Skip to main content

“OJQ ruse “Golos” nderohet me çmim nga OSBE-ja ” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“OJQ ruse “Golos” nderohet me çmim nga OSBE-ja ” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


OJQ ruse “Golos” nderohet me çmim nga OSBE-ja 

Posted: 18 Jan 2017 09:54 AM PST

Një organizatë jo qeveritare ruse që monitoron zgjedhjet me emërin, "Golos" (Zëri) e ka marrë çmimin e Mbrojtësit të Demokracisë për vitin 2017 nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).  Ceremonia zyrtare për ndarjen e këtij çmimi është mbajtur sot në Vienë, ku OSBE-ja ka zyret qëndrore.  Golos njofton përmes faqes së saj të internetit se çmimi i OSBE-së është dhënë për "kontribut ekskluziv për promovim të demokracisë dhe të drejta të njeriut".  Çmimi vjetor është themeluar në fillim të vitit të kaluar nga vendet anëtare të OSBE-së për të nderuar aktivistët e shoqërisë civile dhe institucionet demokratike me qëllim që të tërhiqet vëmendje për problemet që ata vet përballen.  Në vitin 2014, ministria ruse e drejtësisë e ka shtuar organizatën Golos në listën e atyre që konsiderohen si "agjentë të huaj" në bazë të një ligji kontrovers rus.  Ky ligj thotë se çdo organizatë jo qeveritare e përfshirë në politikë dhe që merr fonde nga jashtë duhet të regjistrohet si "agjent i huaj". 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Haley: Rusisë nuk mund t’i besohet 

Posted: 18 Jan 2017 08:55 AM PST

E nominuara e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për ambasadore të SHBA-së në OKB, ka thënë se Rusia nuk është vend që mund t'i besosh dhe se ky vend duhet të ndërmarrë "veprime pozitive" para se Uashingtoni të heq sanksionet kundër Moskës. Guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley i ka thënë një komisioni të Senatit amerikan gjatë seancës dëgjimore për emërimin e saj ambasadore në OKB më 18 janar se Rusia po bënë përpjekje që të "shfaqë muskujt". "Unë nuk mendoj se mund t'iu besojmë atyre" ka thënë 44 vjeçarja Haley komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan. Haley, e cila e ka kritikuar Trumpin gjatë fushatës zgjedhore, ka pak përvojë në çështjet ndërkombëtare dhe se nuk ka folur shpesh publikisht rreth qëndrimeve të saj për politikën e jashtme.  Trump ka thënë se dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale me Rusinë të cilat janë përkeqësuar si pasojë e veprimeve të Moskës në Ukrainë dhe Siri. Kjo ka nxitur kritikët që thonë se Trump është shumë i butë ndaj politikës së jashtme agresive të Moskës.  Senacan dëgjimore për konfirmimin e Haleyt po ndodhë derisa agjencitë amerikane të inteligjencës kanë thënë se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane përmes sulmeve kibernetike që janë urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin. Nëse konfirmohet nga Senati, Haley do e pasojë Samantha Poëer, një kritike e ashpër e aneksimit që Rusia ia ka bërë gadishullut ukrainas të Krimesë dhe përkrahjes që Moska iu ka dhënë separatistëve në Ukrainën lindore dhe presidentit sirian, Bashar al Assad. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Dodik kundërshton sanksionet amerikane kundër tij

Posted: 18 Jan 2017 07:38 AM PST

Lideri nacionalist serb i Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik ka kundërshtuar sanksionet amerikane kundët tij, ndërsa i ka bërë thirrje qeverisë së Bosnjës që ta shpallë ambasadoren amerikane në Sarajevë si person të padëshiruar.  Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar më 17 janar se ka vendosur sanksione kundër Millorad Dodik, duke thënë se ai në mënyrë aktive po i pengon përpjekjet për implementim të Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, me të cilën përfundoi lufta në Bosnjë Hercegovinë. Gjatë konferencës së sotme në Banja Llukë, Dodik ka thënë se ai është "krenar" që është vënë në listën e zezë amerikane.  Ai ka thënë se sanksionet e verifikojnë se "nuk është i gatshëm që të tregtojë me interesin e Republikës Serbe". Dodik ka thënë se ambasadorja amerikane në Sarajevë, Maureen Cormack, është "armike e serbëve" dhe e pa dëshiruar në Republikën Serbe. Ai i ka bërë thirrje ministrit të jashtëm boshnjak, Igor Crnadak, që ta shpallë Cormackun si person të padëshiruar në tërë Bosnjën.  Dodik ka thënë se marrëdhëniet e tij me Uashingtonin do të përmirësohen pasi të nis detyrën presidenti i ri amerikan, Donald Trump më 20 janar. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Biden paralajmëron për kërcënimin rus ndaj rendit botëror dhe ndërhyrjes në zgjedhje

Posted: 18 Jan 2017 06:57 AM PST

Në fjalimin e tij, zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, tha se Rusia paraqet kërcënimin më të madh për "rendin liberal ndërkombëtar" dhe ka tërhequr vërejtjen se mund të priten përpjekje të mëtejshme ruse për ndërhyrje në zgjedhjet perëndimore. Biden ka mbajtur fjalim më 18 janar në Forumin Botëror të Ekonomisë në Davos të Zvicrës, në kohën e dyshimeve se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane. "Rusia dëshiron t'i rikthehet një bote ku të fuqishmit imponojnë dëshirat e tyre përmes fuqisë ushtarake, korrupsionit dhe kriminalitetit, derisa kombet e dobëta duhet të rreshtohen para saj", ka thënë nënpresidenti amerikan, Biden.  Gjatë këtij muaji agjencitë amerikane të inteligjencës kanë konstatuar "me besim të lartë" se presidenti rus, Vladimir Putin ka "urdhëruar ndikimin në fushatën zgjedhore presidenciale amerikane gjatë vitit 2016". Ata gjithashtu e kanë akuzuar Putinin dhe qeverinë ruse "kanë pasur preferencë të qartë" për presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, në raport me rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton, në zgjedhjet e 8 nëntorit. Derisa gjatë këtij viti, disa shtete evropiane zgjedhin parlamentet apo presidentët e ri, Biden ka paralajmëruar se "mund të priten përpjekje të mëtejshme nga Rusia për të ndërhyrë në proceset demokratike". "Por, nuk është vetëm SHBA-ja që është bërë cak. Evropa gjithashtu ka përjetuar sulme të ngjajshme në të kaluarën. Derisa shumë shtete në Evropë kanë për të mbajtur zgjedhjet gjatë këtij viti, ne duhet të presim përpjekje të tjera nga Rusia për ndërhyrje në proceset demokratike. Do të ndodh sërish, ju premtoj për këtë", ka thënë Biden. Moska e ka hedhur poshtë akuzën se ka ndërhyrë në votimet amerikane, ndërsa ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë një konference të djeshme ka thënë se pretendimet se Moska po planifikon sulme kibernetike për të ndërhyrë në zgjedhjet evropiane janë gjëra të tjerët po "i ëndërrojnë". Biden ka thënë se Kina dhe Irani gjithashtu "e masin suksesin e tyre me çarjen e rregullit liberal ndërkombëtar", por ai ka nënvizuar se "kjo lëvizje në parim udhëhiqet nga Rusia". "Nën presidentin Putin, Rusia po punon me çdo mjet që e ka në dispozicion të gdhend skajet e projektit evropian, të gjejë gjëra që nuk funksionojnë brenda popujve perëndimor, dhe t'i rikthehet një politike që definohet nga sfera të ndikimit", ka thënë nënpresidenti amerikan. "Ne e shohim këtë në agresionin që e shfaqin kundër fqinjëve të tyre, duke dërguar të ashtuquajturit 'njerëzit e vegjël jeshil' përgjatë kufirit për të nxitur dhunë dhe separatizmin në Ukrainë", ka thënë Biden. Ai gjithashtu e ka përmendur "propagandën dhe fushatën e informacione të rrejshme" të Moskës, përdorimin e "energjisë si armë", dhe ndërhyrjet kibernetike kundër partive politike dhe individëve në Shtetet e Bashkuara". Biden i ka bërë thirrje SHBA-së dhe Bashkimit Evropian që të "udhëheqin luftën" për tu përballur me Putinin dhe të mbrojnë vlerat liberale, derisa ka insistuar se NATO duhet të mbetët element kyç në marrëdhëniet transatlantike. Pa përmendur një politikan të caktuar, Biden gjithashtu ka paralajmëruar kundër "dëshirës së rrezikshme për rikthim te agjendat nacionaliste, proteksioniste dhe izoluese që gjatë shekullit të fundit e kanë çuar botën drejt luftës". Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili inaugurohet pasnesër, ka vlerësuar se NATO-ja është e "vjetëruar", duke e akuzuar se nuk ka bërë sa duhet në luftimin e terrorizmit. Megjithatë Trump ka pranuar se aleanca është ende "shumë e rëndësishme" për të. Ai gjithashtu ka thënë se dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet e dëmtuara me Moskën. Marrëdhëniet në mes të Moskës dhe Uashingtonit kanë rënë në nivele që nuk janë parë prej Luftës së Ftohtë si pasojë e aneksimit nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe përkrahjes që iu jep separatistëve në Ukrainën lindore dhe përfshirjen në luftën e Sirisë dhe çështjeve të tjera. (REL) Përgatiti: Artan Haraçia

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Komisioni për matjen e territorit mblidhet më 24 janar, pa opozitën

Posted: 18 Jan 2017 06:50 AM PST

Qeveria e Kosovës konfirmon ftesën dërguar partive opozitare për t'u bërë pjesë e Komisionit që do të bënte matjen e territorit të Kosovës.Por, deri më tani, opozita ka refuzuar t'i përgjigjet kësaj ftese. Matja e territorit, është iniciuar si kërkesë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, pas akuzave të opozitës, por edhe disa deputetëve në pushtet, se me Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor. "Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit, të nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve, do t'i hapte udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së, do të fuqizonte shtetësinë e Kosovës", thuhet në një komunikatat ë lëshuar nga Qeveria e Kosovës. Në këtë funksion, Qeveria e Kosovës, rikujton se ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, i cili ka për mision që të bëjë matjen e territorit të Kosovës para datës 25 gusht të vitit 2015, dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi. Në këtë komision janë ftuar në cilësinë e anëtarëve përfaqësues nga:Akademia e Shkencës dhe e Arteve e Kosovës, Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore,Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, Dy ekspertë nga Organizatat e Shoqërisë Civile, Agjencioni i Kadastrit, Agjencioni i Ujërave, Agjencioni i Pyjeve, KOSTT-i, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Policia e Kosovës, Agjencioni i Statistikave të Kosovës, Komuna e Pejës, Komuna e Deçanit,Komuna e Istogut, Komuna e Junikut, dy përfaqësues nga zona e Rugovës së Komunës së Pejës. Në cilësinë e anëtarëve vëzhgues janë ftuar përfaqësues nga: Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Bashkimi Evropian dhe KFOR-i. Pjesëmarrjen në punën e Komisionit, përfshi edhe vëzhguesit, sipas komunikatës e kanë konfirmuar të gjithë anëtarët, përveç tri subjekteve opozitare. Takimi Konstituiv i Komisionit do të mbahet më datë 24 janar 2017.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kosova vazhdon të përballet me ndotje të lartë të ajrit

Posted: 18 Jan 2017 06:47 AM PST

Cilësia jo e mirë e ajrit në Kosovë, vazhdon të kanos jo vetëm mjedisin jetësor, por edhe shëndetin dhe jetët e njerëzve. Nga ndotjet e larta të ajrit, personat më të rrezikuar konsiderohet të jenë fëmijët, pleqtë si dhe personat me sëmundje kronike të mushkërive dhe organeve respiratore. Po ashtu, niveli i lartë i ndotjes, besohet se po ndikon edhe në shtimin e rasteve të sëmundjeve respiratore. Bazuar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë , thuhet se rreth 800 njerëz vdesin në vit para kohës , pikërisht për shkak të ajrit të ndotur. Besohet se ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë janë kompanitë e mëdha të industrisë së rëndë, por edhe përdorimi i lëndëve djegëse dhe makinat e vjetra në qarkullim. Kosova është radhitur nga mekanizmat ndërkombëtarë në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë. Përkeqësimi i cilësisë së ajrit, sidomos në Prishtinë, ka shqetësuar edhe zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mjedisit të Planifikimit Hapësinor të Qeverisë së Kosovës, por edhe dikasteret tjera, konfirmojnë zyrtarët e kësaj ministrie. Si rrjedhojë Ministria e Mjedisit i ka propozuar Qeverisë së Kosovës një plan strategjik që të gjitha dikasteret relevante të merren me këtë problematikë, gjë që Qeveria tashmë edhe e ka aprovuar këtë plan. Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se norma e tejkaluar e cilësisë së ajrit ka arritur në 400 mikron për metër kub, përderisa norma e lejuar është 50 mikron për metër kub. "Ndotja e ajrit nuk vjen nga Ministria e Mjedisit , por nga korporatat industriale, transporti dhe energjia e djegiet nga ekonomitë familjare siç është thëngjilli. Andaj, Qeveria e Kosovës ka aprovuar planin në masat afatshkurta , afatmesme dhe afatgjata". "Ka raste që cilësia e ajrit është e lejuar 50 mikron për metër kub, dhe ka qenë 400 mikron për metër kub. Kjo ka bërë që qytetarët të shqetësohen, por kjo ndodh rreth orës 18:00, pasi atëherë është koha kur më së shumti digjen lëndët, dhe jo gjatë gjithë kohës", ka thënë Morina. Tutje Morina tregon për masat që do të ndërmerren, ku përfshiet zgjerimi i koogjenerimit, masat për zvogëlimin e djegies së lëndëve, por edhe ndalimi i regjistrimit të automjeteve të vjetra. "Masat janë ndërmarrë në mobilizim të inspektoratit të komunës në bashkëpunim me atë të ministrisë. Ato veprime që janë të ndaluara si djegia e vajrave, do të ndëshkohen, por sa u përket qytetarëve ne nuk kemi të drejtë t'i ndalojmë ata të sigurojnë ngrohjen me lëndë djegëse dhe kjo po shkakton ndotje të ajrit". "Andaj është paraparë zgjerimi i koogjenerimit nga Termokosi. Por, edhe automjetet janë shkaktar i ndotjes, kështu që nuk do të lejohen të regjistrohen ato që janë më të vjetra se viti 2000, apo që janë prodhuar para vitit 2000", ka thënë Morina. Shumica e automjeteve që vijnë nga Evropa, ka vijuar ai, nuk i kanë plotësuar kushtet e djegies së gazrave në vendet e tyre dhe ato nuk do të mund të regjistrohen as në Kosovë. Në anën tjetër zyrtarë nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, kanë deklaruar se gjendja e cilësisë së ajrit nuk është e kënaqshme, por nëse krahasohet me vitet paraprake, ka përmirësime. Shkumbin Shala, specialist i cilësisë së ajrit në Institutin Hidrometeorologjik në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se gjatë muajit janar, kanë qenë nëntë ditë me tejkalim të vlerave të regjistruara ku është arritur në 135.5 mikrogram për metër kub. "Në muajin dhjetor të vitit 2016 kemi regjistruar 21 ditë të tejkalimit të vlerave. Por, në muajin dhjetor të vitit 2015 kemi pasur 26 ditë me norma të tejkaluara". "Standardi lejon që brenda vitit të tejkalohen 35 ditë . Në vitin 2016, kemi regjistruar 53 ditë me tejkalime, por viti 2015 ka qenë me 73 ditë me tejkalime. Do të thotë ne nuk jemi në gjendje të kënaqshme me cilësinë së ajrit , por ka zbutje ndër vite", ka thënë Shala. Sidoqoftë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë javë më parë ka kërkuar nga autoritetet kompetente që të merren masa urgjente për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Numri i të sëmurëve nga mjedisi i ndotur në Kosovë është shtuar në muajt e fundit, thonë ekspertët e shëndetësisë në Kosovë, duke nënvizuar problemet e shtuara me mushkëritë dhe sëmundjet tjera respiratore. (REL)  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Estonia, Lituania e zyrtarizojnë praninë e trupave amerikane 

Posted: 18 Jan 2017 06:43 AM PST

Dy shtetet baltike, Estonia dhe Lituania më 17 janar kanë marrë vendim për rritje të bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pak para inaugurimit të presidentit të zgjedhur, amerikan, Donald Trump.  Ato kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale të mbrojtjes me Uashingtonin për të formalizuar praninë e trupave amerikane në vendet e tyre, njoftojnë ministritë e mbrojtjes së Estonisë dhe Lituanisë.  Letonia e ka nënshkruar një marrëveshje të ngjajshme gjatë javës së kaluar.  Marrëveshjet e lehtësojnë vendosjen e trupave amerikane në këto shtete duke mundësuar edhe ushtrime të përbashkëta dhe trajnime.  "Ne jemi të interesuar në praninë e vazhdueshme të trupave amerikane në Lituani, pasi kjo është një nga elementet kyçe të sigurisë sonë", ka thënë ministri i mbrojtjes, Raimundas Karoblis. Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili inaugurohet të premtën, ka vlerësuar se NATO-ja, aleanca ku bëjnë pjesë edhe këto vende baltike, është e "vjetëruar". Këto komente kanë shqetësuar këto tri shtete që janë fqinjë me Rusinë. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Irani kundër pjesëmarrjes së SHBA-së në bisedimet për Sirinë

Posted: 18 Jan 2017 06:32 AM PST

Irani ka thënë se e kundërshton pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkura në bisedimet për paqe për Sirinë që pritet të fillojnë javën tjetër në Astana të Kazakistanit. Ky qëndrim është ndryshe prej pozicioneve të dy organizatorëve të këtyre bisedimeve, Rusisë dhe Turqisë që kanë thënë se administrata e re amerikane, nën udhëheqjen e Donald Trump, duhet të jetë e pranishme në bisedimet për Sirinë.  "Ne nuk i kemi ftuar dhe jemi kundër pranisë së tyre", ka thënë ministri i jashtëm iranian, Xhavad Zarif, më 17 janar.  "Në këtë fazë, (negociatat) duhet të mbesin tri-palëshe", ka thënë për AFP-në, zëdhënësi i Zarifit, Bahram Ghasemi.  Rusia, Turqia dhe Irani kanë nxitur bisedimet për paqe pasi forcat qeveritare kanë fituar betejen në Alepon lindore gjatë dhjetorit, një nga zonat kryesore që ka qenë nën kontrollin e rebelëve. Irani dhe Rusia janë përkrahësit kryesor të presidentit sirian, Bashar al Assad, ndërsa Turqia përkrahë grupet rebele. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

PE: Kryetar i ri është zgjedhur italiani Antonio Tajani

Posted: 18 Jan 2017 05:17 AM PST

Ligjvënësit evropianë e kanë zgjedhur politikanin italian të qendrës së djathtë, Antonio Tajani, për president të ri të Parlamentit Evropian. Presidenti i deritashëm, Martin Schulz, largohet nga Brukseli dhe kthehet në skenën politike të Gjermanisë. Zoti Tajani triumfoi kundër bashkështetasit të tij, Gianni Pittella, politikan i qendrës së majtë, pasi gjatë votimit të mbrëmshëm fitoi 351 me 282 vota. Gjatë procesit zgjedhor për president të Parlamentit Evropian garuan gjithsej gjashtë kandidatë, për të cilët u votua në tri runde. Antonio Tajani, i cili konsiderohet si person i afërt me ish-kryeministrin italian, Silvio Berlusconi, më parë ka shërbyer si zëvendëspresident i Parlamentit Evropian. Ai, po ashtu, ishte anëtar i Komisionit Evropian në periudhën 2008 – 2014.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ekspozitë për lirimin e Haradinajt

Posted: 18 Jan 2017 05:17 AM PST

Rreth 40 artistë kosovarë janë mbledhur për të shfaqur punimet e tyre, në kuadër të kampanjës për lirimin e Ramush Haradinajt.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Maqedonia shënon regres në luftën kundër korrupsionit

Posted: 18 Jan 2017 04:38 AM PST

Maqedonia nuk ka përmbushur as minimumin e rekomandimeve të organizatave relevante ndërkombëtare që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit në institucionet shtetërore. Në raportin më të ri të grupit të shteteve kundër korrupsionit i njohur si GRECO (The group of States against Corruption), Maqedonia ka përmbushur vetëm 3 nga 19 rekomandimet për luftë kundër korrupsionit në Kuvend, gjyqësi dhe prokurori. Ndërkohë, sipas organizatës "Transparencë Maqedoni", raporti është shpallur në fund të vitit të kaluar ndërsa paraprakisht janë miratuar konkluzionet sipas të cilave Maqedonia ka marrë raportin më të dobët që nga bashkëngjitja e saj këtij grupi ku bëjnë pjesë 49 shtete me synimin për të monitoruar përputhshmëritë e tyre me standardet evropiane të luftës kundër korrupsionit. "Në këtë raport është theksuar se rekomandimet nuk janë plotësuar për shkak të krizës politike. Por, vlerësoj se ky arsyetim i institucioneve nuk mban pasi raportin Maqedonia duhej ta paraqiste në qershor të vitit 2015, pra krizës politike ndërsa kërkesat për harmonizimin e legjislacionit apo rekomandimet për luftë kundër korrupsionit në këto institucione datojnë që nga viti 2013", thotë Sllagjana Taseva, drejtuese e organizatës "Transparencë Maqedoni". Rekomandimet e pa përmbushura për Kuvendin kanë të bëjnë me parandalimin e konfliktit të interesit, mosmiratimin e kodeksit për sjelljen e deputetëve, aplikimin e sanksioneve në rast të shkeljeve ligjore e të tjera. Ndërsa sa i përket gjyqësorit vërejtjet kanë të bëjnë me mos përmbushjen e rekomandimeve lidhurme mënyrat e vlerësimit dhe notimit në bazë të meritave, për të eliminuar ndikimet e mundshme dhe rrjedhimisht për të rritur efikasitetin dhe pavarësinë në punën e gjykatësve dhe prokurorëve. "Mendoj se arsyeja e mos përmbushjes së këtyre rekomandimeve qëndron në mungesën e vullnetit politik, pasi këto vërejtje kanë të bëjnë me Kuvendin, gjyqësinë dhe prokurorinë dhe me zbatimin e këtyre rekomandimeve do të forcohej lufta kundër korrupsionit në këto institucione. Këtë si duhet nuk e dëshiron pushteti ekzekutiv i cili ka kontroll të plotë të punës së këtyre organeve shtetërore", thotë Sllagjana Taseva. Ish kryetari i komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, Dragan Malinovski, thotë se nuk ka mbetur asnjë sferë në Maqedoni ku nuk është i pranishëm korrupsioni andaj edhe e sheh të humbur luftën kundër këtij fenomeni që ka rrënuar themelet e demokracisë dhe të zhvillimit të vendit. "Korrupsioni është thellë i pranishëm në Maqedoni, jo vetëm në qeveri, por në të gjitha poret e shoqërisë. Pra, nuk flasin vetëm se për pushtetin ekzekutiv, por vlerësoj se korrupsioni sikur është po pranohet si pjesë e kulturës së jetesës, ky fenomen është i pranishëm gjithandej pas. Kjo është kështu pasi shumë vite kemi humbur betejën kundër kësaj dukurie. Korrupsioni është i pranishëm dhe në ndërmarrje publike, në media, në sektorin civil", thotë Malinovski. Bazuar në disa hulumtime të opinionit publik, një e treta qytetarëve të Maqedonisë vlerësojnë se korrupsioni është një nga tre problemet kryesore në shtet. Shumë prej tyre kanë deklaruar se për të marrë ndonjë shërbim nga institucionet kanë qenë të detyruar të paguajnë ryshfet. (REL)  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mali: Nga sulmi vetëvrasës – 35 persona të vrarë

Posted: 18 Jan 2017 04:26 AM PST

Nga një sulm vetëvrasës me makinë-bombë në një kamp ushtarak në Mali në Afrikë, janë vrarë së paku 33 vetë, dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, kanë thënë zyrtarë qeveritarë. Agjencia Reuters, duke u mbështetur në dëshmitarë dhe burime të misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara, ka raportuar se sulmi ka ndodhur sot në qytetin verior, Gao. Në kampin ushtarak janë të vendosur ushtarët qeveritarë dhe pjesëtart e grupeve rivale të armatosura, që organizojnë patrulla të përbashkëta në pjesën veriore, sipas marrëveshes paqësore të ndërmjetësuar nga OKB. Nga një intervenim ushtarak të udhëhequr nga Franca në vitin 2013, militantët islamikë janë detyruar të tërhiqen, pasi e kishin okupuar pjesën veriore të Malit, një vit më herët. Por, militantët islamikë vazhdojnë të operojnë në rajon dhe atje ka tensione ndërmjet grupeve lokale kryengritëse dhe milicive proqeveritare.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hasani: Veriu s’është Krimeja, por Serbia llogaritë në trazira pas Gjykatës Speciale

Posted: 18 Jan 2017 04:20 AM PST

"Serbia dëshiron që ta ruaj gjendjen e tensionuar në Kosovë me shpresën që kur të fillojë punën Gjykata Speciale, situata të dalë jashtë kontrolli, siç kishte ndodhur në vitin 2004", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Ai mendon se veriu i Kosovës dallon shumë nga rasti i Krimesë, ndërkaq nuk e përjashton mundësinë që si pasojë e tensioneve, një ditë Moska dhe Uashingtoni ta trajtojnë zgjidhjen e çështjes së veriut si problem të veçantë. Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, po interpretohen si përpjekje e Serbisë për zbatimin e skenarit rus, të ngjashëm me rastin e Krimesë. Sa shihni ju ngjashmëri në këto dy raste? Enver Hasani: Mendoj që skenari si i Krimesë, në rastin e Kosovës është shumë vështirë i zbatueshëm, për shumë arsye. Në Krime, siç dihet, ka pasur një flotë ruse, që ka qenë dhe është shekullore. Është një interes strategjik që rusët e kanë planifikuar që pas luftës së ftohtë si afërsi imediate e kufijve rus, ku hyjnë Ukraina, Gjeorgjia dhe të gjitha ato vende të cilat i kanë animuar konfliktet për të penguar ndikimin perëndimor në një afërsi imediate të Rusisë. Krimea është pjesë e saj dhe ka qenë dhe vazhdon të jetë një vend strategjik për sigurinë ruse.  Në rastin e Kosovës, një skenar i tillë është vështirë i realizueshëm për shkak se ai në rend të parë do ta vinte Serbinë në një pozitë jashtëzakonisht të palakmueshme, apo të një 'mashe' siç thuhet, në raportet e Evropës dhe botës perëndimore dhe që do të çonte në rend të parë në largimin e investimeve dhe në izolimin e Serbisë, marrë parasysh rrugën të cilën Serbia e synon me çdo kusht, pra rrugën e integrimit euro-atlantik. Mirëpo, nëse merret parasysh tranzicioni që unë do ta quaja gjeo-strategjik si pasojë e zgjedhjeve në Shtete e Bashkuara të Amerikës ku shihet qartë ndryshimi i politikës së jashtme amerikane kundrejt Evropës dhe strukturave të sigurisë euro-atlantike. Pra, në këso rrethana nuk përjashtohet mundësia që Serbia, në një nivel tjetër, do të thotë përmes riaktivizimit të forcave paramilitare të ish-policisë së Serbisë, të krijojë struktura paralele në mënyrë që bisedimet në nivelin më të lartë ose diskutimet ruso-amerikane dhe aleatëve perëndimor, Kosova të jetë në defansivë si pasojë e veprimeve të tilla serbe. Radio Evropa e Lirë: Sa shihni këtu rritjen e ndikimit rus në vendimmarrjet në Serbi karshi Kosovës dhe pjesës veriore të saj? Enver Hasani: Këtu, sigurisht që ka ndikim rus dhe kalkulimet e Serbisë bëhen gjithmonë mbi shpresat e saj se Rusia mund të jetë e fuqizuar tash në dritën e ndryshimeve të reja përgjithësisht në planin global. Kjo është parë në planin e Alepos dhe në radikalizmin e konfliktit dhe tragjedisë siriane. Dhe, tash Kosova, përkatësisht këto sjellje të Serbisë, janë hap në vijim të atyre kalkulimeve që po i bëjnë serbët. Por, po shihet qartë që serbët këtë e bëjnë me dy mendje, sepse e dinë që një ofensivë e tillë në mënyrë të hapur, siç e bënë dhe po duan ta bëjnë këtë ditë, mundet t'u sjell probleme serioze Serbisë sa i përket integrimit në BE dhe në strukturat euro-atlantike. Radio Evropa e Lirë: Si e shihni sjelljen e lidershipit të Kosovës në raport me zhvillimet e fundit në veri marrë parasysh atë që u tha edhe nga presidenti Hashim Thaçi se Serbia ka pretendime të hapura ndaj veriut të Kosovës? Enver Hasani: Serbia ka pretendime jo vetëm ndaj pjesës veriore të Kosovës, por në përgjithësi. Por, në veri e ka më lehtë, sepse e ka një shumicë të koncentruar serbe. Problemi është, ashtu si e shoh unë, që Serbia si qëllim imediat me trenin apo lëvizjet e fundit, ka si synim mbajtjen gjallë të diskursit apo situatës së tensionuar me një retorikë të theksuar nacionaliste në Kosovë, për shkak të hapave që priten të ndërmerren nga ana e Gjykatës Speciale. Andaj, Serbia dëshiron që ta ruaj këtë situatë me tensione me shpresën që kur të fillojë veprimi i Gjykatës Speciale, situata në Kosovë do të dalë jashtë kontrolli, siç kishte dalë në vitin 2004, gjë që do të ishte një katastrofë e madhe për Kosovën dhe konsolidimin e shtetësisë së saj në planin ndërkombëtar nëse do të përsëritej një skenar i tillë. Unë besoj që ky është skenari imediat dhe kalkulimi i Serbisë, ndërkohë që në një afat më të gjatë ajo llogaritë që çështja e veriut të Kosovës të jetë pjesë e dialogut global, amerikano-rus që pritet të zhvillohet në të ardhmen dhe dinamikave tjera të sigurisë euro-atlantike. Se sa do ta arrijë këtë qëllim Serbia, unë besoj që nuk duhet neglizhuar këtë rrethanë dhe Kosova duhet të sillet jo me retorikë boshe, agresive, por të bëhet kalkulimi se sa mundet Kosova të projektojë forcë afatgjatë për ruajtjen e sovranitetit. Nëse ky kalkulim nuk bëhet, atëherë del veprimi me ROSU (Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës) një herë, dy apo tri herë, por dikur del se Kosova nuk po tregohet serioze dhe e aftë për ta ruajtur integritetin territorial. Tek e fundit, duhet të dihet që konsolidimi i shtetësisë së Kosovës dhe integritetit territorial vetëm me masa represive, është problem.  Prandaj, duhet të dihet se deri në ç'masë mund të neutralizohet si rrezik i sigurisë ndërhyrja serbe në veri dhe sa është pjesë tjetër e procesit politik (dialogut) që domosdo duhet të vazhdoj në një format tjetër, pasi që ky format (i dialogut) po shihet qartë se është komprometuar. Në moment që po shihet qartë se ka ndryshim të kursit të politikës së jashtme amerikane sa u përket çështjeve të sigurisë globale, me fokus të veçantë Evropën, atëherë edhe pozita e Evropës edhe e Kosovës në dialog karshi Serbisë dobësohet dhe është dobësuar. Radio Evropa e Lirë: Me fjalë tjera, besoni që zhvillimet në veri dhe ato që do të pasojnë fillimin e punës së Gjykatës Speciale, sikur po ndikojnë dhe e bëjnë të paqartë vet tërësinë, hapësirën territoriale të Kosovës? Enver Hasani: E bëjnë, sepse këtu nuk duhet të shikohet çështja e pjesës veriore si diçka që duhet të mbrohet vetëm nga një garniturë e caktuar e politikanëve. Ajo është interes shtetëror dhe nuk është interes partiak e politik. Nga ky nuk mund të përfitojnë, vetëm mund të krijojnë një kaos të ngjashëm me vitin 2004, nëse kalkulimet nuk bëhen mbi bazat shtetërore dhe unë me sa po shoh dhe po kuptoj më shumë ka kalkulime për interesa për dinamika të brendshme politike, sesa të një plani afatgjatë për ri-intgrim të veriut në Kosovë. Kjo është rrethana në të cilën Serbia po kalkulon. Duke e ditur saktë se Gjykata Speciale duhet të veproj dhe me këto veprime, Serbia po i fryn zjarrit me shpresën që strukturat qendrore të Kosovës do të tregohen të paafta për ta menaxhuar situatën në rast të fillimit të punës së Gjykatës Speciale. Një paaftësi e tillë, më pastaj, do të shfrytëzohej nga Serbia që t'u thotë aleatëve perëndimor dhe botës se nuk është çështje vetëm veriu, por e komplet dobësia e strukturave të shtetit të Kosovës të cilat janë të paafta të tregohen gardian të integritetit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës. Radio Evropa e Lirë: Sipas kësaj që thoni, gjeopolitika do të kthej sërish një lloj përplasje të interesave ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, perëndimit në Kosovë dhe rajon? Enver Hasani: Fuqishëm jam i bindur që çështja e Kosovës, funksionimi i institucioneve të Kosovës, konsolidimi i shtetësisë, puna e Gjykatës Speciale, veriu, janë tema të cilat domosdo do të jenë në agjendën globale amerikano – ruse, por shumë më poshtë sesa që mendojmë ne. Mendoj se këtë duhet ta kemi parasysh, pra shumë më poshtë sesa që e mendojmë ne. Mendoj kështu sepse problemi i sigurisë në Lindjen e Mesme është problemi parësor i sigurisë euro-atlantike. Atje rrezikohet siguria euro-atlantike nga interesat imediate ruse. Do të thotë është problemi i Sirisë, i Iranit, i Irakut dhe e shihni edhe Turqinë me politikën tërësisht të gabuar të Erdoganit i cili deri në marrëzi është i orientuar kah Rusia që do të provohet në të ardhmen se është fatale për shtetin turk. Kurse Kosova, bën pjesë në ato probleme tjera të sigurisë evropiane, ku në çdo kombinim, Evropa mbetet partnere e SHBA-së sa i përket çështjes së sigurisë. Evropa e ka fare të qartë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të ketë Evropë stabile. Por, edhe Serbia e ka problem, sepse është e izoluar. Asnjë vend, në rajon, nuk është me orientim pro-rus, përveç segmenteve të caktuara të shoqërisë serbe përfshirë edhe establishmentin aktual atje. I gjithë Ballkani dhe i gjithë orientimi evropian është anti-rus. Kështu që Serbia e ka problem ta heq maskën, sepse nuk do të mund të shërbente si lokomotivë për ta shtyrë rajonin kah Rusia. Megjithatë, roli i Serbisë dhe i Rusisë në këtë pjesë do të jetë një rol me të cilin duhet të llogarisë të përballet perëndimi, përkatësisht SHBA-të dhe Evropa. Prandaj Kosova në këtë drejtim ka pozitë shumë më të dobësuar, sesa që kishte para 10 -15 viteve, sepse ka ndërruar balanci, raporti global i forcave, në rend të parë rreth Lindjes së Mesme, sepse për shembull, pa Rusinë s'mund të arrihet zgjidhja e problemit të Sirisë, sikurse edhe në vende tjera në atë pjesë. Ato janë probleme me peshë për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, krahasuar me Kosovën. Andaj, Kosova duhet ta ketë parasysh këtë, e sidomos duhet ta kenë parasysh ata që mendojnë se vetëm me forca represive të integrohet veriu. Mendoj se e kanë tërësisht gabim. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Treni i ndaluar në Kosovë vihet në qarkullim në brendi të Serbisë

Posted: 18 Jan 2017 03:56 AM PST

Ministrja e ndërtimtarisë, komunikacionit dhe infrastrukturës në qeverinë e Serbisë, Zorana Mihajloviq, tha të mërkurën se treni i "dekoruar me fotografitë e freskave nga manastiret serbe" nuk do të qarkullojë më në relacionin e Mitrovicës. Ajo tha se ky tren do të bartë udhëtarë në relacionin hekurudhor Kralevë-Pozhegë. Mihajloviq tha se vendimin që treni të vihet në funksion sërish, por në binarë tjerë, e ka marrë për shkak të arsyeve ekonomike. Ministrja tha se i ka sugjeruar udhëheqjes së hekurudhave në Serbi që treni, pikërisht për gjithë atë që ndodhi në fundjavën e kaluar, të udhëtojë në sa më shumë qytete të Serbisë. Një tren me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mbishkrimin "Kosova është Serbi", në mbi 20 gjuhë të ndryshme, u nis të shtunën nga stacioni hekurudhor në Beograd drejt Mitrovicës së veriut. Treni u kthye, pas një qëndrimi disa orësh në një qytet serb në kufi me Kosovën, pas përshkallëzimit të tensioneve. Autoritetet në Beograd fajësuan "Prishtinën zyrtare për nxitje të konfliktit" ndërkohë që kjo e fundit tha se "ia ndaloi hyrjen në Kosovë trenit që e cilësoi provokues dhe përpjekje për të shkelur sovranitetin e vendit". Marrëdhëniet ndërmjet dy palëve ranë në nivelin më të ulët që prej fillimit të bisedimeve për normalizim, të lehtësuara nga BE-ja, e cila ka ripërsëritur qëndrimin e saj se të dyja palët duhet t'i rikthehen dialogut. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Biden: Rusia – kërcënimi më i madh për rendin liberal botëror

Posted: 18 Jan 2017 03:42 AM PST

Në fjalimin e tij madhor në fund të mandatit, zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, tha se Rusia paraqet kërcënimin më të madh për "rendin liberal ndërkombëtar" dhe ka tërhequr vërejtjen se mund të priten përpjekje të mëtejshme ruse për ndërhyrje në zgjedhjet perëndimore. "Derisa shumë vende në Evropë planifikojnë mbajtje të zgjedhjeve këtë vit, ne duhet të presim përpjekje të mëtejshme nga Rusia për ndërhyrje në procesin demokratik", tha Biden dhe ka shtuar se "ju premtoj se kjo do të ndodhë përsëri dhe qëllimi është i qartë: për ta shkatërruar rendin liberal ndërkombëtar". Mëtutje, gjatë fjalimit të tij të sotëm në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, zyrtari i lartë amerikan u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, që "ta udhëheqin luftën" për mbrojtje të vlerave liberale dhe ka këmbëngulur që NATO-ja duhet të mbetet elementi kryesor i marrëdhënieve transatlantike. Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili inaugurohet pasnesër, ka vlerësuar se NATO-ja është e "vjetëruar", duke e akuzuar se nuk ka bërë sa duhet në luftimin e terrorizmit. Megjithatë Trump ka pranuar se aleanca është ende "shumë e rëndësishme" për të. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Reformat zgjedhore të inicuara nga Thaçi po vazhdojnë, por pa opozitën

Posted: 18 Jan 2017 03:13 AM PST

Procedurat fillestare për reforma Kushtetuese dhe zgjedhore, sipas nismës së presidentit Hashim Thaçi, kanë filluar të zbatohen, ndonëse pa opozitën. Zyrtarë nga Presidenca e Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë, se procesi i nisur për reforma është duke shkuar ashtu siç është paraparë. Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, tha se nëngrupet punuese kanë kryer punët e tyre dhe se do të vazhdohet me procedurat e tjera. "Grupet punuese e kanë përfunduar punën e tyre ashtu siç ishte përcaktuar me afatet kohore. Ato i kanë dorëzuar rekomandimet e tyre dhe pritet që në një të ardhme sa më të shpejtë, këto rekomandime t'i përcillen Kuvendit të Kosovës. Më pastaj, vet Kuvendi i Kosovës do të vendos për reformën elektorale", tha Arifaj. President Thaçi, vitin e kaluar formoi dy nëngrupe punuese, një për amandamentimin e Kushtetutës dhe një tjetër për reformën zgjedhore në të dyja nivelet, atë qendror dhe lokal. Në këtë funksion, gjatë nëntorit të vitit të kaluar, presidenti organizoi mbajtjen e dy takimeve me përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile, por këto takime u bojkotuan nga tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Mjellma Hapçiu-Alijaj nga Demokracia për Zhvillim, organizatë kjo pjesë e nëngrupeve punuese për reformën zgjedhore, tha për Radion Evropa e Lirë se nga takimet punuese, përfaqësuesit e subjektet politike, por edhe shoqëria civile kanë dhenë rekomandimet e tyre për reformën që duhet bërë. Alijaj theksoi se duhet të pritet që në fund, pas dorëzimit të rekomandimeve në Kuvend, të shihet se a janë përfshirë sugjerimet e tyre. "Ka pasur një disponim të mirë në grupe punuese lidhur me propozimet tona. Shpresojmë se do të merren parasysh. Megjithatë do të mbetet të shihet kur këto propozime t'u shkojnë partive politike dhe Kuvendit të Kosovës, ngase ata do të jenë vendimmarrësit përfundimtar", tha ajo. Kurse, Driton Selmanaj, nga organizata Demokraci Plus, mendon se nisma për reformën zgjedhore nga presidenti nuk është serioze dhe siç thekson ai, për këtë arsye si organizatë janë tërhequr nga nëngrupi punues. Selmanaj thotë se propozimet të cilat kanë ardhur nga zyra e presidentit për reformën zgjedhore janë të pa pranueshme dhe nuk mund t'i ndryshojnë as partitë politike e as shoqëria civile. "Ka një tendencë të kahershme që të mbyllen listat zgjedhore. Ne mendojmë se kjo paraqet një regres për demokracinë sepse tendenca për t'i mbyllur listat i bie që njerëzit nuk do ta dinë se kë do ta votojnë, por votojnë për parti politike. Kjo duket sikur lidershipi i partive politike nuk po e pëlqen demokracinë", tha Selmanaj. Sipas Driton Selmanajt, qasja e presidentit Thaçi, që të shpejtohet afati i përmbylljes së reformave, nënkupton se nuk ka shumë interesim për reforma të duhura zgjedhore, por për zbatimin e interesave për arritjen e qëllimeve politike. "Ne këtë fazë, qasja e zyrës së presidentit ka qenë për mendimin tonë e pasinqertë, joserioze për tu realizuar një reformë e mirëfilltë zgjedhore në Kosovë", u shpreh Selmanaj. Sido që të jetë, këshilltari i presidenti Ardian Arifaj tha se ky proces i reformave zgjedhore, pritet të përfundojë shpejt. Ai tha se një nismë e tillë nga presidenti është nisur me qëllim që në të ardhmen, në Kosovë të këtë zgjedhje fer dhe demokratike. "Të kemi një sistem elektoral që garanton një proces elektoral të drejtë fer, të lehtë dhe që është transparent edhe për qytetaret", tha Arifaj. Propozimet e para që Thaçi i ka bërë janë ndryshimet Kushtetuese për sa i përket zgjedhjes së presidentit përmes votës së popullit dhe zvogëlimi i numrit të deputetëve, përkatësisht që Kuvendi në të ardhmen të mos i ketë 120, por 100 ulëse. Po ashtu, me anë të reformave në të ardhmen pritet që Kosova t'i njeh si pakica kombëtare e Kushtetuese edhe malazezët dhe kroatët. Edhe këto pakica, mendohet se më pas do të kërkonin ulëse në Kuvend. Megjithatë, për votimin e reformave në Kuvend, sidomos atyre Kushtetuese, do të nevojitet mbështetja e komuniteteve pakicë, ngase do të kërkohet votimi i dyfishtë, përkatësisht që reformat të marrin 80 vota të deputetëve dhe dy të tretat e votave të pakicave. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Raporti: Ish-presidenti George Bush është pranuar në spital

Posted: 18 Jan 2017 02:52 AM PST

Ish-presidenti amerikan, George Bush i vjetri, është pranuar në një spital në Teksas, ka raportuar një kanal lokal televiziv. Megjithatë, zoti Bush, 92 vjeçar, është në "gjendje stabile" dhe mirë, i tha rrjetit lokal KHOU, një anëtare e personelit të George Bushit. Nuk ka pasur informacion për shkaqet e pranimit në spital të ish-presidentit amerikan, i cili është babai i ish-presidentit, George Bush i riu. Zoti Bush është ish-presidenti më i moshuar i gjallë i Shteteve të Bashkuara.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Obama dërgon në Senat Traktatin për ekstradim ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës

Posted: 18 Jan 2017 02:14 AM PST

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, i ka dërguar për ratifikim Senatit amerikan Traktatin e Ekstradimit ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, të nënshkruar në Prishtinë në mars të vitit 2016, thuhet në një kumtesë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë. Në kërkesën dërguar Senatit thuhet se Traktati do të zëvendësojë "Traktatin ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Serbisë për ekstradimin reciprok të të ikurve nga drejtësia, të nënshkruar më 25 tetor 1901" dhe që tani i referohet Republikës së Kosovës si shtet pasues i ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Traktati i ri thuhet se do 'zëvendësojë një listë të vjetruar të veprave të ekstradueshme me një qasje më moderne ndaj "krimit të dyfishtë", që do të mundësonte ekstradimin për vepra të tilla si pastrimi i parave, krimeve kibernetike dhe vepra të tjera të reja që nuk shfaqen në listën e Traktatit të vitit 1901" Traktati, gjithashtu, parasheh "se ekstradimi nuk duhet të refuzohet në bazë të shtetësisë së personit që kërkohet dhe përmban një klauzolë të modernizuar për "vepër politike"", thuhet në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin e akuzon administratën Obama se po përpiqet ta “shkatërrojë” Trumpin

Posted: 18 Jan 2017 01:54 AM PST

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka akuzuar administratën e presidentit amerikan, Barack Obama, se po përpiqet "ta shkatërrojë legjitimitetin" e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, duke përhapur atë që Putin i cilësoi si pretendime të rrejshme. Javën e kaluar, raportet në media theksonin se në një dosje sekrete të inteligjencës, që u ishte dorëzuar Obamës dhe Trumpit, pjesë të të cilës kishin rrjedhur dhe ishin publikuar, kishte informata të pahijshme dhe kompromituese, por të pakonfirmuara, të mbledhura nga një ish-oficer i inteligjencës britanike, për lidhjet ndërmjet Trumpit dhe Rusisë. Donald Trump i ka hedhur poshtë këto pretendime si "lajme të rrejshme". Pos kësaj, më 6 janar, agjencitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkara kanë konkluduar se Putin kishte urdhëruar fushatë të sulmeve kibernetike, që synonte shkatërrimin e demokracisë amerikane, ndihmën për Trumpin dhe diskreditimin e rivales së tij në zgjedhjet e 8 nëntorit të vitit të kaluar, Hillary Clinton. Duke folur dje në një konferencë për gazetarë në Moskë, Putin e ka hedhur poshtë dosjen me aktivitetet e dyshuara seksuale të Trumpit, në një hotel në Moskë në vitin 2013, si "gënjeshtër" dhe i ka akuzuar ata që i urdhëruan ato se janë "më të këqinj se prostitutet". Në komentet e tij të para publike për këto pretendime, Putin ka sugjeruar se agjencitë e inteligjencës së Rusisë, nuk kanë pasur arsye ta spiunojnë Donald Trumpin gjatë vizitës së tij në Moskë në vitin 2013, kur dyshohet se ka ndodhur episodi në hotelin Ritz-Carlton në Moskë. Në këtë kuadër Putin e ka shtruar pyetjen: "A mendon ndokush se shërbimet tona speciale e ndjekin secilin miliarder amerikan? Natyrisht se jo. Kjo është vetëm një gjë krejtësisht absurde", është përgjigjur Putin në pyetjen e vet. Në komentet e tij vulgare, duke u tallur me dyshimet e paraqitura, Putin, po ashtu, e ka shtruar pyetjen se përse zoti Trump, që ishte në Moskë për finalen e garës së bukurosheve, Miss Universe, do të paguante për prostitute. "Ai është i rritur dhe për më tepër, është njeri që gjithë jetën e vet e ka kaluar në organizim të konkurseve të bukurosheve dhe është takuar me femrat më të bukura në botë. Vështirë e kam të imagjinoj se ai ka vrapuar në hotel për t'i takuar vajzat tona të përgjegjësisë së ulët sociale, të cilat janë, natyrisht, më të mirat në botë", tha Putin. Ai është shprehur se "dyshon se Trump ka rënë" në atë nivel. Vladimir Putin e ka përshkruar dosjen si pjesë e përpjekjeve të administratës Obama për "ta shkatërruar legjitimitetin e presidentit të zgjedhur", përkundër fitores zgjedhore, të cilën ai e ka cilësuar si "bindëse", megjithë faktin se Donald Trump i ka marrë pothuajse 3 milionë vota popullore më pak se Hillary Clinton. Putin ka pretenduar se ata që sipas tij, po përpiqen ta shkatërrojnë Trumpin, "mund të shkojnë edhe mëtutje" duke organizuar protesta në Uashington të tipit të Maidanit të Ukrainës. "Dikush mund ta ketë ndjenjën se duke qenë të stërvitur në Kiev, mund të shkojnë aq larg sa të organizojnë protesta të tpit të Maidanit në Uashington, me qëllim që ta parandalojnë Donald Trumpit, që ta marrë zyrën", tha Vladimir Putin, duke sugjeruar se këto protesta mund t'i organizoj administrata Obama. Në protestat e Maidanit në vitin 2014, presidenti i atëhershëm i Ukrainës, që ishte aleat i Rusisë, u përmbys nga demonstruesit. Këto komete të Putinit janë të fundit në vargun e kritikave të ashpra ndaj administratës së presidentit në largim, Barack Obama, nga ana e zyrtarëve të Rusisë, të cilët këtë administratë e fajësojnë për përkeqësim të madh të raporteve ndërmjet Moskë e Uashingtoni gjatë viteve të fundit. Dmitry Peskov, zëdhënës i Putinit, ka theksuar se nuk ka plane për ndonjë kontakt eventual ndërmjet Putinit dhe Obamës, në ditët e fundit, para inaugurimit të Donald Trumpit më 20 janar. Lidhjet ndërmjet dy vendeve kishin shënuar një përmirësim, që simbolikisht njihet si "ripërtritje", gjatë mandatit të parë të Obamës, por ato kanë rënë në nivelin më të ulët nga Lufta e Ftohtë, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës në vitin 2014 dhe për mbështetjen e Rusisë për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës, involvimin e Moskës në konfliktin në Siri dhe çështje të tjera. Megjithatë Putin ka shfaqur shpresë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, përfundimisht, do t'i normalizojnë raportet, që tash janë të trazuara. Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Obama ia zvogëloi dënimin Chelsea Manning

Posted: 18 Jan 2017 12:33 AM PST

Presidenti amerikan, Barack Obama, ia ka zvogëluar dënimin Chelsea Manning, që e vuan dënimin prej 35 vitesh burg për rrjedhje të domuneteve sekrete të Shteteve të Bashkuara, te faqja në Internet, WikiLeaks. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar mbrëmë se Manning, pas reduktimit të dënimit, do të lirohet më 17 maj të këtij viti. Manning, një ushtar i burgosur transgjinor, dikur i njohur me emrin, Bradley Manning, ishte dënuar në gusht të vitit 2013 lidhur me akuza për spiunim dhe vepra të tjera, pasi kishte pranuar se dokumentet sekrete ia kishte dhënë WikiLeaksit. Ky reduktim i dënimit të Manningut u bë në kuadër të vendimeve të tij të fundit si president, me ç'rast Obama i ka amnistuar 64 vetë dhe 209 të tjerëve ua ka zvogëluar dënimet.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more