Skip to main content

INSAJDERI: “Tahiri: Dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë” plus 19 more

INSAJDERI: “Tahiri: Dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë” plus 19 more


Tahiri: Dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë

Posted: 18 Jan 2017 09:46 AM PST

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri i ka thënë se edhe përkundër tensioneve të krijuar nga Serbia, Kosova mbete e përkushtuar për bisedime.

"Lidhur me këtë çështje, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në mbledhjen e qeverisë ka bërë të qartë qëndrimin e Republikës së Kosovës, se Kosova do të mbetet e përkushtuar për dialogun e Brukselit", ka thënë Tahiri.

Ndërsa e pyetur se çka do të bisedohet tani e tutje në Bruksel, Tahiri nuk ka dashur të prononcohet deri sa të tejkalohen, siç tha ajo, tensionet e krijuar nga Serbia.

"Me gjithë këto tensione që i ka krijuar Serbia nuk po preferoj të flas me dialogun, le të tejkalohen njëherë tensionet, pastaj mund të flasim.

Ndërsa, sa a do të ketë kushtëzime nga ana e Kosovës për Serbinë në dialog, Tahiri tha se vlen gjithë deklarata e kryeministrit e cila sipas saj "është e qartë që Kosova mbetet e përkushtuar në dialog".

Ndryshe, sot kryeministri, Isa Mustafa në mbledhjen e qeverisë tha se dialogu me Serbinë do të vazhdoi edhe përkundër vërejtjeve të shumta, njofton lajmi.net

"…Sa i përket dialogut përkundër vërejtjeve dua të themi se ai do të vazhdojë por që duhet të jetë një dialog produktiv. Serbia duhet të ndal provokimet si ajo e murit trenit  flet arrestet dhe keqpërdorimit të institucioneve të Kosovës. Ka fol edhe për arrestimin e Haradinaj ku është shprehur se ai nuk do të ekstradohet po ashtu ka thënë se trenat e Serbisë do të lëvizin në Kosovës duke respektuar ligjet", ka thënë Mustafa.

The post Tahiri: Dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë appeared first on INSAJDERI.

Gjoba e rëndë e Chelseat ndaj Diego Costas

Posted: 18 Jan 2017 09:29 AM PST

Diego Costa është gjobitur me 200,000 € nga Chelsea përpara se të lejohej të stërvitet me ekipin e parë. Costa ishte detyruar të stërvitej i vetëm në qendrën stërvitore të klubit pasi u la jashtë ekipit kundër Leicester pas një zënke me trajnerin Antonio Conte.

Më pas u detyrua të stërvitej i vetëm ditën e hënë teksa shokët e ekipit po shijonin një ditë pushimi. Golashënuesi i 14 golave këtë sezon më në fund është lejuar të stërvitet me ekipin e parë të martën pasi ka sqaruar mosmarrëveshjet me trajnerin dhe Julio Tous. Ishte zënka me Tous që provokoi gjithçka, derisa u përjashtua nga Conte, madje duke i bërtitur "shko në Kinë".

Por Chelsea nuk ka ndërmend ta lejojë të largohet lojtarin, dhe madje e kanë gjobitur me një shumë të majme. Costa do të mbetet te Chelsea deri në fund të sezonit megjithëse ka pasur interes nga Super League kineze, ku i është ofruar një rrogë 600,000 € në javë.

Pronari i Tianjin Quanjian dje ka pranuar se ai ka biseduar me menaxherin e Costa-s Jorge Mendes rreth mundësisë së transferimit të sulmuesit, por i është thonë se lojtari ishte është i lirë të largohet vetëm në fund të sezonit. Chelsea e cilëson një lojtar kyç të ekipit, dhe golat e shënuar e vërtetojnë këtë. Ekipi i Conte momentalisht ndodhet në vend të parë të renditjes së Premier League.

The post Gjoba e rëndë e Chelseat ndaj Diego Costas appeared first on INSAJDERI.

Ahmeti merret me Mogherinin – bora pamundëson lëvizjen e lirë midis kryeqytetit

Posted: 18 Jan 2017 09:16 AM PST

Temperaturat e ulëta të javës së kaluar thuajse e kanë pamundësuar lëvizjen edhe ashtu të vështirësuar në disa pjesë të kryeqytetit. Por kjo situatë nuk e ndalon kryetarin Shpend Ahmeti që të merret me punë për të cilat prishtinasit nuk e kanë votuar.

Të mërkurën rreth orës 14, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ngriti një shqetësim lidhur me një deklaratë të Përfaqësues së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, e cila e lavdëroi kryeministrin serb për maturi gjatë trajtimit të çështjes së trenit ilegal.

"Ai [Vuçiqi] e dërgon trenin në të cilin shkruhej në 21 gjuhë se Kosova është Serbi, pa leje të autoriteteve në Kosovë. Pastaj ai e ndalon trenin, dhe lavdërohet për lidershipin e treguar?? Çfarë mesazhi po i dërgon Mogherini të gjitha vendeve të Ballkanit," ka pyetur në gjuhën angleze Ahmeti përmes llogarisë së tij në Facebook.

Vetëm një orë para reagimit për deklaratën e Mogherinit, ai ka shkruar edhe lidhur me rastin e vdekjes së aktivistit të VV-së, Astrit Dehari.

Shpende2

Por, gjatë kohës sa Ahmeti ka qenë duke u marrë me këtë çështje, një qytetar me nevoja të veçanta është përballur me një problem, që lidhet direkt me përgjegjësitë e Komunës së Prishtinë të drejtuar nga Ahmeti.

Një lexues i ka dërguar disa fotografi tek Insajderi, ku shihet qytetari teksa ndihmohej nga dy zyrtarë policor të vazhdojë rrugën e tij. Rasti ka ndodhur afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, tek shkallët që dërgojnë tek sheshi Ibrahim Rugova.

Ai e ka pasur të pamundur që një gjë të tillë ta bëjë vetë, për shkak të borës që ende nuk është pastruar në atë pjesë.

Siç shihet edhe në fotografinë e mëposhtme, edhe shkallët në atë lokacion janë vështirë të kalueshme.

shshshshsh5555

Kosova është përballur me temperatura të ulëta gjatë javës së kaluar, me reshje të borës që kanë arritur deri në afër një metër. Për këtë arsye, Komuna e Prishtinës kishte shpallur edhe gjendje emergjente.

Por, edhe pse temperaturat janë përmirësuar dhe nuk ka pasur reshje bore, trotuaret dhe shumë pjesë në kryeqytet vazhdojnë të jenë vështirë të kalueshme.

Kryetari Ahmeti jo rrallë është angazhuar për çështje të cilat nuk obligohet me përgjegjësitë që i takojnë si kryetar i komunës. Për këtë arsye, partitë opozitare në Kuvendin Komunal të Prishtinës e kanë kritikuar atë në një numër rastesh për një gjë të tillë.

Zemërim të veçantë kishte ngjallur fakti se ai por edhe udhëheqës të tjerë të lartë të komunës, kanë marrë pjesë në protestat e partisë së tyre, Vetëvendosjes, edhe në ato raste kur kanë eskaluar në dhunë, dhe janë dëmtuar edhe objekte publike e private në kryeqytet.

Ahmeti në pozitën e të parit të kryeqytetit ka zëvendësuar Isa Mustafën, kryeministrin aktual të Kosovës, i cili si lider i partisë së dytë më të madhe në vend, LDK, ishte detyruar që jo rrallë të ndajë një pjesë të orarit të tij për t'u marrë më çështje më madhore të vendit./Insajderi.com

The post Ahmeti merret me Mogherinin – bora pamundëson lëvizjen e lirë midis kryeqytetit appeared first on INSAJDERI.

ELKOS: Nuk do ta refuzonim grantin po të mos urdhëronte Kelmendi

Posted: 18 Jan 2017 08:56 AM PST

Një ditë pasi për Insajderin, zëvendëskryeministri i vendit Ramiz Kelmendi, tha se ka urdhëruar drejtuesit e kompanisë në pronësi të tij "Elkos" që të tërhiqet nga granti i fituar në Minsitrinë e Bujqësisë, janë deklaruar drejtuesit e kompanisë.

Ata nuk shohin asgjë të keqe që biznesi i zëvendëskryeministrit ka fituar grant qeveritar.

Për ta, ky grant prej 150 mijë eurove ka qenë shumë i nevojshëm për kompaninë e tyre që gjeneron miliona euro,  pasi me ato para kanë dashur të rrisin kapacitetin e prodhimit në fabrika dhe hapja e vendeve të punës.

Refuzimi i këtij granti, as që ka qenë në plan, tregon menaxheri i këtij projekti në kompaninë "ELKOS", Fidan Luma, sipas të cilit ai ka muaj të tërë që punon në këtë projekt.

Po të mos ishte urdhri i zëvendëskryeministrit dhe pronari i biznesit për të cilin punon Luma, që fillimisht në Insajderi e më pas edhe përmes llogarisë së tij në Facebook, tha se granti në fjalë do të refuzohej, Luma as që do ta kishte menduar tërheqjen.

"M'ka ardh kërkesë  që duhet me heqë dorë nga ky grant edhe pse gjithçka është në rregull, por duhet mu tërheq, m'ka ardh me shkrim që duhna mu tërheq edhe jom tërheq", ka thënë Luma.

Ai ka folur për Kelmendin duke e cilësuar si "epror" urdhrat e të cilit duhet të zbatohen.

"Eprorët e mi që janë më lart më kanë than që duhna mu tërheq edhe nuk mundesh me vazhdu, mandej edhe unë jam i detyruar mi zbatu urdhrat që mi jepin", ka thënë Luma.

Ramiz Kelmendi i cili kishte deklaruar se me inkuadrimin e tij në Qeverinë e Kosovës tha se do të bëjë revolucion në bujqësi, tre muaj më pas doli se biznesi i tij ishte përfitues i grantit prej 150 mijë eurove.

Fillimisht Kelmendi i tha Insajderit se nuk ishte i informuar se ka fituar grant, e më pas paraljmëroi se ka urdhëruar tërheqjen nga ky grant. Kelmendi ishte tërhequr edhe vjet nga një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, sa ishte deputet i PDK-së para se të ateronte në partinë tjetër në koalicion qeveritar, LDK, lideri i së cilës, kryeministri Isa Mustafa, e emëroi si zëvëndës të tij./Insajderi.com

Lexoni në Insajderi edhe #DosjaGrande

The post ELKOS: Nuk do ta refuzonim grantin po të mos urdhëronte Kelmendi appeared first on INSAJDERI.

Lumezi kërkon nga prokurorët t’i rishikojnë rastet për të cilat ka kërkuar Thaçi

Posted: 18 Jan 2017 08:25 AM PST

Detyra të reja janë dhënë për të gjithë kryeprokurorët e vendit, nga shefi i tyre, Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

Në takimin e mbajtur sot me kryeprokurorët e prokurorive, Aleksandër Lumezi ka kërkuar nga të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit, që çdo muaj të raportojnë për punët e tyre duke përfshirë numrin e lëndëve në punë, numrin e lëndëve të pranuara, të kryera dhe të mbetura dhe po ashtu statistikat e secilit prokuror.

Por sipas njoftimit për media, Lumezi sërish kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët e prokurorive Themelore dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që të rishikojnë lëndët e vrasjeve të personave publik dhe të ndërmarrin veprime të nevojshme për zbardhjen e këtyre rasteve, edhe pse shumica nga këto raste janë trajtuar në kohën e kryerjes së veprave penale dhe nuk është arritur të zbulohet identiteti i kryesve të këtyre veprave penale.

Një kërkesë të tillë e kishte bërë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Gjithashtu nga kryeprokurori i shtetit kërkoj nga kryeprokurorët që të jenë sa më efikas në punën e tyre, që t'i mbikëqyrin prokurorët e prokurorive që i drejtojnë në trajtimin sa më efikas të rasteve dhe në afat sa më të shkurtër kohor hetimet të mbyllen, të pezullohen, të pushohen apo të ngritën aktakuza./Insajderi.com

The post Lumezi kërkon nga prokurorët t’i rishikojnë rastet për të cilat ka kërkuar Thaçi appeared first on INSAJDERI.

CIA publikon rreth 13 milionë dokumente sekrete

Posted: 18 Jan 2017 07:54 AM PST

Rreth 13 milion faqe të dokumenteve të deklasifikuara nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara Qendrore të Inteligjencës (CIA), janë bërë publike.

Këto dokumente përfshijnë të dhëna për UFO-t, eksperimente psikike nga programi Stargate, e cila ka qenë prej kohësh në interes të teoricienëve konspirative.

Këtë CIA e bëri pas përpjekjeve të gjata të avokatëve të informacionit dhe pas një padie kundër CIA-s.

Arkivi i plotë është i përbërë nga pothuajse 800 mijë fotografi. Më parë ato kanë qenë të arritshme vetëm për Arkivat Kombëtare në Maryland.

Këto dokumente përfshijnë dokumentet të Henry Kissinger, i cili shërbeu si sekretar i shteti në bazë të presidentëve Richard Nixon dhe Gerald Ford, si dhe disa qindra mijë faqe të analizave të inteligjencës dhe të kërkimeve shkencore.

Në mesin e të dhënave janë edhe dokumente nga Projekti Stargate, i cili merrej me fuqitë psikike.

Ato përfshijnë të dhënat e testimit të famshëm psikike i Uri Geller në vitin 1973, kur ai ishte tashmë një interpretues i mirë-krijuar.

Të dhënat e tjera të pazakontë përfshijnë një koleksion të raporteve mbi disqet fluturuese dhe receta për ngjyrë të padukshme.

Ndërsa pjesa më e madhe e informacionit ka qenë teknikisht në dispozicion të publikut që nga mesi i viteve 1990, ajo ka qenë shumë e vështirë për të hyrë.

Të dhënat janë në dispozicion vetëm në katër kompjuterë të vendosura në pjesën e prapme të një biblioteke në Arkivat Kombëtare në Maryland, prej orës 09:00 dhe 16:30 çdo ditë.

Një liri jo-fitimprurëse e grupit të informacionit, MuckRock, paditur CIA-n për të detyruar atë për të ngarkoni mbledhjen, në një proces i cili mori më shumë se dy vjet.

Gazetari Mike Shkarko Turma ka vizituar arkivat e CIA-së me qëllim që ti bëjë këto të dhëna publike dhe ti ushtroj presion CIA-së.

Në nëntor, CIA njoftoi se do të publikojë materiale dhe i gjithë arkivi i deklasifikuar CREST tani është në dispozicion në faqen e internetit të CIA Library./Insajderi.com

The post CIA publikon rreth 13 milionë dokumente sekrete appeared first on INSAJDERI.

Nis peticion kundër politikanëve luftënxitës në Serbi

Posted: 18 Jan 2017 07:35 AM PST

 

Për shkak të deklaratave luftë-nxitëse të ditëve të fundit të politikanëve serb, me rastin e incidentit me trenin propagandues, dhe provokimeve të tjera të njëpasnjëshëm ndaj Kosovës, serbët kanë nisur një peticion “Qytetarët serbë kundër luftënxitjes”, shkruan portali “021.rs”.

Një pjesë e qytetarëve kanë vendosur t'ju bëjnë me dije politikanëve lokal, por edhe atyre të huaj, se janë të lodhur nga luftërat në Serbi.

"Çdo herë që kanë nevojë për të fshehur problemet reale të qytetarëve serb, udhëheqja  shtetërore e Serbisë synon për të provokuar konflikte. Sa herë që këta frikacakë në pushtet mendojnë se janë të kërcënuar, fshihen prapa interesave kombëtare, duke shkaktuar konflikte, angazhohen në provokime, kërcënime dhe paralajmërime të luftërave".

"Ne të gjithë e dimë se si deklaratat e tilla kanë përfunduar gjatë viteve të nëntëdhjeta dhe kush nga to më së shumti ka përfituar. Nënshkruaje peticionin dhe t'i tregojmë atyre se janë të kompromentuar", thuhet në përshkrimi i peticionit.

The post Nis peticion kundër politikanëve luftënxitës në Serbi appeared first on INSAJDERI.

Rusia dhe Turqia, sulmet e para të përbashkëta në Siri

Posted: 18 Jan 2017 07:16 AM PST

Moska dhe Ankaraja kanë ndërmarrë të parat sulme ajrore të përbashkëta kundër Shtetit Islamik në provincën siriane të Aleppos. Lajmi njoftohet nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

"Sot, Forcat ajrore ruse dhe turke kanë zhvilluar të parin operacion të përbashkët në goditjen e ISIS-it në periferitë e qytetit të al-Babit, në provincën e Aleppos", tha Sergey Rudskoy, shef i Drejtorisë Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm, gjatë një informimi të shkurtër këtë të mërkurë.

Bazuar mbi rezultatet paraprake, përpjekja e përbashkët ka rezultuar e suksesshme, shtoi më tej zyrtari rus i Ministrisë së Mbrojtjes.

Në të njëjtën kohë, ushtria ruse është e përfshirë në një operacion tjetër kundër terroristëve xhihadistë në Siri, duke ndihmuar ushtrisë siriane në provincën lindore të Deir ez-Zor, për të zmbrapsur militantët pas ofensivës së tyre të fundit.

Xhihadistët janë duke shfrytëzuar superioritetin numerik atje dhe vazhdojnë të sulmojnë forcat siriane, të cilat janë në mbrojtje të civilëve në Deir ez-Zor, siç informon zyrtari rus. Nëse terroristët arrijnë të marrin qytetin, atëherë një "gjenocid i vërtetë i pret banorët e tij", tha Rudskoy, i cili shtoi se "mund të asgjësohet e gjithë popullata e Deir ez-Zor".

Deri më tani, forcat qeveritare siriane në qytet, të mbështetura nga Forcat Ajrore ruse, kanë mundur të rezistojnë përballë sulmit të ISIS-it, por zyrtari rus e përshkruan situatën si "tejet të vështirë".

Militantët xhihadistë kanë ardhur në Palmira, Deir ez-Zor dhe al-Bab nga Iraku, thotë Rudskoy. "Veprimet e koalicionit të udhëhequr prej SHBA-ve në qytetin irakian të Mosulit kanë shkaktuar përgjithësisht zhvendosjen e forcave kryesore të ISIS në Sirinë lindore". Sipas tij, Shteti Islamik ka qenë "thuajse tërësisht i lirë" në transferimin e forcave dhe armatimeve apo eksplozivëve drejt provincave siriane.

The post Rusia dhe Turqia, sulmet e para të përbashkëta në Siri appeared first on INSAJDERI.

Inspektori i veterinës në Pejë thotë se nuk e keqpërdori logon e komunës

Posted: 18 Jan 2017 07:00 AM PST

Inspektori i veterinës në Pejë, Arbër Taraku, i ka thënë Insajderit se qëndron prapa deklarimeve të tij bërë në një llogari në Facebook.

Inspektori Taraku më 16 janar e kishte publikuar një deklaratë ku tërheqë vëmendjen për rrezikun që vjen nga konsumimi i produkteve të Serbisë.

Komuna e Pejës sot ka reaguar ndaj këtij rasti duke thënë se inspektori Arbër Taraku e ka keqpërdorë logon dhe emrin e komunës duke hapur llogari në rrejshme në rrjetin social facebook.

"Komuna e Pejës shpreh shqetësimin e saj me këtë veprim të bërë nga persona të papërgjegjshëm, të cilët me gjenste të tilla të ulëta mundohen të manipulojnë për qëllime të caktuara me qytetarë", thuhet më tej në njoftim.

Por, vetë inspektori Taraku nuk beson ta ketë keqpërdorur logon, pasi sipas tij, ai është punëtor i komunës.

"Unë s'e besoj që e kam keqpërdorë emblemën  e komunës, sepse jam aty, shërbej në Komunë", ka thënë ai për Insajderin.

Ai ka thënë se emblema është e të gjithë qytetarëve dhe jo e partive politike.

"E para, emblema e komunës është e gjithë qytetarëve, jo e partive; e dyta, unë e ushtroj këtë profesion aty që 10 vite dhe jam i punësuar akoma aty; e treta, e vërtetë që jam i afërt me AAK. Po s'ka  lidhje këtu partia. Nuk është deklaratë politike kjo", ka thënë për Insajderin inspektori veterinat i Komunës së Pejës, Arbër Taraku.

Megjithatë, ai thotë se qëndron prapa deklaratës që e ka publikuar.

"Ato që i kam shkru ju qëndroj mbrapa. E drejtë e çdo qytetari është të shprehet. Unë jam punëtor i komunës së Pejës. Dhe atë çka e kam shkru është shumë e vërtetë. Mitrovica ka shërby për kontrabandim të mallrave të cilat nuk janë kontrolluar asnjëherë. Ato mallra kanë qenë shumica serbe", ka shtuar ai.

"Edhe zogjtë në degë e dinë se tregu i Kosovës është i mbushur me produkte të cilësisë së dyshimtë. Andaj kjo nuk është e panjohur për opinionin e gjerë të Kosovës. Kështu që, unë nuk ka thënë kurrgjë të re që nuk është e njohur.

Ai ka thënë se shqetësimi i njerëzve të komunës është jo i sinqertë dhe është brengë e rrejshme e njerëzve të pandërgjegjshëm.

Sipas tij, komuna është institucion i popullit e jo pronë e anëtarëve të partisë në pushtet. Mbrojtja e popullit nga e keqja, thotë ai, duhet të jetë brengë e përhershme e pushtetit, e jo e partive politike në pushtet, duke shtuar se përmendja e partisë në këtë kontekst është e pavend.

"Shtrohet pyetja se kënd po e mbron komuna dhe njerëzit e komunës – popullin apo produktet jocilësore të Serbisë?", pyet inspektori Taraku. "Jam i vetëdijshëm për deklaratën time dhe i qëndroj mbrapa", shtoi ai.

Trakau ka thënë se "le ta vlerëson populli deklaratën time sepse për popull e kam bërë, e jo servilat e partive të ndryshme".

Për më tepër, burime të Gazetës Insajderi brenda komunës, kanë bërë të ditur se ndaj inspektorit Taraku kanë nisë procedurat disiplinore.

Komuna në njoftimin e sotëm, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët hasin në llogari të tilla false, që të mos bëhen pre e tyre.

"Pra, Ju qytetarë të nderuar të cilët hasni në këtë llogari të rrejshme në emër të Komunës së Pejës, e cila nuk i përket Komunës se Pejës mos bini pre e këtyre mashtrimeve dhe provokimeve, të cilat bëhen nga njerëz të pandershëm", thuhej në njoftimin zyrtar të Komunës së Pejës./Insajderi.com

The post Inspektori i veterinës në Pejë thotë se nuk e keqpërdori logon e komunës appeared first on INSAJDERI.

Djali i Haki Imerit: Kërkoj drejtësi institucionale, jo kanunore

Posted: 18 Jan 2017 06:22 AM PST

Tre muaj më parë, vëllai i Haki Imerit, aktivistit të LDK-së në Skenderaj, kishte deklaruar në emisionin "Zona Express" se presidenti i vendit Hashim Thaçi ka gisht në vrasjen e vëllait të tij.

Madje, sipas Imerit, vëllai i tij, Hakia, ka qenë edhe kujdestar klase në shkollën ku ka vijuar mësimin presidenti i vendit.

"Kur u vra vëllai im, as nuk erdh baba i tij, as nuk erdh Hashimi, as nuk e qoj një telegram me thanë mu vra kujdestari i klasës. Kane mujt një telegram me ja qu familjes. Mas vrasjeve në Kosovë qëndron pikërisht Hashim Thaçi", akuzonte Imeri.

Tash ai është tërhequr nga këto akuza duke thënë se Thaçi e ka bindur duke i bërë be se ai nuk di gjë për vrasjen e Haki Imerit.

"Ai më ka thanë që muj me bo be 124 pleq me kanun, që s'kom hak e as hile", ka treguar Imeri për të shtuar se është bindur se presidenti i vendit nuk është përgjegjës për vrasjen e vëllait të tij.

"Unë kurrë nuk kom thanë që Hashimi ma ka vra vllaun. Kom thanë që e din kush e ka vra. Sipas raportit të KFOR-it para 8 qershorit 2014, SHIK-u është organizatë kriminale, Kadri Veseli drejtor, i raportoj Hashim Thaçit edhe gjithmonë kom mendu që Hashimi duhet me ditë edhe këta e dinë. Po tash njeri me luftu me to nuk po mundet, po duhet me nda dikon, e me marr dikon", thotë Imeri.

Por për djalin e Haki Imerit, Kastriotin, kjo marrëveshje e axhës së tij me presidentin nuk vlenë.

"Kërkoj drejtësi institucionale, jo Kanunore", ka thënë Kastriot Imeri, në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka kërkuar nga institucionet "që më të vërtetë ta ndriqojnë vrasjen pas shpine" të prindit të tij dhe vrasjet e tjera që u bënë pas luftës në Kosovë.

"Kërkojmë drejtësi nga Institucionet Ndërkombëtare. Jo nga këto vendore, të cilat udhëhiqen nga kriminelët", ka shkruar Imeri.

Ja postimi i plotë i tij.

 

The post Djali i Haki Imerit: Kërkoj drejtësi institucionale, jo kanunore appeared first on INSAJDERI.

Sekreti i Kullës Eiffel

Posted: 18 Jan 2017 06:14 AM PST

Fansat më të mëdhenj të Botës së Disneytkanë dijeni për suitën luksoze brenda kalasë së Hirushes, por a e dini se ka edhe një apartament sekret në majë të Kullës Eifel? Ndryshe nga kështjella, megjithatë, sipërmarrësi Gustave Eiffel e kishte ndërtuar këtë vend epik fshehjeje vetëm për vete – nuk lejoheshin mysafirë.

Nëse do të themi, ku është pamja më e mirë në Evropë, maja e Kullës Eifel me siguri do të jetë një konkurrent. Përfytyroni të zgjoheni në një apartament komod me sfond ngjyra, kabinete druri, dhe një piano të madhe. Pastaj, mendoni veten duke pirë ekspres dhe të hani një briosh ndërsa shijoni panoramën e Parisit nga rreth 305 metra lartësi, në majë të Kullës Eifel. Do të na pëlqente të mendoni, se kjo është pikërisht ajo që Gustave Eiffel kishte në mendje kur udhëzoi ekipin e tij që të ndërtonte kullën (dhe apartamentin) në vitin 1889.

Shkrimtari Henri Girard ka deklaruar se banesa e Eiffelit ishte "e mobiluar në stil të thjeshtë, i dashur për shkencëtarët," në kontrast me "modernitetin e hekurit të farkëtuar dhe përparimin teknologjik" të kullës. Si mund të imagjinohet, banesa e tij ishte temë e preferuar bisede për elitën pariziane, dhe shumë kërkonin ta merrnin me qira hapësirën e tij. Apartamenti i Eiffel mbeti privat, megjithatë, dhe ai dëfrente vetëm mysafirë, të tillë si Thomas Edison, në disa raste. Po tani… a kemi ndonjë shans?

Në verën e vitit 2016, kompania HomeAëay shndërroi një hapësirë konferencë brenda kullës në një apartament. Jo, ai nuk është i njëjtë, por është gjithësesi 57 metra mbi tokë, me dy dhoma gjumi, një serë urbane, si dhe pamje panoramike të Harkut të Triumfit, Sacre Coeur, dhe lumit Seine, nga dyshemeja tek tavani i qelqtë. /bota.al

 

The post Sekreti i Kullës Eiffel appeared first on INSAJDERI.

Deklarohen të pafajshëm edhe tre të akuzuarit tjerë në rastin e Ukë Rugovës

Posted: 18 Jan 2017 05:52 AM PST

U deklaruan të pafajshëm, në të gjitha pikat e aktakuzës, edhe tre të akuzuarit e tjerë që munguan në seancën fillestare të mbajtur më 11 janar. Në këtë seancë kishte munguar Liridona Beqiri si dhe avokatët e dy të akuzuarve të tjerë, Hasan Shaqirit dhe Haxhi Islamit.

Në vazhdimin e shqyrtimit fillestar të së mërkurës, e akuzuara Liridona Beqiri erdhi në seancë me dy foshnjet e saj. Gjyqtari i Eulexit-it, Vladimir Mikula, e lejoi atë në seancë, me arsyetimin se nuk ka pasur kush të kujdeset për foshnjat e saj. Ajo nuk ishte paraqitur në seancën e 11 janarit me arsyetimin se kishte pasur probleme shëndetësore. Kjo ishte hera e parë, që nga fillimi i gjykimit të Ukë Rugovës dhe të tjerëve, që e akuzuara Liridona Beqiri u paraqit në gjykatë, e cila kishte munguar në seancat fillestare të mbajtura deri më tash.

Gjyqtari Mikula caktoi 10 shkurtin, si afatin përfundimtarë kur palët mundë ta kundërshtojnë aktakuzën. Ai tha se pas kësaj date do të vendoset se a do të mbahet shqyrtimi dytësor apo do të kalojnë direkt në shqyrtim kryesor.

Ndryshe, në seancën e kaluar të mbajtur më 11 janar, për herë të dytë ish-deputeti Rugova dhe ish-ministri Haraqija u deklaruan të pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohen.

Ky proces gjyqësor u kthye nga fillimi, pasi që gjyqtarit paraprak të çështjes Victor Partal, nuk iu kishte vazhduar mandati, ku rastin në fjalë kaloi te gjyqtari polak i EULEX-it,Vladimir Mikula.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit, njofton “Betimi për Drejtësi”.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza e prokurorit Allen Cansick thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish – ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

 

The post Deklarohen të pafajshëm edhe tre të akuzuarit tjerë në rastin e Ukë Rugovës appeared first on INSAJDERI.

Pak: Nikoliqi nuk tha se do të shkojmë në luftë në Kosovë

Posted: 18 Jan 2017 05:40 AM PST

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, nuk ka bërë thirrje për luftë. Kështu ka thënë këshilltarja e tij, Stanislava Pak.

Ajo theksoi se presidenti Nikoliq nuk ka thënë se ai do të shkojë në luftë me të bijtë e tij, dhe se një titull i tillë i një gazete është "shtrembëruar", raporton agjencia serbe e lajmee Tanjug.

“Edhe kjo na duhej. Ka thënë se Serbia nuk do të shkaktojë konflikte, nuk do të provokojë dhe as që i do… Edhe Patriarku tha – larg qoftë që ne të shkojmë në luftë… Dhe çka nëse, Zoti na ruajt, ndodhë 'Oluja dy' (aksioni kroat në Kroaci në vitin 1995 kundër krahinës serbe), çka do bëjë Serbia, të rri duarkryq…”, tha Pak në TV Pink

Ajo ka thënë se Nikoliq nuk beson se një konflikt i tillë mund të ndodhë, por theksoi se Serbia është e gatshme për çdo skenar të mundshëm.

Stanislava Pak, tha se në media, në mënyra të ndryshme, mund të paraqitet ndonjë situatë.

“Ju e keni parë deklaratën e Presidentit, ditëve të fundit, që Serbia kurrsesi nuk dëshiron konflikte, dhe sidomos nuk dëshiron luftë në provincën jugore serbe, dhe se nëse situata është drastike, dhe nëse shqiptarët i vrasin serbët, Serbia duhet të reagojë. Në këtë mesazh paqësor ndodhi një shtrembërim krejtësisht i ndryshëm në media, që Nikoliq bën thirrje për luftë, se po vishet në uniformë, që me bijtë e tij do të shkojë në luftë në Kosovë, që nuk patëm një rast të tillë”, tha Pak.

The post Pak: Nikoliqi nuk tha se do të shkojmë në luftë në Kosovë appeared first on INSAJDERI.

Xabi Alonso i jep fund karrierës këtë vit

Posted: 18 Jan 2017 05:38 AM PST

Xabi Alonso do t'i japë fund karrierës në futbollin e luajtur, në fund të këtij sezoni. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja gjermane "Bild", sipas së cilës mesfushori spanjoll i Bayern Munchen është takuar me drejtuesit e klubit bavarez, duke iu komunikuar vendimin e tij për t'u tërhequr.

Kontrata e Alonsos me Bayernin skadon në verën e këtij viti dhe futbollisti 35-vjeçar nuk ka ndërmend ta rinovojë atë, ndërkohë që ai e përjashton mundësinë për të luajtur në një kampionat të një niveli më të ulët.

Karriera 18-vjeçare e Xabi Alonsos është shumë e pasur. Deri tani, mesfushori ka fituar një Botëror dhe dy Europianë me përfaqësuesen spanjolle. Në rang klubesh, ai ka mundur të fitojë dy Champions League me Liverpoolin dhe Realin e Madridit, një titull kampion të Spanjës, dy tituj të Bundesligës me Bayernin, një Kupë të Spanjës, një "FA Cup", një "Community Shield" dhe një Kupë të Gjermanisë.

Në të njëjtën kohë, Xabi Alonso ka mundur të fitojë dy Superkupa Europiane, një Superkupë të Spanjës e një Superkupë të Gjermanisë. Llogaritë nuk mbyllen këtu, pasi numri i trofeve të fituar nga Xabi Alonso mund të shtohet në fundin e këtij sezoni.

The post Xabi Alonso i jep fund karrierës këtë vit appeared first on INSAJDERI.

Betimi i Trumpit do të shoqërohet me marihuanë

Posted: 18 Jan 2017 05:23 AM PST

E quajnë veten "Washingstonians" dhe po planifikojnë ta "ndezin" fjalimin e betimit të Donald Trumpit më 20 janar, për ta detyruar atë të legalizojë marijuanën në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Ligjet federale të vendit vazhdojnë ta ndalojnë, si të paligjshëm, përdorimin e saj. Por organizatorët e nismës së çuditshme shprehen të gatshëm t'i ndihmojnë pjesëmarrësit ta shohin më qartë këtë çështje, duke i dhuruar 4.200 cigare me hashash pa kërkuar asgjë në këmbim.

Fushata "DC Cannabis", që emrin e shkurtuar e ka "DCMJ", do të shohë vullnetarët të marshojnë nga ora 8 deri në 10 të mëngjesit me orën lokale, të premten, për t'u shpërndarë njerëzve cigaret e krijuara me marijuanë të prodhuar në mënyrë të ligjshme.

"E kemi nisur që javën e kaluar përgatitjen e cigareve. Kemi angazhuar për këtë punë edhe miq e të afërm. Shpeshherë janë mbledhur grupe prej 6 apo 7 vetësh, të cilët e kanë kaluar ditën së bashku, sepse nuk është edhe aq e lehtë të përgatisësh kaq shumë cigare hashashi", tha Elizabeth Croydon, vullnetare.

Një ligj i miratuar shkurtin e vitit 2015 në Uashington DC e lejon zotërimin e sasive të vogla të marijuanës, si dhe rritjen e konsumin e saj në shtëpi, por vazhdon të mbetet e paligjshme blerja, apo shitja e kësaj droge në publik.

Sasia e lejuar për të rriturit mbi 21 vjeç është gati 57 gramë, gjithmonë për përdorim privat.

The post Betimi i Trumpit do të shoqërohet me marihuanë appeared first on INSAJDERI.

Biden: Rusia është kërcënimi më i madh për rendin liberal botëror

Posted: 18 Jan 2017 05:23 AM PST

Në fjalimin e tij madhor në fund të mandatit, zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, tha se Rusia paraqet kërcënimin më të madh për "rendin liberal ndërkombëtar" dhe ka tërhequr vërejtjen se mund të priten përpjekje të mëtejshme ruse për ndërhyrje në zgjedhjet perëndimore.

"Derisa shumë vende në Evropë planifikojnë mbajtje të zgjedhjeve këtë vit, ne duhet të presim përpjekje të mëtejshme nga Rusia për ndërhyrje në procesin demokratik", tha Biden dhe ka shtuar se "ju premtoj se kjo do të ndodhë përsëri dhe qëllimi është i qartë: për ta shkatërruar rendin liberal ndërkombëtar".

Mëtutje, gjatë fjalimit të tij të sotëm në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, zyrtari i lartë amerikan u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, që "ta udhëheqin luftën" për mbrojtje të vlerave liberale dhe ka këmbëngulur që NATO-ja duhet të mbetet elementi kryesor i marrëdhënieve transatlantike, shkruan REL.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili inaugurohet pasnesër, ka vlerësuar se NATO-ja është e "vjetruar", duke e akuzuar se nuk ka bërë sa duhet në luftimin e terrorizmit. Megjithatë Trump ka pranuar se aleanca është ende "shumë e rëndësishme" për të.

The post Biden: Rusia është kërcënimi më i madh për rendin liberal botëror appeared first on INSAJDERI.

Hasani: Veriu s’është Krimea, por Serbia llogaritë në trazira pas Gjykatës Speciale

Posted: 18 Jan 2017 05:09 AM PST

Serbia dëshiron që ta ruajë gjendjen e tensionuar në Kosovë me shpresën që kur të fillojë punën Gjykata Speciale, situata të dalë jashtë kontrolli, siç kishte ndodhur në vitin 2004", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Ai mendon se veriu i Kosovës dallon shumë nga rasti i Krimesë, ndërkaq nuk e përjashton mundësinë që si pasojë e tensioneve, një ditë Moska dhe Uashingtoni ta trajtojnë zgjidhjen e çështjes së veriut si problem të veçantë.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, po interpretohen si përpjekje e Serbisë për zbatimin e skenarit rus, të ngjashëm me rastin e Krimesë. Sa shihni ju ngjashmëri në këto dy raste?

Enver Hasani: Mendoj që skenari si i Krimesë, në rastin e Kosovës është shumë vështirë i zbatueshëm, për shumë arsye. Në Krime, siç dihet, ka pasur një flotë ruse, që ka qenë dhe është shekullore. Është një interes strategjik që rusët e kanë planifikuar që pas luftës së ftohtë si afërsi imediate e kufijve rus, ku hyjnë Ukraina, Gjeorgjia dhe të gjitha ato vende të cilat i kanë animuar konfliktet për të penguar ndikimin perëndimor në një afërsi imediate të Rusisë. Krimea është pjesë e saj dhe ka qenë dhe vazhdon të jetë një vend strategjik për sigurinë ruse.

Në rastin e Kosovës, një skenar i tillë është vështirë i realizueshëm për shkak se ai në rend të parë do ta vinte Serbinë në një pozitë jashtëzakonisht të palakmueshme, apo të një 'mashe' siç thuhet, në raportet e Evropës dhe botës perëndimore dhe që do të çonte në rend të parë në largimin e investimeve dhe në izolimin e Serbisë, marrë parasysh rrugën të cilën Serbia e synon me çdo kusht, pra rrugën e integrimit euro-atlantik.

Mirëpo, nëse merret parasysh tranzicioni që unë do ta quaja gjeo-strategjik si pasojë e zgjedhjeve në Shtete e Bashkuara të Amerikës ku shihet qartë ndryshimi i politikës së jashtme amerikane kundrejt Evropës dhe strukturave të sigurisë euro-atlantike. Pra, në këso rrethana nuk përjashtohet mundësia që Serbia, në një nivel tjetër, do të thotë përmes riaktivizimit të forcave paramilitare të ish-policisë së Serbisë, të krijojë struktura paralele në mënyrë që bisedimet në nivelin më të lartë ose diskutimet ruso-amerikane dhe aleatëve perëndimor, Kosova të jetë në defansivë si pasojë e veprimeve të tilla serbe.

Radio Evropa e Lirë: Sa shihni këtu rritjen e ndikimit rus në vendimmarrjet në Serbi karshi Kosovës dhe pjesës veriore të saj?

Enver Hasani: Këtu, sigurisht që ka ndikim rus dhe kalkulimet e Serbisë bëhen gjithmonë mbi shpresat e saj se Rusia mund të jetë e fuqizuar tash në dritën e ndryshimeve të reja përgjithësisht në planin global.

Kjo është parë në planin e Alepos dhe në radikalizmin e konfliktit dhe tragjedisë siriane. Dhe, tash Kosova, përkatësisht këto sjellje të Serbisë, janë hap në vijim të atyre kalkulimeve që po i bëjnë serbët. Por, po shihet qartë që serbët këtë e bëjnë me dy mendje, sepse e dinë që një ofensivë e tillë në mënyrë të hapur, siç e bënë dhe po duan ta bëjnë këtë ditë, mundet t'u sjell probleme serioze Serbisë sa i përket integrimit në BE dhe në strukturat euro-atlantike.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni sjelljen e lidershipit të Kosovës në raport me zhvillimet e fundit në veri marrë parasysh atë që u tha edhe nga presidenti Hashim Thaçi se Serbia ka pretendime të hapura ndaj veriut të Kosovës?

Enver Hasani: Serbia ka pretendime jo vetëm ndaj pjesës veriore të Kosovës, por në përgjithësi. Por, në veri e ka më lehtë, sepse e ka një shumicë të koncentruar serbe.

Problemi është, ashtu si e shoh unë, që Serbia si qëllim imediat me trenin apo lëvizjet e fundit, ka si synim mbajtjen gjallë të diskursit apo situatës së tensionuar me një retorikë të theksuar nacionaliste në Kosovë, për shkak të hapave që priten të ndërmerren nga ana e Gjykatës Speciale.

Andaj, Serbia dëshiron që ta ruaj këtë situatë me tensione me shpresën që kur të fillojë veprimi i Gjykatës Speciale, situata në Kosovë do të dalë jashtë kontrolli, siç kishte dalë në vitin 2004, gjë që do të ishte një katastrofë e madhe për Kosovën dhe konsolidimin e shtetësisë së saj në planin ndërkombëtar nëse do të përsëritej një skenar i tillë.

Unë besoj që ky është skenari imediat dhe kalkulimi i Serbisë, ndërkohë që në një afat më të gjatë ajo llogaritë që çështja e veriut të Kosovës të jetë pjesë e dialogut global, amerikano-rus që pritet të zhvillohet në të ardhmen dhe dinamikave tjera të sigurisë euro-atlantike.

Se sa do ta arrijë këtë qëllim Serbia, unë besoj që nuk duhet neglizhuar këtë rrethanë dhe Kosova duhet të sillet jo me retorikë boshe, agresive, por të bëhet kalkulimi se sa mundet Kosova të projektojë forcë afatgjatë për ruajtjen e sovranitetit. Nëse ky kalkulim nuk bëhet, atëherë del veprimi me ROSU (Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës) një herë, dy apo tri herë, por dikur del se Kosova nuk po tregohet serioze dhe e aftë për ta ruajtur integritetin territorial.

Tek e fundit, duhet të dihet që konsolidimi i shtetësisë së Kosovës dhe integritetit territorial vetëm me masa represive, është problem.

Prandaj, duhet të dihet se deri në ç'masë mund të neutralizohet si rrezik i sigurisë ndërhyrja serbe në veri dhe sa është pjesë tjetër e procesit politik (dialogut) që domosdo duhet të vazhdoj në një format tjetër, pasi që ky format (i dialogut) po shihet qartë se është komprometuar.

Në moment që po shihet qartë se ka ndryshim të kursit të politikës së jashtme amerikane sa u përket çështjeve të sigurisë globale, me fokus të veçantë Evropën, atëherë edhe pozita e Evropës edhe e Kosovës në dialog karshi Serbisë dobësohet dhe është dobësuar.

Radio Evropa e Lirë: Me fjalë tjera, besoni që zhvillimet në veri dhe ato që do të pasojnë fillimin e punës së Gjykatës Speciale, sikur po ndikojnë dhe e bëjnë të paqartë vet tërësinë, hapësirën territoriale të Kosovës?

Enver Hasani: E bëjnë, sepse këtu nuk duhet të shikohet çështja e pjesës veriore si diçka që duhet të mbrohet vetëm nga një garniturë e caktuar e politikanëve. Ajo është interes shtetëror dhe nuk është interes partiak e politik.

Nga ky nuk mund të përfitojnë, vetëm mund të krijojnë një kaos të ngjashëm me vitin 2004, nëse kalkulimet nuk bëhen mbi bazat shtetërore dhe unë me sa po shoh dhe po kuptoj më shumë ka kalkulime për interesa për dinamika të brendshme politike, sesa të një plani afatgjatë për ri-intgrim të veriut në Kosovë.

Kjo është rrethana në të cilën Serbia po kalkulon. Duke e ditur saktë se Gjykata Speciale duhet të veproj dhe me këto veprime, Serbia po i fryn zjarrit me shpresën që strukturat qendrore të Kosovës do të tregohen të paafta për ta menaxhuar situatën në rast të fillimit të punës së Gjykatës Speciale.

Një paaftësi e tillë, më pastaj, do të shfrytëzohej nga Serbia që t'u thotë aleatëve perëndimor dhe botës se nuk është çështje vetëm veriu, por e komplet dobësia e strukturave të shtetit të Kosovës të cilat janë të paafta të tregohen gardian të integritetit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Sipas kësaj që thoni, gjeopolitika do të kthej sërish një lloj përplasje të interesave ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, perëndimit në Kosovë dhe rajon?

Enver Hasani: Fuqishëm jam i bindur që çështja e Kosovës, funksionimi i institucioneve të Kosovës, konsolidimi i shtetësisë, puna e Gjykatës Speciale, veriu, janë tema të cilat domosdo do të jenë në agjendën globale amerikano – ruse, por shumë më poshtë sesa që mendojmë ne.

Mendoj se këtë duhet ta kemi parasysh, pra shumë më poshtë sesa që e mendojmë ne. Mendoj kështu sepse problemi i sigurisë në Lindjen e Mesme është problemi parësor i sigurisë euro-atlantike. Atje rrezikohet siguria euro-atlantike nga interesat imediate ruse. Do të thotë është problemi i Sirisë, i Iranit, i Irakut dhe e shihni edhe Turqinë me politikën tërësisht të gabuar të Erdoganit i cili deri në marrëzi është i orientuar kah Rusia që do të provohet në të ardhmen se është fatale për shtetin turk.

Kurse Kosova, bën pjesë në ato probleme tjera të sigurisë evropiane, ku në çdo kombinim, Evropa mbetet partnere e SHBA-së sa i përket çështjes së sigurisë. Evropa e ka fare të qartë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të ketë Evropë stabile.

Por, edhe Serbia e ka problem, sepse është e izoluar. Asnjë vend, në rajon, nuk është me orientim pro-rus, përveç segmenteve të caktuara të shoqërisë serbe përfshirë edhe establishmentin aktual atje. I gjithë Ballkani dhe i gjithë orientimi evropian është anti-rus. Kështu që Serbia e ka problem ta heq maskën, sepse nuk do të mund të shërbente si lokomotivë për ta shtyrë rajonin kah Rusia.

Megjithatë, roli i Serbisë dhe i Rusisë në këtë pjesë do të jetë një rol me të cilin duhet të llogarisë të përballet perëndimi, përkatësisht SHBA-të dhe Evropa. Prandaj Kosova në këtë drejtim ka pozitë shumë më të dobësuar, sesa që kishte para 10 -15 viteve, sepse ka ndërruar balanci, raporti global i forcave, në rend të parë rreth Lindjes së Mesme, sepse për shembull, pa Rusinë s'mund të arrihet zgjidhja e problemit të Sirisë, sikurse edhe në vende tjera në atë pjesë.

Ato janë probleme me peshë për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, krahasuar me Kosovën. Andaj, Kosova duhet ta ketë parasysh këtë, e sidomos duhet ta kenë parasysh ata që mendojnë se vetëm me forca represive të integrohet veriu. Mendoj se e kanë tërësisht gabim. (REL)

The post Hasani: Veriu s'është Krimea, por Serbia llogaritë në trazira pas Gjykatës Speciale appeared first on INSAJDERI.

Molliqaj: Dy shitës ambulantë janë marrë si dëshmitarë për rastin e aktivistëve

Posted: 18 Jan 2017 04:55 AM PST

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se në rastin e aktivistëve të Vetëvendosjes të dyshuar për sulm ndaj Kuvendit, janë marrë si dëshmitarë dy shitës ambulantë.

"I tërë procesi ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes është i bazuar në dy dëshmitarë të cilët pretendojnë që kanë dëshmitë e tyre të cilët janë shitës ambulantiv që i ikin taksave e që në shtetet tjera s'do të mund të merreshin si kredibilë", ka thënë Molliqaj gjatë një konference për media.

Madje ai thotë se njëri prej dëshmitarëve nuk ka arritur ta identifikojë se kujt ia ka shitur motoçikletën, e cila ishte gjetur pas sulmit ndaj Kuvendit.

"Një ditë pas sulmit, dëshmitari i cili pretendon që e ka shitë motoçikletën, thotë se nuk ka dokumente për motorin e shitur dhe gjithashtu nuk ka arritur ta identifikojë Astrit Deharin", ka shtuar më tej Molliqaj.

"I njëjti dëshmitar që thotë se e kanë ble tre veta motorin e me vonë thotë se i ka identifikuar vetëm dy ndërsa Astritin nuk ka arritur ta identifikojë. Dehari prej të gjitha shkresave nuk ka asnjë sms dhe përgjim që është inkriminues dhe i përfshirë në dosje. Në asnjë prej pajisjeve të tij nuk është gjetur asgjë", ka thënë ai.

Molliqaj ka thënë se do të fillojnë me padi penale ndaj tyre, si ndaj ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, Metush Birajt, ministrit të Brendshëm, Skender Hysenit, Sylë Hoxhajt./Insajderi.com

The post Molliqaj: Dy shitës ambulantë janë marrë si dëshmitarë për rastin e aktivistëve appeared first on INSAJDERI.

Thaçi: Serbia nuk do të ndalet së provokuari derisa ta njohë Kosovën

Posted: 18 Jan 2017 03:50 AM PST

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka komentuar provokimet e Serbisë që po bëhen ndaj Kosovës.

Ai ka thënë se provokime të tilla do të ketë edhe në të ardhmen pasi që sipas tij janë pjesë e skenarit të vjetër të Serbisë për të ndarë një pjesë të territorit të Kosovës.

"Provokimet nga shteti i Serbisë do të vazhdojnë deri atëherë kur Serbia ta njoh Kosovën dhe të heqë dorë nga politika e vet hegjemoniste dhe nacionalist", ka thënë Thaçi në një intervistë për gazetën Zëri.

Ndërkaq sa i përket deklaratës së presidentit të Serbisë, i cili tha se është i gatshëm për luftë nëse kërcënohen serbet e Kosovës, Thaçi tha se serbët në Kosovë janë të privilegjuar.

"Nuk ka asnjë kërcënim drejtuar komuniteti serb nga kushdo në Kosovë. Kërcënimi I vetëm për serbë e Kosovës është përdorimi dhe manipulimi I tyre nga ana e Serbisë për realizimin e skenarëve të veta nacionaliste për destabilizimin dhe ndarjen e Kosovës", ka thënë Thaçi.

I pyetur,  nëse ndihet përgjegjës për punësimet dhe dhënien e tenderëve të shumtë për partiakët e tij, Thaçi ka thënë se çdokush duhet të japë përgjegjësi individuale.

"Çdokush që ka bërë shkelje të ligjit duhet të japë llogari për sjelljen e vet pa marr parasysh prejardhjen dhe afërsinë politike. Këtu nuk ka çfarë të diskutohet", ka thënë Thaçi.

Thaçi ka përmendur edhe krijimin e ushtrisë së Kosovës, mirëpo nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë për këtë.

The post Thaçi: Serbia nuk do të ndalet së provokuari derisa ta njohë Kosovën appeared first on INSAJDERI.

Piktorët me ekspozitë në mbështetje të Ramush Haradinajt

Posted: 18 Jan 2017 03:29 AM PST

Sot në Bibliotekën Kombëtare "Pjetër Bogdani" në Prishtinë, në ora 13:00, hapet ekspozita e piktorëve në përkrahje të ish kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Pas daljes para trupit gjykues, ish komandanti i UÇK-së është liruar me kusht, por do të duhet të qëndrojë në Francë deri në marrjen e vendimit për lirimin e tij.

Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet Franceze në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia.

The post Piktorët me ekspozitë në mbështetje të Ramush Haradinajt appeared first on INSAJDERI.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more