Skip to main content

Tirana Observer: “Pasuria 1 miliard lekë, Peza: Më akuzojnë se më kanë zili” plus 9 more

Tirana Observer: “Pasuria 1 miliard lekë, Peza: Më akuzojnë se më kanë zili” plus 9 more


Pasuria 1 miliard lekë, Peza: Më akuzojnë se më kanë zili

Posted: 16 Jan 2017 09:41 AM PST

Deputeti Alfred Peza ka reaguar ga Kuvendit për akuzat që i janë bërë ditët e fundit se bleu aksione në vlerën 1.1 miliardë lekë në një bankë të nivelit të dytë.

Në një dalje para mediave, Peza tha se kjo është një betejë ziliqare që i bëhet, ndërsa mbrojti investimin duke thënë se ai dhe bashkëshortja kanë vite që punojnë.

Sipas Pezës, rroga që merrte kur punonte në media ishte e lartë.

Më poshtë deklarata e Pezës

E gjitha çfarë ka ndodhur këto tre ditë s'ka qenë betejë me të vërtetën e PD. Sepse po të ishte me të vërtetën, në 4 ditë vetëm foli politika dhe nuk tha asgjë. Nuk tregoi asnjë gjë, asnjë provë. Dhe nuk ishte vetëm një betejë politike por edhe asnjë betejë morale.

Po të ishte morale, të paktën të shkonit deri tek zyra e drejtorit tuaj, financës tuaj, ore ky Alfred Peza, kur punonte tek Vizion Plus pse e kishte 10 mijë euro, kur punonte tek Ora News fitonte mijëra e mijëra euro. Është beteja e ziliqarëve për lekët e mia. Zilia është njerëzore edhe unë i mirëkuptoj gjithë ziliqarët për paratë e mia.

Nuk i justifikoj dot. Nëse do të ishte betejë për të vërtetën, ju mund të vinit të më takonit mua. Askush nuk më ka marrë në telefon nga mediat, askush nuk i ka çuar një mesazh bashkëshortes time dhe të thotë dua një prononcim. Këto dokumente do t'i dorëzoj në ILDKP.

Jam një burrë 50 vjeç. Kam 28 vjet që punoj. Bashkëshortja ime ka 23 vjet që punon. Do të doja t'ju sillja në vëmendje deklaratën e parë të pasurisë së Lulzim Bashës. Ishte 30 vjeç dhe kishte punuar vetëm 4 vjet. Ka deklaruar pasuri mbi 1 mln euro, 300 mijë dollarë më shumë se sa unë.

Alfred Peza ishte i adhuruar nga të gjithë. Sapo hyra në politikë u bëra delja e zezë. Pasuria e familjes së Alfred Pezës pas 2013-s është shtuar me zero lekë përveç të ardhurave nga interesat bankare dhe të ardhurat e mia si deputet dhe bashkëshortes si punonjëse të Ministrisë së Jashtme. Unë kam qenë kandidati i parë si deputet i Rilindjes, i ardhur si model i shoqërisë civile. Këtë ka filluar media të quaj skandal?

Thaçi: Serbia me ndihmën e Rusisë, skenar për ndarjen e Kosovës

Posted: 16 Jan 2017 08:24 AM PST

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë për Radion Europa e Lirë se provokimet e Serbisë ndaj Kosovës janë pjesë e “skenarit të vjetër për ndarjen e një pjese të Kosovës”.

"Serbia llogarit ndihmën e Rusisë dhe kjo ishte arsyeja pse një tren i Rusisë ishte nisur nga Beogradi për në Kosovë. Asgjë nuk është e rastësishme, gjithçka ishte e planifikuar", ka thënë Thaçi.

Kërcënimet e Serbisë me luftë, ka shtuar Thaçi, janë dëshmia më e mirë e ekzistimit të këtij skenari, që si qëllim ka aneksimin, e më pas edhe ndarje e pjesës veriore nga pjesa tjetër e Kosovës.

"Kërcënimi i vetëm për serbët e Kosovës, është atëherë kur Serbia i përdor ata për realizimin e qëllimeve të saj", ka shtuar Presidenti i Kosovës.

Beogradi, sipas tij, është i gatshëm që t’i viktimizojë serbët e Kosovës për t'i realizuar synimet e veta politike e ushtarake, ashtu siç ka vepruar në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kroaci.

Thaçi ka thënë se fjala "luftë" do të duhej të largohej nga fjalori nacionalist në Serbi.

"Serbia sot kërcënon Kroacinë, Bosnjën e Hercegovinën, Malin e Zi, kërcënon Kosovën. Është shndërruar në adresën e kërcënimit të paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor", ka theksuar Thaçi.

Kërcënimet me luftë, ka vijuar ai, do të duhej të shiheshin me shqetësim tek të gjithë faktorët ndërkombëtar e sidomos nga NATO dhe Bashkimi Europian.

"Pavarësisht kësaj gjendje të tensionuar, Kosova i bën thirrje Serbisë për dialog dhe bashkëpunim", është shprehur Thaçi.

"Nëse Serbia thërret për luftë, Kosova bën thirrje për paqe. Nëse Serbia bën thirrje për ndarje territoriale, Kosova bën thirrje për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO", ka thënë ndër tjera, presidenti Thaçi.

Artan Fuga: Pse largimi i Lelës nga Mapo nuk përbën lajm

Posted: 16 Jan 2017 08:09 AM PST

Nuk ka ngjarje, as lajm nga Mapoja

 Nga Artan Fuga

Unë nuk e kuptoj se ku është problem kontrolli mediave dhe liria e shtypit kur pronari i mediave Mapo nuk rinovon kontratën me ish drejtorin e gazetës Mapo!

Censura dhe kontrolli i mediave është gjetiu! Mos krijoni as heronj, as viktima, kur nuk ka të tillë.

A mos valle ish drejtori i Mapo-s ishte një person që zbatonte një vijë editoriale të pavarur nga pronari i tij kur ishte i punësuar atje si drejtor?

Apo të pavarur nga politika?

Le të bënte shakà ndonjë gazetar, pedagog, a bashkëpuntor vullnetar, i vjetër apo i ri, të dilte nga linjat e vijës politike të Mapos!

Në vijat themelore monitorimi që bëjnë studentët në punë të pavarur tregon se statistikisht nuk ishte e mundur.

Asnjë e dhënë shkencore nuk na flet për një politikë pavarësie deritani. Hiç, asnjë e dhënë. Zero!

Nëse Mapoja forcon servilizimin ndaj kryeministrit Rama dhe i ul peshën e përfaqësimit atje të liderëve të tjerë politikë, këtu kemi të bëjmë me një riorientim politik editorial të kësaj gazete dhe të këtyre mediave, por jo një problem me lirinë e mediave brenda Mapos.

Kemi të bëjmë me një problem me komercializimin e balancuar të hapësirave mediatike ndaj politikës, por jo një problem me pavarësinë e mediave ndaj pronarëve dhe politikës.

Doktrinë liberale e pastër, hiç puniste ! Oferta i përgjigjet kërkesës më të mirë në treg!

Tjetër është ndryshimi i një kahu politik i një mediaje, dhe tjetër problemi i pavarësisë së saj si media.

Nuk dua t’i fus në një thes.

Pavarësia e mediave nuk zgjidhet me persona, me emra të përveçëm, por me një strukturë të mirëmenduar të pronësisë, të transparencës financiare, të statusit të gazetarit, etj.

E kush tha se me drejtorin e ri Mapoja nuk do të luaj njëherë majtas dhe një herë djathtas!

Mos t’i rrëshkasi këmba kryeministrit Rama, se do ta shohi mirë si do t’i a hedhi në rrugë Mapoja të gjitha tepricat që ka në magazinë. Se mos e ka gjë Mapoja të luajë! Burri, luan, edhe Mapoja luan, edhe muri luan.

Sikur nuk e di ai xhanëm!

Censurim i mediave? Po, patjetër, mediat janë të sipërçensuruara, por nuk jemi naivë të vemë gishtin te ish drejtori i Mapos. Atë e pyet si është puna? Ai deklaron se çdo gjë është normale, mbaroi kontrata.

Cfarë mbrojtje ka nevojë t’i jepet atij politikisht dhe moralisht kur ngjarjen vetë ai e quan si një marrëdhënie e thjeshtë pune. Kontratë.

Madje vazhdon të mbetet brenda strukturave të Mapos.

Ik nga Mapua dhe bie në Mapo.

Si me një drejtor si me një tjetër, si me drejtor si pa drejtor, veç një media të pavarur nga pronari, nga politika, nga qeveria, nga influenca e të fortëve në politikë nuk kam parë atje.

Sa për dijeni, sikurse e kam shprehur, Mapon unë nuk e lexoj dot fare.

Sigurisht, aq më keq për mua.

Çfarë tregon madhësia e duarve për ju?!

Posted: 16 Jan 2017 07:40 AM PST

27 kocka, 29 nyje dhe 123 ligamente. Këto janë ato që i bëjnë duart e tua të jenë të dobishme.

Përveç "detyrave" të njohura tashmë, duart kanë edhe një dobi tjetër, pasi tregojnë personalitetin tuaj.

ADN-ja juaj ka shumë për të thënë në lidhje me tiparet tuaja fizike si madhësia e dorës, dhe personaliteti juaj lidhur me të.

Çfarë thonë duart e vogla për karakterin tuaj: Nëse keni duar të vogla, jeni aventurier, ndërmerrni rreziqe dhe jeni të lirë. Mirëpo kjo mund t'ju çojë në ujëra të turbullta disa herë, por aftësitë e tua për të zgjidhur problemet do të ju ndihmojnë të dilni në sipërfaqe. Kur bëhet fjalor për romancën, ju keni tendencën për të parë anën dramatike të gjërave.

Çfarë thonë duart e mëdha për karakterin tuaj? Nëse keni duart të mëdha, ju me shumë mundësi jeni perfeksionist. Përqëndroheni në detajet e vogla dhe nuk i leni gjërat për në momentin e fundit. Jeni më shumë të ndjeshëm, sidomos ndaj kritikave.

Po forma e duarve? Nëse keni një pëllëmbë katrore, jeni një person që logjikon, dhe që është shumë i mirë në matematikë. Nuk i kushtoni shumë vëmendje intuitës tuaj. Preferoni të mbështeteni në gjërat konkrete. Nëse keni një pëllëmbë drejtkëndore, jeni më shumë në anën intuitive të gjërave. Ju i zgjidhni problemet duke i mëshuar idesë tënde, edhe pse ndoshta jeni komplet në drejtim të kundërt.

Rrihej sistematikisht nga i shoqi, historia e gruas që e falte gjithmonë

Posted: 16 Jan 2017 07:02 AM PST

E ka toleruar dhe falur dhunën e ushtruar nga bashkëshorti, derisa u detyrua të dilte jo nga dera por nga xhami për të kërkuar ndihmë.

dhuna1E tillë është historia e një nëne të re, e cila në mënyrë sistematike dhunohej nga i shoqi. Prej katër vitesh ajo kishte toleruar dhe falur keqtrajtimin fizik me shpresën se do t'i rikthehej jetës normale.

Ajo ka tentuar disa herë ta denoncojë në polici, por është tërhequr pasi merrte premtime që aktet e dhunës nuk do të përsëriteshin, por nuk kalonin shumë dite dhe situata përsëritej.

Nën terrorin e dhunës dhe me një fëmijë të vogël, gruaja shkoi në gjykatë të kërkonte një urdhër mbrojtje, por edhe kësaj radhe u tërhoq pasi i shoqi i kishte premtuar sërish se nuk do të ushtronte më dhunë. Por sërish nuk kaloi shumë dhe dhuna u rikthye, kësaj radhe më e rëndë.

"Më kapi prej flokësh dhe filloi të më dhunonte. Tentova ta ndalja duke i kujtuar fëmijën e vogël 9-muajsh, por ai nuk ndalonte. Tentova të dilja nga banesa, por më mbylli derën dhe në këto kushte u detyrova të dilja nga xhami i derës për t'i shpëtuar dhunës", tregon gruaja në dëshminë e saj.

Pas denoncimit të këtij rasti në polici, çështja mori rrugën ligjore dhe kësaj radhe pa kthim mbrapa dhe bashkëshorti dhunues, Fatmir Sylisufaj, 36 vjeç, u arrestua.

Por gjatë gjykimit të çështjes e shoqja ka tentuar ta falë sërish, duke nënshkruar një akt noterial që të lehtësonte pozitën e të shoqit para ligjit, pasi ai ishte burimi i vetëm që siguronte të ardhura dhe se kanë një fëmijë për të rritur.

Por pavarësisht kësaj, gjykata në fund e ka dënuar 36-vjeçarin me 1 vit e 6 muaj burg, duke mos marrë parasysh normalizimin e marrëdhënieve të pretenduara nga e dhunuara.

/ Top Channel

Dosja “Fullpet”, kërkohen 3 vite burg për ish-kreun e Tatimeve

Posted: 16 Jan 2017 06:57 AM PST

Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin me 3 vite burg për Adrokli Kokthi, ish-drejtorin e Tatimeve në Tiranë, i akuzuar bashkë me 5 persona të tjerë për një dëm prej 500 milionë lekësh të rinj.

Prokuroria ka kërkuar në total 38 vite burg për 6 personat e arrestuar, por të gjithë do të përfitojnë ulje dënimi me 1/3-n për shkak se kanë përfituar gjykim të shkurtuar nga gjykata.

Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Tiranë kërkoi dënimet, si më poshtë:

– Androkli Kokthi, ish-drejtor i Tatimeve Tiranë, të dënohet me 3 vjet burg

-Ibrahim Aktoz, të dënohet me 4 vjet burg

-Ekrem Oztemel, të dënohet me 7 vjet burg

– Fabian Goci, të dënohet me 8 vjet burg

-Aurel Preni, të dënohet me 8 vjet burg

-Fiqiri Hoxha, të dënohet me 8 vjet burg.

Historia e kamerunasit të Sopotit, Domosdova i ofron para dhe… ushqim

Posted: 16 Jan 2017 06:00 AM PST

Historia rrëqethëse e kamerunasit të Sopotit, Janot Tadjong, e publikuar në gazetën "Panorama Sport" një ditë më parë ka qenë lajmi më i komentuar sportiv dhe më i klikuar në rrjet.

Historia e trishtë e Janot që ka arritur deri në pikën sa mezi siguron mbijetesën në Tiranë, në një kohë që për para nuk bëhet fjalë, ka bërë që edhe një klub të vërë dorën në zemër për lojtarin.

Dhe është pikërisht Domosdova e Përrenjasit, klubi që hap dyert për kamerunasin. Klubi e garanton mesfushorin se do të ketë të sigurt rrogën dhe ushqim shumë të mirë njëkohësisht, gjë që i ka munguar gjatë këtyre katër muajve të fundit.

Shefi i klubit të Domosdovës, Ardit Facja, i befasuar nga lajmi i ka ofruar një vend në ekipin e tij kamerunasit.

"Lajmi dhe historia e lojtarit kamerunas të Sopotit ishte e dhimbshme. Menjëherë bëra një kërkim të vogël për lojtarin, pashë disa video dhe foto të tij në internet. Mendoj se një lojtar me fizik shumë të mirë dhe të dhëna si të Janot, nuk e meriton një situatë të tillë. Fola me trajnerin e skuadrës dhe duke qenë se ne jemi në merkato këto javë dhe repartin e mesfushës duam ta përforcojmë, mendoj se Janot mund të na bëjë punë.

E ftoj kamerunasin publikisht për një provë këto ditë në Përrenjas. Do ta kontaktoj menjëherë nesër dhe do ta pres me kënaqësi për një provë në ekipin tonë, i cili këto ditë do të zhvillojë një miqësore me skuadrën e Pogradecit.

Ndoshta rroga që mund t'i ofroj unë do të jetë modeste për lojtarin, por të paktën atë do ta ketë të garantuar dhe mbi të gjitha, ushqimi i mirë nuk do t'i mungojë asnjëherë", përfundoi ofertën e tij për kamerunasin shefi i klubit të Domosdovës, Ardit Facja, duke bërë një gjest human për lojtarin kamerunas. Aktualisht, skuadra përrenjasake militon në Kategorinë e Dytë.

Përplasja në grupin e PD/ Ruli kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, Topalli dhe Bregu kundër bojkotit

Posted: 16 Jan 2017 05:37 AM PST

Pas nënshkrimit të memorandumit me aleatët, ku u listuan kushtet për zgjedhjet e ardhshme parlamentar, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka informuar deputetët në mbledhjen e grupit parlamentar.

Por deputetët demokratë kanë pasur ide të ndryshme për aksionin opozitar.

Deputeti Genc Ruli, një ndër kritikët e Bashës, ka dalë pro kreut të PD-së, ndërsa ka propozuar edhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

"Për të arritur zgjedhje normale ja vlen të shtyhet data e zgjedhjeve", ka thënë Genc Ruli.

Nënkryetari i Parlamentit, Edmond Spaho ka propozuar që të bëjnë presion duke dalë nga parlamenti.

"Të dalim nga parlamenti për presion, kemi memorandum me 22 parti", tha Spaho.

Por kundër bojkotit kanë dalë deputetet Jozefina Topalli dhe Majlinda Bregu.

"Nuk jam për të bojkotuar Kuvendin, do të penalizonte", ka thënë Topalli.

Ndërsa Bregu tha se përgjegjësia është e PD.

"Jo 22 parti po 52 të jenë aleatët tanë, barra është e jona. A jemi të sigurt se jemi në gjendje për protesta?", tha Bregu.

“Kloni” shqiptar i Ibrahimovic “çmend” mediat angleze

Posted: 16 Jan 2017 04:57 AM PST

Manchester United dhe Liverpool u ndanë me një barazim 1-1 në derbin e javës së 21-të në Premier League.

Por, para ndeshjes, "Mirror" në fillim e të tjerat më pas, i kushtuan një lajm "klonit" shqiptar të Zlatan Ibrahimovic, i cili ishte duke e pritur atë të shtunën mbrëma jashtë hotelit Lowry, për ta takuar.

"Fotokopja" i gjigandit suedez mësohet se është shqiptari Ahmet Murina, i cili në një intervistë në vitin 2016 kishte zbuluar se shumë qytetarë e ndalojnë atë për fotografi, duke e marrë për kampionin e shumëfishtë në disa liga elitare të Europës.

Ëndrra e tij është që një ditë ta takojë Ibran, ndaj kishte udhëtuar edhe për të parë ndeshjen Manchester United – Liverpool, por nuk ia doli të shtrëngonte duart, apo të bënte një foto me "binjakun" e vet.

kkdkd-768x768

Pra, Zlatan Ibrahimovic ka edhe një sozi të vetën. Edhe ai është futbollist, por luan në nivele amatore në Zvicër.

Në fakt, bëhet fjalë për një shqiptar të Kosovës, i lindur më 23 janar 1987 në Kamenicë dhe i zhvendosur në shtetin helvet.

Ai quhet Ahmet Murina dhe aktualisht luan me skuadrën e FC Töss.

“Italiania i refuzoi dashurinë, Enveri i burgosi burrin drejtor banke deri sa vdiq”

Posted: 16 Jan 2017 04:15 AM PST

agron-tufaNga Agron Tufa

Krimet e komunizmit në Shqipëri përbëjnë një kapitull të pahapur, ndonëse për to është folur në 25 vjet pas rënies së diktaturës, kryesisht nëpërmjet kujtimeve fragmentare të atyre që kanë mbijetuar nga pesha e dhunës. Është folur në mediume të ndryshme në mënyra të ndryshme, me tone minimizuese e përkeqësuese, por gjithmonë, duke ndjekur sipërfaqen e sheshtë të gazetave dhe ekraneve, derisa perceptimi për komunizmin si e keqe njerëzore, shoqërore e kombëtare është reduktuar në një lloj ekzotike, pa e patur konkretësinë e duhur e as koordinatën e saktë.

Me përballjen e përvojës sonë nën diktaturën komuniste, si një shumë e hidhur e së Keqes, nuk ka pasur as strategji, as vullnet e as një marrëveshje shoqërore. Rëndom, sa herë flitet për aspekte të caktuara të persekutimit komunist në media, problemit i bihet nga dera e pasme. Ndërkohë pritej që të përballeshim ndryshe, ndershmërisht, të përcaktonim e të zbardhnim gjeografinë e krimit, për të kuptuar përmasat e gjithanshme të maskrës, rrënimit e tjetërsimit, thyerjen e madhe e të pariparueshme që ka ndodhur në kodin e brendshëm të nderit e dinjitetit njerëzor.

Saga e pikëllueshme e familjes së Aldo Terruzit është një apel për të medituar mbi fatin e qytetarëve të huaj, shpesh tepër dashamirës ndaj popullit tonë, që e patën njehsuar fatin e tyre dhe të familjeve të tyre me fatin e shoqërisë shqiptare, të cilës iu bashkangjitën dhe u munduan të kontribuojnë në gjirin e saj me përkushtim e sinqeritet. Ne edhe sot nuk jemi ende të vetëdijshëm për kontributin e madh, për dëshirën dhe dashurinë e këtyre të huajve, që dhanë gjithçka të mirë për modernizimin e shoqërisë shqiptare. Tragjeditë e tyre na rëndojnë veçanërisht dhe na bëjnë të ndjejmë turp si shqiptarë, sepse pushteti komunist u soll me ta me të njëjtin absurditet, me të njëjtën egërsi e pabesi, njëlloj si me shtetasit shqiptarë.

Nëse mund të flasim me siguri për episode të pafundme të pabesisë dhe tradhtisë së pushtetit komunist ndaj shtetasve të tij, faktet na detyrojnë të konstatojmë se të njëjtën praktikë ka ndjekur diktatura edhe për shtetasit e huaj. Verbëria dhe fanatizmi internacionalist i komunistëve shqiptarë nuk i kurseu as të parët, as të dytët. Ndërsa për të parët, shtetasit shqiptarë, deri diku mund të kyçemi në një logjikë, gjithsesi të egër e të papranueshme, për shtetasit e huaj kjo egërsi e pabesi ishte jashtë çdo pritshmërie morale, një akt i turpshëm e fyes i përfytyrimeve tradicionale për paprekshmërinë e mikut.

Praktika komuniste e dhunoi dhe në këtë pikë konstitucionin moral të shqiptarëve, duke i përfshirë pa dallim edhe ata brenda makinës grirëse të luftës së klasave, spiunazhit dhe sabotatorëve. Prandaj strategjia komuniste e hekatombës me të huajt rezulton një tjetër poshtërim që i bëhej nderit dhe etikës tradicionale shqiptare.

Dhe të mendosh, se vetëm një vit para instalimit të diktaturës së Enver Hoxhës, këto virtyte tradicionale shqiptare kishin shënuar aktin unikal e të vetëm njerëzor në mbarë Europën e pështjellë me muzikën funebre të përcjelljes së hebrenjve në krematoriume dhe dhomat naziste të gazit! Është po ky popull që dha shembullin e vetëm të mbrojtjes, fshehjes dhe shpëtimit të të gjithë hebrenjve të vet e të huaj, që erdhën në Shqipëri dhe është po ky popull, i cili pas një viti, nën thundrën e shtypjes gjakatare komuniste, jo vetëm nuk mundi të mbrojë asnjë të huaj, por as bijtë e vet.

Është për të ardhur keq, që deri më sot nuk ekzistojnë statistika për numrin e të huajve që iu nënshtruan kalvarit të burgjeve, pushkatimeve, internimeve dhe formave të tjera të represionit. Megjithatë, nga disa lista të burgosurish dhe dënimesh, shihet se ky numër është shumë i madh. Ai fillon që me instalimin e pushtetit në vitin 1945 me gjyqe të montuara trashë dhe arrin kulmin me arrestimet dhe dënimet masive pas prishjes së marrëdhënieve me BS-në. Në rastin më të fundit, çnderimi i psikologjisë dhe etikës shqiptare mori formën më të neveritshme me arrestimin e grave të huaja, duke shënuar tragjedi të thekshme njerëzore familjare.

Për logjikën e egër dhe primitive komuniste nuk ekzistonte asnjë lloj diferencimi shoqëror, profesional apo gjinor. Shefat e hetuesisë, siç dalin nga dëshmitë, urdhërat dhe botimet e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, përveç torturave dhe shantazhit mbi femrat, kanë kryer aktet më të turpshme e më mizore që fyen çdo shqiptar normal, siç është përdhunimi i planifikuar i tyre, si masë e thyerjes dërrmuese të çdo rezistence.

Për këto aspekte të turpshme duhet folur haptazi, konkretisht dhe me fakte, nëse duhet të distancohemi nga krime të tilla që na rëndojnë në ndërgjegje. Gjithkujt që ka lexuar memuaret e shkrimtarit Petro Marko "Retë dhe gurët", i kujtohet episodi mizor i vrasjes së gjeologut gjenial polak Stanislav Zuber. Petro Marko rrëfen me detaje të imëta, direkt nga qelia ku qëndron i varur krahësh, se si dha shpirt shkencëtari i madh me famë botërore nën shqelmat e tërbuara të torturonjësve të tij.

Klika banditeske e dhunës shtetërore nuk njohu as cak, as normë. Dhe sjellja makabre ndaj të huajve, gjetja e eshtrave të tyre, ndriçimi i historive të tyre personale, është një detyrë që na takon ta përmbushim sot, për të nderuar kujtimin e tyre si viktimat më të pafajshme të diktaturës dhe nëpërmjet këtij akti, të shprehim ngushëllimin për ta, sikundërse edhe divorcin e pamëdyshtë me krimet e diktaturës, të cilat, sigurisht, s'kanë aspak lidhje me përfaqësimin e moralit dhe etikës sonë njerëzore.

Enver Hoxha (1908-1985) leader of AlbaniaHakmarrja paranojake e Enver Hoxhës  ndaj femrave

Libri memuaristik "Brenga ime shqiptare" i inxhinierit italian Aldo Renato Terruzi është një ndër librat e shumtë të memuareve, përsiatjeve, refleksioneve, ditarëve dhe epistolarëve që ngërthejnë kujtesën e përjetimeve të trishta e tragjike që përjetuan qytetarët shqiptarë e të huaj në burgjet, kampet e internimit, format e dëbimit dhe persekutimeve të ndryshme përgjatë gjithë diktaturës së regjimit totalitar komunist nga viti 1944 deri në rënien e saj, me 1991.

Rrëfimi është i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe nga ana kompozicionale është ndërtuar mbi përvojën e udhëtimit Itali-Shqipëri të dy protagonistëve të rrëfimit, Aldos (autor i rrëfimit) dhe dajës së tij, Xhakomos, ish-portierit të famshëm të Kombëtares shqiptare të futbollit të vitit 1946, vit kur ky ekip kombëtar fitoi kupën e kampionatit ballkanik.

Rrëfimi i z. Terruzi nuk është në stilin e njohur të zhanreve të udhëtimit, me qëllim përshkrimi të vendeve të panjohura. Të dy udhëtarët rikthehen pas 44 viteve në Shqipëri, në atë vend ku familja Terruzi kishte përjetuar sukseset nëpërmjet një pune këmbëngulëse e të ndershme, gëzimet familjare dhe respektin e dashurinë e vendasve për kontributin e tyre në këtë shoqëri.

Udhëtimi është i mbushur kryesisht e paralelisht me rrëfimet e Xhakomos mbi sagën ballkanike të familjes së tij, deri në vendosjen e tyre në qytetet e ndryshme të Shqipërisë. Së këndejmi, ai është një udhëtim introspektiv, që gërmon mbi të shkuarën dhe identitetin e familjes së autorit deri në momentin kur fillon tragjedia.

Zhvillimet politike me kontekstet e paparashikuara të Luftës së Dytë Botërore nuk e lëkundën këtë familje italiane, që shikonte punën e vet dhe harmoninë me vendasit. Në fakt, tragjedia zë fill me ardhjen e komunistëve të Enver Hoxhës në pushtet, me karakterin inatçor të diktatorit. Gjatë rrëfimit ne njihemi hollësisht me një fakt të diktatorit: adhurimin e tij për Aurelian, të ëmën e Aldos, e cila asokohe, në moshën 16 vjeçare, ishte një ndër bukuroshet më të spikatura të Gjirokastrës.

Në kohë e forma të ndryshme, diktatori i kërkon dashurinë me këmbëngulje Aurelias së bukur, por merr në të gjitha rastet refuzim të prerë. Autori beson, dhe jo pa arsye, se arrestimi i të atit, Xhuzepes, ka qenë një hakmarrje personale e Hoxhës, për refuzimin e vazhdueshëm që kishte marrë nga ish e adhuruara, Aurelia, tashmë bashkëshorte e drejtorit të Bankës së Vlorës. Në fakt, nëse shqyrtohen rrethanat e jetës personale të diktatorëve, episode të tilla të ngjashme përbëjnë një sfond të pasur psikologjik, që shpjegojnë nga pikëpamja psiko-analitike mllefin dhe mizorinë shpaguese, aq më tepër po të kemi parasysh se Enver Hoxha të njëjtën egërsi si me Aurelian, në mos më fort, ka shfaqur edhe ndaj femrave të tjera të lavdishme që e kanë përbuzur dhe refuzuar.

Mjafton të bashkangjisim këtu rastet e mirënjohura të shkrimtares Musine Kokalari dhe shkencëtares Sabiha Kasimati, ku njëra u dënua dhe i ngrysi ditët në internim, ndërsa tjetra u pushkatua pa gjyq në shkurtin e vitit 1951. Pa u zgjatur më në këtë patologji paranojake, shënojmë shkarazi se në ndryshim nga njerëzit me drejtpeshim të shëndetit mendor, që nuk e asgjësojnë objektin e dashurisë, hakmarrësi primitiv Enver Hoxha i likuidoi të gjitha femrat që kishin qenë objekte të adhurimit dashuror.

Aurelias i ra për hise gjymtimi i familjes, si fillim. Ndryshe nga qytetarët e burgosur italianë, të vetmin, bashkëshortin e saj, Xhuzepen, nuk e liruan, derisa ai vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1952.

Një ndër pengjet dhe kryesisht qëllimi i udhëtimit të Aldo Renato Terruzit në Shqipëri, prej së cilës është larguar në moshën 4 vjeçare, është gjetja dhe kthimi në atdhe, pranë familjes, i eshtrave të të atit. Ai viziton burgun e Burrelit, ku bashkëvuajtës të të atit, Petrit Velaj dhe Engjëll Kokoshi (i cili e shoqëron), ia kanë përshkruar rrethanat e vdekjes së tij dhe vendin e varrimit ndanë qershizës së burgut, të njohur prej sa e sa rrëfimesh.

Le të citojmë këtu një fragment nga biseda me Engjëll Kokoshin, për mënyrën se si i varrosnin të vdekurit në burgun e Burrelit: "Ku varroseshin gjithë ato kufoma?" – "Gjithmonë në të njëjtin vend. Atje, pikërisht përballë dritareve të qelive mes dy rrethimeve, në mënyrë që të gjithë ta shihnin se ç'fund do të pësonin. Atje ka qenë një pemë qershie që në pranverë dukej se lulëzonte bash për ata që treteshin poshtë saj. Kufomat, cullake – rrobat dhe gjërat e tjera i ndanin mesvedi xhelatët – të mbështjellë me batanije i varrosnin në radhë, njërin ndanë tjetrit, pa emër dhe pa asnjë nishan".

Pengjet e të gjallëve

Që nga viti 1993, qytetari italian Aldo Renato Terruzi, i lindur në Shqipëri, rikthehet herë pas here në "atdheun e tij të dytë", me të cilin e mban të lidhur një peng që e ka munduar dhe e mundon gjatë gjithë jetës: gjetja e eshtrave të të atit. Këtu ka miq që e duan, e presin, e vlerësojnë, por për gjënë më të çmueshmë, më të shtrenjtë, me themelore në jetën e tij – gjetjen e eshtrave të babait, të vdekur në burgun komunist të Burrelit – askush deri më tash nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë.

E trishtueshme është se vendi, sipas kujtesës së bashkëvuajtësve të të atit, është, në njëfarë mënyre i përcaktuar. Megjithatë, koha që ka kaluar i ka fshirë shenjat: qershiza si pikë referimi nuk është më. Gërmimet që janë bërë, kanë dalë pa rezultat. Qarkullojnë fjalë sikur dikur, aty ku janë varrosur të vdekurit në burg, kanë futur një ekskavator që ka rrafshuar a zhvendosur gjithçka. Ka të tjerë që thonë se gërmimet duhen bërë në një tjetër krah të territorit të brendshëm a të jashtëm të burgut. Në përgjithësi, gjetja e eshtrave të të pushkatuarve nga diktatura apo të të dënuarve që vdiqën në burgjet e saj, është një problem ende i pazgjidhur.

Ai përbën, si gjatë, si pas rënies së diktaturës, pengun më torturues të të gjallëve, të cilët, pa asnjë shenjë, pas asnjë varr simbolik, janë privuar edhe nga ceremonia e thjeshtë e vendosjes së një qiriu të ndezur apo e një tufe lulesh mbi varret e të dashurve të tyre, të rrëmbyer dhunshëm nga gjiri i familjes. Me këtë peng rron sot edhe Aldo Renato Terruzi. Shteti diktatorial nuk ka lënë as shenja, as lista, as procesverbale. Së paku arkivat për këto raste, deri më tash, janë memece. Është e habitshme që instrumentat e kontrollit të diktaturës kanë qenë në mënyrën më cinike përllogaritës në çdo gjë; mund të gjesh procesverbale për humbjen apo dëmtimin edhe të sendeve të vockla, çikërrimave, deri edhe tek dëmtimi i parcelave nga bagëtitë… por është e habitshme se si nuk është lënë asnjë copë pusullë për pushkatimin e njerëzve!

Megjithatë, në rastin konkret, do të kishte qenë e mundur të bëhej maksimumi, duke kërkuar e gërmuar, pa përjashtim, çdo centimetër të territorit.

Ekziston një strukturë shtetërore që quhet task force, e cila, me sa di unë, ka një fond buxhetor për kërkimet dhe ekzguminimin e të pushkatuarve. Do të kishte qenë e drejtë, që qeveritë e Shqipërisë ta merrnin seriozisht këtë mision moral e paqtues, të gjetjes dhe identifikimit të eshtrave për ato viktima të pafajshme, që diktatura komuniste përveçse i vrau, i la dhe pa varr, duke u lënë një brengë të pashlyeshme në shpirt mijëra familjeve shqiptare dhe të huaja.

Gjithçka kërkon prej nesh sot qytetari italian Aldo Renato Terruzi, mik i yni, është një varr për Xhuzepe Terruzin, që e la të birin në moshë të miturisë me kujtesën e fundit të episodeve të komunikimit mes tyre përmes katrorëve të hekurave të burgut. Është një brengë që e shoqëron përherë në udhëtimet e tij nga Roma në Shqipëri. Është një brengë e pangushëllim, por edhe shpresa se ndoshta një ditë eshtrat e të atit do të gjenden dhe i biri do të lehtësohet, duke i patur ato në varret a urnën familjare, përbri të cilëve, herët a vonë, do të shtrihet gjithkush prej nesh, në paqen e përjetshme.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more