk e kupton ngjarjes rreth trenit nga Beogradi që udhëtoi për mbi dhjetë orë në drejtim të Kosovës, por që ka shtuar se kjo tu mbetet politikanëve.

Në tekstin e Blic.rs thuhet se kjo linjë e transportit hekurudhor është e hapur nga viti 2006 dhe ka qenë e rregullt.

The post Me tren, pa frikë për çdo ditë nga Kraleva në Mitrovicë (Foto) appeared first on Telegrafi.

Nikoliq ankohet se SHBA po i nxjerr probleme Serbisë me Kosovën

Posted: 17 Jan 2017 01:47 PM PST

Pa takmit të kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, me ambasadorin amerikan në Beograd, Kyle Scott, nga Zyra e shtypit e kryetarit të Serbisë, thuhet se Nikoliq i ka thënë Scottit se e kupton që Amerika pa kusht përkrah diçka në krijimin e të cilës ka ndikuar drejtpërdrejt (ai nuk e përmend Kosovën).

Sipas kumtesës, Nikoliq citohet të ketë thënë se “Washingtoni zyrtar me zbatimin vullnetit të vet ka shkaktuar shumë probleme”, por shpreson se me administratën e re kjo sjellje e deritashme do të pushojë.

Kryetari serb veprimin e Kosovës rreth trenit serb e ka quajtur të papranueshëm.

“Për ata (shqiptarët) është provokim treni i dekoruar me simbolet serbe dhe se kundër këtij treni ishin nisur me bomba e tyta të gjata pa leje të KFOR-it. Askush s'e shtron pyetjen pse nëpër territorin e Kosovës shkohet me simbole të Shqipërisë së madhe dhe që publikisht promovohet kjo ide e pakuptimtë", ka thënë Nikoliq, raporton B92.

Presidenti srb ka theksuar se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës pa marrë para sysh se fuqitë e mëdha që e promovuan atë.

Ambasadori i SHBA Scott ka theksuar se dy palët nuk mund ta bindin njëra – tjetrën rreth statusit të Kosovës.

Nikoliq në fund është ankuar pse i është ndaluar vizita në Kosovë, pse është kthyer treni në Rashkë dhe pse ende nuk është formuar Asociacioni i Komunave Serbe. /Telegrafi/

The post Nikoliq ankohet se SHBA po i nxjerr probleme Serbisë me Kosovën appeared first on Telegrafi.

Ymeri: Serbia po bën agresion kushtetues karshi Kosovës (Video)

Posted: 17 Jan 2017 01:31 PM PST

Kyetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në një inytervistë për Zërin e Amerikës, tha se gjuha politike në Serbi dëshmon se ajo nuk e ka ndryshuar qasjen ndaj Kosovës që u shpërfaq edhe me trenin që u nis javën që lamë pas nga Beogradi për në Mitrovicë.

Ditët e fundit shënuan një përshkallëzim të tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht pas nisjes së një treni të shtunën nga Beogradi për në Mitrovicë, që megjithatë nuk hyri në Kosovë. Sa e kërcënojnë këto tensione paqen në Kosovë dhe rajon?

Por në këtë rast a nuk veproi si duhet qeveria e Kosovës duke i ndaluar hyrjen trenit?

Ymeri: Po ndalimi i trenit ka qenë i domosdoshëm dhe i mirë. Mendoj që ky entuziazëm që u krijua karshi aksionit të policisë për të ndaluar trenin që ishte nisur nga Beogradi për në Mitrovicë, e shpërfaq më së miri gjendjen në të cilën e kanë sjellë Kosovën kjo qeveri dhe qeveritë para kësaj. Se një veprim i zakonshëm i policisë këtu në Kosovë vlerësohet si diçka jashtëzakonisht e mirë dhe si diçka, si një punë mrekulli që po e bëjnë institucionet e Kosovës, kur në fakt ajo që ka ndodhë është punë e zakonshme që do të duhej ta bënin ato. Dhe në këtë drejtim konsideroj që qytetarët e Republikës së Kosovës po ndihen gjithnjë e më të pasigurt në vendin e tyre për shkak se këtë siguri as minimale nuk po e ofron qeveria, e cila e ka këtë obligim të drejtpërdrejtë dhe parësor karshi qytetarëve.

Si i vlerësoni deklaratat e presidenti serb Nikoliç se mund të dërgojë ushtrinë në Kosovë, nëse ndodhë që të vriten serbët?

Ymeri: Gjuha politike në Serbi, vazhdimisht ka qenë luftënxitëse, herë më shumë e herë më pak. Edhe prej përfundimit të luftës në Kosovë, kjo gjuhë luftënxitëse e Serbisë nuk është se ka përfunduar, por ka qenë më e modifikuar për të mos tingëlluar vrazhdë ne veshët e ndërkombëtarëve dhe në veshët e diplomacive perëndimore. Kështu që, në këtë drejtim, atë që po e thotë Nikoliçi tash është vazhdimësi e politikës së Serbisë karshi Kosovës, sepse e njëjta fjali thuhet edhe në forma të ndryshme nga zyrtarë të tjerë serbë, por më së shumti thuhet nga kushtetuta e Serbisë, e cila Kosovën e mban si pjesë të integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë. Dhe në këtë këndvështrim, Serbia, vazhdimisht, për çdo ditë dhe për çdo minutë, bën agresion kushtetues karshi Kosovës, sepse një Republikë të pavarur, sovrane, të njohur nga mbi 120 shtete në botë, ajo e mban si pjesë të territorit të vet dhe sovranitetit të vet.

Dhe në këtë drejtim, mendoj që është koha kur ne shqiptarët, Republika e Kosovës, por edhe Republika e Shqipërisë, duhet të vetëdijesohemi karshi këtyre zhvillimeve në rajon dhe në botë, të cilat çdo herë e me shumë po bëhen të pasigurta dhe në këtë drejtim ne duhet që ta zëmë hapin dhe t’i ndërtojmë kapacitetet mbrojtëse për çfarëdo sulmi të mundshëm, ose çfarëdo ideje që mund ta ketë dikush që t’ia mësyjë territoreve tona, siç është në këtë rast p.sh, deklarata e presidentit të Serbisë, Nikoliç. E kemi parë tash së voni që ka një garë në armatim në mes të Serbisë dhe Kroacisë. Pra zhvillimet në rajon nuk po shkojnë drejt paqes së qëndrueshme. Më shumë po shkojnë drejt një problematizimi të ri të realitetit politik në rajon dhe në këtë drejtim në shqiptarët në përgjithësi duhet që përmes organizimit, bashkimit, të bëhemi fuqi që do të parandalonte çfarëdo apetiti që kanë fqinjët karshi nesh.

Kur flisni për bashkimin e keni fjalën për bashkim kombëtar?

Ymeri: Bashkim në organizim dhe natyrisht që do ta sillte kjo edhe bashkimin kombëtar në të ardhmen. Por, është e domosdoshme që Kosova dhe Shqipëria të funksionojnë si një, kur interesi është i përbashkët. Dhe këtu po flasim për interesin kombëtar. Ne sot këtu po flasim në Prishtinë dhe po entuziazmohemi se si u ndal treni, por askush nuk po e çon mendjen tek shqiptarët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës. A e kanë ata sot jetën më të sigurt prej se është ndalë treni? A është rrënuar muri që po e ndan qytetin e Mitrovicës edhe fizikisht? A janë shuar strukturat paralele? Para trenit raportohej se kishin hyrë shumë njerëz të armatosur nga Serbia, që supozohet të jenë mbase edhe pjesëtarë të forcave ose njësive elitare, speciale të policisë së Serbisë. A janë ata ende në territorin e Kosovës? Pra, ne po mendojmë se me ndaljen e trenit u zgjidh çështja. Ndërkohë që problemi real që e kemi në Kosovë është se Serbia e kontrollon një pjesë të territorit drejtpërsëdrejti dhe në atë pjesë të territorit që kontrollohet nga Serbia shqiptarët jetojnë në të njëjtën mënyrë, qysh kemi jetuar të gjithë shqiptarët në vitet e 90-ta, të okupuar në mënyrë klasike nga Serbia.

Por, tërë këto probleme që i përmendët në veriun e Kosovës, a nuk i bëjnë në fakt bisedimet e domosdoshme në përpjekje për t’i zgjidhur ato? Cila është alternativa e tyre zoti Ymeri?

Ymeri: Po, bisedime kemi pak a shumë prej vitit 1999. Ka pasur bisedime herë me këtë që quhej “diplomacia fluturuese”, herë bisedime të drejtpërdrejta, njëherë në Vjenë, pastaj në Bruksel e kështu me radhë. Dhe ja që këto bisedime vetëm sa po i shtojnë problemet dhe nuk po e zgjidhin asnjë. Para bisedimeve në Bruksel e kemi pasur një situatë pak më të mirë në Kosovë, në kuptimin që një pjesë e komunave me shumicë serbe, një pjesë e forcave politike që i përfaqësonin serbët e Kosovës, kanë qenë të integruar në institucionet e Kosovës, e kanë pranuar Republikën e Kosovës dhe i kanë pasur sytë nga Prishtina dhe zhvillimet në Kosovë, gjithnjë me synimin që pakica serbe në Kosovë të mos diskriminohet. Dhe në këtë drejtim mendoj që ka qenë një jetë më e shëndoshë politike. Pas bisedimeve në Bruksel, tash e kemi Listën serbe, e cila qartazi thotë se ajo nuk i përfaqëson serbët e Kosovës, por e përfaqëson Beogradin, pra interesat e qeverisë së Serbisë në Kosovë. Nuk mund të ketë interesa të qeverisë së Serbisë në Kosovë. Natyrisht që serbët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës dhe duhet të jenë qytetarë të barabartë të Kosovës, duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat, duhet të kenë qasje të barabartë në mirëqenie dhe siguri që i ofron Republika e Kosovës. Dhe është në interesin e serbëve që jetojnë në Kosovë që Republika e Kosovës të jetë Republikë funksionale dhe e fuqishme, në mënyrë që t’u ofrojë edhe atyre jetë të mirë, siç do t’u ofronte qytetarëve të tjerë. Por, nuk është në interes të Serbisë që Republika e Kosovës aq të fuqizohet, as të bëhet funksionale, sepse ajo kështu e humbë levën e kontrollit përmbi Kosovën. Dhe dialogu në Bruksel, vepronte në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës dhe në përputhje me interesat e qeverisë së Serbisë.

Po alternativa?

Ymeri: Alternativa është që institucionet e Kosovës duhet ta ushtrojnë kontrollin përmbi tërë territorin e Kosovës. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen po ashtu, nga instrumentalizimi nga Serbia, i cili bëhet realisht përmes strukturave paralele dhe politikisht përmes dialogut me Brukselin. Pra, pasur kontroll mbi territorin, pa pasur kontroll mbi resurset dhe pa i vendosur resurset që i kemi ekonomike, financiare, njerëzore në funksion të zhvillimit ekonomik i cili do të ishte në funksion të mirëqenies së qytetarëve, në Kosovë nuk mund të kemi jetë të mirë. Prandaj duhet të orientohemi kah sovranizimi i vendit dhe njëkohësisht duhet të orientohemi kah zgjerimi dhe fuqizimi i ekonomisë së vendit për të prodhuar mirëqenie të domosdoshme për qytetarët e Republikës. Dialogu me Serbinë, jo që nuk po e ndihmon këtë, dialogu me Serbinë po e pengon këtë zhvillim.

Si të vendoset sovraniteti, si të sovranizohet pjesa veriore e Kosovës? Me cilat forca zoti Ymeri?

Ymeri: Po si nuk paska forca? Sa herë që është dërguar policia në veri, kanë qenë të suksesshëm. Pra, policia e Kosovës e ka dëshmuar që e ka kapacitetin për të kontrolluar edhe atë pjesë të territorit. Dështimet kanë qenë politike. Pra, ka qenë mosguximi i qeverisë dhe ka qenë si të them, kështu, nënshtrimi i tyre politik, karshi Beogradit që e ka pamundësuar kontrollin përmbi atë pjesë të territorit. Natyrisht që edhe në pjesën veriore, sikurse edhe në çdo pjesë tjetër, policia e Kosovës duhet të funksionojë në shërbim të qytetarëve, të sigurisë së tyre. Natyrisht që strukturat ilegale të Serbisë duhet njëherë e përgjithmonë ç’montohen, të arrestohen ata që kanë qenë të përfshirë në krime edhe që jeta në atë pjesë të territorit të Kosovës, të bëhet jetë normale, siç bëhet në pjesët tjera. Ndërkohë që Kosova nuk ka se si të mos i ndërtojë kapacitete e veta mbrojtëse. Pra, Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet të avancohen në Ushtri të Kosovës dhe Ushtria e Kosovës të jetë përgjegjëse për mbrojtjen e kufirit të Kosovës në rast që ka tentim agresioni nga jashtë.

Kur jemi tek Forcat e Armatosura të Kosovës, Kushtetuta kërkon dy të tretat e votave, pra edhe dy të tretat e votave të pakicave. Me këtë qasje të Listës serbe ndaj institucioneve të Kosovës, si të realizohet kjo?

Visar Ymeri: Po mendoj që së pari një lloj avancimi i pjesshëm i FSK-së mund të bëhet edhe me ndryshimin e ligjit, pa pasur nevojë ta prekim kushtetutën, por domosdoshmërisht duhet ta amendamentojmë kushtetutën në mënyrë që kjo forcë edhe formalisht të jetë Forcë e Armatosur e Kosovës ose Ushtria e Kosovës. Dhe në këtë drejtim konsideroj që duhet edhe njëherë ta problematizojmë këtë votën, ose veton që u është dhënë pakicave, veçanërisht karshi amendamentimit të kushtetutës, sepse, natyrisht kjo votë edhe pse atëherë paraqitej formalisht si një e drejtë që ata e kanë për të penguar shkeljen e interesave të tyre apo të drejtave të tyre nga shumica, qartazi kjo është duke u përdorur për ta bllokuar Kosovën në përgjithësi. Dhe prapë po e them që një votë e tillë është e dëmshme, sepse kjo e dëmton edhe demokracinë në vend, e dëmton edhe funksionalizimin e vendit dhe ja tash për shembull po e dëmton në këtë rast konkret edhe avancimin dhe krijimin e një aparati shtetëror që do t’u garantonte siguri të gjithë qytetarëve nga ndërhyrjet nga jashtë. Kështu që në këtë drejtim nuk mundemi që ta lejojmë një rregullim ligjor kushtetues në këtë rast i cili do ta pengojë Kosovën në zhvillimin e saj vazhdimisht. Ne nuk mund të mbetemi peng i vullnetit politik të Beogradit, sepse ashtu kemi qenë edhe në të kaluarën. Pra, pavarësia e Kosovës ka kuptim pikë së pari si pavarësi nga Serbia. Ndërkohë që, fatkeqësisht kjo pavarësi e Kosovës, siç është konceptuar dhe zbatuar nga institucionet e Republikës së Kosovës, më së shumit në fakt po duket të jetë pavarësi nga Shqipëria.

Po ndalemi sërish te veriu dhe te kërcënimet që vijnë nga Beogradi. A keni shqetësim për ndonjë ta quajmë ndërhyrje edhe me forca domethënë të Serbisë në veri, ndonjë konflikt të mundshëm në atë zonë? Është folur shumë këto ditët e fundit që një konflikt ishte gati në zgrip midis të dyja palëve?

Ymeri: Po, po ta shohim kështu në nivel të përgjithshëm janë dy zhvillime kohëve të fundit të cilat tregojnë që situata nuk ka me qenë e qetë. E para është kjo që ndodh vazhdimisht, për sa kohë që ne jemi të dobët atëherë jemi pre e dobët në sytë e Serbisë, apetitet e Serbisë karshi nesh janë më të mëdha, kjo është pak a shumë si një lloj aksiome matematike do të thosha. Dhe e dyta është që sa herë që Serbia për së brendshmi ka qenë e homogjenizuar politikisht, ka pasur një shtim të hegjemonisë së saj rajonale, dhe aktualisht po ta shohësh kuvendin e Serbisë nuk ka pasur një homogjenizim të tillë të forcave politike që prej se mbahet mend.

Pra as në kohën e (Slobodan) Milosheviçit nuk kanë qenë kaq kompakt në qëndrimet e tyre karshi shqiptarëve dhe Kosovës, sepse sot në parlamentin e Serbisë shumica dërmuese e deputetëve i takojnë o krahut të djathtë o krahut të ekstremit të djathtë, pra prej Vucicit e te (Vojislav) Shesheli. Ndërkohë që forcat e majta progresive të cilat janë ekzistente në Serbi, fare nuk kanë ndonjë peshë politike në kuvend. Ky lloj homogjenizimi politik natyrisht që pastaj bëhet rrezik për të gjitha vendet dhe shihet që është intensifikuar armiqësia që Serbia e ka sot karshi Kroacisë, është intensifikuar ligjërimi, diskursi politik karshi Bosnjës i cili i ngjan shumë viteve 1992-'93-'94-'95, dhe veçanërisht është intensifikuar gjuha e urrejtjes dhe luftë nxitjes karshi shqiptarëve të Kosovës siç ka qenë në vitet e '90-ta. Në këtë drejtim këto natyrisht që duhet të merren me seriozitet sepse këto e shpërfaqin një Serbi e cila po e shton agresivitetin e vet edhe në gjuhë po edhe në veprime dhe një Serbi e tillë natyrisht që nuk mund të jetë lajm i mirë për rajonin e aspak lajm i mirë për shqiptarët.

Në anën tjetër në Kosovë ka një parlament i cili është larg homogjenizimit, larg unitetit, posaçërisht në këto 1 vit e gjysmë të fundit, në radhë të parë për shkak të bisedimeve me Serbinë dhe e dyta për shkak të marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. A ka ndonjë rrugëdalje nga kjo situatë, posaçërisht për çështjen e kufirit?

Ymeri: Problemet që i kemi politike në Kosovë në fakt prapë lidhen pak a shumë me Serbinë dhe me mënyrën se si kjo qeveri sillet karshi saj veçanërisht. Ju e dini që protesta jonë ka filluar kundër dy marrëveshjeve që i kishte nënshkruar qeveria, siç i përmendët ju, pra njëra ka qenë e lidhur drejtë për së drejti me marrëveshjen me Serbinë e cila përveç themelimit të “zajednicës” që ishte problemi kryesor, e nënshtronte Kosovën karshi telekomunikacionit dhe energjisë, veçanërisht karshi sistemit në Serbi, ndërkohë që kjo për demarkacionin ja bartte një pjesë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të madhe të territorit, Malit të Zi. Në këtë drejtim ne kemi protestuar kundër këtyre dy marrëveshjeve, dhe protesta jonë, bashkimi i qytetarëve në protestë, angazhimi i ekspertëve të ndryshëm kundër këtyre marrëveshje arritën që në fund ti shpallin këto marrëveshje të vdekura, të cilat qeveria ende nuk po i kupton si të vdekura, pra vazhdimisht po tenton që t’i ringjallë.

Mendoj që për sa i përket marrëveshjes për demarkacionin natyrisht për ne zgjidhja është e thjeshtë, çka do të duhej bërë është që të ulemi edhe një herë ta diskutojmë me Malin e Zi, ta negociojmë këtë marrëveshje, vijën kufitare në dritën e informatave e argumenteve të reja që janë nxjerrë nga ekspertët dhe të cilat qartazi nuk i ka përdorur fare komisioni shtetëror për shënjimin e vijës kufitare. Ndërkohë, sa i përket dialogut me Serbinë, natyrisht që ky dialog duhet të ndalet. Kosova duhet ta ndjek një rrugë tjetër, e cila unë kam dëshirë ta quaj, rruga e sovranizimit, dhe kjo rrugë e sovranizimit do të nënkuptonte dy gjëra madhore që duhet të ndodhin. Njërën anë për integrimin e serbëve duhet të flasim drejtë për së drejti me serbët që jetojnë në Kosovë, ta kemi një dialog të hapur e demokratik i cili për synim do ta kishte zhvillimin ekonomik, barazinë e qytetarëve dhe integrimin si rrjedhojë e këtyre të dyjave. Në anën tjetër, kur vjen puna te diskutimet me Serbinë, ky lloj dialogu mund të ketë kuptim vetëm kur Serbia e ndryshon qasjen karshi Kosovës, e njeh pavarësinë e sovranitetin e Kosovës dhe ulemi të bisedojmë si dy vende të barabarta për marrëdhëniet mes dy vendeve që e njohin njëra-tjetrën reciprokisht si dy vende të pavarura dhe sovrane.

Po ideja e fundit e qeverisë për të themeluar një komision për matjen e territorit të Kosovës, sa është e realizueshme? A do t’i përgjigjeni kësaj ideje?

Ymeri: Jo ne kemi thënë që ky lloj komisioni është vetëm edhe një prej këtyre mekanizmave që janë absolutisht joserioz të qeverisë për të tentuar që ta arsyetojnë edhe një herë marrëveshjen e nënshkruar në Vjenë. Një mekanizëm i tillë, për mendimin tim, as nuk është i realizueshëm objektivisht e as nuk ka kurrfarë peshe politikisht. Nuk është i realizueshëm objektivisht sepse nuk mund të matet një territor të cilit nuk i dihen kufijtë, pra çka po themi ne është që kufiri është caktuar aty ku ai nuk do të duhej të ishte dhe ku nuk ka qenë. Në momentin që të pajtohemi se në cilën pikë është kufiri për shembull a do të përfshihet Çakorri brenda territorit të Kosovës, a do të përfshihet kulla e Zhlebit brenda territorit të Kosovës, dhe më me rëndësi a do të përfshihet rajoni ose pjesa e Bjelluhës dhe burimet ujore aty brenda territorit të Kosovës, në momentin që do t’i kemi këto brenda territorit të Kosovës atëherë mund të masim territorin sa të donë sepse e dimë tashmë ku është kufiri dhe atëherë madhësia e territorit nuk është problem.

Ndërkohë që Kosova nuk e din aktualisht ku e ka saktësisht kufirin me Malin e Zi, ose sipas kësaj marrëveshje e ka shumë më poshtë sesa ku e ka pasur dhe në anën tjetër, kjo është një çështje siç e dini ju e hapur dhe jashtëzakonisht e rrezikshme, edhe kufirin veçanërisht kufirin me Serbinë, dhe në këtë drejtim cilin territor do ta masim, apo prej ku deri ku, nuk mund të matet territori të cilit nuk i dihen kufijtë. Në momentin që i dihen kufijtë atëherë mund ta masim çka mbetet brenda kufirit, mirëpo jo kështu jashtë, sepse me këto matje nëse nuk ka kufij të caktuar ne mund të shkojmë deri në vende që nuk janë të Kosovës ose mund të ndalemi diku brenda thellë në territorin e Kosovës. Në këtë drejtim konsideroj që ky lloj komisioni i krijuar tash së voni nga qeveria e Kosovës, prapë po e sjell Kosovën në një situatë ku po humbim shumë kohë duke u paraqitur në publik kinse po tentojmë ta zgjidhim problemin, ndërkohë që vetëm sa po krijojmë edhe më shumë probleme në vend se të bëjmë gjënë e duhur, pra ta krijojmë një komision në kuvendin e Republikës së Kosovës i cili do të merrej me diskutimin e modaliteteve juridike edhe praktike të nisjes së diskutimit me Malin e Zi për vijën kufitare, ndërkohë që ta kemi edhe një komision hetimor për ta hetuar punën e komisionit shtetëror veçanërisht dhe si erdhi deri te kjo marrëveshje, si u bë që Kosova lëshoj pe në këtë drejtim karshi Malit të Zi. A ka qenë kjo kërkesë dhe insistim i Malit të Zi apo thjeshtë ka qenë një mos përgatitje e duhur e komisionit shtetëror. Është thënë shumë herë që është bërë gabim me kufirin, kemi dëgjuar disa herë ta thonë njerëz të ndryshëm, edhe ata që kundërshtojnë, që është bërë gabim me kufirin. Unë do ta kisha menduar dhe do ta kisha kuptuar si gabim nëse qeveria e Kosovës, eksponentët që e kanë ndjekë këtë marrëveshje, dalin edhe thonë që po paskemi gabuar, kërkojmë falje, nuk kemi qenë të informuar si duhet. Mirëpo, ngurrimi i tyre për ta pranuar si gabim, tregon që kjo është bërë me vetëdije pra është lëshim me vetëdije.

Të gjitha këto mospajtime që duken larg që të tejkalohen, ku çojnë? Cila është zgjidhja, cila është rrugëdalja nga ky, do të thosha njëfarë boshllëku që është krijuar në Kosovë për shkak të këtyre mospajtimeve?

Ymeri: Këtu qartazi e kemi një mungesë absolute të legjitimitetit të institucioneve, ose drejtuesve të institucioneve në këtë rast më të rëndësishme politike. Ju e dini që e kemi një president i cili doli nga gazi lotsjellës, i cili u zgjodh si president pak a shumë duke i përdorur forcat e policisë së Kosovës, dhe kemi një qeveri e cila është e pranueshme nga jo më shumë se 15 për qind e qytetarëve dhe veçanërisht e kemi një qeveri e cila në tërë jetën e vet politike nuk ka bërë asgjë përveçse i ka sjellë dy marrëveshje të cilat janë kontestuar nga shumica dërmuese e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pra as qeveria si e tillë dhe as temat që kjo qeveri i ka ndjekur nuk kanë legjitimitet në popull dhe rrjedhimisht mungesa e legjitimitetit demokratik dërgon te vetëm një zgjidhje e ajo është zgjedhjet e përgjithshme të cilat do të krijonin institucione të reja të cilat do ta kishin legjitimitetin e votave të qytetarit.

Kështu nuk mund të vazhdohet me këtë qeveri e cila nuk është legjitime, një qeveri e cila nuk ka kurrfarë ideje se si mund të zhvillohet vendi. Nuk mund të ecim përpara dhe të pretendojmë se do të kemi sukses në ecjen tonë përpara. Po shihet qartë se me këtë qeveri vetëm sa do të kemi edhe më shumë degradim politik, edhe më shumë degradim ekonomik, edhe më shumë humbje të milionave të buxhetit të Republikës së Kosovës nëpër gjykata të arbitrazhit, edhe në keqpërdorim të buxhetit e në projekte super të shtrenjta infrastrukturore dhe kështu normal që Kosova po shkon drejt theqafjes dhe bosnjëzimit, ndërkohë që çka na duhet neve është që t'i ndërrojmë binarët dhe të ecim drejt progresit dhe sovranizimit.

The post Ymeri: Serbia po bën agresion kushtetues karshi Kosovës (Video) appeared first on Telegrafi.

Gërvalla: Lidershipi i vendit të ketë kujdes, mos të bie në kurthet e Serbisë (Video)

Posted: 17 Jan 2017 01:14 PM PST

Donika Gërvalla, vajza e veprimtarit Jusuf Gërvalla me rastin e 35 vjetorit të vrasjes së vëllezërve Gërvalla de Kadri Zekës, duke komentuar gjendjen e fundit në veri të Kosovës ka thënë se lidershipi i vendit duhet me pas kujdes dhe mos të bie në kurthet e Serbisë.

Ajo përmes një lidhje në Skype në Rrokum Roll ka thënë se duhet me pas kujdes dhe se duhet t'i tejkalojmë këto provokime të vazhdueshme serbe.

Sipas saj ajo vazhdimisht ka sensibilizuar edhe mediat në Gjermani se më së paku një luftë e re në Ballkan i duhet Kosovës.

Gërvalla ka theksuar se nevojitet një aksion i duhur i qeverive ndërkombëtare që me i dhënë urdhër KFOR-it në mënyrë që ata ta rrëzojnë murin.

Kjo sipas saj kishte me qenë një sinjal i qartë, se Kosova është shtet sovran dhe se vendi e ka përkrahjen e NATO-s.

Ajo ka theksuar se Nikoliqit duhet me i tregua se Kosova është shtet sovran dhe se në vend funksionojnë ligjet por edhe ato zbatohen në praktikë sa herë preket sovraniteti i vendit.

Derisa për daljen e vendit prej krize, Gërvalla ka thënë se duhet të aktivizohen krejt qytetarët por edhe lidershipi në vend, dhe me i tregy Bashkësisë Ndërkombëtare se shteti është sovran dhe se Serbia nuk ka më vend këtu.

Vajza e Jusuf Gërvallës, ka thënë se njeriu duhet të kërkojë mënyra për të dalë nga kriza, duke shtuar se baba dhe shumë të tjerë kanë filluar herët për tu angazhuar për vendin, por ka thënë se ata padyshim që nuk kishin vepruar me një gjuhë të butë, dhe sikur dihet ata kurrë nuk kanë qëndruar të heshtur./Telegrafi/

The post Gërvalla: Lidershipi i vendit të ketë kujdes, mos të bie në kurthet e Serbisë (Video) appeared first on Telegrafi.

Thaçi priti përfaqësuesit e MCC-së, i jep përkrahje punës së tyre

Posted: 17 Jan 2017 01:02 PM PST

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur për një takim përfaqësuesit e "Millenium Challenge Corporation" nga Uashingtoni, James A. Gerard, Brian Forni dhe Sarah Olmstaed, të shoqëruar nga Petrit Selimi, koordinator i MCC për Kosovë.

Në këtë takim, James Gerard ka njoftuar presidentin Thaçi se puna e MCC-së në Kosovë është "duke shkuar shumë mirë" dhe se tani MCC është duke "ecur drejt fazës kur do të fillojë të implementojë projektet për Kosovën", transmeton Telegrafi.

Presidenti Thaçi i përgëzoi për punën e bërë dhe u shpreh se "e përkrah punën e MCC-së" dhe se do të ketë "koordinim me qeverinë për të përkrahur projektet e MCC-së".

"Projektet e juaja janë në përputhje me prioritetet e Kosovës", u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se "prandaj e përkrahim plotësisht punën e MCC-së në Kosovë".

Millenium Challenge Corporation është agjenci amerikane për ndihma bilaterale, e themeluar nga Kongresi Amerikan në vitin 2004. /Telegrafi/

The post Thaçi priti përfaqësuesit e MCC-së, i jep përkrahje punës së tyre appeared first on Telegrafi.

Ibishi: Presidenti Thaçi nuk i jep urdhra policisë (Video)

Posted: 17 Jan 2017 12:30 PM PST

Përkundër faktit se Presidenti i vendit, Hashim Thaçi po merr meritat për ndaljen e trenit serbo-rus, ka të tillë që nuk mendojnë se është i pari i vendit, që dha urdhër që policia ta bëjë një gjë të tillë.

Është deputeti i LDK-së, Nuredin Ibishi, që në emisionin InfoBox, të RTV Dukagjinit, thotë se Thaçi nuk i jep urdhra policisë.

"Presidenti jep urdhër vetëm në gjendje të jashtëzakonshme. Ajo është një situatë e veçantë. As Presidenti, as Kryeministri e as ministri i Punëve të Jashtme nuk japin urdhra, por drejtori i Policisë", tha ai,transmeton Telegrafi.

Ibishi foli edhe për provokimet e fundit, duke thënë se këto po i bën shteti fqinj me qëllimin e vetëm, nxitjen e konfliktit, e sidomos te komuniteti serb në Kosovë.

Deputeti i LDK-së, që është edhe anëtar i komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, foli edhe për të ardhurat e Policisë së Kosovës, ku tha se pagat e tyre duhet të rriten, por përjashtoi mundësinë që të ketë dyfishim./Telegrafi-RTV Dukagjini/

The post Ibishi: Presidenti Thaçi nuk i jep urdhra policisë (Video) appeared first on Telegrafi.

Komuna e Prishtinës veproi ‘përmes’ Facebook-ut, rregulloi problemin më të vjetër në qytet (Foto)

Posted: 17 Jan 2017 12:25 PM PST

Ka mjaftuar një postim në rrjetin social dhe Komuna e Prishtinës ka intervenuar.

Blendi Zymi ka postuar fotografi, se si në një pjesë të kësaj lagjeje, gjithmonë bëhet akulli dhe rrezikon qytetarët, si me makina si këmbësorët.

Kur ai postoi fotografinë, i përmendi edhe kryetarin Shpend Ahmetin dhe nënkryetarin Dardan Sejdiun.

E ky i fundit reagoi menjëherë. I kërkoi adresën e saktë dhe pas pak orësh i tregoi se akulli u largu, e përveç kësaj, premtoi se do rregullohet edhe rrjedha e ujit tërësisht, shumë shpejt.

"Në momentin që krijohen kushtet klimatike do të intervenohet edhe në rregullimin e rrjedhjes së ujit!", ka shkruar Sejdiu./ Periskopi/

The post Komuna e Prishtinës veproi 'përmes' Facebook-ut, rregulloi problemin më të vjetër në qytet (Foto) appeared first on Telegrafi.

Reuters ia sheh hajrin Thaçit

Posted: 17 Jan 2017 12:16 PM PST

Artikulli i botuar nga agjencia britanike me famë botërore, Reuters, me titull "Serbia dëshiron ta aneksojë një pjesë të Kosovës duke përdorur modelin e Krimesë", titull ky i marrë nga deklarata e presidentit kosovar, Hashim Thaçi, i cili kishte urdhëruar moslejimin e hyrjes së trenit me mesazhe nacionaliste nga Serbia në Mitrovicë, ka bërë jehonë anekënd globit.

Sipas një përllogaritje të thjeshtë në rrjetet sociale, del se storja e kësaj agjencie prestigjioze është përdorur prej rreth 40,000 medieve në gjithë botën, në shumë gjuhë, raporton Telegrafi.

Gjithashtu, Reuters ka shumë platforma, vetëm një njërën prej saj artikulli përkatës ka marrë afro 500 komente, ndërkaq është shpërndarë nga gati 1,000 persona. /Telegrafi/

The post Reuters ia sheh hajrin Thaçit appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more